BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w94 15/4 f. 15-20
  • Barinj dhe dele në një teokraci

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Barinj dhe dele në një teokraci
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Në cilat mënyra jemi teokratë sot?
  • Një teokraci moderne
  • Pleq në një teokraci
  • Të shërbejmë me një frymë të krishterë
  • Dele në teokraci
  • Barinj dhe dele punojnë së bashku
  • Një besëlidhje besimi
  • Të qëndrojmë të lidhur ngushtë me teokracinë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
  • Jehovai sundon: Nëpërmjet teokracisë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
  • Si është i organizuar kongregacioni?
    Gëzoje jetën përgjithmonë—Bibla zbulon si
  • «Kulloteni kopenë e Perëndisë që është nën kujdesin tuaj»
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2011
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
w94 15/4 f. 15-20

Barinj dhe dele në një teokraci

«Jehovai është Gjykatësi ynë, Jehovai është Ligjdhënësi ynë, Jehovai është Mbreti ynë; ai vetë do të na shpëtojë.»​—ISAIA 33:22, BR.

1. Përse mund të themi se të krishterët e shekullit të parë dhe ata të sotëm janë një teokraci?

TEOKRACI do të thotë sundim nga Perëndia. Ajo përfshin pranimin e autoritetit të Jehovait dhe ndjekjen e normave dhe udhëzimeve të tij në vendimet e mëdha dhe të vogla që bëjmë në jetën tonë. Kongregacioni i shekullit të parë ishte një teokraci në kuptimin e vërtetë të fjalës. Prandaj të krishterët mundën të thoshin me ndershmëri: «Jehovai është Gjykatësi ynë, Jehovai është Ligjdhënësi ynë, Jehovai është Mbreti ynë; ai vetë do të na shpëtojë.» (Isaia 33:22, BR) Me mbetjen e mirosur si bërthamë, organizata e sotme e Perëndisë është në mënyrë të ngjashme një teokraci e vërtetë.

Në cilat mënyra jemi teokratë sot?

2. Cila është një mënyrë në të cilën Dëshmitarët e Jehovait i nënshtrohen sundimit të Jehovait?

2 Përse mund të themi se organizata tokësore e Jehovait është një teokraci? Sepse ata që janë pjesë e saj, në fakt janë të nënshtruar ndaj sundimit të Jehovait. Ata ndjekin edhe udhëheqjen e Jezu Krishtit, të atij që Jehovai e ka vendosur në fron si mbret. Për shembull, në kohën e fundit, Jezuit iu transmetua ky urdhër direkt nga Teokrati i Madh: «Godit me drapër dhe korr! Erdhi koha e të korrave: të korrat e tokës u poqën!» (Zbulesa 14:15, ECM) Jezui bindet dhe fillon korrjen e tokës. Të krishterët e mbështetin mbretin e tyre në këtë vepër të madhe, duke predikuar me zell lajmin e mirë dhe duke bërë dishepuj. (Mateu 28:19; Marku 13:10; Veprat 1:8) Duke bërë kështu, ata janë edhe bashkëpunëtorë me Jehovain, Teokratin e Madh.​—1. Korintasve 3:9.

3. Si i nënshtrohen të krishterët teokracisë në çështjet e moralit?

3 Edhe me sjelljen e tyre të krishterët mbështetin sundimin e Perëndisë. Jezui tha: «Ai që e dëgjon të Vërtetën, vjen te Drita, sepse drita tregon se veprat e tij janë kryer në pajtim me vullnetin e Perëndisë.» (Gjoni 3:21, ECM) Sot, bëhen debate të pafundme mbi normat e moralit, por këto diskutime nuk kanë vend midis të krishterëve. Ata shohin si të pamoralshme atë që Jehovai thotë se është e pamoralshme dhe i shmangen asaj si një murtaje! Gjithashtu, ata kujdesen për familjet e tyre, u binden prindërve dhe u mbeten të nënshtruar autoriteteve më të larta. (Efesianëve 5:3-5, 22-23; 6:1-4; 1. Timoteut 5:8; Titit 3:1) Prandaj ata veprojnë në mënyrë teokratike, në përputhje me Perëndinë.

4. Çfarë qëndrimesh të gabuara u manifestuan nga Adami, Eva e Sauli dhe në ç’mënyrë tregojnë të krishterët një qëndrim të ndryshëm?

4 Adami dhe Eva e humbën parajsën, sepse donin të vendosnin vetë se ç’ishte e drejtë dhe ç’ishte e gabuar. Jezui donte krejt të kundërtën. Ai tha: «Nuk kërkoj vullnetin tim, por vullnetin e atij që më dërgoi.» Të krishterët kërkojnë të njëjtën gjë. (Gjoni 5:30; Luka 22:42; Romakëve 12:2; Hebrenjve 10:7) Sauli, mbreti i parë i Izraelit, iu bind Jehovait, por vetëm pjesërisht. Dhe për këtë arsye ai u hodh. Samueli i tha atij: «Ja, bindja është më e mirë se flijimi; dhe të dëgjosh me kujdes është më mirë se dhjami i deshve.» (1. Samueli 15:22) A është teokratike të ndjekësh Jehovain deri në një farë pike dhe pastaj të biesh në kompromise në çështje morali apo në ndonjë mënyrë tjetër? Sigurisht që jo! Ne dëshirojmë ‘të bëjmë vullnetin e Perëndisë me gjithë shpirt’. (Efesianëve 6:6, BR; 1. Pjetrit 4:1, 2) Në kundërshtim me Saulin, ne i nënshtrohemi plotësisht sundimit të Perëndisë.

Një teokraci moderne

5, 6. Si sillet Jehovai me njerëzimin sot dhe cili është rezultati i bashkëpunimit me këtë rregullim?

5 Në të kaluarën, Jehovai sundonte dhe i zbulonte të vërtetat me anë të individëve, si profetë, mbretër apo apostuj. Sot, nuk është më kështu; nuk ka më profetë të frymëzuar apo apostuj. Përkundrazi, Jezui tha se gjatë pranisë së tij mbretërore ai do të identifikonte një trup ithtarësh besnikë, një «skllav besnik dhe të matur» dhe do ta emëronte atë mbi të gjitha pronat e tij. (Mateu 24:45-47, BR; Isaia 43:10) Në 1919-ën, ai skllav u identifikua si mbetja e të krishterëve të mirosur. Që nga ajo kohë, i përfaqësuar nga Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait, ai është bërë qendra e teokracisë mbi tokë. Në të gjithë botën, Trupi Udhëheqës përfaqësohet nga Komitetet e Degëve, mbikëqyrësit udhëtues dhe pleqtë e kongregacionit.

6 Bashkëpunimi me organizatën teokratike është një pjesë jetësore e nënshtrimit ndaj teokracisë. Një bashkëpunim i tillë i shërben unitetit dhe rregullit mbarëbotëror në «të gjithë shoqërinë e vëllezërve». (1. Pjetrit 2:17, BR) Si shkëmbim, kjo i pëlqen Jehovait, i cili është «një Perëndi i paqes dhe jo i çrregullimit».​—1. Korintasve 14:33, BR.

Pleq në një teokraci

7. Përse mund të themi se pleqtë e krishterë janë emëruar në mënyrë teokratike?

7 Të gjithë pleqtë e emëruar, cilado qoftë pozita e autoritetit të tyre, përmbushin kërkesat e shënuara në Bibël për detyrën e mbikëqyrësit apo të pleqve. (1. Timoteut 3:1-7; Titit 1:5-9) Veç kësaj, fjalët e Pavlit drejtuar pleqve të Efesit aplikohen në të gjithë pleqtë e kongregacioneve: «Kushtojini vëmendje vetes tuaj dhe gjithë kopesë, mes së cilës fryma e shenjtë ju ka emëruar mbikëqyrës, për të kullotur kongregacionin e Perëndisë.» (Veprat 20:28, BR) Po, pleqtë janë emëruar prej frymës së shenjtë, e cila vjen nga Perëndia Jehova. (Gjoni 14:26) Emërimi i tyre është teokratik. Për më tepër, ata kullotin kopenë e Perëndisë. Kopeja i përket Jehovait, jo pleqve. Organizata e Perëndisë është një teokraci.

8. Cilat janë përgjegjësitë e përgjithshme të pleqve sot?

8 Në letrën e tij drejtuar efesianëve, apostulli Pavël nënvizoi përgjegjësitë e përgjithshme të pleqve, duke thënë: «E Ai i ‘dha’ disa apostuj, disa të tjerë profetë, disa prapë ungjillëtarë, do të tjerë barinj dhe mësues, që shenjtërit t’ i bëjë të aftë për veprën e shërbesës, për ndërtimin e trupit të Krishtit.» (Efesianëve 4:11, 12) Apostujt dhe profetët kaluan bashkë me vogëlinë e «trupit të Krishtit». (Krahaso 1. Korintasve 13:8.) Por pleqtë janë ende të zënë me veprën e ungjillëzimit, kullotjes dhe mësimit.​—2. Timoteut 4:2; Titit 1:9.

9. Si duhet ta përgatitin pleqtë vetveten për të përfaqësuar vullnetin e Perëndisë në kongregacion?

9 Pasi teokracia është sundim i Perëndisë, pleqtë e aftë e njohin thellësisht vullnetin e Perëndisë. Josiu kishte urdhër të lexonte Ligjin çdo ditë. Edhe pleqtë kanë nevojë të studiojnë, të konsultohen rregullisht me Shkrimet dhe të njohin thellësisht literaturën biblike të botuar nga skllavi besnik dhe i matur. (2. Timoteut 3:14, 15) Kjo përfshin revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni!, si dhe botime të tjera që tregojnë se si zbatohen parimet biblike në situata të veçanta.a Megjithatë, pasi për një plak është e rëndësishme të njohë dhe të ndjekë udhëzimet e botuara në literaturën e Shoqatës Watch Tower, ai duhet të njohë thellësisht edhe parimet e Shkrimeve në të cilat ato mbështeten. Në këtë mënyrë do të jetë në gjendje të zbatojë normat e Shkrimeve me kuptueshmëri dhe dhembshuri.​—Krahaso Mikea 6:8.

Të shërbejmë me një frymë të krishterë

10. Nga cili qëndrim i keq duhet të ruhen pleqtë dhe në ç’mënyrë?

10 Rreth vitit 55 e.s., apostulli Pavël shkroi letrën e tij të parë për kongregacionin e Korintit. Një nga problemet që trajtoi ai kishte të bënte me disa burra që dëshironin të kishin përparësi në kongregacion. Pavli shkroi: «Por tani u ngopët! Tani u bëtë të pasur! Pa ne, ju tashmë u bëtë mbretër! Në qoftë se në të vërtetë po mbretëronit, edhe ne do të mbretëronim bashkë me ju!» (1. Korintasve 4:8, ECM) Në shekullin e parë të e.s. të gjithë të krishterët kishin shpresën për të mbretëruar si mbretër dhe priftërinj qiellorë me Jezuin. (Zbulesa 20:4, 6) Me sa duket, pra, disa në Korint kishin harruar se mbi tokë ata nuk ishin mbretër në teokracinë e krishterë. Në vend që të veprojnë si mbretërit e kësaj bote, barinjtë e krishterë kultivojnë përulësinë, një cilësi që i pëlqen Jehovait.​—Psalmi 138:6; Luka 22:25-27.

11. (a) Cilët janë disa shembuj spikatës të përulësisë? (b) Si duhet ta shohin veten pleqtë dhe të gjithë të krishterët e tjerë?

11 A është dobësi përulësia? Aspak! Vetë Jehovai është përshkruar si i përulur. (Psalmi 18:35) Mbretërit e Izraelit udhëhoqën ushtri në beteja dhe sunduan kombin nën Jehovain. Megjithatë, secili prej tyre duhej të ishte i kujdesshëm, ‘me qëllim që zemra e tij të mos ngrihej mbi vëllezërit e tij’. (Ligji i përtërirë 17:20) Jezui i ringjallur është një Mbret qiellor. Megjithatë, kur ishte mbi tokë ai u lau këmbët dishepujve të tij. Çfarë përulësie! Dhe duke treguar se donte që edhe apostujt, ngjashëm tij, të ishin të përulur, tha: «Nëse, pra, unë​—Zotëria dhe Mësuesi—​ju lava këmbët, duhet që edhe ju t’ i lani këmbët njëri-tjetrit.» (Gjoni 13:14; Filipianëve 2:5-8) Lavdia dhe lavdërimet duhet t’i shkojnë të gjitha Jehovait, jo ndonjë njeriu. (Zbulesa 4:11) Janë apo s’janë pleq kongregacioni, të gjithë të krishterët duhet të mendojnë për veten nën dritën e fjalëve të Jezuit: «Jemi shërbëtorë të pavlefshëm. Bëmë atë që patëm detyrë të bëjmë.» (Luka 17:10) Çdo mendim tjetër nuk është teokratik.

12. Përse dashuria është një cilësi jetësore që duhet të kultivojnë pleqtë e krishterë?

12 Bashkë me përulësinë, pleqtë e krishterë kultivojnë dashurinë. Apostulli Gjon tregoi rëndësinë e dashurisë, kur tha: «Kush nuk e ka këtë dashuri, nuk e njeh Perëndinë, sepse vetë Perëndia është dashuri.» (1. Gjonit 4:8, ECM) Individët që s’kanë dashuri nuk janë teokratë. Ata nuk e njohin Jehovain. Në lidhje me Birin e Perëndisë, Bibla thotë: «[Jezui] pasi i deshi të vetët​—ata që ishin në botë—​i deshi deri në pikën e fundit.» (Gjoni 13:1) Duke u folur 11 burrave që do të bëheshin pjesë e trupit udhëheqës në kongregacionin e krishterë, Jezui tha: «Urdhërimi im është ky: ju duhet ta doni njëri-tjetrin ashtu siç ju desha unë.» (Gjoni 15:12, ECM) Dashuria është shenja dalluese e krishterimit të vërtetë. Tërheq zemërthyerit, ata që mbajnë zi dhe skllevërit frymorë që digjen për liri. (Isaia 61:1, 2; Gjoni 13:35) Pleqtë duhet të jenë shembullorë në shfaqjen e saj.

13. Edhe pse problemet e sotme mund të jenë të vështira, si mund të ndikojë një plak për të mirë në çdo situatë?

13 Sot, pleqve u duhet që trajtojnë shpesh probleme të ndërlikuara. Vështirësitë martesore mund të kenë rrënjë të thella dhe mund të jenë të vazhdueshme. Të rinjtë mund të kenë probleme që për të rriturit mund të jenë të vështira për t’u kuptuar. Sëmundjet emocionale shpesh kapen me vështirësi. Një plak që ballafaqohet me këto gjëra mund të mos jetë i sigurt se ç’duhet të bëjë. Por mund të ketë besim se nëse beson duke u lutur në mençurinë e Jehovait, nëse kërkon në Bibël dhe në informacionet e botuara nga skllavi besnik dhe i matur e nëse sillet me përulësi dhe dashuri me delet, do të ndikojë për mirë edhe në situatat më të vështira.

14, 15. Cilat janë disa thënie që tregojnë se Jehovai e ka bekuar popullin e tij me shumë pleq të shkëlqyer?

14 Jehovai e ka bekuar shumë organizatën e tij me «dhurata në njerëz». (Efesianëve 4:8, BR) Kohë pas kohe, Shoqata Watch Tower merr letra që të ngrohin zemrën dhe që dëshmojnë për dashurinë e treguar nga pleq të përulur, që me dhembshuri kullotin delet e Perëndisë. Për shembull, një plak kongregacioni shkruan: «Nuk mund të kujtoj ndonjë vizitë të mbikëqyrësit qarkor që të më ketë ndikuar kaq shumë apo që ende diskutohet në kongregacion. Mbikëqyrësi qarkor më ndihmoi të kuptoja rëndësinë e një qëndrimi pozitiv në sjelljet me vëllezërit, duke i dhënë rëndësi lëvdatave.»

15 Një motër, së cilës iu desh të udhëtonte për në një klinikë të largët që të kurohej, shkruan: «Sa qetësuese ishte që munda të takohesha me një plak kongregacioni, në atë natë të parë ankthi në një spital kaq larg shtëpisë! Ai dhe vëllezër të tjerë kaluan shumë kohë me mua. Edhe njerëz nga bota që e dinin se ç’po kaloja, mendonin se unë nuk do të mbijetoja kurrë pa ngushëllimin, kujdesin dhe lutjet e këtyre vëllezërve të dashur dhe të devotshëm.» Një motër tjetër shkruan: «Sot jam ende gjallë, sepse trupi i pleqve më udhëhoqi me durim në betejën që kisha me depresionin më të madh. . . . Një vëlla dhe gruaja e tij nuk dinin se ç’të më thoshin. . . . Por ajo që më preku më shumë ishte se ata u kujdesën për mua me dashuri edhe pse nuk e kuptonin plotësisht çfarë po kaloja.»

16. Çfarë nxitje u dha Pjetri pleqve?

16 Po, shumë pleq po e zbatojnë nxitjen e apostullit Pjetër: «Kulloteni kopenë e Perëndisë që është nën kujdesin tuaj, jo me detyrim, por vullnetarisht; as nga dashuria për fitim të pandershëm, por me kujdes; as sikur të zotëroni mbi ata që janë trashëgimia e Perëndisë, por duke u bërë shembuj të kopesë.» (1. Pjetrit 5:1-3, BR) Çfarë bekimi janë këta pleq teokratë!

Dele në teokraci

17. Përmend disa cilësi që duhet të kultivojnë të gjithë anëtarët e kongregacionit.

17 Megjithatë, teokracia nuk përbëhet vetëm nga pleq kongregacionesh. Nëse barinjtë duhet të jenë teokratë, kështu duhet të jenë edhe delet. Në ç’mënyrë? E pra, të njëjtat parime që udhëheqin barinjtë duhet të udhëheqin edhe delet. Të gjithë të krishterët, jo vetëm pleqtë, duhet të jenë të përulur nëse duan të marrin bekimin e Jehovait. (Jakovit 4:6) Të gjithë duhet të kultivojmë dashurinë, sepse pa të sakrificat tona nuk i pëlqejnë Jehovait. (1. Korintasve 13:1-3) Të gjithë ne, jo vetëm pleqtë, duhet «të jemi të mbushur me njohuri të saktë për vullnetin [e Jehovait] në çdo dituri dhe kuptim frymor».​—Kolosianëve 1:9, BR.

18. (a) Përse nuk mjafton vetëm një njohuri e sipërfaqshme për të vërtetën? (b) Si mund të jemi të gjithë të mbushur me njohuri të saktë?

18 Si të rinjtë edhe pleqtë ballafaqohen vazhdimisht me vendime të vështira, ndërsa përpiqen të mbeten besnikë edhe pse jetojnë në botën e Satanait. Prirjet e botës në veshje, muzikë, filma dhe literaturë sfidojnë karakterin frymor të disave. Një njohuri e sipërfaqshme e së vërtetës nuk mjafton për të na ndihmuar në mbajtjen e ekuilibrit. Për t’u siguruar se do të mbetemi besnikë, duhet të jemi të mbushur me njohuri të saktë. Kemi nevojë për kuptueshmërinë dhe mençurinë që vetëm Fjala e Perëndisë mund të na e japë. (Proverbat 2:1-5) Kjo do të thotë që të kultivojmë zakone të mira studimi, duke medituar mbi atë që mësojmë dhe duke e vënë në zbatim. (Psalmi 1:1-3; Zbulesa 1:3) Pavli u shkroi të gjithë të krishterëve, jo vetëm pleqve, kur tha: «Ushqimi i fortë është për të rritur, për ata që i kanë shqisat e stërvitura për të dalluar të mirën e të keqen.»​—Hebrenjve 5:14.

Barinj dhe dele punojnë së bashku

19, 20. Çfarë nxitjesh u janë bërë të gjithëve që të bashkëpunojnë me pleqtë dhe përse?

19 Së fundi, duhet thënë se ata që bashkëpunojnë me pleqtë kanë treguar një frymë vërtet teokratike. Pavli i shkroi Timoteut: «Pleqtë që prijnë në një mënyrë të shkëlqyer, le të konsiderohen të denjë për nderim të dyfishtë, sidomos ata që punojnë shumë në të folur dhe në mësim.» (1. Timoteut 5:17; 1. Pjetrit 5:5, 6) Të jesh plak kongregacioni është një privilegj i bukur, por shumë prej tyre janë familjarë që kanë punën e tyre të përditshme, si dhe gra e fëmijë për të cilët duhet të kujdesen. Edhe pse janë të lumtur të shërbejnë, shërbimi i tyre është më i lehtë dhe më i çmuar kur kongregacioni i mbështet, pa e tepruar me kritika dhe pa qenë shumë kërkues.​—Hebrenjve 13:17.

20 Apostulli Pavël tha: «Kujtojini ata që marrin direktivën mes tuaj, ata që ju kanë shpallur fjalën e Perëndisë dhe ndërsa soditni se si mbaron sjellja e tyre imitoni besimin e tyre.» (Hebrenjve 13:7, BR) Jo, Pavli nuk i inkurajon vëllezërit që të ndjekin pleqtë. (1. Korintasve 1:12) Të ndjekësh një njeri nuk është teokratike. Por sigurisht që është e mençur të imitohet besimi i provuar i një plaku teokratik që është aktiv në veprën e ungjillëzimit, që është i rregullt në mbledhje dhe që sillet me përulësi dhe dashuri me kongregacionin.

Një besëlidhje besimi

21. Në ç’mënyrë të krishterët manifestojnë një besim të fortë si ai i Moisiut?

21 Ekzistenca e një organizate teokratike në periudhën më të degjeneruar të historisë njerëzore është me të vërtetë një dëshmi e fuqisë së Teokratit të Madh. (Isaia 2:2-5) Është gjithashtu dëshmi e besimit të gati pesë milion të krishterëve, burra, gra dhe fëmijë, të cilët luftojnë me problemet e jetës së përditshme, por që nuk harrojnë kurrë se Jehovai është Sundimtari i tyre. Ashtu si Moisiu besnik që vazhdoi të «kishte parasysh Perëndinë e padukshëm» edhe të krishterët e sotëm kanë një besim të tillë të fortë. (Hebrenjve 11:27, ECM) Ata janë të privilegjuar që jetojnë në një teokraci dhe çdo ditë falënderojnë Jehovain për këtë. (Psalmi 100:4, 5) Ndërsa provojnë fuqinë shpëtuese të Jehovait, ata janë të lumtur të shpallin: «Jehovai është Gjykatësi ynë, Jehovai është Ligjvënësi ynë, Jehovai është Mbreti ynë; ai vetë do të na shpëtojë.»​—Isaia 33:22, BR.

[Shënimi]

a Midis këtyre botimeve është edhe libri «Kushtojini vëmendje vetes tuaj dhe gjithë kopesë», i cili përmban udhëzime nga Shkrimet dhe u sigurohet mbikëqyrësve të emëruar apo pleqve të kongregacionit.

Çfarë tregon Bibla?

◻ Në ç’mënyrë i nënshtrohen të krishterët teokracisë?

◻ Si është organizuar teokracia sot?

◻ Në ç’mënyra duhet ta përgatitin pleqtë vetveten për të përmbushur përgjegjësitë e tyre?

◻ Cilat cilësi të krishtere janë jetësore për t’u kultivuar dhe shfaqur nga pleqtë?

◻ Në teokraci, cila lidhje duhet të ekzistojë midis deleve dhe barinjve?

[Figura në faqen 16]

Adami dhe Eva e humbën parajsën, sepse donin të vendosnin vetë se ç’ishte e drejtë dhe ç’ishte e gabuar

[Figura në faqen 18]

Nëse një plak sillet me përulësi dhe me dashuri me delet, gjithmonë do të ndikojë për mirë

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo