Nxirrni dobi prej ndërgjegjes suaj të dhënë nga Perëndia
Meqë janë bërë shumë pyetje në lidhje me përdorimin e ndërgjegjes, prezantojmë një pjesë të artikullit të Kullës së Rojës për të shqyrtuar: 15 korrik 1982, fq. 23-27, paragrafët 6-20.
1 Fjala e përsosur e Perëndisë përmban shumë gjëra që mund të na ndriçojnë në lidhje me mënyrën e të menduarit ose me parimet e Perëndisë dhe mund ta edukojnë ndërgjegjen tonë. Siç e dimë mirë tashmë, Jozefi nuk kishte asnjë ligj të shkruar të Perëndisë kundër tradhtisë bashkëshortore. Por ndërgjegjja e Jozefit ishte edukuar në mënyrë korrekte. Ai pa dyshim kishte arsyetuar mbi faktin se Perëndia kishte si qëllim që burri dhe gruaja («të dy») të ishin një mish i vetëm, pa ndërhyrjen e ndonjë pjese të tretë, e një tradhtari bashkëshortor. Dhe Jozefi patjetër ishte në dijeni të përvojës që përfshinte mikun e Perëndisë, Abrahamin, që dha një dëshmi mbi pozicionin e Perëndisë ndaj tradhtisë bashkëshortore.—Mat. 19:5; Zan. 2:24; 20:1-18.
2 Ne mund të nxjerrim dobi në një mënyrë të ngjashme. Për shembull, mund të gjendemi në një situatë kur na duhet të marrim një vendim që të pranojmë apo jo një ftesë për të ngrënë një vakt ose për të bërë tregti me dikë të një kombësie, race apo prejardhjeje të ndryshme. Kjo kërkon një vendim personal. Sidoqoftë, nëse kemi asimiluar nga Bibla qëndrimin e Perëndisë për paanshmërinë dhe ndershmërinë, ndërgjegjja jonë e edukuar do të kundërveprojë ndaj çdo paragjykimi që mund të na ketë rrethuar, ndërsa rriteshim. Do të veprojmë në përputhje me të. (Vep. 10:34, 35; Jak. 2:1-4) Në këtë mënyrë parimet e Biblës mund të na ndihmojnë edhe ne.
3 Kur duhet të vendosim mbi një çështje, në mënyrë që «të mbajmë një ndërgjegje të mirë», ne duhet të përpiqemi të kërkojmë se çfarë thotë Jehovai në lidhje me çështjen, sepse ajo mund dhe duhet të ndikojë mbi ndërgjegjen dhe vendimin tonë. (1. Pjet. 3:16, BR) Përveç se të shohim për ligje të drejtpërdrejta, ne duhet të interesohemi nëse ka ndonjë parim biblik që lidhet me të. A bëri ose a tha Jezui ndonjë gjë që tregonte mënyrën e tij të të menduarit mbi një vendim të tillë? Mund të bëjmë kërkime në ndihmësat për studimin biblik që trajtojnë këtë çështje. Dhe mund të konsultohemi me bashkë të krishterë, të cilët mund të na ndihmojnë për të gjetur parime përkatëse biblike. Sigurisht, ky hap nuk duhet marrë me mendimin që t’ia japim atyre peshën e përgjegjësisë sonë, as nuk duhet të pyesim: ‘Nëse do të ishe në vendin tim, çfarë do të bëje?’—Gal. 6:5.
4 Në situata ku duhet marrë një vendim personal, të krishterët e vërtetë duhet të ndjekin një drejtim që do t’i lërë ata me një ndërgjegje të pastër e të paturbulluar para Perëndisë. Ata duhet ta mbajnë gjallë aftësinë për të thënë: «Ndërgjegjja jonë jep dëshmi . . . se me shenjtëri dhe me sinqeritet të perëndishëm . . . jemi sjellë në botë, por në mënyrë më të veçantë ndaj jush.» (2. Kor. 1:12, BR) Se sa shumë e do një i krishterë Jehovain dhe parimet e tij mund të tregohet nga fakti se çfarë vendos të bëjë mbi çështjet e ndërgjegjes.
Si do të ndikohen të tjerët?
5 Meqenëse të krishterët dëshirojnë që ndërgjegjja e tyre t’i motivojë që të imitojnë Perëndinë, interesimi i dashur për të tjerët duhet të jetë një ndikim kryesor në marrjen e vendimeve që përfshijnë ndërgjegjen. Ky aspekt doli në pah kur Pavli shkroi mbi çështje të ndryshme që lidheshin me ushqimin.
6 Në kongregacionin korintas ishte ngritur shqetësimi rreth mishit që i ishte sakrifikuar idhujve. Do të kishte qenë një idhujtari për një të krishterë të hante mish të sakrifikuar gjatë një ceremonie idhujtare. Por Pavli shpjegoi se nuk ishte një mëkat të haje mishin që tepronte, i cili shitej më pas në pikat tregtare të ngjashme me restorantet, që ishin ngjitur një tempulli ose në tregjet publike të mishit. (1. Kor. 8:10; 10:25; Vep. 15:29) Pavarësisht nga kjo, disa të krishterë që më parë kishin adhuruar idhujt ishin të ndjeshëm (kishin ndërgjegje të dobët) mbi ngrënien e një mishi të tillë edhe kur ai shitej publikisht pa lidhje fetare. Edhe pse nuk po shfajësonte ndërgjegjet e dobëta, Pavli i nxiti të tjerët që t’i merrnin në konsideratë këta vëllezër. Nuk do të kishte qenë e dashur bërja e asaj që do t’i shkaktonte këta të pengoheshin ose të ndiheshin të lirë nga ndërgjegjja për të marrë pjesë përsëri në idhujtari.
7 Pavli shfaqi qëndrimin që të gjithë ne duhet të kemi: «Nëse ushqimi [ose ndonjë gjë tjetër] e pengon vëllain tim, unë s’do të ha mish kurrë më.» Nëse, mbi një çështje që i lihet ndërgjegjes sonë dhe, për këtë arsye jemi të lirë të veprojmë, ne shpërfillim ndërgjegjen e të tjerëve e në këtë mënyrë ‘shkatërrojmë vëllezërit tanë, për të cilët Krishti vdiq’, mund të humbasim qëndrimin tonë të mirë para Perëndisë. Pavli pyeti: «Përse duhet të ndodhë që liria ime të gjykohet nga ndërgjegjja e një personi tjetër?» (1. Kor. 8:3, 11-13; 10:29, BR) Edhe pse një individ mendon se kjo është një ‘çështje personale e ndërgjegjes’, nëse ajo dëmton të tjerët, mund të çojë në marrjen nga ana e tij të gjykimit të pafavorshëm të Jehovait. Kjo tregon se sa mashtrues mund të jetë mendimi ‘po të ma lejojë ndërgjegjja ime, është në rregull’.
8 Shqyrto përvojën e një çifti që ishte duke studiuar Biblën, po ndiqte mbledhjet dhe po i afrohej pagëzimit. Një plak në kongregacion i tha burrit se sa i kishte pëlqyer një lloj filmi. Burri u përgjigj, ‘Si? Ti shkon për të parë filma të gradës R?’a Plaku u përpoq të shfajësonte veprimet e tij, duke thënë se disa nga këto filma (të konsideruar të diskutueshëm edhe nga bota) kanë vlerë, nëse shpërfillen aspektet e padëshirueshme. Por duket se burri u ndikua nga kjo. Pas kësaj ai bëri një përparim më të ngadaltë se gruaja e tij. Sikur plaku të kishte medituar mbi shkrime të tilla, si: Kolosianëve 3:2-8, Efesianëve 5:3-5 dhe Mateun 7:12, ato mund të kishin ndikuar mbi ndërgjegjen dhe sjelljen e tij.—1. Kor. 9:22, 25-27.
9 Mbajtja në konsideratë e të tjerëve përfshin, gjithashtu, të mos i kërkojmë që të aprovojnë diçka që është kundër ndërgjegjes së tyre. Për shembull, pleqtë e kongregacionit janë përgjegjës për lejimin e ceremonive të martesave në Sallën e Mbretërisë, si do të drejtohen këto, si do të zbukurohet Salla e kështu me radhë. Pleqtë në një kongregacion shkruajnë: «Në një dasmë, të gjitha shoqërueset e nuses kaluan nëpër korridorin midis rreshtave duke bërë fresk me erashka. Dasma tjetër duhet t’ia kalonte të parës, kështu që shoqërueset e nuses kaluan nëpër korridor duke rrotulluar çadra. Tjetra duhej të ishte më e madhe dhe më e mirë; ata donin njëzet shoqëruese të nuses dhe njëzet shoqërues të dhëndërrit. Salla kishte filluar të përdorej si një cirk.»
10 A ishte kjo ‘një çështje ndërgjegjeje’ ku duhej marrë një vendim personal? Jo. Edhe nëse ndërgjegjja e një çifti të fejuar do ta lejonte diçka të jashtëzakonshme ose ekstreme, ndërgjegjja kolektive e pleqve nuk mund të shpërfillej. Ndërkohë që nuk duan të imponojnë shijet e tyre personale, ata kanë për zemër paqen, harmoninë dhe gjendjen e mirë frymore të të gjithë kongregacionit. Dhe ata duhet të ndihmojnë në mënyrë të ndërgjegjshme të tjerët që të ‘dinë se si të sillen në shtëpinë e Perëndisë, e cila është shtylla dhe mbështetja e së vërtetës’.—1. Tim. 3:15, BR; 1. Kor. 10:31.
11 Prandaj, kur na duhet të marrim një vendim mbi ‘një çështje ndërgjegjeje’ ne duhet të reflektojmë mbi, (1) çfarë thotë Fjala e Perëndisë në lidhje me të dhe (2) si mund të ndikojë ose të përfshijë të tjerët. Megjithatë ka edhe një aspekt të tretë të rëndësishëm.
Si do të ndikojë mbi vetë ne?
12 Revista Natural History, në numrin e gushtit 1981 përmbante një artikull mbi postierët me biçikleta të Nju Jork Sitit, të cilët shpërndajnë pako dhe letra urgjente te qendrat tregtare rretheqark qytetit. Midis shembujve të burrave që kishin ndërmarrë këtë formë pune, lexojmë: «Donaldi, një postier 41-vjeçar, ka mundësi të mbajë gruan dhe një djalë 15-vjeçar me fitimet e tij. Donaldi punonte në larjen e filmave, por e braktisi profesionin e tij sepse, si një Dëshmitar i Jehovait, nuk mund ta kalonte pa e vënë re rolin që kishte në prodhimin e materialit pornografik. Si një postier, jo vetëm që e ndien ndërgjegjen të pastër, por, gjithashtu, mund ta lërë punën kur dëshiron, për t’i dedikuar më shumë kohë prozelitizmit.»
13 Faktorë të ndryshëm rëndojnë mbi vendimet që kanë të bëjnë me punësimin (shiko kutinë në faqen ). Ngjashëm me rastin e Donaldit, një i krishterë mund të jetë duke punuar për një firmë që lan filma të çastit, video shtëpie, filma reklamues, filma kinematografikë komercialë. Gradualisht ajo firmë merr disa materiale pornografike. Arrin një farë pike që ndërgjegjja e të krishterit do të fillojë ta shqetësojë atë. Ai mund të vërejë se po detyrohet të përfshihet me pornografinë ose aktivitetet e tjera të paligjshme. Qoftë për shkak se identifikohet me një firmë që merret me pornografi ose për shkak të asaj që po i kërkohet të bëjë, ai mund ta kuptojë se duhet ta lërë këtë punë, me qëllim që të mbetet «i paqortueshëm», gjë që do të ishte me interes të veçantë për personat që kanë ose që kërkojnë privilegje në kongregacion. Duke kërkuar për një punë tjetër, ai me besim mund të presë bekimin e Jehovait. (1. Tim. 3:2, 8-10; Rom. 13:5) Pa dyshim, janë të shumtë të krishterët që i kanë lënë këto punë, në vend se ta linin papastërtinë që t’i shkatërronte. (Krahaso Mateun 5:28.) Për këtë arsye, kur na duhet të marrim një vendim me ndërgjegje, duhet të pyesim: ‘Po ta bëj këtë gjë, ose të refuzoj për ta bërë, si do të ndikojë mbi mua?’ Me siguri, ne nuk duhet ta shpërfillim ndërgjegjen tonë, duke e bërë të pandjeshme dhe duke e bërë kështu më të lehtë për të bërë të keqen në të ardhmen.—1. Tim. 4:2; Jud. 10; Efes. 4:18, 19.
14 Duke reflektuar mbi vendimin e ndërgjegjshëm që bëri Donaldi, ne duhet të vërejmë se përveç faktit që kërkonte një marrëdhënie të miratuar me Jehovain, ai dëshironte ta shpallte besimin e tij më tepër. Kjo është në përputhje me lidhjen që i bën Pavli ndërgjegjes dhe besimit: «Objektivi i këtij urdhërimi është dashuria nga një zemër e pastër, nga një ndërgjegje e mirë dhe nga një besim pa hipokrizi.»—1. Tim. 1:5, BR.
15 Është për t’u lavdëruar kur besimi i një personi dhe dëshira e tij për një ndërgjegje të mirë e shtyn të bëjë rregullime, kështu që «hapat e tij nuk do të lëkunden» dhe në mënyrë që ai të mund t’i japë më shumë kohë dhe vëmendje përhapjes së «të gjithë këshillës së Perëndisë». (Vep. 20:26, 27) Megjithatë, si duhet t’i shohim ata, rrethanat e të cilëve duket se i lejojnë që të bëjnë më shumë predikim, por që nuk e bëjnë këtë? Ata mund të kenë të ardhura të mëdha nga puna e tyre ose biznesi dhe duket se tashmë kanë financë të mjaftueshme për një jetë të rehatshme në këtë sistem. Prapëseprapë, në vend që të gëzojnë në veprën e bërjes së dishepujve në kohë të plotë si pionierë, vazhdojnë të punojnë duke zgjeruar biznesin, shtëpinë dhe rehatitë e tyre. (Krahaso Markun 10:17-22; Luka 12:16-21.) Nuk na përket ne që të gjykojmë të tjerët në këtë aspekt, sepse «secili prej nesh do t’i japë llogari për vete Perëndisë». Përkundrazi, besimi ynë le të na shtyjë që t’i shërbejmë Perëndisë pa hipokrizi në masën më të plotë, kështu që do të mund të gëzojmë një ndërgjegje të pastër.—Rom. 14:1-4, 10-12.
[Shënimi]
a Në Shtetet e Bashkuara filmat e gradës R gjykohen të papërshtatshëm për personat nën moshën shtatëmbëdhjetë vjeç (nëse nuk janë të shoqëruar nga një prind ose kujdestar) për shkak të temës ose shkallës së seksit, dhunës ose përdhosjes.
[Kutia në faqen 6]
Faktorë për t’u marrë në konsideratë
Kur një i krishterë duhet të marrë një vendim në lidhje me një punë, duhet të mendojë fillimisht se çfarë do të bëjë aktualisht. Ai mund të marrë në konsideratë këto dy pika:
◼ A dënohet në Bibël kjo punë në veçanti?
Bibla dënon gjëra të tilla, si: vjedhja, idhujtaria dhe keqpërdorimi i gjakut, kështu që vështirë se një i krishterë do të punonte në një punë ku t’i përkrahte drejtpërdrejt këto gjëra.
◼ A do ta lidhte puna kaq ngushtë një person me një praktikë të dënuar saqë ai do të ishte qartësisht një bashkëpunëtor?
Edhe një portier apo një recepsionist në një bankë gjaku ose në një uzinë që prodhon vetëm armë lufte është drejtpërdrejt i lidhur me një punë në kundërshtim me Fjalën e Perëndisë.—Lev. 17:13, 14; Isa. 2:2-4.
Përveç asaj që personi do të jetë duke bërë, disa faktorë të mëtejshëm mund të kenë peshë në bërjen e një panorame të përgjithshme:
◼ A është puna një shërbim njerëzor jo e gabuar nga ana biblike?
Një postier kryen shërbimin e shpërndarjes së postës nëpër shtëpi dhe qendra tregtare. A do të dënohej një i krishterë nëse midis vendeve ku ai shpërndan postën janë disa shtëpi hajdutësh ose një firmë që shet idhuj?—Mat. 5:45.
◼ Deri në çfarë mase një person ka autoritet mbi atë që bëhet?
Një i krishterë që zotëron një dyqan nuk do të magazinonte dhe të shiste idhuj apo salsiçe me gjak. Ai nuk është në të njëjtën situatë me një punonjës në një supermarket që shet cigare ose salsiçe me gjak midis mijëra artikujve të tjerë për shitje.
◼ Deri në çfarë shkalle është i përfshirë personi?
Një punonjës që punon si arkëtar dhe vetëm në ndonjë rast ka të bëjë me cigare mund të nxjerrë si përfundim se situata e tij nuk është e njëjtë me atë të një punonjësi tjetër, i cili i sistemon ato nëpër rafte pothuaj gjatë gjithë ditës.
◼ Cili është burimi i pagesës ose vendi ku bëhet ajo?
Në një vend ku qeveria i jep kishës një mbikëqyrje të të gjitha programeve shoqërore, një njeri mund të paguhet nga një korporatë fetare. Por aktualisht puna e tij për të mirëmbajtur parqet publike nuk është një pronë e kishës. Kjo punë nuk është as fetare e as nuk shihet si një punë që përkrah adhurimin e rremë.
◼ Cila është pasoja e përgjithshme e bërjes së një farë pune?
A do t’i pengonte bërja e kësaj pune shumë veta, duke sjellë me vete ‘qortueshmëri’? (1. Tim. 3:2, 10) Si do të ndikonte kjo mbi ndërgjegjen e punëtorit?