Sila: Një burim inkurajimi
QË NGA fillimet e historisë së krishterë, aktiviteti i mbikëqyrësve udhëtues besimplotë ka qenë jetësor, si për të inkurajuar kongregacionet e popullit të Perëndisë, ashtu edhe për të përhapur lajmin e mirë në pjesët më të largëta të tokës. Mes mbikëqyrësve më të hershëm që u emëruan ishte edhe Sila, profet dhe një prej pjesëtarëve kryesorë të kongregacionit të Jerusalemit. Ai luajti një rol vendimtar në zhvillimet e rëndësishme të veprës së predikimit dhe qe një prej misionarëve që ungjillëzuan për herë të parë në territorin evropian. Ç’gjë e bëri Silën veçanërisht të kualifikuar për të bërë gjithë këtë? Veç kësaj, cilat veçori të personalitetit të tij bëjmë mirë të imitojmë?
Çështja e rrethprerjes
Kur rreth vitit 49 të e.s., u ngrit çështja e rrethprerjes që mund të kishte efekt përçarës, trupi udhëheqës në Jerusalem kishte nevojë të qarkullonte direktiva të qarta mes të krishterëve për ta zgjidhur çështjen. Në këto rrethana shfaqet në Bibël Sila, i quajtur edhe Silvan. Ai mund të ketë qenë një prej atyre që morën vendimin e që më pas u zgjodh si emisar i «apostujve dhe pleqve», për t’ua komunikuar vendimin e tyre «vëllezërve në Antioki, Siri dhe Kiliki». Në Antioki, Sila dhe Juda (Barsaba), bashkë me Barnabën dhe Pavlin, dhanë mesazhin që kishin, me sa duket duke treguar me gojën e tyre ngjarjet e mbledhjes në Jerusalem, përfundimet që u arritën dhe përmbajtjen e letrës. Ata, gjithashtu, «me shumë fjalë i nxitën vëllezërit dhe i forcuan». Rezultati i kënaqshëm ishte se të krishterët në Antioki «u gëzuan».—Veprat 15:1-32.
Kështu, Sila luajti një rol domethënës në zgjidhjen e kësaj çështjeje themelore. Por, caktimi i tij nuk ishte i lehtë. Nuk kishte asnjë mënyrë për ta ditur që më përpara se si do të reagonte kongregacioni i Antiokisë ndaj asaj që ishte vendosur. Prandaj, siç vëren një komentues, «duhej dikush me shumë mençuri dhe takt për të shtjelluar atë që kishin shkruar apostujt në letrën e tyre». Zgjedhja e Silës për këtë caktim delikat na thotë diçka rreth llojit të personit që duhet të ketë qenë ai. Atij mund t’i besohej paraqitja me besnikëri e direktivave të trupit udhëheqës. Ai duhet të ketë qenë edhe një mbikëqyrës i mençur që mund të ushtronte një ndikim pajtues, kur kongregacionin e kërcënonin debatet.
Udhëtimet me Pavlin
Nuk është e sigurt nëse Sila u kthye apo jo në Jerusalem pas atij misioni. Sidoqoftë, pas një mosmarrëveshjeje mes Barnabës dhe Pavlit për Gjon Markun, Pavli zgjodhi Silën, i cili në atë kohë gjendej në Antioki, për një udhëtim të ri, me synimin fillimisht për të rivizituar qytetet ku Pavli kishte predikuar gjatë udhëtimit të tij të parë misionar.—Veprat 15:36-41.
Zgjedhja e Silës mund të jetë ndikuar nga qëndrimi i tij pozitiv ndaj misionit te johebrenjtë dhe nga autoriteti që mund të ushtronte ai si profet dhe zëdhënës i trupit udhëheqës, në çuarjen e vendimeve te besimtarët në Siri dhe Kiliki. Rezultatet qenë të shkëlqyera. Në librin e Veprave thuhet: «Tani, ndërsa udhëtonin nëpër qytete, ata u jepnin për zbatim atyre atje dekretet që ishin vendosur nga apostujt dhe nga pleqtë që ishin në Jerusalem. Për këtë arsye, në fakt, kongregacionet vazhduan të forcoheshin në besim dhe të rriteshin në numër nga dita në ditë.»—Veprat 16:4, 5, BR.
Ndërsa misionarët ishin në udhëtim e sipër, dy herë fryma e shenjtë i devijoi nga itinerari i tyre i planifikuar. (Veprat 16:6, 7) Timoteu iu shtua grupit gjatë rrugës, në Listër, pas «profecive» të paspecifikuara të bëra në lidhje me të. (1. Timoteut 1:18; 4:14) Me anë të një vizioni që iu dha Pavlit, i cili kishte edhe dhuratën e profetizimit, shokët e udhëtimit morën drejtimin për t’u nisur me anije për në Maqedoni, në Evropë.—Veprat 16:9, 10.
Rrihet dhe burgoset
Në Filipi, «qyteti kryesor i krahinës», Sila kaloi një provë të rëndë të paharrueshme. Pasi Pavli dëboi një frymë falli nga një skllave, pronarët e saj, duke parë se u ishte privuar një burim të ardhurash, i tërhoqën zvarrë Silën dhe Pavlin para gjykatësve të qytetit. Si rezultat, që të dy vuajtën poshtërimin që iu bë kur i paraqitën në publik si keqbërës, u hoqën veshjet e jashtme dhe i rrahën me thupra në sheshin e tregut.—Veprat 16:12, 16-22, BR.
Këto rrahje jo vetëm që ishin ndëshkime të tmerrshme, duke e shtyrë durimin njerëzor deri në cakun e fundit, por në rastin e Pavlit dhe të Silës, ishin edhe të parregullta. Pse? Ligjet romake përcaktonin se asnjë qytetar romak nuk mund të rrihej. Pavli kishte qytetarinë romake dhe ka të ngjarë që edhe Sila ta kishte. Pasi u kishin dhënë «shumë goditje», Pavlin dhe Silën i futën në burg, ku ua fiksuan këmbët në dru. Këto ishin «një instrument i tmerrshëm,—shpjegon Gustav Shtalën,—ku të burgosurve mund t’ua hapnin këmbët sipas gjerësisë së dëshirueshme, në mënyrë që të mos i linin të flinin». Megjithatë, në mes të natës, padyshim me shpinat të mbuluara nga plagët që dhimbnin, «Pavli dhe Sila po luteshin dhe po e lëvdonin Perëndinë me këngë».—Veprat 16:23-25, BR.
Kjo na tregon diçka tjetër për personalitetin e Silës. Ai ishte i gëzuar sepse ata po vuanin për hir të emrit të Krishtit. (Mateu 5:11, 12; 24:9) Kjo padyshim ishte e njëjta frymë që gjatë misionit të mëparshëm në Antioki, i kishte dhënë mundësi Silës dhe shokëve të tij të ishin të efektshëm në inkurajimin dhe forcimin e kongregacionit, duke bërë që bashkë të krishterët të gëzoheshin. Gëzimi i Pavlit dhe i Silës duhet të jetë rritur kur u liruan me anë të një mrekullie nga burgu, nëpërmjet një tërmeti dhe patën mundësi të ndihmonin gardianin që do të bënte vetëvrasje dhe familjen e tij të ushtronin besim te Perëndia.—Veprat 16:26-34.
As Pavli e as Sila nuk u frikësuan nga rrahja dhe nga burgimi. Kur u dërgua fjalë që t’i lironin, ata refuzuan të iknin vjedhurazi me turp nga Filipia, siç prisnin gjykatësit. Ata ruajtën pozicionin dhe e përmbysën situatën në favor të tyre, në lidhje me ata zyrtarë arrogantë e arbitrarë. «Mbasi na kanë rrahur botërisht pa qenë të dënuar në gjyq, ne që jemi qytetarë romakë, na futën në burg dhe tani na nxjerrin fshehtas?—pyeti Pavli.—Jo, kurrsesi! Le të vijnë vetë ata të na nxjerrin jashtë.» Duke pasur frikën e pasojave, gjykatësit u ndien të detyruar t’i lutnin ata të dy për t’u larguar nga qyteti.—Veprat 16:35-39.
Pasi ua fiksuan kështu në mendje autoriteteve të drejtat që kishin si romakë, Pavli dhe Sila ua plotësuan kërkesën gjykatësve, por jo më parë se t’u jepnin lamtumirën miqve të tyre. Në harmoni me atë që tashmë ishte karakteristikë e gjithë udhëtimit të predikimit, Sila dhe shoku i tij i udhëtimit i «inkurajuan» përsëri vëllezërit e pastaj u nisën.—Veprat 16:40, BR.
Nga Maqedonia në Babiloni
Pa u shkurajuar nga ajo që në rrethana të tjera do të kishte qenë një përvojë negative, Pavli, Sila dhe shokët e tyre vazhduan për në fushat e reja misionare. Në Selanik, ata hasën përsëri vështirësi. Për shkak të suksesit që kishte Pavli në shërbim gjatë një periudhe kohe prej tre sabatesh, kundërshtarët xhelozë nxitën një turmë, duke bërë të arsyeshme që misionarët të largoheshin nga qyteti natën. Ata e vazhduan rrugën e tyre për në Bere. Kur mësuan për arritjet e Pavlit dhe të shokëve të tij në atë qytet, kundërshtarët nga Selaniku u drejtuan për aty. Pavli vazhdoi rrugën më tej i vetëm, kurse Sila dhe Timoteu mbetën në Bere për t’u kujdesur për grupin me të sapointeresuar. (Veprat 17:1-15) Sila dhe Timoteu u bashkuan përsëri me Pavlin në Korint, duke ardhur me lajmin e mirë dhe ndoshta një dhuratë nga miqtë besimplotë të Maqedonisë. Kjo mund t’i ketë dhënë mundësi apostullit nevojtar që ta linte punën në botë, të cilën e kishte filluar ndërkohë, dhe të kthehej me forca të reja në predikimin e plotkohor. (Veprat 18:1-5; 2. Korintasve 11:9) Edhe në Korint, Silës dhe Timoteut u bëhet referim si ungjilltarë dhe si shokë të Pavlit. Prandaj, është e dukshme se aktivitetet e tyre nuk u ngadalësuan as në atë qytet.—2. Korintasve 1:19.
Përdorimi i përemrit «ne» në letrat drejtuar selanikasve, duke ditur që të dyja këto letra u shkruan nga Korinti në këtë periudhë, lë të kuptohet se Sila dhe Timoteu kontribuan në shkrimin e tyre. Mendimi se Sila ishte angazhuar në aktivitetin e sekretarisë bazohet kryesisht në atë që thotë Pjetri për një nga letrat e veta. Pjetri thotë se ai e shkroi letrën e tij të parë «me anë të Silvanit, një vëlla besnik». (1. Pjetrit 5:12) Edhe pse kjo mund të nënkuptojë thjesht që Silvani ishte korrieri, ndryshimi në stilin e shkrimit mes dy letrave të Pjetrit mund të tregojë se ai e përdori Silën si sekretar për të shkruar letrën e parë, por jo të dytën. Kështu, një nga talentet e tjera të shumta dhe një nga privilegjet teokratike të Silës ishte ndoshta ajo e sekretarit.
Një shembull për t’u imituar
Kur ndalemi dhe meditojmë mbi gjërat që dimë se bëri Sila, regjistrimi për të na lë mbresa. Ai është një shembull i shkëlqyer për misionarët e ditëve të sotme dhe për mbikëqyrësit udhëtues. Me altruizëm ai përshkoi largësi të mëdha me shpenzime të konsiderueshme, jo për të fituar avantazhe materiale ose për prestigj, por për të ndihmuar të tjerët. Synimi i tij ishte t’i inkurajonte ata me këshilla të mençura e të thëna me takt, me fjalime të përzemërta e të përgatitura mirë, si edhe me zellin e tij në shërbimin në fushë. Cilido qoftë roli yt mes popullit të organizuar të Jehovait, nëse përpiqesh në mënyrë të ngjashme për të qenë pozitiv, madje edhe përballë vështirësive, edhe ti do të jesh një burim inkurajimi për bashkëbesimtarët e tu.
[Harta në faqen 29]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
Udhëtimi i dytë misionar i Pavlit
Deti i Madh
Antioki
Derbë
Listër
Ikoni
Troas
Filipi
Amfipoli
Selanik
Bere
Athinë
Korint
Efes
Jerusalem
Cesare
[Burimi]
Mountain High Maps® Copyright © 1997 Digital Wisdom, Inc.