Njerëzimi ka nevojë për njohurinë e Perëndisë
«Do të kuptosh frikën e Jehovait dhe do të gjesh vetë njohurinë e Perëndisë.»—PROVERBAT 2:5, BR.
1. Përse mund të themi se zemra e njeriut është një kryevepër e projektimit hyjnor?
POTHUAJSE 5.600.000.000 zemra njerëzish janë duke rrahur pikërisht tani mbi tokë. Çdo ditë, vetë zemra juaj rreh 100.000 herë dhe pompon një masë të barabartë me 8.000 litra gjak, me anë të sistemit tuaj kardiovaskular 100.000 km të gjatë. Asnjë muskul tjetër nuk punon më fort se kjo kryevepër e projektimit hyjnor.
2. Si do ta përshkruaje zemrën figurative?
2 Por ekzistojnë edhe 5.600.000.000 zemra figurative që punojnë mbi tokë. Në zemrën figurative banojnë emocionet tona, dëshirat tona, motivet tona. Ajo është vatra e vullnetit tonë, e mendimeve tona, e kuptimeve tona. Zemra figurative mund të jetë krenare ose e përulur, e mërzitur ose e gëzuar, e errët apo e ndriçuar.—Nehemia 2:2; Proverbat 16:5; Mateu 11:29; Veprat 14:17; 2. Korintasve 4:6; Efesianëve 1:16-18.
3, 4. Si po shkon lajmi i mirë në zemrat e njerëzve?
3 Perëndia Jehova mund të lexojë zemrat e njerëzve. Proverbat 17:3 thotë: «Poçi është për argjendin dhe furra për arin, por ai që provon zemrat është Zoti.» Në vend se vetëm të lexojë çdo zemër e të shpallë gjykime, Jehovai po përdor Dëshmitarët e tij për të çuar në zemrat e njerëzve lajmin e mirë. Kjo është në përputhje me fjalët e apostullit Pavël: «‘Kushdo që do ta thërrasë emrin e Zotit [Jehovait, BR] do të shpëtohet.’ Si do ta thërrasin, pra, atë, të cilit nuk i besuan? Dhe si do të besojnë tek ai për të cilin nuk kanë dëgjuar? Dhe si do të dëgjojnë, kur s’ka kush predikon? Dhe si do të predikojnë pa qenë dërguar? Siç është shkruar: ‘Sa të bukura janë këmbët e atyre që shpallin paqen, që shpallin lajme të mira!’»—Romakëve 10:13-15.
4 Jehovait i ka pëlqyer të dërgojë Dëshmitarët e tij në skajet e tokës, për «të shpallur lajmin e mirë të gjërave të mira» dhe për të gjetur njerëzit me zemër të ndjeshme. Ne jemi tani mbi 5.000.000 veta, një mesatare prej 1 Dëshmitar në 1.200 njerëz mbi tokë. T’u çosh lajmin e mirë miliarda njerëzve nuk është e lehtë. Por Perëndia po e drejton këtë vepër me anë të Jezu Krishtit dhe po tërheq njerëzit me zemër të ndershme. Pra, është duke u vërtetuar profecia e Isaisë 60:22: «I vogli vetë do të bëhet një mijë dhe i pakti një komb i fuqishëm. Unë vetë, Jehovai, do ta shpejtoj në kohën e duhur.»—BR.
5. Ç’është njohuria dhe ç’mund të themi për mençurinë e botës?
5 Kjo kohë është tani dhe një gjë është e qartë: miliarda veta mbi tokë kanë nevojë për njohuri. Kryesisht, njohuri do të thotë të jesh në dijeni të fakteve të fituara nga përvoja, vëzhgimet apo studimi. Bota ka grumbulluar shumë njohuri. Janë bërë përparime në fusha të tilla si transporti, shëndetësia dhe komunikimi. Por, a është njohuria e botës, ajo për të cilën njerëzimi ka me të vërtetë nevojë? Vështirë! Luftërat, shtypja, sëmundjet dhe vdekja vazhdojnë të godasin njerëzimin. Mençuria e botës shpesh ka dalë si rëra e shkretëtirës që e vërtit stuhia.
6. Në lidhje me gjakun, çfarë bën njohuria e Perëndisë në krahasim me mençurinë botërore?
6 Le ta ilustrojmë. Nja dy shekuj më parë, përdorej nxjerrja e gjakut, e cila mendohej se shërbente si një kurë. Xhorxh Uashington, presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara, nxori vazhdimisht gjak gjatë orëve të fundit të jetës së tij. Në një moment ai tha: «Më lini të vdes i qetë; unë s’e kam të gjatë.» Dhe kishte të drejtë, sepse vdiq po atë ditë, më 14 dhjetor 1799. Në vend të nxjerrjes së gjakut, sot theksohet transfuzioni i gjakut brenda trupit të njeriut. Që të dyja procedurat kanë qenë të rënduara me probleme vdekjeprurëse. Megjithatë, gjatë gjithë kësaj kohe, Fjala e Perëndisë kishte thënë: «Hiqni dorë . . . nga gjaku.» (Veprat 15:29) Njohuria e Perëndisë është gjithmonë e drejtë, e besueshme dhe aktuale.
7. Çfarë bën njohuria e saktë e Shkrimeve në krahasim me mençurinë e botës, në lidhje me rritjen e fëmijëve?
7 Shqyrto edhe një shembull tjetër të mençurisë së botës, të cilës nuk mund t’i besohet. Vite me radhë psikologët kanë përkrahur mendimin e rritjes së lirë të fëmijëve, por më vonë, një nga përkrahësit e tij pranoi se ky ishte një gabim. Shoqata Filologjike Gjermane tha dikur se fakti që kemi qenë tolerantë është «të paktën në mënyrë jo të drejtpërdrejtë përgjegjës për problemet që kemi tani me të rinjtë». Mençuria e botës mund të lëkundet sa andej-këndej, sikur të rrihej nga erërat, por njohuria e Shkrimeve ka provuar se është e palëkundshme. Bibla jep këshilla të ekuilibruara për rritjen e fëmijëve. «Korrigjo birin tënd, ai do të japë rehatinë dhe do t’i sigurojë kënaqësi shpirtit tënd»,—thotë Proverbave 29:17. Kjo disiplinë duhet dhënë me dashuri, sepse Pavli shkroi: «Etër, mos provokoni për zemërim fëmijtë tuaj, por i edukoni në disiplinë dhe në këshillë të Zotit.»—Efesianëve 6:4.
«Vetë njohuria e Perëndisë»
8, 9. Si do ta shpjegoje atë që thonë Proverbat 2:1-6, në lidhje me njohurinë që i nevojitet me të vërtetë njerëzimit?
8 Edhe pse ishte një njeri i arsimuar, Pavli shkroi: «Në qoftë se ndonjë nga ju mendon se është i urtë në këtë kohë, le të bëhet i marrë, që të mund të bëhet i urtë. Sepse dituria e kësaj bote është marrëzi pranë Perëndisë.» (1. Korintasve 3:18, 19) Vetëm Perëndia mund të sigurojë njohurinë, për të cilën njerëzimi ka vërtet nevojë. Në lidhje me të, Proverbat 2:1-6 thotë: «Biri im, në rast se pranon fjalët e mia dhe i quan thesar urdhërimet e mia, duke i vënë veshin diturisë dhe duke prirur zemrën drejt arsyes; po, në rast se kërkon me ngulm gjykimin dhe ngre zërin për të siguruar mirëkuptim, në rast se e kërkon si argjendin dhe fillon të rrëmosh si për një thesar të fshehur, atëherë do të ndjesh frikën e Zotit dhe ke për të gjetur kuptimin e Perëndisë. Sepse Zoti jep diturinë; nga goja e tij rrjedhin njohuria dhe arsyeja.»
9 Ata që nxiten nga një zemër e mirë, i kushtojnë kujdes mençurisë, duke e zbatuar siç duhet njohurinë e dhënë nga Perëndia. I pririn zemrat e tyre ndaj aftësive shquese, duke vlerësuar me kujdes faktet që mësojnë. Në fakt, ata kërkojnë kuptueshmëri apo aftësinë për të kuptuar se si pjesët e një subjekti lidhen me njëra-tjetrën. Njerëzit me zemër të drejtë punojnë si ata që gërmojnë për të kërkuar argjend ose thesare të fshehura. Çfarë thesari të madh kanë gjetur njerëzit me zemër të gatshme për të pranuar? «Vetë njohurinë e Perëndisë». Çfarë është ajo? E thënë thjesht, është njohuria që gjejmë në Fjalën e Perëndisë, Biblën.
10. Ç’duhet të bëjmë për të gëzuar shëndet të mirë frymor?
10 Njohuria e Perëndisë është e shëndetshme, e qëndrueshme, jetëdhënëse. Ajo të jep shëndet frymor. Pavli e nxiti Timoteun: «Ruaje modelin e fjalëve të shëndosha që dëgjove prej meje me besim dhe dashuri, që janë në Krishtin Jezus.» (2. Timoteut 1:13) Një gjuhë ka një model fjalësh. Edhe «gjuha e pastër» e së vërtetës së Biblës ka «modelin e fjalëve të shëndosha», të bazuar kryesisht në temën e Biblës për shfajësimin e sovranitetit të Jehovait me anë të Mbretërisë. (Sofonia 3:9) Duhet ta mbajmë këtë model të fjalëve të shëndosha në mendje e në zemër. Për të shmangur shqetësimet e zemrës figurative dhe për të mbetur të shëndetshëm frymësisht, duhet të zbatojmë Biblën në jetën e përditshme e të përfitojmë plotësisht nga sigurimet frymore që po bën Perëndia nëpërmjet «skllavit besnik e të matur». (Mateu 24:45-47, BR; Titit 2:2) Le të mos harrojmë asnjëherë se për të pasur shëndet të mirë frymor, kemi nevojë për njohurinë e Perëndisë.
11. Cilat janë disa nga arsyet, për të cilat njerëzimi ka nevojë për njohurinë e Perëndisë?
11 Le të shqyrtojmë arsye të tjera, për të cilat miliarda njerëz mbi tokë kanë nevojë për njohurinë e Perëndisë. A e dinë njerëzit në përgjithësi se si erdhën në ekzistencë toka dhe njerëzimi? Jo, nuk e dinë. A e njeh gjithë njerëzimi Perëndinë e vërtetë dhe Birin e tij? A kanë ata ndonjë njohuri mbi çështjet që ngriti Satanai në lidhje me sovranitetin hyjnor dhe integritetin e njerëzve? Prapë jo. A e dinë njerëzit në përgjithësi përse plakemi dhe vdesim? Përsëri mund të themi jo. A e kuptojnë të gjithë banorët e tokës se Mbretëria e Perëndisë po sundon dhe se ne po jetojmë në ditët e fundit? A janë të vetëdijshëm për forcat e liga frymore? A kanë ata një njohuri të vërtetë në lidhje me mënyrën se si të kenë një jetë familjare vërtet të lumtur? A e dinë njerëzit se qëllimi i Krijuesit tonë për njerëzimin e bindur është një jetë e gëzueshme në Parajsë? Edhe për këto pyetje përgjigjja është jo. Është e qartë, pra, njerëzimi ka nevojë për njohurinë e Perëndisë.
12. Si mund ta adhurojmë Perëndinë «në frymë dhe në të vërtetën»?
12 Gjithashtu, njerëzimi ka nevojë për njohurinë e Perëndisë edhe për shkak të asaj që tha Jezui në lutjen e tij, natën e fundit të jetës së tij tokësore. Apostujt e tij duhet të kenë qenë thellësisht të nxitur për ta dëgjuar, kur tha: «Kjo është jeta e përhershme, të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar.» (Gjoni 17:3) Zbatimi i kësaj njohurie është mënyra e vetme për të adhuruar Perëndinë në mënyrë të pranueshme. «Perëndia është Frymë dhe ata që e adhurojnë duhet ta adhurojnë në frymë dhe në të vërtetën»,—tha Jezui. (Gjoni 4:24) E adhurojmë Perëndinë «në frymë», kur jemi të nxitur nga zemra plot besim dhe dashuri. Si e adhurojmë «në të vërtetën»? Duke studiuar Fjalën e tij dhe duke e adhuruar sipas së vërtetës që ai ka zbuluar, sipas ‘vetë njohurisë së Perëndisë’.
13. Cilën ngjarje gjejmë në Veprat 16:25-34 dhe ç’mund të mësojmë prej saj?
13 Mijëra veta fillojnë të adhurojnë Jehovain çdo vit. Megjithatë, a duhet të drejtojmë studime biblike për një kohë të gjatë, me njerëzit e interesuar, ose, a është e mundur të ndihmojmë njerëzit me zemër të ndershme deri në pagëzim edhe më shpejt? Mirë, pra, shikoni se ç’ndodhi me një gardian dhe me njerëzit e shtëpisë së tij, të përmendur në Veprat 16:25-34. Pavli dhe Sila ishin të burgosur në Filipi, por në mesnatë një tërmet i madh hapi dyert e burgut. Duke menduar se të gjithë të burgosurit ishin arratisur dhe se do ta ndëshkonin rreptë, gardiani ishte gati të kryente vetëvrasje, kur Pavli i tha se ata ishin të gjithë aty. Pavli dhe Sila «i shpallën fjalën e Zotit atij dhe gjithë atyre që ishin në shtëpinë e tij». Ai gardian dhe familja e tij ishin paganë që s’kishin njohuri nga Shkrimet e Shenjta. Megjithatë, po atë natë, ata u bënë besimtarë. Për më tepër, «ai dhe të gjithë të tijtë u pagëzuan menjëherë». Ato ishin rrethana të jashtëzakonshme, por të rinjve u mësoheshin të vërtetat themelore e më pas mësonin gjëra të tjera në mbledhjet e kongregacionit. Diçka e ngjashme duhet bërë e mundur edhe sot.
Të korrat janë të mëdha!
14. Përse kemi nevojë të drejtojmë edhe më shumë studime biblike të efektshme, në një periudhë më të shkurtër kohore?
14 Do të ishte e shkëlqyeshme sikur Dëshmitarët e Jehovait të mund të drejtonin më shumë studime të efektshme biblike në një periudhë më të shkurtër kohore. Ekziston një nevojë e vërtetë për këtë. Në vendet e Evropës Lindore, për shembull, njerëzit presin në listën e studimeve biblike. Po kështu është edhe gjetkë. Në një qytet në Republikën Domenikane, pesë Dëshmitarë kishin kaq shumë kërkesa, saqë nuk mund t’i drejtonin të gjitha studimet. Çfarë bënë? Inkurajuan gjithë të interesuarit të ndiqnin mbledhjet në Sallën e Mbretërisë dhe mbajtën një listë në pritje për studime biblike. E njëjta gjendje ekziston në shumë vende përreth botës.
15, 16. Çfarë është siguruar për të përhapur më shpejtë njohurinë e Perëndisë dhe cilët janë disa fakte në lidhje me të?
15 Territore të gjera, fusha të mëdha për t’u korrur, janë hapur para popullit të Perëndisë. Edhe pse, Jehovai, ‘Zoti i të korrave’, po dërgon edhe më shumë punëtorë, ka ende shumë për të bërë. (Mateu 9:37, 38) Prandaj, për të përhapur edhe më shpejt njohurinë e Perëndisë, «skllavi besnik» ka përgatitur diçka, që në mënyrë të përmbledhur jep informata specifike, në mënyrë që studentët e Biblës të mund të bëjnë përparim frymor në secilin mësim. Është një botim i ri, i cili mund të zhvillohet edhe më shpejt gjatë një studimi biblik, ndoshta në disa muaj. Atë mund ta mbajmë me lehtësi në çantat apo edhe në xhepat tanë! Qindra e mijëra delegatët e mbledhur në kongreset krahinore të Dëshmitarëve të Jehovait, me temë «Lavdërues të gëzuar», ishin të gëzuar tek merrnin këtë libër të ri me 192 faqe, Njohuria që të çon në jetën e përhershme.
16 Shkrimtarë në vende të ndryshme u caktuan për të përgatitur materialin, që më vonë u hodh në formën përfundimtare për librin Njohuria. Prandaj, libri duhet të ketë një tërheqje ndërkombëtare. Por, a do të duhet shumë kohë përpara se ky libër i ri të dalë edhe në gjuhët e popujve anembanë botës? Jo, sepse një libër me 192 faqe mund të përkthehet më shpejt se librat më të mëdhenj. Nga tetori 1995, Komiteti i Shkrimeve i Trupit Udhëheqës ka aprovuar përkthimin e këtij libri nga anglishtja në më tepër se 130 gjuhë.
17. Cilët faktorë duhet ta bëjnë të lehtë përdorimin e librit Njohuria?
17 Veçantitë në secilin kapitull të librit Njohuria, duhet ta aftësojnë studentin për të bërë një përparim shumë të shpejtë frymor. Libri i paraqet të vërtetat biblike në një mënyrë pozitive. Ai nuk zgjatet mbi doktrinat e rreme. Qartësia e gjuhës dhe zhvillimi logjik, duhet ta bëjnë të lehtë përdorimin e këtij libri për të drejtuar studime biblike e për të ndihmuar njerëzit që të kuptojnë njohurinë e Perëndisë. Përveç shkrimeve të cituara, ka edhe tekste biblike të cituara, të cilat studenti mund t’i shikojë gjatë përgatitjes për shqyrtim. Këto mund të lexohen gjatë studimit, për aq sa e lejon koha. Megjithatë, nuk do të ishte e mençur të përdorej material shtesë, i cili mund të zbehë pikat kryesore. Përkundrazi, ata që drejtojnë studime biblike duhet të përpiqen të shquajnë e t’i transmetojnë studentit atë që provon libri në secilin kapitull. Kjo do të thotë që së pari mësuesi duhet ta studiojë këtë libër me zell, në mënyrë që mendimet kryesore të jenë shumë të qarta në mendjen e tij.
18. Cilat sugjerime janë bërë në lidhje me përdorimin e librit Njohuria?
18 Si mund ta shpejtojë libri Njohuria që të çon në jetën e përhershme veprën e bërjes së dishepujve? Ky libër me 192 faqe mund të studiohet në një periudhë kohore relativisht të shkurtër dhe ata «që janë caktuar me të drejtë për jetë të përhershme» duhet të kenë mundësi që me anë të studimit të tij, të mësojnë aq sa t’i dedikohen Jehovait e të pagëzohen. (Veprat 13:48) Prandaj, le ta përdorim sa më mirë në shërbim librin Njohuria. Nëse një student i Biblës ka ecur përpara me studimin e ndonjë libri tjetër, mund të jetë praktike që ai të mbarojë atë libër. Përndryshe, sugjerohet që studimet biblike të kalohen me librin Njohuria. Pasi të jetë mbaruar ky botim i ri, nuk sugjerohet vazhdimi i studimit me po atë student, me një libër të ri. Ata që përqafojnë të vërtetën mund ta plotësojnë njohurinë e tyre duke ndjekur mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait, si edhe duke lexuar vetë Biblën dhe botime të ndryshme të krishtere.—2. Gjonit 1.
19. Përse do të ishte e dobishme të rishikonim broshurën Mësimet elementare të Biblës, përpara se të drejtonim studime biblike me librin Njohuria?
19 Libri Njohuria u shkrua me synimin që të ndihmojë një person për t’iu përgjigjur të gjitha pyetjeve që pleqtë rishikojnë me një lajmëtar të papagëzuar, i cili dëshiron të pagëzohet si Dëshmitar i Jehovait. Prandaj, përpara se t’i kalosh me këtë libër studimet biblike që ke tashmë, rekomandohet që të harxhosh ca orë për të rishikuar pyetjet në broshurën Mësimet elementare të Biblës.a Kjo do të të ndihmojë të theksosh përgjigjet e këtyre pyetjeve gjatë studimeve biblike me librin Njohuria.
20. Ç’ke planifikuar të bësh me librin Njohuria që të çon në jetën e përhershme?
20 Njerëzit kudo në botë duhet të dëgjojnë lajmin e mirë. Po, njerëzimi ka nevojë për njohurinë e Perëndisë dhe Jehovai ka Dëshmitarët e tij për ta bërë atë të njohur. Tani, kemi një libër të ri, që na e ka siguruar Ati ynë i dashur qiellor, me anë të klasës së skllavit besnik e të matur. A do ta përdorësh për të mësuar të vërtetën e për t’i sjellë lavdi emrit të shenjtë të Jehovait? Jehovai do të të bekojë me siguri, ndërsa kryen çdo përpjekje për t’u çuar sa më shumë vetave njohurinë që të çon në jetën e përhershme.
[Shënimi]
a Botuar në shqip nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
Si do të përgjigjeshe?
◻ Si do ta përshkruaje zemrën figurative?
◻ Ç’është njohuria e Perëndisë?
◻ Përse njerëzimi ka nevojë për njohurinë e Perëndisë?
◻ Cilin libër të ri kemi në dispozicion dhe ç’plane ke për ta përdorur atë?
[Figura në faqen 10]
Ka shumë arsye për të cilat miliarda banorët e tokës kanë nevojë për njohurinë e Perëndisë