Ngacmimet seksuale: Si të mbroheni
«ASNJË grua nuk ka pse të bëhet përditë objekt i duelit me aluzionet seksuale,—thotë botuesja e një reviste, Gretken Morgenson,—por as nuk është e arsyeshme që gratë të presin një ambient të pakorruptuar dhe pa sjellje të shëmtuara në punë.» Përpjekjet që kanë bërë punëdhënësit dhe gjyqet për ta bërë më të sigurt vendin e punës, kanë sjellë në mënyrë të lavdërueshme disa rezultate të mira. Për shembull, rreziku i padisë i ka shtyrë punëdhënësit dhe punëtorët në të gjithë botën, të përpiqen të përmirësojnë ambientin në punë. Shumë shoqëri kanë zhvilluar procese të brendshme për trajtimin e ngacmimeve në vendin e punës. Janë mbajtur mbledhje dhe seminare për të udhëzuar punëtorët mbi sjelljen e përshtatshme në vendin e punës.
Natyrisht, vlen të njihet e të ndiqet politika e kompanisë dhe ligjet lokale. (Romakëve 13:1; Titit 2:9) Përveç kësaj, të krishterët kanë parë se zbatimi i parimeve biblike u sjell dobi. Ndjekja e këtyre udhëzimeve të frymëzuara në marrëdhëniet me kolegët, mund t’ju ndihmojë shumë për të mos rënë viktimë e ngacmimeve seksuale apo për të mos qenë fajtorë për të.
Sjellja e përshtatshme për burrat
Le të shohim se si burrat duhet t’i trajtojnë gratë. Shumë ekspertë këshillojnë mosprekjen e personave të seksit të kundërt. Ata paralajmërojnë se edhe një goditje e lehtë miqësore me dorë mbrapa mund të keqinterpretohet lehtë. «Trupat gjykues e konsiderojnë shumë serioze prekjen»,—vëren avokati në fushën e punës, Frank Harti. Çfarë sugjeron ai? «Nëse përfshin më shumë se një shtrëngim duarsh, mos e bëni.» Në të vërtetë, vetë Bibla nuk përcakton ligje bardhë e zi për këtë gjë.a Por, duke pasur parasysh klimën ligjore dhe morale kohët e fundit, është e përshtatshme që të bëhet kujdes, veçanërisht për ata që kanë një prirje të pavetëdijshme për të prekur kur bisedojnë.
Duhet pranuar se ndjekja e kësaj këshille nuk është gjithmonë e lehtë. Glen, për shembull, vjen nga një kulturë spanjolle. «Nga ku erdha unë,—thotë ai,—njerëzit janë më të prirë të përqafojnë se këtu në Shtetet e Bashkuara. Në familjen time, shpesh i përshëndesim miqtë me një puthje, por këtu na këshilluan të mos nguteshim shumë për ta bërë.» Sidoqoftë, parimet biblike janë të dobishme në këtë çështje. Apostulli Pavël i tha të riut Timote: «Trajtoji më të rinjtë si vëllezër, plakat si nëna dhe të rejat si motra me dëlirësi absolute.» (1. Timoteut 5:1, 2, New International Version) A nuk do të parandalonte kjo prekjet e llojllojshme joshëse apo të padëshirueshme?
I njëjti parim mund të zbatohet në lidhje me fjalët. Në mënyrë të përshtatshme, Bibla thotë: «Kurvëria dhe ndyrësia e çdo lloji dhe lakmia as të mos përmenden mes jush, siç u ka hije njerëzve të shenjtë; as sjellja e turpshme apo të folurit e çmendur, ose shakatë e pahijshme, gjëra që nuk tregohen.» (Efesianëve 5:3, 4, BR) Avokatja në fushën e ngacmimeve seksuale, Keti Shinoi, sugjeron që para se të flisni, mendoni për një gjë: «A do të donit që këto fjalë t’i thuheshin nënës, motrës apo vajzës suaj?» Fjalët e pahijshme dhe të pista ulin poshtë si atë që i thotë, edhe atë që i dëgjon.
Parandalimi i ngacmimeve
Si mund të përpiqet një person për të mos rënë viktimë e ngacmimit? Këshilla që Jezui u dha dishepujve të tij, kur i dërgoi në caktimin e tyre të parë të predikimit, ndoshta mund të zbatohet në këtë kontekst: «Ja! Unë po ju dërgoj si delet mes ujqërve; prandaj tregohuni të kujdesshëm si gjarpërinjtë dhe të pafajshëm si pëllumbat.» (Mateu 10:16, BR) Sidoqoftë, një i krishterë nuk është fare i pandihmë. Bibla na siguron: «Kur në zemrën tënde hyn mençuria . . . , vetë aftësia e të menduarit do të të ruajë, vetë aftësia shquese do të të mbrojë.» (Proverbat 2:10, 11, BR) Prandaj, le të shohim disa parime biblike që mund t’ju ndihmojnë të mbroheni.
1. Kini kujdes në sjelljen me kolegët. Kjo nuk do të thotë të jesh i ftohtë apo armiqësor, sepse Bibla na nxit të ‘kërkojmë paqen me të gjithë’. (Hebrenjve 12:14; Romakëve 12:18) Por, përderisa Bibla i këshillon të krishterët «të vazhdojnë të ecin me mençuri kundrejt atyre që janë jashtë», është e arsyeshme të mbajmë një sjellje profesionale, veçanërisht kur kemi të bëjmë me persona të seksit tjetër. (Kolosianëve 4:5) Libri Talking Back to Sexual Pressure, nga Elizabet Pouell, i nxit punëtorët «të mësojnë të bëjnë një dallim të saktë ndërmjet një qëndrimi të këndshëm në përputhje me rolin e tyre dhe llojit të miqësisë, që mund të përfshijë pranimin e propozimeve seksuale».
2. Vishuni me modesti. Veshja që përdorni u përçon të tjerëve një mesazh. Më parë, në kohët biblike, përdorimi i disa stileve në veshje, i vinte një personi damkën si imoral ose që kishte marrëdhënie seksuale të përziera. (Proverbat 7:10) Shpesh, e njëjta gjë vlen edhe për sot. Rrobat e ngushta, xixëlluese apo të hapura mund të tërheqin vëmendjen në mënyrë të gabuar. Është e vërtetë se disa mund të mendojnë se kanë të drejtën për të veshur çfarë dëshirojnë. Por, ashtu siç shprehet shkrimtarja Elizabet Pouell, «po të punonit mes atyre njerëzve, të cilët mendojnë se vjedhja e parave s’ka asgjë të keqe, unë do t’ju thosha të mos e mbanit portofolin në xhep. . . . Duhet të pranoni gjendjen e sëmurë . . . në qëndrimet e shoqërisë dhe të përpiqeni që të mbroheni për të mos rënë viktimë e tyre». Për këtë arsye, këshilla e Biblës është bashkëkohore. Ajo i këshillon gratë që «të stolisen me rroba të rregulluara mirë, me modesti dhe mendje të shëndoshë». (1. Timoteut 2:9, BR) Vishuni me modesti dhe ka më pak të ngjarë që të jeni një shënjestër për veprime dhe të folur fyes.
3. Kujdes nga shoqëritë! Bibla na tregon për një vajzë të quajtur Dina, e cila u bë viktimë e sulmit seksual. Me sa duket, ajo kishte tërhequr vëmendjen e sulmuesit të saj, pasi rregullisht ‘dilte për të parë bijat e vendit’ të Kanaanit, gra që njiheshin për marrëdhëniet e përziera seksuale që kryenin. (Zanafilla 34:1, 2) Po ashtu edhe sot, nëse zakonisht ju kaloni kohën, duke bërë muhabet apo duke dëgjuar kolegët, të cilët njihen se flasin larë e pa larë, disa mund të dalin në përfundimin se ju do të pranonit propozime seksuale.
Kjo gjë nuk do të thotë se duhet t’u rrini hundëpërpjetë kolegëve. Por nëse biseda bëhet e pahijshme, përse të mos ikni? Në mënyrë interesante, shumë nga Dëshmitarët e Jehovait kanë parë se reputacioni që kanë për norma të larta morale u shërben për t’u mbrojtur nga ngacmimet seksuale.—1. Pjetrit 2:12.
4. Shmangni situatat që mund t’ju ekspozojnë ndaj ngacmimeve seksuale. Bibla tregon se si një djalë i quajtur Amnon, planifikoi të qëndronte vetëm me një vajzë të quajtur Tamar, në mënyrë që të mund ta shfrytëzonte seksualisht. (2. Samuelit 13:1-14) Po ashtu mund të sillen edhe ata që ngacmojnë sot, ndoshta duke e ftuar një vartës për të pirë një pije alkoolike apo për të qëndruar akoma pas pune, pa ndonjë arsye të dukshme. Kujdes nga ftesa të tilla! Bibla thotë: «Njeriu i matur e shikon të keqen dhe fshihet.»—Proverbat 22:3.
Nëse ju ngacmojnë
Natyrisht, disa burra do të bëjnë propozime të papërshtatshme edhe kur një grua ka një sjellje të patëmetë. Si duhet të reagoni ndaj këtyre propozimeve, nëse jeni vënë në shënjestër? Disa kanë sugjeruar që të kalohen pa u nervozuar. «Seksi në zyrë është lezeti i jetës»,—thotë një grua. Megjithatë, në vend se ta marrin me shaka apo si diçka lajkatuese, për të krishterët e vërtetë kjo vëmendje e papërshtatshme është e neveritshme. Ata ‘urrejnë të keqen’ dhe e kuptojnë se këto propozime zakonisht synojnë që ta joshin dikë në imoralitet seksual. (Romakëve 12:9; krahaso 2. Timoteut 3:6.) Për ta thënë me pak fjalë, sjellja e egër është një fyerje ndaj dinjitetit të tyre të krishterë. (Krahaso 1. Selanikasve 4:7, 8.) Si mund të silleni në raste të tilla?
1. Mbani qëndrim! Bibla na tregon se si iu përgjigj propozimeve imorale një burrë me frikë Perëndie, i cili quhej Jozef: «Mbas gjithë këtyre gjërave, gruaja e zotërisë së tij ia vuri sytë Jozefit dhe i tha: ‘Bjerë e fli me mua.’» Mos vallë Jozefi thjesht nuk përfilli orvatjet e saj, duke shpresuar që problemi të zgjidhej vetë? Përkundrazi, Bibla thotë se ai refuzoi me guxim propozimet e saj, duke thënë: «Si mund ta bëj unë këtë të keqe të madhe dhe të kryej një mëkat kundër Perëndisë?»—Zanafilla 39:7-9.
Veprimet e Jozefit lanë një shembull të mirë si për burrat, ashtu edhe për gratë. Shpërfillja apo më keq akoma frikësimi nga fjalët e ndyra ose sjellja agresive, rrallëherë bëjnë që problemi të zgjidhet. Përkundrazi, frika apo ndrojtja mund ta bëjnë atë më të madh. Këshilltarja për parandalimin e përdhunimeve, Marta Langelan, paralajmëron që shpesh përdhunuesit përdorin ngacmimin seksual si një «mjet për të matur se sa mundësi ka që një grua të kundërpërgjigjet ndaj një sulmi: nëse është pasive dhe e frikësuar kur ngacmohet, ata supozojnë se do të jetë pasive dhe e terrorizuar kur të sulmohet». Prandaj, është vendimtare të mbash qëndrim që në shenjën e parë të ngacmimit. Sipas një shkrimtari, «të thuash menjëherë dhe qartë jo, shpesh mjafton për ngacmuesin që t’i japë fund sjelljes fyese».
2. Fjala juaj jo, të jetë jo! Jezui e tha këtë në Predikimin e tij në Mal. (Mateu 5:37) Këto fjalë të tij janë të përshtatshme në këto rrethana, pasi shpeshherë ngacmuesit janë mjaft këmbëngulës. Sa të vendosur duhet të jeni? Kjo varet nga rrethanat dhe reagimi i ngacmuesit. Përdorimi i çdo shkalle të vendosmërisë është i nevojshëm për t’i bërë të ditur atij qëndrimin tuaj. Në disa raste, do të mjaftojnë disa fjalë të thjeshta e të drejtpërdrejta me një ton të qetë zëri. Merruni vesh me sy. Ekspertët këshillojnë të bëni siç sugjerohet më poshtë: (a) Shprehni ndjenjat. («S’më pëlqen aspak kur ju . . . ») (b) Përmend në mënyrë specifike sjelljen ofenduese. (« . . . kur ju përdorni fjalë të ashpra dhe vulgare . . . ») (c) Bëni të qartë se çfarë kërkoni prej personit. («S’dua të më flisni më kështu.»)
«Megjithatë, në asnjë rast,—këshillon Langelan,—ballafaqimi s’duhet ta kalojë vijën e sulmit. Kundërsulmi (fyerjet, kërcënimet, sharjet, grushti apo një e pështyrë kundër ngacmuesit) nuk e ndryshon gjendjen për mirë. Dhuna me fjalë është e rrezikshme dhe nuk ka pse të përdoret dhunë fizike, po të mos ketë një sulm të vërtetë fizik, i cili kërkon vetëmbrojtje.» Kjo këshillë praktike është në pajtim me fjalët e Biblës në Romakëve 12:17, ku thuhet: «Mos ia ktheni kurrkujt të keqen me të keqe.»
Ç’mund të bëni nëse personi që ju ngacmon vazhdon akoma, pavarësisht nga përpjekjet e tua më të mira për ta bërë që të pushojë? Disa kompani kanë caktuar procedura për trajtimin e ngacmimeve seksuale. Shpeshherë, thjesht një kërcënim për të nisur një proces ankimi në kompani, e bën ngacmuesin të pushojë. Megjithatë, edhe mund të mos ndodhë kështu. Është e hidhur të thuhet, por gjetja e një shefi dashamirës nuk është gjithmonë një gjë e lehtë si për gratë ashtu edhe për burrat. Glen, i cili thotë se ngacmohej nga një nëpunëse, bëri përpjekje të ankohej. Ai sjell ndër mend: «Kur i tregova shefit, nuk mora asnjë lloj ndihme. Në fakt, sipas tij ishte për të qeshur. S’kisha ç’të bëja tjetër, vetëm të hapja sytë se ku ndodhej ajo e të ndërroja rrugë për ta shmangur.»
Disa kanë provuar të ndërmarrin veprime ligjore. Por sasia e madhe e gjykimeve të padive që lexohen në shtyp, vështirë se janë tipike. Përveç kësaj, libri Talking Back to Sexual Pressure paralajmëron: «Mjetet ligjore kundër ngacmimit kërkojnë kohë dhe energji emocionale të jashtëzakonshme. Ato përfundojnë në stres fizik dhe mendor.» Duke pasur arsye të mira, Bibla këshillon: «Mos bëj padi me tepër nxitim.» (Proverbat 25:8) Pasi i kanë bërë mirë llogaritë për shpenzimet emocionale dhe frymore të një veprimi ligjor, disa kanë preferuar të kërkojnë një punë tjetër.
Fundi i ngacmimeve
Ngacmimi seksual nuk është një gjë e re. Është po aq i zakonshëm, sa edhe zemra e papërsosur, intriguese, lakmitare njerëzore. Rastet e gjyqeve dhe të komisioneve nuk do ta çlirojnë kurrë shoqërinë nga ngacmimet seksuale. Çlirimi nga ngacmimet seksuale kërkon një ndryshim thelbësor në zemrën e njerëzve.
Sot, Fjala e Perëndisë dhe fryma e tij po kryejnë një ndryshim të tillë në njerëzit e mbarë botës. Është njësoj sikur ujqit dhe luanët të mësonin të silleshin si qengjat dhe viçat, ashtu siç është parathënë nga profeti Isaia. (Isaia 11:6-9) Duke studiuar Biblën me njerëzit, Dëshmitarët e Jehovait ndihmojnë çdo vit mijëra njerëz, që më parë ishin ‘ujqër’ për të bërë ndryshime të thella e të qëndrueshme në personalitet. Këta njerëz ndjekin urdhrin biblik ‘për të hequr personalitetin e vjetër, i cili vepron në përputhje me mënyrën e mëparshme të sjelljes’ dhe e zëvendësojnë atë me ‘personalitetin e ri, i cili ishte krijuar sipas vullnetit të Perëndisë në drejtësi dhe besnikëri të vërtetë’.—Efesianëve 4:22-24.
Një ditë, toka do të mbushet me burra dhe gra, të cilët u përmbahen normave biblike. Njerëzit me frikë Perëndie e presin me padurim atë ditë, kur do të marrin fund të gjitha format e keqtrajtimit. Deri atëherë, ata përballojnë sa munden realitetin e sotëm të shëmtuar.
[Shënimi]
a Këshilla e Pavlit në 1. Korintasve 7:1 ‘për të mos prekur grua’, me sa duket i referohet kontaktit seksual dhe jo prekjes së rastësishme. (Krahaso Proverbat 6:29.) Në kontekst, Pavli inkurajon beqarinë dhe paralajmëron kundër kryerjes së imoralitetit seksual.—Shiko «Pyetje nga lexuesit» në Kullën e Rojës, 1 janar 1973, angl.
[Diçitura në faqen 7]
«A do të donit që këto fjalë t’i thuheshin nënës, motrës apo vajzës suaj?»
[Figura në faqen 8]
Sjellja profesionale dhe veshja modeste mund të bëjë shumë për t’u mbrojtur nga ngacmimet
[Figura në faqen 10]
Të krishterët e vërtetë sot mësojnë ta trajtojnë njëri-tjetrin me respekt