BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w97 15/8 f. 12-17
  • Të jetojmë për tani apo për një të ardhme të përjetshme?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Të jetojmë për tani apo për një të ardhme të përjetshme?
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • «Rrini vigjilentë»
  • Themele për të besuar në jetën e përjetshme
  • Në të ardhmen e largët?
  • Një rojë i besueshëm
  • Të jetojmë për një të ardhme të përjetshme
  • Të shërbejmë së bashku me rojën
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2000
  • «Të vdekurit do të ngrihen»
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
  • Jeta e përhershme në tokë—Një shpresë e krishterë?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2009
  • «Qëndroni vigjilentë»
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2000
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
w97 15/8 f. 12-17

Të jetojmë për tani apo për një të ardhme të përjetshme?

«Ne u shpëtuam në këtë shpresë.»​—ROMAKËVE, 8:24, BR.

1. Çfarë mësonin epikurianët dhe si ndikoi kjo lloj filozofie mbi disa të krishterë?

APOSTULLI Pavël u shkroi të krishterëve që jetonin në Korint: «Si vallë disa prej jush thonë se nuk ka ringjallje të të vdekurve?» (1. Korintasve 15:12, BR) Me sa duket, filozofia helmuese e dijetarit grek Epikurit ishte ndërfutur disi mes të krishterëve të shekullit të parë. Për këtë arsye, Pavli tërhoqi vëmendjen nga mësimi epikurian: «Le të hamë e të pimë, sepse nesër do të vdesim.» (1. Korintasve 15:32, BR) Duke përçmuar çdo lloj shprese të jetës pas vdekjes, ithtarët e filozofit besonin se kënaqësia mishore ishte dobia e vetme apo kryesore në jetë. (Veprat 17:18, 32, BR) Filozofia epikuriane ishte egocentrike, cinike dhe më së fundi poshtëruese.

2. (a) Përse ishte kaq e rrezikshme të mohoje ringjalljen? (b) Si e forcoi Pavli besimin e të krishterëve korintas?

2 Ky mohim i ringjalljes kishte implikime të thella. Pavli arsyetoi: «Nëse, në fakt, nuk ka ringjallje të të vdekurve, as Krishti nuk qenka ngritur. Por, nëse Krishti nuk është ngritur, predikimi ynë është sigurisht i kotë dhe besimi ynë është i kotë. . . . Nëse vetëm në këtë jetë kemi shpresuar në Krishtin, ndër të gjithë njerëzit ne jemi më të mjerët.» (1. Korintasve 15:13-19, BR) Po, pa shpresën e një të ardhmeje të përjetshme, krishterimi do të ishte «i kotë». Do të ishte pa asnjë qëllim. S’kemi shumë për t’u habitur, pra, që nën ndikimin e këtij mendimi pagan, kongregacioni i Korintit ishte bërë një djep i ngrohtë për problemet. (1. Korintasve 1:11; 5:1; 6:1; 11:20-22) Prandaj, Pavli kishte për qëllim të forconte besimin e tyre në ringjalljen. Duke përdorur një logjikë të fuqishme, citime nga Shkrimet dhe ilustrime, ai provoi përtej çdo dyshimi se shpresa e ringjalljes nuk ishte një trillim, por një realitet i sigurt për përmbushje. Mbi këtë bazë, ai mundi t’i nxiste bashkëbesimtarët e tij: «Jini të patundur, të palëkundur, duke pasur gjithmonë shumë për të bërë në veprën e Zotërisë, duke e ditur se puna juaj nuk është e kotë në lidhje me Zotërinë.»​—1. Korintasve 15:20-58, BR.

«Rrini vigjilentë»

3, 4. (a) Sipas Pjetrit, cili qëndrim i rrezikshëm do të gllabëronte disa në ditët e fundit? (b) Çfarë duhet të vazhdojmë t’i kujtojmë vetes?

3 Sot, shumë njerëz kanë një qëndrim pesimist, duke jetuar sot për sot. (Efesianëve 2:2) Është ashtu sikurse paratha apostulli Pjetër. Ai foli për «përqeshës me përqeshjet e tyre . . . që thonë: ‘Ku është prania e tij e premtuar? Ja, që nga dita që etërit tanë ranë në gjumin e vdekjes, të gjitha gjërat po vazhdojnë pikërisht siç ishte që nga fillimi i krijimit.’» (2. Pjetrit 3:3, 4, BR) Nëse dorëzohen para një pikëpamjeje të tillë, adhuruesit e vërtetë mund të bëhen «joaktivë apo të pafrytshëm». (2. Pjetrit 1:8, BR) Lumturisht, nuk ndodh kështu me pjesën më të madhe të popullit të Perëndisë sot.

4 Nuk është gabim të interesohesh për ardhjen e fundit të këtij sistemi të lig gjërash. Sill ndër mend interesimin që shfaqën vetë apostujt e Jezuit: «Zotëri, a do ta rivendosësh në këtë kohë mbretërinë e Izraelit?» Jezui ua ktheu: «Nuk ju takon juve të njihni kohët apo stinët që ka vendosur Ati me juridiksionin e tij.» (Veprat 1:6, 7, BR) Këto fjalë bartin mesazhin kryesor që ai kishte përcjellë në Malin e Ullinjve: «Ju nuk e dini në ç’ditë do të vijë Zotëria juaj. . . . Biri i njeriut po vjen në një orë që ju s’e mendoni të jetë.» (Mateu 24:42, 44, BR) Duhet t’ia kujtojmë vazhdimisht vetes këtë këshillë! Disa mund të tundohen nga qëndrimi: ‘Mbase duhet të ulem pak e t’i marr punët pak më me nge.’ Sa gabim do të ishte! Le të shqyrtojmë Jakovin dhe Gjonin, «Bijtë e Bubullimës».​—Marku 3:17, BR.

5, 6. Ç’mësime mund të nxjerrim prej shembujve të Jakovit dhe Gjonit?

5 Ne e dimë që Jakovi ishte një apostull tejet i zellshëm. (Luka 9:51-55) Me themelimin e kongregacionit të krishterë, ai duhet të ketë luajtur një rol aktiv. Por, kur Jakovi ishte ende në një moshë relativisht të re, Herod Agripa I e vrau. (Veprat 12:1-3) A mund të mendojmë se Jakovi, duke parë se jeta po i soste kaq papritur, është ndier i trishtuar që kishte qenë aq i zellshëm dhe që ishte ushtruar në shërbimin e tij? Vështirë! Ai ka qenë sigurisht i lumtur që vitet më të mira të jetës së tij relativisht të shkurtër, i kishte kaluar në shërbim të Jehovait. Tani, askush nga ne nuk e di nëse jeta jonë mund të mbarojë papritur. (Eklisiastiu [Predikuesi] 9:11; krahaso Lukën 12:20, 21.) Prandaj, është e qartë se duhet ta mbajmë në nivele të larta zellin dhe aktivitetin tonë në shërbim të Jehovait. Në këtë mënyrë, do të ruajmë emrin e mirë pranë tij e do të jetojmë me sytë nga shpresa jonë e përjetshme.​—Eklisiastiu 7:1.

6 Ka një mësim të lidhur me këtë që përfshin apostullin Gjon, i cili ishte i pranishëm kur Jezui nxiti fuqishëm: «Rrini vigjilentë.» (Mateu 25:13; Marku 13:37; Luka 21:34-36) Gjoni e mori për zemër këtë nxitje, duke shërbyer me entuziazëm për shumë dekada. Në fakt, duket se ai jetoi më gjatë se gjithë apostujt e tjerë. Kur Gjoni ishte shumë i shkuar në vite, duke pasur mbi shpatulla dhjetëra vjet të një aktiviteti plot besim, a e konsideroi këtë si një gabim, si një jetë të keqdrejtuar apo të paekuilibruar? Në fakt, jo! Ai ishte ende plot zjarr me sytë nga e ardhmja. Kur Jezui i ringjallur tha, ‘Po; unë po vij me të shpejtë’, Gjoni ia ktheu menjëherë: «Amin! Eja, o Zotëri Jezu.» (Zbulesa 22:20) Gjoni nuk po jetonte me siguri për të tashmen, duke dëshiruar një ‘jetë normale’, të avashtë dhe të qetë. Ai ishte i vendosur të vazhdonte në shërbim me gjithë jetën dhe forcën e tij, kurdo që të vinte Zotëria. Ç’të themi për ne?

Themele për të besuar në jetën e përjetshme

7. (a) Në ç’mënyrë, shpresa e jetës së përhershme u ‘premtua para kohëve shumë të hershme’? (b) Në ç’mënyrë Jezui hodhi dritë mbi shpresën e jetës së përhershme?

7 Ji i sigurt se shpresa e jetës së përhershme nuk është një ëndërr apo fantazi e sajuar nga njeriu. Siç thotë Titi 1:2, devotshmëria jonë hyjnore është e bazuar mbi «një shpresë të jetës së përhershme, të cilën Perëndia, i cili nuk mund të gënjejë, e premtoi para kohëve shumë të hershme». (BR) Qëllimi origjinal i Perëndisë për gjithë njerëzimin e bindur ishte që të jetonte përgjithmonë. (Zanafilla 1:28) Asgjë, as edhe rebelimi i Adamit dhe i Evës, nuk mund ta pengojë këtë qëllim. Si shkruhet në Zanafillën 3:15, Perëndia menjëherë premtoi «një farë», e cila do të zhdukte gjithë dëmin që kishte pësuar njerëzimi. Kur «fara» apo Mesia, Jezui, erdhi, ai e bëri shpresën e jetës së përjetshme një nga mësimet e tij themelore. (Gjoni 3:16; 6:47, 51; 10:28; 17:3) Duke dhënë jetën e tij të përsosur si një shpërblerje, Krishti fitoi të drejtën ligjore për t’i dhënë njerëzimit jetën e përhershme. (Mateu 20:28) Disa prej dishepujve të tij, gjithsej 144.000, do të jetojnë përgjithmonë në qiell. (Zbulesa 14:1-4) Në këtë mënyrë, disa që njëherë e një kohë ishin njerëz të vdekshëm, do të «veshin pavdekësinë»!​—1. Korintasve 15:53.

8. (a) Ç’është «pavdekësia» dhe përse Jehovai ua jep atë 144.000 personave? (b) Çfarë shprese paraqiti Jezui për «delet e tjera»?

8 «Pavdekësi» do të thotë më shumë sesa thjesht të mos vdesësh kurrë. Ajo përfshin «fuqinë e një jete të pashkatërrueshme». (Hebrenjve 7:16; krahaso Zbulesën 20:6.) Çfarë arrin, pra, Perëndia, duke dhënë një dhuratë të tillë të jashtëzakonshme? Sill ndër mend sfidën e Satanait se asnjë prej krijesave të Perëndisë nuk mund të besohet. (Jobi 1:9-11; 2:4, 5) Duke u dhënë pavdekësinë 144.000-ve, Perëndia tregon mirëbesimin e tij të plotë për këtë grup, i cili në mënyrë kaq të spikatshme i është përgjigjur sfidës së Satanait. Por, ç’të themi për pjesën tjetër të njerëzimit? Jezui u tha pjesëtarëve të parë të kësaj «kopeje të vogël» të trashëgimtarëve të Mbretërisë, se ata do të ‘uleshin mbi frone, për të gjykuar dymbëdhjetë fiset e Izraelit’. (Luka 12:32; 22:30) Kjo lë për të kuptuar se edhe të tjerë do të marrin jetën e përhershme mbi tokë, si nënshtetas të Mbretërisë së tij. Edhe pse këtyre «deleve të tjera» nuk u jepet pavdekësia, ato marrin «jetë të përhershme». (Gjoni 10:16; Mateu 25:46) Prandaj, jeta e përhershme është shpresa e të gjithë të krishterëve. Ajo nuk është fantazi, por diçka e premtuar solemnisht nga «Perëndia, i cili nuk mund të gënjejë» dhe e blerë me gjakun e çmuar të Jezuit.​—Titit 1:2.

Në të ardhmen e largët?

9, 10. Çfarë treguesish të qartë ekzistojnë se jemi afër fundit?

9 Apostulli Pavël paratha se «kohë kritike të vështira për t’u trajtuar» do të tregonin se kemi arritur në mënyrë të pakundërshtueshme në «ditët e fundit». Ndërsa shoqëria njerëzore që na rrethon rroposet në një gjendje të mungesës së dashurisë, të lakmisë, të vetëkënaqësisë dhe të paperëndishmërisë, a nuk e kuptojmë se dita e Jehovait për të ekzekutuar gjykimet e tij mbi këtë sistem të lig botëror po afrohet me shpejtësi? Ndërkohë që dhuna dhe urrejtja shkallëzohen, a nuk shohim kudo përreth nesh përmbushjen e fjalëve të mëtejshme të Pavlit: «Njerëz të ligj dhe mashtrues do të shkojnë keq e më keq»? (2. Timoteut 3:1-5, 13, BR) Me optimizëm, disa mund të bërtasin «Paqe dhe siguri», por të gjitha perspektivat për paqe do të avullojnë, pasi një «shkatërrim i papritur do të bjerë menjëherë mbi ta, tamam si dhembjet e vuajtjes mbi një grua shtatzënë; dhe ata nuk do të shpëtojnë në asnjë mënyrë.» Ne nuk jemi lënë në errësirë, për sa i përket domethënies së kohëve tona. Prandaj, «le të qëndrojmë zgjuar dhe të ruajmë gjykimin».​—1. Selanikasve (Thesalonikasve) 5:1-6, BR.

10 Më tej, Bibla tregon se ditët e fundit janë «një periudhë e shkurtër kohe». (Zbulesa 12:12; krahaso 17:10.) Pjesa më e madhe e kësaj ‘periudhe të shkurtër’ me sa duket ka kaluar. Profecia e Danielit, për shembull, përshkruan me saktësi konfliktin ndërmjet «mbretit të veriut» dhe «mbretit të jugut», i cili është shtrirë deri në këtë shekull. (Danieli 11:5, 6) Gjithçka që ka mbetur për t’u përmbushur është sulmi përfundimtar i «mbretit të veriut», i përshkruar në Danielin 11:44, 45.​—Shiko Kullën e Rojës të 1 korrikut 1987 anglisht dhe të 1 marsit 1994 shqip, për një trajtim të kësaj profecie.

11. (a) Deri në ç’masë është përmbushur Mateu 24:14? (b) Çfarë tregojnë fjalët e Jezuit të regjistruara në Mateun 10:23?

11 Kemi, gjithashtu, edhe parathënien e Jezuit se «ky lajm i mirë i mbretërisë do të predikohet në mbarë tokën e banuar për një dëshmi në të gjitha kombet; dhe atëherë do të vijë fundi». (Mateu 24:14, BR) Sot, Dëshmitarët e Jehovait e kryejnë veprën e tyre në 233 vende, grupe ishujsh dhe territore. Vërtet, ka ende territore të paprekura dhe ndoshta në kohën e caktuar nga Jehovai do të hapet një derë mundësie. (1. Korintasve 16:9) Megjithatë, fjalët e Jezuit të regjistruara në Mateun 10:23 të bëjnë të mendosh: «Nuk do ta përfundoni në asnjë mënyrë xhiron e qyteteve të Izraelit, derisa të vijë Biri i njeriut.» (BR) Edhe pse lajmi i mirë do të shpallet patjetër anembanë tokës, ne nuk do të arrijmë personalisht çdo pjesë të tokës me mesazhin e lajmit të mirë, përpara se Jezui të «vijë» si Ekzekutues.

12. (a) Për çfarë ‘vulosje’ bëhet fjalë në Zbulesën 7:3? (b) Cila është domethënia e zvogëlimit të numrit të të mirosurve mbi tokë?

12 Le të shqyrtojmë tekstin e Zbulesës 7:1, 3, i cili thotë se të «katër erërat» e shkatërrimit janë duke u mbajtur «derisa të kemi vulosur në ballë skllevërit e Perëndisë tonë». (BR) Këtu nuk bëhet fjalë për vulosjen e parë, e cila ndodhi kur 144.000 personat morën thirrjen qiellore. (Efesianëve 1:13) Këtu bëhet fjalë për vulosjen e fundit, kur në mënyrë të pandryshueshme ata identifikohen si «skllevër të Perëndisë tonë» të sprovuar e besimplotë. Numri i bijve vërtet të mirosur të Perëndisë që janë gjallë mbi tokë është duke u zvogëluar shumë. Për më tepër, Bibla pohon qartë se «për shkak të të zgjedhurve» faza fillestare e mjerimit të madh do të «shkurtohet». (Mateu 24:21, 22, BR) Shumica e atyre që thonë se janë të mirosur janë tepër të plakur. E pra, a nuk tregon edhe kjo se fundi është fare pranë?

Një rojë i besueshëm

13, 14. Cila është përgjegjësia e klasës së rojës?

13 Ndërkohë, ne bëjmë mirë t’i kushtojmë vëmendje drejtimit të dhënë nga ‘skllavi i besueshëm dhe i matur’. (Mateu 24:45, BR) Për më tepër se njëqind vjet, «skllavi» i ditëve moderne ka shërbyer me besueshmëri si një «rojë». (Ezekieli 3:17-21) Kulla e Rojës e 1 janarit 1984, anglisht, shpjegonte: «Kjo rojë vëzhgon se si po zhvillohen ngjarjet mbi tokë në përmbushje të profecisë biblike, bën të ditur paralajmërimin e një ‘mjerimi të madh [gati për të ardhur], i tillë sa nuk ka ndodhur që nga fillimi i botës’ dhe shpall ‘lajmin e mirë të diçkaje më të mirë’.»​—Mateu 24:21; Isaia 52:7, BR.

14 Kujtohu se detyra e rojës është të lajmërojë me zë të lartë «tamam ato që shikon». (Isaia 21:6-8, BR) Në kohët biblike, një rojë do të paralajmëronte edhe kur rreziku i mundshëm ishte në një distancë tepër të largët për t’u identifikuar qartësisht. (2. Mbretërve 9:17, 18) Sigurisht që atëherë ndodhnin edhe alarme të rreme. Por një rojë e mirë nuk do të frenohej nga frika se mos zihej ngushtë. Sikur shtëpinë tënde ta kishin përpirë flakët, si do të ndiheshe sikur zjarrfikësit të mos vinin, pasi kishin menduar se ishte një alarm i rremë? Përkundrazi, ne presim që këta njerëz t’i përgjigjen me shpejtësi çdo shenje rreziku! Në mënyrë të ngjashme, klasa e rojës ka folur sa herë që rrethanat dukeshin se e justifikonin një veprim të tillë.

15, 16. (a) Përse janë bërë rregullime në kuptueshmërinë tonë të profecive? (b) Çfarë mund të mësojmë nga shërbëtorët besimplotë të Perëndisë, të cilët kishin një kuptueshmëri të gabuar për disa profeci?

15 Megjithatë, me zhvillimin e ngjarjeve, kuptueshmëria jonë për profecitë është bërë edhe më e qartë. Historia tregon se rrallë, për të mos thënë kurrë, profecitë hyjnore janë kuptuar plotësisht përpara përmbushjes së tyre. Perëndia i tha Abramit saktësisht se për sa kohë pasardhësit e tij do të ishin «një banor i huaj në një tokë të huaj», konkretisht, 400 vjet. (Zanafilla 15:13, BR) Prapëseprapë, Moisiu u ofrua si çlirimtar para kohe.​—Veprat 7:23-30.

16 Le të shqyrtojmë edhe profecitë mesianike. Në retrospektivë, duket fare e qartë se vdekja dhe ringjallja e Mesisë ishin të parathëna. (Isaia 53:8-10) Por, vetë dishepujt e Jezuit dështuan në kapjen e këtij fakti. (Mateu 16:21-23) Ata nuk mendonin se Danieli 7:13, 14 do të përmbushej gjatë «pranisë», pa·rou·siʹa, së ardhshme të Krishtit. (Mateu 24:3, BR) Prandaj, ata ishin pothuajse 2.000 vjet gabim në përllogaritjet e tyre, kur e pyetën Jezuin: «Zotëri, a do ta rivendosësh në këtë kohë mbretërinë e Izraelit?» (Veprat 1:6, BR) Edhe pasi kongregacioni i krishterë u themelua mirë, ide të gabuara dhe pritje të rreme vazhduan të dilnin në sipërfaqe. (2. Selanikasve 2:1, 2) Edhe pse disa të krishterë kishin për momentin pikëpamje të gabuara, Jehovai e bekoi në mënyrë të pamohueshme veprën e atyre besimtarëve të shekullit të parë!

17. Cila duhet të jetë pikëpamja jonë mbi rregullimet në kuptueshmërinë tonë mbi Shkrimet?

17 Edhe klasa e sotme e rojës, në mënyrë të ngjashme, herë pas here është dashur të qartësojë pikëpamjet e saj. Por, a mund të dyshojë dikush, se Jehovai e ka bekuar ‘skllavin e besueshëm’? Përveç kësaj, të para në kontekst, a nuk janë relativisht të vogla shumica e rregullimeve që kanë ndodhur? Kuptueshmëria jonë bazë për Biblën nuk ka ndryshuar. Bindja jonë se ne jemi duke jetuar në ditët e fundit është më e fortë se kurrë!

Të jetojmë për një të ardhme të përjetshme

18. Përse duhet të shmangim të jetuarit vetëm për të tashmen?

18 Bota mund të thotë ‘le të hamë e të pimë, se nesër do të vdesim’, por ky nuk duhet të jetë qëndrimi ynë. Përse të mundohesh më kot për ndonjë kënaqësi që mund të nxjerrësh nga jeta e tanishme, në një kohë kur mund të punosh për një të ardhme të përjetshme? Kjo shpresë, qoftë jetë e pavdekshme në qiell apo jetë e përhershme mbi tokë, nuk është ëndërr as fantazi. Është një realitet i premtuar nga Perëndia, «i cili nuk mund të gënjejë». (Titit 1:2) Ekzistojnë dëshmi të bollshme se realizimi i shpresës sonë është fare pranë! «Koha e mbetur është zvogëluar.»​—1. Korintasve 7:29, BR.

19, 20. (a) Si i konsideron Jehovai sakrificat që kemi bërë për hir të Mbretërisë? (b) Përse duhet të jetojmë me pamjen nga përjetësia?

19 Vërtet, ky sistem tashmë ka zgjatur më shumë nga sa mund të ketë menduar shumëkush. Tani, pakkush mund të mendojë se po ta kishte ditur këtë që më parë, mbase nuk do të kishte bërë disa sakrifica. Por asnjë nuk duhet të ndiejë keqardhje që ka vepruar kështu. Në fund të fundit, bërja e sakrificave është pjesë themelore e qenies të krishterë. Të krishterët ‘e mohojnë vetveten’. (Mateu 16:24) Asnjëherë nuk duhet të mendojmë se përpjekjet tona për t’i pëlqyer Perëndisë kanë qenë të kota. Jezui premtoi: «Nuk ka njeri që ka lënë shtëpi, vëllezër, motra, nënë, atë, fëmijë apo ara për hatrin tim dhe për hatrin e lajmit të mirë, që të mos marrë njëqindfish tani . . . dhe në sistemin e gjërave që po vjen jetë të përhershme.» (Marku 10:29, 30, BR) Sa domethënëse do të duken njëmijë vjet më vonë puna, shtëpia apo llogaria jote bankare? Por, sakrificat që ke bërë për Jehovain do të kenë domethënie edhe një milion vjet më vonë, një miliard vjet më vonë! «Sepse Perëndia nuk është i padrejtë, sa të harrojë punën tuaj.»​—Hebrenjve 6:10, BR.

20 Prandaj, le të jetojmë me pamjen nga përjetësia, duke i mbajtur sytë «jo mbi gjërat që shihen, por mbi gjërat e padukshme. Sepse gjërat që duken janë të përkohshme, por gjërat e padukshme janë të përhershme». (2. Korintasve 4:18) Profeti Habakuku shkroi: «Vegimi është ende për kohën e caktuar dhe vazhdon të gulçojë përpara drejt fundit dhe nuk do të thotë një gënjeshtër. Edhe nëse duhet të vonojë, rrini në pritje të tij; pasi ai do të vërtetohet pa asnjë dyshim. Ai nuk do të vonohet.» (Habakuku 2:3) Në ç’mënyrë ‘qëndrimi në pritje’ të fundit ndikon mbi mënyrën, në të cilën ne kryejmë përgjegjësitë tona personale dhe familjare? Artikulli ynë vijues do të trajtojë këto çështje.

Pika për rishikim

◻ Si janë ndikuar sot pak veta nga vonesa në dukje e fundit të sistemit të gjërave?

◻ Cila është baza për shpresën tonë të jetës së përhershme?

◻ Si duhet t’i konsiderojmë sakrificat që kemi bërë për interesat e Mbretërisë?

[Figura në faqen 15]

Vepra globale e predikimit duhet plotësuar para se të vijë fundi

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo