BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w94 1/12 f. 19-21
  • Ruhuni nga mburrja!

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Ruhuni nga mburrja!
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Ndikon mbi marrëdhënien me të tjerët
  • Mburrja është tregues i dobësisë
  • «Por është e vërtetë!»
  • A nevojitet për të pasur arritje?
  • Përparësitë e modestisë
  • Mos lejo që forca jote të kthehet në dobësi!
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
  • Ti mund ta ruash modestinë nën sprova
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait (Për studim)—2017
  • «Mençuria është me modestët»
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2000
  • Modestia​—Një cilësi që nxit paqen
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2000
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
w94 1/12 f. 19-21

Ruhuni nga mburrja!

SOT shumë njerëz e shikojnë mburrjen si një virtyt. Nxjerrja në pah e përparësive, aftësive dhe arritjeve është bërë diçka e modës. Disa mendojnë se mburrja është e nevojshme për të ecur përpara. Ndërsa të tjerë mendojnë se ajo rrit respektin për veten. Revista Time vëren: «Ideali i modestisë, megjithëse diçka e dalë jashtë mode ka filluar të duket si i pazakontë.» Shkrimtarja Jodi Gailin thotë: «Mjerisht, të mburresh hapur . . . është e modës së fundit. Biseda me një mik apo të njohur shoqërohet me diçka të re: ngritjen e vetes në qiell.

Personazhet e njohur japin shembull. Ndoshta të kanë rënë në vesh fjalët e një ish-kampioni boksi: «Nuk është rastësi që në këtë moment historik unë jam njeriu më i madh në botë.» Edhe fjalët e thëna nga një anëtar i grupit muzikor Bitëlls janë shumë të njohura: «Tani jemi më të popullarizuar se Jezu Krishti.» Megjithëse disa i konsideronin vetëm fraza të pafajshme, për të tjerë ata që i kishin shprehur paraqitnin shembuj sjelljeje nxitës të denjë për t’u imituar.

Përhapja kaq e madhe e mburrjes ngre pyetjet: A është mirë për dikë që të mburret për meritat dhe aftësitë që ka? Sigurisht që është e natyrshme të krenohesh për arritjet dhe të flasësh për to me miqtë dhe të afërmit. Por ç’mund të thuhet për ata që jetojnë sipas shprehjes: «Krenohu për diçka që ke.» Për më tepër ç’mund të themi për ata që edhe pse nuk mburren hapur, me dinakëri bëjnë që të tjerët të mësojnë mbi vlerat dhe aftësitë e tyre? A është mirë apo siç thonë disa a është e nevojshme që ta reklamojmë veten në këtë mënyrë?

Ndikon mbi marrëdhënien me të tjerët

Mendo pak se si ndikon tek ti kur të tjerët mburren. Për shembull, si do t’u përgjigjeshe deklaratave vijuese?

«Edhe librat që nuk kam shkruar janë më të mirë se librat që kanë shkruar të tjerët.»​—Një autor i njohur.

«Po të kisha qenë prezent gjatë krijimit, do të kisha dhënë ndonjë mendim të vlefshëm se si të organizohej më mirë universi.»—Një mbret i mesjetës.

«Nuk mund të ketë Perëndi, sepse po të kishte, unë nuk do të besoja se nuk jam Ai.»—Një filozof i shekullit të 19-të.

A je i tërhequr ndaj personave që thonë gjëra të tilla? A do të të pëlqente të ishe në shoqërinë e tyre? Ndoshta jo. Zakonisht mburrja​—seriozisht apo me shaka—​bën që të tjerët të ndihen me nerva të tendosura, të mërzitur dhe ndoshta ziliqarë. Kështu ndikoi edhe tek psalmisti Asaf, i cili tha: «I kisha zili mburravecët.» (Psalmi 73:3) Sigurisht, askush prej nesh nuk dëshiron të ngjallë ndjenja të tilla tek miqtë apo të njohurit! Letra e parë e Korintasve 13:4 thotë: «Dashuria . . . nuk mburret.» Dashuria e shenjtë dhe ndjeshmëria ndaj ndjenjave të të tjerëve do të na nxisë të mos mburremi për vlerat dhe aftësitë tona të supozuara.

Kur një person e kontrollon veten dhe flet me modesti, bën që të tjerët përreth tij të ndihen rehat dhe mirë. Kjo është një cilësi e paçmuar. Ndoshta një burrë shteti nga Britania, Lord Çesterfilld, kishte pikërisht këtë në mendje kur e këshilloi të birin: «Po qe e mundur, ji më i mençur se të tjerët, por mos nxito për ta treguar.»

Jo të gjithë njerëzit kanë të njëjtat dhunti. Ajo që është e lehtë për disa, nuk është për të tjerët. Dashuria do ta nxitë një person të sillet me dashamirësi me ata që nuk e kanë këtë dhunti në disa fusha. Ndoshta, individi tjetër ka dhunti në fusha të tjera. Apostulli Pavël na thotë: «Për hirin që më është dhënë, unë i them secilit prej jush të mos e vlerësojë veten më shumë se sa duhet ta çmojë, por të ketë një vlerësim të përkorë sipas masës së besimit që Perëndia i ndau secilit.»​—Romakëve 12:3.

Mburrja është tregues i dobësisë

Ndërkohë që disa ndihen inferiorë ndaj atij që mburret dhe i shmangen, të tjerë veprojnë ndryshe. Janë të mendimit se mburravecët janë të pasigurt. Shkrimtari Frank Tripet shpjegon se përse ai që e ngre veten në qiell mundet që me ironi të humbë pikë në sytë e të tjerëve: «Në zemër të gjithë e dinë se mburrja zakonisht zbulon ndonjë dobësi të brendshme patetike.» Duke qenë se shumë nuk e lënë veten të joshen nga mburrjet, a nuk është e mençur të përmbahen nga ato?

«Por është e vërtetë!»

Disa mundohen ta justifikojnë kështu zakonin e lavdërimit të vetes. Mendojnë se meqë kanë me të vërtetë dhunti në disa aspekte, do të ishte hipokrizi të hiqeshin sikur nuk i kanë.

Por, a kanë të drejtë të mburren? Vetëshqyrtimi është një vlerësim subjektiv. Ajo që për ne është një cilësi e jashtëzakonshme tek vetja, për të tjerët mund të jetë diçka normale. Fakti që një person ndihet i detyruar të shfaqë aftësitë e tij të bën të mendosh se këto aftësi në fund të fundit nuk janë kaq të dukshme sa për t’u parë pa u reklamuar. Bibla e njeh prirjen njerëzore lidhur me vetëzhgënjimin kur këshillon: «Ai që mendon se qëndron më këmbë, le të shohë se mos bjerë.»​—1. Korintasve 10:12.

Mos vallë një person që është jashtëzakonisht i talentuar në një fushë të veçantë, ka të drejtë të mburret? Jo, sepse ai që mburret lavdëron veten, një qenie njerëzore, ndërkohë që çdo talent që mund të kemi vjen nga Perëndia dhe lavdia i përket atij. A duhet të na jepet meritë për një cilësi të lindur? (1. Korintasve 4:7) Përveç kësaj, ashtu siç kemi gjëra pozitive kemi edhe dobësi. Mos vallë ndershmëria kërkon që të tërheqim vëmendjen ndaj gabimeve dhe dobësive tona? Disa prej këtyre mburracakëve do të thoshin po. Mbreti Herod Agripa I ishte vërtet një orator i madh. Por, mungesa e modestisë e çoi në një vdekje të pakëndshme. Ky episod tragjik pasqyron se sa e neveritshme është mendjemadhësia për Perëndinë si dhe për njerëzit.​—Veprat 12:21-23.

Talentet dhe cilësitë e mira zakonisht bëhen të njohura pa reklama të bujshme. Kur janë të tjerët ata që i njohin dhe i lavdërojnë cilësitë apo arritjet e dikujt, ato pasqyrohen në mënyrë më të këndshme. Proverbat 27:2 me mençuri thotë: «Le të të lëvdoj një tjetër dhe jo goja jote, një i huaj dhe jo buzët e tua.»

A nevojitet për të pasur arritje?

Disa mendojnë se mbështetja me besim e vetes nevojitet në shoqërinë e sotme konkurruese për të pasur arritje. Kanë frikë se po të mos flasin dhe po të mos i shfaqin aftësitë e tyre të çmueshme do të kalojnë pa u vënë re dhe pa u çmuar. Revista Vogue e përmblodhi në këtë mënyrë shqetësimin e tyre: «Kur njëherë e një kohë na mësohej që modestia është një virtyt, tani mësojmë se heshtja mund të jetë një pengesë.»

Për ata që dëshirojnë të bëjnë progres sipas normave të botës, ky shqetësim mund të justifikohet. Ndërsa situata e të krishterit është e ndryshme. Ai e di se Perëndia i do të përulurit dhe se preferon të përdorë aftësitë e atyre që janë të përulur dhe jo të mendjemëdhenjve. Prandaj, i krishteri nuk ka pse t’u drejtohet taktikave egoiste. Vërtet, një person që ka besim të tepërt tek vetvetja mund të fitojë prestigj të përkohshëm duke qenë i fuqishëm apo manipulues. Megjithatë, me kalimin e kohës ai e tregon veten dhe përulet ose më mirë poshtërohet. Është pikërisht siç tha Jezui: «Kush do të lartësojë veten, do të poshtërohet; dhe kush do të përulë veten do të lartësohet.»​—Mateu 23:12; Proverbat 3:18; Luka 9:48.

Përparësitë e modestisë

Ralf Valdo Emerson shkroi: «Këdo që takoj në një mënyrë apo në një tjetër është eprori im për ndonjë cilësi. Pikërisht në këtë unë mësoj nga ai.» Fjalët e tij janë në përputhje me nxitjen e frymëzuar të apostullit Pavël që të krishterët të mos bëjnë «asgjë për rivalitet as për mendjemadhësi, por me përulësi secili ta çmojë tjetrin më shumë se vetveten». (Filipianëve 2:3) Kjo pikëpamje modeste e nxit dikë që të mësojë nga të tjerët.

Prandaj, ruhu që cilësitë e tua të mira të mos bëhen dobësi për ty. Mos i rrëno aftësitë dhe arritjet e tua duke u mburrur. Shtoju virtyteve të tua cilësinë e modestisë. Kjo është ajo që rrit në të vërtetë respektin e dikujt në sytë e të tjerëve. E ndihmon dikë që të ketë marrëdhënie më të mira me të tjerët dhe të fitojë aprovimin e Perëndisë Jehova.​—Mikea 6:8; 2. Korintasve 10:18.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo