BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • bt kap. 8 f. 60-67
  • Kongregacioni hyri «në një periudhë paqeje»

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Kongregacioni hyri «në një periudhë paqeje»
  • ‘Të japim dëshmi të plotë’ për Mbretërinë e Perëndisë
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • «Pse po më përndjek?» (Veprat 9:1-5)
  • «Saul, vëlla! Zotëria . . . më dërgoi» (Veprat 9:6-17)
  • ‘Filloi të predikonte për Jezuin’ (Veprat 9:18-30)
  • «Shumë veta filluan të besonin» (Veprat 9:31-43)
  • Jezui zgjedh Saulin
    Të mësojmë nga historitë e Biblës
  • Persekutuesi sheh një dritë të madhe
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2000
  • Rrugës për në Damask
    Libri im i tregimeve biblike
  • Sauli takon miqtë e vjetër dhe armiqtë e dikurshëm
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2007
Shih më tepër
‘Të japim dëshmi të plotë’ për Mbretërinë e Perëndisë
bt kap. 8 f. 60-67

KAPITULLI 8

Kongregacioni hyri «në një periudhë paqeje»

Nga përndjekës i egër, Sauli u bë një i krishterë i zellshëm

Bazuar te Veprat 9:1-43

1, 2. Pse po shkonte në Damask Sauli?

UDHËTARËT fytyrëngrysur po i afroheshin Damaskut, ku kishin ndër mend të vinin në jetë një plan keqdashës. Do t’i nxirrnin me forcë nga shtëpitë dishepujt e urryer të Jezuit, do t’i lidhnin, do t’i poshtëronin e do t’i çonin zvarrë në Jerusalem që të përballeshin me furinë e Sinedrit.

2 Udhëheqësi i grupit, Sauli, tashmë i kishte duart të lyera me gjak.a S’kishte shumë që kishte parë shokët e tij të zellshëm të vritnin me gurë Stefanin, një dishepull të devotshëm të Jezuit, dhe i kishte miratuar. (Vep. 7:57–8:1) Sikur të mos i mjaftonte që po përndiqte dishepujt e Jezuit në Jerusalem, ai u fryu flakëve të përndjekjes edhe në vende të tjera. Donte që të fshinte nga faqja e dheut sektin e rrezikshëm të njohur si ‘Udha’.—Vep. 9:1, 2; shih kutinë «Mandati i Saulit në Damask».

3, 4. (a) Ç’ndodhi me Saulin? (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë?

3 Papritur, një dritë e fortë vetëtiu rreth Saulit. Shokët e tij të udhëtimit e panë dritën, por mbetën pa fjalë nga tronditja. Sauli u verbua dhe ra përtokë. Nuk shihte gjë, por dëgjoi një zë nga qielli që i tha: «Saul, Saul, pse po më përndjek?» I shtangur, ai pyeti: «Kush je ti, Zotëri?» Përgjigjja që mori, me siguri e tronditi në shpirt: «Jam Jezui, të cilin ti po e përndjek.»—Vep. 9:3-5; 22:9.

4 Ç’mësojmë nga fjalët e para që i tha Jezui Saulit? Si nxjerrim dobi nga shqyrtimi i ngjarjeve që ndodhën kur Sauli u bë dishepull i Jezuit? Ç’mësime mund të nxjerrim nga mënyra si e përdori kongregacioni periudhën e paqes që vijoi pasi Sauli u bë dishepull?

MANDATI I SAULIT NË DAMASK

Nga e mori Sauli autoritetin që të arrestonte të krishterët në një qytet të huaj? Sinedri dhe kryeprifti kishin autoritet të vendosnin normat morale për judenjtë kudo që banonin, dhe pushteti i kryepriftit me sa duket përfshinte autoritetin për t’i sjellë kriminelët në Jerusalem e për t’i gjykuar. Prandaj, letrat nga kryeprifti do të nxitnin bashkëpunimin e pleqve në sinagogat e Damaskut.—Vep. 9:1, 2.

Për më tepër, romakët u kishin dhënë judenjve të drejtën t’i administronin vetë çështjet gjyqësore. Kjo shpjegon me ç’të drejtë judenjtë i dhanë apostullit Pavël 5 herë «40 goditje pa një». (2 Kor. 11:24) Në librin e parë të Makabenjve përmendet edhe një letër e shkruar nga një konsull romak për Ptolemeun VIII të Egjiptit, në vitin 138 p.e.s., ku i kërkonte: «Nëse ndonjë kriminel ka ikur nga vendi i tij [Judea] për te ju, dorëzojani kryepriftit Simon, që t’i ndëshkojë sipas ligjit të tyre.» (1 Mak. 15:21) Në vitin 47 p.e.s., Jul Cezari konfirmoi autoritetin e mëparshëm të kryepriftit, si dhe të drejtën e tij për të zgjidhur çdo çështje që lindte rreth traditave judaike.

«Pse po më përndjek?» (Veprat 9:1-5)

5, 6. Ç’mësojmë nga fjalët që i tha Jezui Saulit?

5 Kur Jezui e ndali Saulin rrugës për në Damask, nuk e pyeti: «Pse po i përndjek dishepujt e mi?» Përkundrazi i tha: «Pse po më përndjek?» (Vep. 9:4) Po, Jezui i përjeton vetë sprovat që hasin dishepujt e tij.—Mat. 25:34-40, 45.

6 Nëse po të keqtrajtojnë për shkak të besimit te Krishti, të jesh i sigurt se Jehovai dhe Jezui e dinë ç’po kalon. (Mat. 10:22, 28-31) Ndoshta sprova nuk do të të hiqet menjëherë. Sill ndër mend se Jezui e pa Saulin tek miratonte vdekjen e Stefanit dhe tek nxirrte zvarrë nga shtëpitë në Jerusalem dishepujt besnikë. (Vep. 8:3) Por nuk ndërhyri në atë kohë. Gjithsesi, me anë të Krishtit, Jehovai u dha Stefanit dhe dishepujve të tjerë forcën e nevojshme që të qëndronin besnikë.

7. Si mund t’i bësh ballë përndjekjes?

7 Edhe ti mund t’i bësh ballë përndjekjes. Si? (1) Ji i vendosur të qëndrosh besnik, të ndodhë ç’të ndodhë. (2) Kërkoji ndihmë Jehovait. (Filip. 4:6, 7) (3) Lërja hakmarrjen Jehovait. (Rom. 12:17-21) (4) Ki besim se Jehovai do të të japë forcën të durosh derisa ta shohë të udhës të ta heqë sprovën.—Filip. 4:12, 13.

«Saul, vëlla! Zotëria . . . më dërgoi» (Veprat 9:6-17)

8, 9. Si mund të jetë ndier Anania për caktimin që po i besohej?

8 Pasi iu përgjigj pyetjes së Saulit: «Kush je ti, Zotëri?», Jezui i tha: «Ngrihu e hyr në qytet, pastaj do të të thuhet ç’duhet të bësh.» (Vep. 9:6) Saulin e verbër e çuan në vendin ku do të rrinte në Damask, dhe atje agjëroi e u lut për tri ditë. Ndërkohë, Jezui i foli për të Ananisë, një dishepulli në Damask për të cilin «flitnin mirë të gjithë judenjtë» që banonin atje.—Vep. 22:12.

9 Kushedi ç’ndjenja të trazuara duhet të ketë përjetuar Anania! Vetë Kreu i kongregacionit, Jezu Krishti i ringjallur, po i fliste atij personalisht, duke e zgjedhur për një caktim të veçantë. Çfarë nderi, por ama edhe çfarë caktimi! Kur Jezui e udhëzoi të shkonte të takonte Saulin, Anania iu përgjigj: «Zotëri, kam dëgjuar nga shumë veta sa të këqija u bëri ai njeri të shenjtëve të tu në Jerusalem. Edhe këtu, krerët e priftërinjve i kanë dhënë autoritet të arrestojë të gjithë ata që tregojnë besim në emrin tënd.»—Vep. 9:13, 14.

10. Ç’mësojmë për Jezuin nga mënyra si veproi me Ananinë?

10 Jezui nuk e qortoi Ananinë që i shprehu këtë merak. Gjithsesi, i dha udhëzime të qarta. Veç kësaj, e nderoi duke i treguar arsyen pse donte që ai të kryente këtë detyrë të pazakontë. Jezui tha për Saulin: «Ai njeri është për mua një enë e zgjedhur, që t’ua çojë emrin tim kombeve, mbretërve dhe bijve të Izraelit. Unë do t’i tregoj hapur se sa shumë duhet të vuajë për emrin tim.» (Vep. 9:15, 16) Anania iu bind menjëherë Jezuit. E gjeti përndjekësin dhe i tha: «Saul, vëlla! Zotëria, Jezui, që t’u shfaq rrugës nga po vije, më dërgoi që të të kthehet shikimi dhe të mbushesh me frymë të shenjtë.»—Vep. 9:17.

11, 12. Ç’mësojmë nga tregimi për Jezuin, Ananinë dhe Saulin?

11 Nga tregimi për Jezuin, Ananinë dhe Saulin, dalin në pah disa hollësi. Për shembull, kuptojmë se Jezui e drejton aktivisht veprën e predikimit, siç kishte premtuar. (Mat. 28:20) Edhe pse sot nuk flet drejtpërdrejt me njerëzit, Jezui po e drejton veprën e predikimit me anë të skllavit besnik, të cilin tani e ka emëruar mbi shërbëtorët e shtëpisë. (Mat. 24:45-47) Nën drejtimin e Trupit Udhëheqës, lajmëtarët dhe pionierët kërkojnë njerëz të cilët duan të dinë më tepër për Krishtin. Siç u përmend në kapitullin e mëparshëm, shumë nga këta janë lutur për drejtim dhe më pas i kanë vizituar Dëshmitarë të Jehovait.—Vep. 9:11.

12 Anania e pranoi caktimin pa e bërë fjalën dysh, dhe për këtë u bekua. Po ti, a i bindesh urdhrit për të dhënë dëshmi të plotë, edhe sikur ky caktim të të shkaktojë njëfarë ankthi? Disa i zë ankthi kur dalin shtëpi më shtëpi dhe takojnë të panjohur. Të tjerë e kanë të vështirë t’u predikojnë njerëzve në vendin e punës, në rrugë ose me telefon a letra. Anania e mposhti frikën dhe pati nderin të ndihmonte Saulin që të merrte frymën e shenjtë.b Ai pati sukses ngaqë i besoi Jezuit dhe e konsideroi si vëlla Saulin. Edhe ne mund ta mposhtim frikën nëse, ashtu si Anania, kemi besim se Jezui po e drejton veprën e predikimit, kemi empati për të tjerët dhe i shohim si vëllezër të mundshëm edhe njerëzit më të frikshëm.—Mat. 9:36.

‘Filloi të predikonte për Jezuin’ (Veprat 9:18-30)

13, 14. Ç’mund të mësosh nga shembulli i Saulit nëse po studion Biblën, por ende s’je pagëzuar?

13 Sauli veproi pa humbur kohë në bazë të asaj që mësoi. Pasi u shërua, ai u pagëzua dhe nisi të shoqërohej me dishepujt në Damask. Por nuk u mjaftua me kaq. «Menjëherë filloi të predikonte nëpër sinagoga që Jezui është Biri i Perëndisë.»—Vep. 9:20.

14 Nëse po studion Biblën, por ende s’je pagëzuar, a do të jesh si Sauli e të veprosh pa humbur kohë në bazë të asaj që mëson? Kuptohet, ai qe dëshmitar i një mrekullie që kreu Krishti, dhe kjo, pa dyshim, e ndihmoi të vepronte. Por edhe të tjerë i panë mrekullitë që kreu Jezui. Për shembull, një grup farisenjsh e panë teksa i shëroi dorën e tharë një njeriu, dhe një numër i madh judenjsh e morën vesh se ringjalli Lazarin. E megjithatë, shumë prej tyre s’u prekën fare nga këto, madje disa u kthyen kundër Jezuit. (Mar. 3:1-6; Gjoni 12:9, 10) Në dallim nga ata, Sauli ndryshoi rrënjësisht. Pse ai reagoi mirë e të tjerët jo? Sepse kishte nderim të thellë për Perëndinë më tepër sesa për njeriun dhe e vlerësonte shumë mëshirën që i tregoi Krishti. (Filip. 3:8) Nëse edhe ti ndihesh kështu, nuk do të lësh asgjë të të pengojë që të marrësh pjesë në veprën e predikimit dhe të kualifikohesh për t’u pagëzuar.

15, 16. Ç’bënte Sauli nëpër sinagoga dhe si reaguan judenjtë e Damaskut?

15 E përfytyron dot habinë, tronditjen dhe zemërimin që duhet t’i kenë pushtuar turmat ngaqë Sauli nisi të predikonte për Jezuin nëpër sinagoga? «A nuk është ky ai që i përndoqi egërsisht në Jerusalem ata që tregojnë besim në këtë emër?»—pyetën ata. (Vep. 9:21) Kur shpjegoi pse ndryshoi qëndrim ndaj Jezuit, Sauli ‘provoi në mënyrë të logjikshme se Jezui ishte Krishti’. (Vep. 9:22) Por logjika s’është çelës i artë. Nuk i hap dot të gjitha mendjet e mbyllura nga traditat ose të gjitha zemrat e ngurosura nga krenaria. Gjithsesi, Sauli nuk u dorëzua.

16 Tre vjet më vonë, judenjtë në Damask ende e kundërshtonin. Së fundi, u përpoqën ta vritnin. (Vep. 9:23; 2 Kor. 11:32, 33; Gal. 1:13-18) Kur u mor vesh komploti, ai zgjodhi rrugën më të matur dhe u largua, pasi e zbritën me një kosh nga një e çarë në murin e qytetit. Ata që e ndihmuan të ikte atë natë, Luka i përshkruan si «dishepujt e tij [të Saulit]». (Vep. 9:25) Siç duket, kjo tregon se të paktën disa nga ata që dëgjuan fjalët e Saulit në Damask, i pranuan dhe u bënë dishepuj të Krishtit.

17. (a) Si reagojnë njerëzit ndaj së vërtetës? (b) Ç’duhet të vazhdojmë të bëjmë dhe pse?

17 Ndoshta kur nise t’u flitje familjarëve, miqve dhe të tjerëve për gjërat e mira që po mësoje, prisje që të gjithë ta pranonin logjikën e qartë të së vërtetës. Mbase disa e kanë pranuar, por shumë të tjerë jo. Madje, familjarët mund të të kenë trajtuar si armik. (Mat. 10:32-38) Megjithatë, nëse vazhdon të përmirësosh aftësitë për të arsyetuar nga Shkrimet dhe të sillesh gjithnjë siç i ka hije një të krishteri, edhe ata që të kundërshtojnë, në fund mund të ndryshojnë qëndrim.—Vep. 17:2; 1 Pjet. 2:12; 3:1, 2, 7.

18, 19. (a) Çfarë erdhi si rezultat kur Barnaba i doli krah Saulit? (b) Si mund t’i imitojmë Barnabën dhe Saulin?

18 Kur Sauli hyri në Jerusalem, me të drejtë dishepujt nuk e besuan kur u tha se tani ishte dishepull. Por, pasi Barnaba i doli krah, apostujt e pranuan dhe ai qëndroi ca kohë me ta. (Vep. 9:26-28) Sauli tregohej i matur, por nuk i vinte turp për lajmin e mirë. (Rom. 1:16) Predikoi me guxim në Jerusalem, pikërisht aty ku kishte nisur përndjekjen e ashpër kundër dishepujve të Jezu Krishtit. Sa u zemëruan judenjtë e atjeshëm kur kuptuan se heroi i tyre i kishte braktisur! Tani bënë plane ta vritnin. Tregimi thotë: «Kur e kuptuan këtë, vëllezërit e zbritën [Saulin] në Cezare dhe e nisën për në Tars.» (Vep. 9:30) Sauli iu bind drejtimit të Jezuit, të shprehur me anë të kongregacionit. Nga kjo nxorën dobi si ai vetë, edhe kongregacioni.

19 Nëse e vure re, Barnaba mori iniciativën të ndihmonte Saulin. Pa dyshim, ky veprim zemërmirë ishte shtysë për miqësinë e ngushtë që u farkëtua mes këtyre shërbëtorëve të zellshëm të Jehovait. Ashtu si Barnaba, a i ndihmon edhe ti me gatishmëri të rinjtë në kongregacion, duke dalë me ta në shërbim e duke i ndihmuar t’i afrohen më shumë Jehovait? Kjo do të të sjellë shpërblime të mëdha. Nëse je lajmëtar i ri i lajmit të mirë, a e pranon ndihmën që të ofrohet, siç e pranoi Sauli? Duke punuar përkrah lajmëtarëve më me përvojë, do të përmirësosh aftësitë e tua në shërbim, do të kesh më tepër gëzim dhe do të lidhësh miqësi që mund të zgjatin përjetë.

«Shumë veta filluan të besonin» (Veprat 9:31-43)

20, 21. Si i kanë shfrytëzuar më së miri shërbëtorët e Perëndisë ‘periudhat e paqes’ tani e në kaluarën?

20 Pasi Sauli u bë dishepull dhe u largua shëndoshë e mirë nga Jerusalemi, «në mbarë Judenë, Galilenë dhe Samarinë, kongregacioni hyri vërtet në një periudhë paqeje». (Vep. 9:31) Si e përdorën dishepujt këtë «kohë të favorshme»? (2 Tim. 4:2) Tregimi thotë se kongregacioni «forcohej». Faktikisht, apostujt dhe vëllezër të tjerë përgjegjës u forconin besimin dishepujve dhe merrnin drejtimin ndërsa kongregacioni «e nderonte thellësisht Jehovain dhe merrte zemër nga fryma e shenjtë». Për shembull, Pjetri e shfrytëzoi këtë kohë për të forcuar dishepujt në qytetin e Lidës, në rrafshinën e Sharonit. Falë përpjekjeve të tij, shumë veta që jetonin në afërsi të atij qyteti, u kthyen «te Zotëria». (Vep. 9:32-35) Dishepujt nuk u shpërqendruan nga synime të tjera, por i përdorën gjithë energjitë që të kujdeseshin për njëri-tjetrin e të predikonin lajmin e mirë. Si rezultat, kongregacioni «rritej gjithnjë e më shumë në numër».

21 Aty nga fundi i shekullit të 20-të, në shumë vende Dëshmitarët e Jehovait hynë në «një periudhë paqeje» të ngjashme. Regjimet që i kishin shtypur për dekada shërbëtorët e Perëndisë, u përmbysën sa hap e mbyll sytë, dhe disa ndalime për veprën e predikimit u zbutën ose u hoqën. Dhjetëra mijë Dëshmitarë përfituan nga kjo mundësi që të predikonin publikisht, me rezultate mahnitëse.

22. Si ta shfrytëzosh sa më mirë lirinë që ke?

22 A po e përdor siç duhet lirinë që ke? Nëse jeton në një vend ku ka liri fetare, Satanai do të bëjë çmos që të rendësh pas pasurive, në vend që t’i shërbesh Jehovait. (Mat. 13:22) Mos u shpërqendro! Përdore si duhet periudhën me paqe relative që mund të kesh tani. Shihe si mundësi që të japësh dëshmi të plotë e të forcosh kongregacionin. Mos harro se rrethanat mund të ndryshojnë papritur.

23, 24. (a) Ç’mësime nxjerrim nga tregimi për Tabitën? (b) Për çfarë duhet të jemi të vendosur?

23 Shiko ç’ndodhi me një dishepulle që quhej Tabita ose Dorka dhe që jetonte në Jopë, një qytet jo larg Lidës.c Ajo motër besnike i përdorte me mençuri kohën dhe pasurinë, ‘duke bërë plot vepra të mira e duke dhënë me bollëk dhurata për të varfrit’. Por papritur, u sëmur dhe vdiq. Vdekja e saj i hidhëroi pa masë dishepujt në Jopë, sidomos vejushat për të cilat kishte bërë vepra të mira. Kur Pjetri mbërriti në shtëpinë ku po përgatitnin për varrim trupin e saj, kreu një mrekulli që asnjë apostull i Jezu Krishtit s’e kishte kryer më parë. Ai u lut dhe e ringjalli Tabitën. E përfytyron dot gëzimin e vejushave dhe të dishepujve të tjerë kur Pjetri i thirri prapë në dhomë dhe u tregoi se Tabita ishte gjallë? Sa shumë duhet t’i kenë forcuar këto ngjarje për sprovat që kishin përpara! Kuptohet që kjo mrekulli «u mor vesh në mbarë Jopën, dhe shumë veta filluan të besonin te Zotëria».—Vep. 9:36-42.

Një motër i jep lule një motre të moshuar dhe të sëmurë.

Si mund ta imitosh Tabitën?

24 Nga ky tregim prekës për Tabitën, nxjerrim dy mësime të rëndësishme. (1) Jeta është kalimtare. Prandaj, sa jetësore është të bëjmë një emër të mirë para Perëndisë për sa kohë të mundemi! (Ekl. 7:1) (2) Shpresa e ringjalljes është e sigurt. Jehovai i vuri re gjithë veprat e mira që kishte bërë Tabita dhe e shpërbleu. Ai do ta kujtojë punën tonë të palodhur e do të na ringjallë në rast se jeta jonë merr fund para Armagedonit. (Hebr. 6:10) Prandaj, me ngulm, le të japim dëshmi të plotë për Krishtin, pavarësisht nëse kalojmë «kohë të vështira» ose gëzojmë «një periudhë paqeje».—2 Tim. 4:2.

FARISEU SAUL

‘Djali i ri që quhej Saul’, i cili përmendet në tregimin e Veprave për vrasjen e Stefanit, ishte nga Tarsi, kryeqyteti i provincës romake të Kilikisë, në jug të Turqisë së sotme. (Vep. 7:58) Në këtë qytet kishte një komunitet të madh judaik. Vetë Sauli shkroi se ishte «i rrethprerë ditën e tetë, nga kombi i Izraelit, nga fisi i Beniaminit, hebre i lindur nga hebrenj; për sa i përket ligjit, farise». Për këtë arsye, ishte një jude shumë i respektuar.—Filip. 3:5.

Fariseu Saul.

Ai vinte nga një qytet i madh, qendër e kulturës greke, ku lulëzonte tregtia. Meqë u rrit në Tars, Sauli dinte greqisht. Ka mundësi që arsimin bazë ta ketë marrë në një shkollë judaike. Sauli mësoi edhe të bënte tenda, zanat tipik i vendlindjes së tij, që me siguri e mori që në rini nga i ati.—Vep. 18:2, 3.

Gjithashtu, tregimi i Veprave zbulon se Sauli kishte lindur si qytetar romak. (Vep. 22:25-28) Kjo do të thotë se këtë qytetari duhej ta kishte fituar tashmë një nga paraardhësit e tij. Se si e kishte marrë këtë qytetari familja e Saulit, nuk dihet. Sidoqoftë, kjo e drejtë i bënte pjesë të elitës së provincës ku banonin. Pra, falë formimit dhe arsimimit, Sauli njihte mirë tri kultura: judaike, greke dhe romake.

Ka shumë të ngjarë që rreth moshës 13-vjeçare, Sauli të ketë shkuar në Jerusalem, 840 kilometra larg, që të arsimohej më tej. Në atë qytet, studioi në këmbët e Gamalielit, një mësues shumë i vlerësuar në traditën fariseje.—Vep. 22:3.

Ky arsimim i mëtejshëm, që krahasohet me universitetet e sotme, përfshinte shpjegimin dhe mësimin përmendësh të Shkrimeve e të ligjit gojor judaik. Një student të mirë të Gamalielit me siguri e priste një e ardhme premtuese e, me sa duket, Sauli ishte i tillë. Më vonë, ai shkroi: «Në judaizëm po përparoja më tepër se shumë moshatarë të kombit tim, sepse isha tejet i zellshëm për traditat e etërve të mi.» (Gal. 1:14) Pikërisht ky zell për traditat judaike e ktheu Saulin në përndjekës mizor të kongregacionit të krishterë të sapoformuar.

TABITA «BËNTE PLOT VEPRA TË MIRA»

Tabita i jep një dhuratë dikujt që lyp ndihmë.

Tabita bënte pjesë në kongregacionin e qytetit-port të Jopës. Bashkëbesimtarët e kishin për zemër sepse «bënte plot vepra të mira dhe jepte me bollëk dhurata për të varfrit». (Vep. 9:36) Si shumë judenj të tjerë që jetonin në zona me popullsi të përzier judeje dhe jojudeje, Tabita kishte dy emra: një hebre ose aramaik dhe tjetrin grek ose latin. Emri grek Dorka, në aramaisht përkthehej «Tabita». Të dy emrat kanë kuptimin «gazelë».

Me sa duket, Tabita u sëmur dhe vdiq papritur. Sipas zakonit, trupin e saj e lanë dhe e përgatitën për varrim. E vunë në një dhomë të sipërme, ndoshta në shtëpinë e vet. Për shkak të klimës së nxehtë të Lindjes së Mesme, varrimi bëhej ose ditën e vdekjes së dikujt, ose të nesërmen. Të krishterët në Jopë kishin marrë vesh se apostulli Pjetër ndodhej në qytetin e Lidës, aty pranë. Pjetri ia dilte të shkonte në Jopë para se ta varrosnin Tabitën, pasi dy qytetet ishin vetëm 18 kilometra larg njëri-tjetrit, pak a shumë 4 orë rrugë në këmbë. Prandaj kongregacioni dërgoi 2 burra që t’i kërkonin Pjetrit të vinte sa më shpejt. (Vep. 9:37, 38) Një studiues thotë: «Në judaizmin e hershëm, ishte zakon që lajmëtarët të dërgoheshin nga dy, me qëllim që njëri të konfirmonte dëshminë e tjetrit.»

Ç’ndodhi kur mbërriti Pjetri? Lexojmë: «E çuan në dhomën e sipërme. Të gjitha vejushat i dolën para duke qarë e duke treguar shumë rroba e veshje që kishte bërë Dorka ndërsa ishte me to.» (Vep. 9:39) Ndër të tjera, Tabita u kishte hyrë në zemër pjesëtarëve të kongregacionit sepse e kishte zakon t’u qepte rroba. Bënte mantele dhe tunika që visheshin poshtë manteleve. Nuk thuhet nëse ajo e blinte vetë materialin apo thjesht u qepte rroba. Sidoqoftë, të tjerët e donin shumë për mirësinë që tregonte dhe për ‘dhuratat që u jepte të varfërve’.

Pjetri me siguri duhet të jetë prekur nga ajo që pa në dhomën e sipërme. Studiuesi Riçard Lenski thotë: «Ky vajtim ishte ndryshe nga vajtimi i zhurmshëm në shtëpinë e Jairit, ku ishin punësuar gra vajtuese dhe fyelltarë. Ky s’i ngjante aspak atij vajtimi të shtirur.» (Mat. 9:23) Ishte një vajtim i sinqertë, vinte nga zemra. Meqë asgjëkundi nuk përmendet bashkëshorti, kjo të lë të mendosh se Tabita ishte beqare.

Kur u dha caktimin apostujve, Jezui u dha edhe fuqi ‘për të ringjallur të vdekurit’. (Mat. 10:8) Pjetri e kishte parë Jezuin të bënte mrekulli të tilla, duke përfshirë ringjalljen e vajzës së Jairit, por nuk kemi ndonjë dokumentim të mëparshëm që një apostull të ketë kryer ndonjë ringjallje. (Mar. 5:21-24, 35-43) Ai i nxori të tjerët nga dhoma e sipërme, pastaj u lut me zjarr dhe si rezultat Tabita hapi sytë e u ngrit ndenjur. Ç’gëzim duhet të kenë ndier të krishterët në Jopë kur Pjetri u tregoi se Tabita e tyre e dashur ishte gjallë!—Vep. 9:40-42.

a Shih kutinë «Fariseu Saul».

b Në përgjithësi, dhuratat e frymës së shenjtë jepeshin me anë të apostujve. Por, në këtë situatë të pazakontë, duket se Jezui autorizoi Ananinë t’i jepte dhuratat e frymës Saulit. Për një kohë të gjatë, pasi u bë i krishterë, Sauli nuk arriti t’i takonte 12 apostujt. Gjithsesi, ka të ngjarë që, gjatë gjithë asaj periudhe, të ketë qenë duke predikuar. Prandaj, me sa duket Jezui u kujdes që ai të kishte fuqinë e nevojshme që të kryente caktimin e predikimit.

c Shih kutinë «Tabita ‘bënte plot vepra të mira’».

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo