BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w97 15/6 f. 4-8
  • Si e frymëzoi Perëndia Biblën?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Si e frymëzoi Perëndia Biblën?
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Kërkohej përpjekje e kujdesshme
  • Këshilla praktike: Prej kujt?
  • Shkrimtarë njerëzorë: Përse?
  • Kush është autori i Biblës?
    Zgjohuni!—2007
  • «Ishin të shtyrë nga fryma e shenjtë»
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2012
  • Mençuri në «fjalën e Perëndisë»
    T’i afrohemi Jehovait
  • «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm»
    «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm»
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
w97 15/6 f. 4-8

Si e frymëzoi Perëndia Biblën?

KOMUNIKIMI është sot më magjepsës se në çdo periudhë tjetër të historisë. Telefona, makina faksi, kompjuterë: kush do ta kishte çuar nëpër mend vite më parë një kohë, kur mesazhet do të transmetoheshin faktikisht kudo anembanë botës, në mënyrë të menjëhershme.

Por lloji më interesant i komunikimit është ai të cilin njeriu nuk mund ta zotërojë dot: frymëzimi hyjnor. Jehovai frymëzoi rreth 40 shkrimtarë njerëzorë, për të prodhuar Fjalën e tij të shkruar, Biblën e Shenjtë. Ashtu si njerëzit kanë në dispozicion të tyre më shumë se një mjet komunikimi, edhe Jehovai ka përdorur disa metoda komunikimi, për të frymëzuar Shkrimet.

Diktimi. Perëndia komunikoi mesazhe specifike, të cilat më vonë u vendosën në dokumentin e Biblës.a Për shembull, shqyrto rregullat që përbëjnë besëlidhjen e Ligjit. «Shkruaji këto fjalë,​—i tha Jehovai Moisiut,​—sepse mbi bazën e këtyre fjalëve kam përfunduar një aleancë me ty dhe me Izraelin.» (Eksodi 34:27) Ato «fjalë», të cilat ‘u transmetuan nga engjëjt’, u kopjuan nga Moisiu dhe tani mund të gjenden në librat biblikë të Eksodit, Levitikut, Numrave dhe Ligjit të përtërirë.​—Veprat 7:53, BR.

Shumë profetë të tjerë, duke përfshirë Isainë, Jereminë, Ezekielin, Amosin, Naumin dhe Mikean, morën mesazhe specifike nga Perëndia, nëpërmjet engjëjve. Disa herë, këta burra i nisën shpalljet e tyre me frazën: «Kështu thotë Zoti.» (Isaia 37:6; Jeremia 2:2; Ezekieli 11:5; Amosi 1:3; Mikea 2:3; Nahumi 1:12) Pastaj, ata e hodhën me shkrim atë që tha Perëndia.

Vegimet, ëndrrat dhe ekstazat. Një vegim është një imazh, skenë apo mesazh i mbivendosur në mendjen e një personi, ndërkohë që ai është zgjuar, përgjithësisht me anë të disa mënyrave të jashtëzakonshme. Për shembull, Pjetri, Jakovi dhe Gjoni, «kur u zgjuan plotësisht», panë një vegim të Jezuit të shpërfytyruar. (Luka 9:28-36; 2. Pjetrit 1:16-21) Në disa raste, një mesazh është transmetuar gjatë një ëndrre, apo vegimi nate, duke u ngulitur në nënvetëdijen e marrësit, ndërsa ai ishte në gjumë. Kështu, Danieli shkruan për ‘vegimet e mendjes së tij kur ishte në shtrat’, apo siç e përkthen këtë përkthyesi Ronald O. Knoks, «ndërsa isha shtrirë, duke parë në ëndërr».​—Danieli 4:10.

Një person që Jehovai e vinte në ekstazë, në mënyrë të dukshme ishte plotësisht i zhytur në një gjendje përqendrimi të thellë, ndonëse të paktën pjesërisht, ishte zgjuar. (Krahaso Veprat 10:9-16.) Në Bibël, fjala greke e përkthyer «ekstazë» (ekʹsta·sis) do të thotë ‘shkëputje ose zhvendosje’. Ajo sugjeron idenë e kalimit të rrufeshëm të mendjes jashtë gjendjes së saj normale. Pra, një person në ekstazë nuk do ta kishte fare idenë se ç’ndodh rreth tij, edhe pse vegimin do ta kapte plotësisht. Ka të ngjarë që apostulli Pavël të ndodhej në një ekstazë të tillë, kur «u rrëmbye në parajsë dhe dëgjoi fjalë të patregueshme që nuk është e lejuar të thuhen nga njeri».​—2. Korintasve 12:2-4.

Në kontrast me ata që transkriptuan mesazhet e diktuara nga Perëndia, shkrimtarët e Biblës, të cilët morën vegime ose ëndrra, apo që përjetuan ekstaza, patën shpesh njëfarë liri zgjedhjeje për të përshkruar me vetë fjalët e tyre atë që kishin parë. Habakukut iu tha: «Shkruaje vegimin dhe gdhende mbi rrasa, që të mund të lexohet lirshëm.»​—Habakuku 2:2.

A do të thotë kjo se këto pjesë të Biblës janë në njëfarë mënyre, më pak të frymëzuara se pjesët që u diktuan? Aspak. Nëpërmjet frymës së tij, Jehovai e nguliti fort mesazhin e tij në mendjen e çdo shkrimtari, kështu që u transmetuan mendimet e Perëndisë dhe jo ato të njeriut. Edhe pse Jehovai i lejoi shkrimtarit që të zgjidhte fjalët e përshtatshme, ai e udhëhoqi mendjen dhe zemrën e tij, në mënyrë që asnjë informacion thelbësor të mos mungonte dhe që si përfundim fjalët të shiheshin në mënyrë të përshtatshme si fjalë të Perëndisë.​—1. Thesalonikasve 2:13.

Zbulesë hyjnore. Bibla përmban profeci, histori të zbuluara dhe të shkruara më parë, gjë e cila është shumë më përtej aftësisë së thjeshtë njerëzore. Një shembull është ngritja dhe rënia e «mbretit të Greqisë», Aleksandrit të Madh, e parathënë pothuajse 200 vjet më parë! (Danieli 8:1-8, 20-22, BR) Bibla zbulon, gjithashtu, ngjarje për të cilat sytë njerëzorë nuk kanë qenë kurrë dëshmitarë. Krijimi i qiellit dhe i tokës është një shembull. (Zanafilla 1:1-27; 2:7, 8) Më pas, në të gjenden edhe biseda që kanë ndodhur në qiell, si ato për të cilat flitet në librin e Jobit.​—Jobi 1:6-12; 2:1-6.

Nëse nuk iu zbuluan shkrimtarit drejtpërdrejt nga Perëndia, ngjarje të tilla iu bënë të njohura dikujt nëpërmjet Perëndisë, kështu që këto u bënë pjesë e historisë gojore ose të shkruar, kaluan nga njëri brez tek tjetri, derisa u bënë pjesë e dokumentit të Biblës. (Shiko kutinë në faqen 7.) Në çdo rast, mund të jemi të sigurt se Jehovai ishte Burimi i çdo informacioni të tillë dhe se ai i udhëhoqi shkrimtarët, në mënyrë që tregimet e tyre të mos ishin të molepsura nga pasaktësia, fryrja apo miti. Në lidhje me profecitë, Pjetri shkroi: «Njerëzit folën prej Perëndisë ndërsa ishin të shtyrë nga fryma e shenjtë.»b​—2. Pjetrit 1:21, BR.

Kërkohej përpjekje e kujdesshme

Ndonëse shkrimtarët e Biblës «ishin të shtyrë nga fryma e shenjtë», nga ana e tyre kërkohej, gjithsesi, një vëmendje e kujdesshme. Për shembull, Solomoni «u mendua thellë dhe bëri një kërkim të plotë, në mënyrë që të mund të sistemonte me rregullsi shumë proverba. [Ai] kërkoi, për të gjetur fjalët e këndshme dhe mënyrën e të shkruarit të fjalëve korrekte të së vërtetës».​—Predikuesi 12:9, 10, BR.

Disa shkrimtarëve të Biblës u është dashur të përfshihen në një kërkim të konsiderueshëm, për ta dokumentuar materialin e tyre. Luka, për shembull, në lidhje me tregimin e tij të ungjillit, shkroi: «I hetova të gjitha gjërat me kujdes që nga fillimi, të t’i shkruaj sipas radhës.» Sigurisht, fryma e Perëndisë i bekoi përpjekjet e Lukës, duke bërë pa dyshim që ai të gjente dokumente historike të denja për besim dhe të intervistonte dëshmitarë të besueshëm okularë, të tillë si dishepujt që jetonin ende dhe mundësisht nënën e Jezuit, Marien. Më pas, fryma e Perëndisë do ta udhëhiqte Lukën për ta regjistruar me saktësi informacionin.​—Luka 1:1-4.

Në kontrast me ungjillin e Lukës, ai i Gjonit ishte tregim i një dëshmitari okular, i shkruar pothuajse 65 vjet pasi vdiq Jezui. Fryma e Jehovait pa dyshim që e mprehu kujtesën e Gjonit, që ajo të mos dobësohej me kalimin e kohës. Kjo do të ishte në përputhje me atë që Jezui u kishte premtuar ithtarëve të tij: «Ngushëlluesi, Fryma e Shenjtë, që Ati do ta dërgojë në emrin tim, do t’ju mësojë çdo gjë dhe do t’ju kujtojë të gjitha këto që ju thashë.»​—Gjoni 14:26.

Në disa raste shkrimtarët e Biblës përfshinë përpilime nga dokumente të dëshmive okulare të shkrimtarëve më të hershëm historikë, prej të cilëve jo të gjithë ishin të frymëzuar. Në këtë mënyrë, Jeremia përpiloi në një masë të madhe librin e parë dhe të dytë të Mbretërve. (2. Mbretërve 1:18) Ezdra iu referua së paku 14 burimeve jo të frymëzuara që të mblidhte materialin për librin e parë dhe të dytë të Kronikave, duke përfshirë në të «tregimin e ngjarjeve të ditëve të mbretit David» dhe «librin e mbretit të Judës dhe të Izraelit». (1. Kronikave 27:24, BR; 2. Kronikave 16:11) Madje edhe Moisiu citoi nga «Libri i Luftërave të Zotit», me sa duket një dokumentim i besueshëm i luftërave të popullit të Perëndisë.​—Numrat 21:14, 15.

Në raste të tilla, fryma e shenjtë ishte e përfshirë aktivisht, duke i nxitur shkrimtarët e Biblës që të përzgjidhnin vetëm materialin e besueshëm, i cili më pas u bë pjesë e dokumentit të frymëzuar të Biblës.

Këshilla praktike: Prej kujt?

Bibla përmban një pasuri këshillash praktike të bazuara në vëzhgime të mprehta personale. Për shembull, Solomoni shkroi: «Për njeriun nuk ka gjë më të mirë sesa të hajë e të pijë dhe të gëzohet në mundin e tij; por kam vënë re se edhe kjo vjen nga dora e Perëndisë.» (Predikuesi 2:24) Pavli tha se këshilla e tij në lidhje me martesën ishte «sipas gjykimit [mendimit, BR] [të tij]», megjithatë ai shtoi: «Mendoj se edhe unë kam Frymën e Perëndisë.» (1. Korintasve 7:25, 39, 40) Sigurisht që Pavli e kishte frymën e Perëndisë, sepse siç u vu re nga apostulli Pjetër, ajo që shkroi Pavli ishte «sipas diturisë që iu dha». (2. Pjetrit 3:15, 16) Prandaj, i udhëhequr nga fryma e Perëndisë, ai po jepte mendimin e tij.

Kur shkrimtarët e Biblës shprehën bindje të tilla personale, ata e bënë këtë në sfondin e studimit dhe të aplikimit të shkrimeve që ishin në dispozicion të tyre. Mund të jemi të sigurt se shkrimet e tyre ishin në harmoni me mënyrën e të menduarit të Perëndisë. Ajo që regjistruan ata, u bë pjesë e Fjalës së Perëndisë.

Sigurisht, Bibla përmban thëniet e disa personave, mënyra e të menduarit e të cilëve ishte e gabuar. (Krahaso Jobin 15:15 me 42:7.) Ajo përfshin, gjithashtu, disa pohime që bartën ndjenjat e ankthshme të shërbëtorëve të Perëndisë, megjithëse pohime të tilla nuk përçuan kuadrin e plotë të çështjeve.c Edhe pse ka bërë pohime të tilla personale, shkrimtari ishte, megjithatë, i udhëhequr nga fryma e Perëndisë, për të bërë një dokumentim të saktë, i cili i shërbeu identifikimit dhe demaskimit të mënyrës së gabuar të të arsyetuarit. Për më tepër, në secilin rast konteksti ia bën të qartë çdo lexuesi të arsyeshëm, nëse është apo jo e vlefshme mënyra e të menduarit të shkrimtarit.

Si përfundim, mund të jemi të sigurt se e gjithë Bibla është mesazhi i Perëndisë. Në të vërtetë, Jehovai u kujdes që çdo gjë që përmban ajo, të ishte në përputhje me qëllimin e tij dhe të siguronte një udhëzim thelbësor për ata që dëshirojnë t’i shërbejnë.​—Romakëve 15:4.

Shkrimtarë njerëzorë: Përse?

Përdorimi i njerëzve, nga ana e Jehovait, për të shkruar Biblën, tregon mençurinë e tij të madhe. Merr në shqyrtim këtë: Nëse Perëndia do t’ua ngarkonte këtë gjë engjëjve, a do të kishte Bibla të njëjtën forcë tërheqëse? Vërtet, do të drithëroheshim tek lexonim për cilësitë dhe mënyrat e veprimit të Perëndisë, të para nga këndvështrimi i engjëjve. Por nëse elementi njerëzor do të mungonte krejtësisht, ne mund të kishim vështirësi për ta kapur mesazhin e Biblës.

Sa për ta ilustruar: Bibla mund të kishte treguar thjesht që mbreti David kreu tradhti bashkëshortore dhe vrasje dhe se më pas u pendua. Por sa më mirë është që ndodhen edhe vetë fjalët e Davidit, ndërsa shprehte ankthin që i coptonte zemrën për veprimet e tij dhe kërkonte faljen e Jehovait! «Mëkati im më rri gjithnjë përpara»,​—shkroi ai. «O Perëndi, ti nuk e përçmon zemrën e thyer dhe të penduar.» (Psalmi 51:3, 17) Pra, Bibla ka ngrohtësinë, shumëllojshmërinë dhe forcën tërheqëse që ia jep elementi njerëzor.

Po, Jehovai zgjodhi mënyrën më të shkëlqyer për të na dhënë Fjalën e tij. Edhe pse u përdorën njerëz me dobësi fizike dhe të karakterit, ata qenë të shtyrë nga fryma e shenjtë, kështu që në shkrimet e tyre nuk do të kishte asnjë gabim. Prandaj, Bibla ka një vlerë sipërore. Këshilla e saj është e fortë dhe profecitë e saj në lidhje me parajsën e ardhshme mbi tokë janë të besueshme.​—Psalmi 119:105; 2. Pjetrit 3:13.

Përse të mos e bësh zakon që të lexosh çdo ditë një pjesë nga Fjala e Perëndisë? Pjetri shkroi: «Dëshironi fort qumështin e pastër të fjalës, që të rriteni me anë të tij.» (1. Pjetrit 2:2) Përderisa është i frymëzuar nga Perëndia, ti do të shohësh se i gjithë Shkrimi është «i dobishëm për të mësuar, qortuar, ndrequr, për të disiplinuar në drejtësi, që njeriu i Perëndisë të jetë plotësisht i zoti, mjaft i përgatitur, për çdo vepër të mirë».​—2. Timoteut 3:16, 17, BR.

[Shënimet]

a Të paktën në një rast, atë të Dhjetë Urdhërimeve, informacioni u shkrua drejtpërdrejt «me gishtin e Perëndisë». Më pas, Moisiu thjesht i kopjoi ato fjalë mbi pergamena apo materiale të tjera.​—Eksodi 31:18; Ligji i përtërirë 10:1-5.

b Fjala greke që këtu është përkthyer «ishin të shtyrë», pheʹro, është përdorur në një formë tjetër në Veprat 27:15, 17 për të përshkruar një anije, e cila shtyhet nga era. Kështu, fryma e shenjtë ‘drejtoi rrugën’ e shkrimtarëve të Biblës. Ajo i nxiti ata të hidhnin tej çdo informacion që ishte i rremë dhe të përfshinin vetëm atë që ishte faktik.

c Për shembull, krahaso 1. Mbretërve 19:4 me vargjet 14 dhe 18; Jobin 10:1-3; Psalmin 73:12, 13, 21; Jonain 4:1-3, 9; Habakukun 1:1-4, 13.

[Kutia dhe figurat në faqen 7]

Ku e mori Moisiu informacionin e tij?

MOISIU shkroi librin biblik të Zanafillës, por çdo gjë që ai regjistroi, kishte ndodhur shumë kohë përpara lindjes së tij. Nga e mori, atëherë, një informacion të tillë? Ai mund t’i jetë zbuluar atij drejtpërdrejt nga Perëndia, ose njohuria mbi disa ngjarje mund të ketë kaluar në mënyrë gojore nga njëri brez tek tjetri. Meqenëse në kohërat e hershme njerëzit kishin një jetëgjatësi më të madhe, shumë prej asaj që ka regjistruar Moisiu në Zanafillën, mund të ketë kaluar nga Adami deri tek Moisiu pikërisht përmes pesë hallkave lidhëse njerëzore: Methusaelit, Semit, Isakut, Levit dhe Amramit.

Përveç kësaj, Moisiu mund të ketë konsultuar dokumentimet e shkruara. Në lidhje me këtë, vlen të përmendet se Moisiu përdor shpesh frazën «kjo është historia e», përpara se të japë emrin e personit për të cilin do të flitet. (Zanafilla 6:9; 10:1; 11:10, 27; 25:12, 19; 36:1, 9; 37:2) Disa studiues thonë se fjala hebraike që këtu është përkthyer «histori», toh·le·dhohthʹ, i referohet një dokumenti të shkruar historik, tashmë ekzistues, të cilin Moisiu e përdori si burim për shkrimin e tij. Sigurisht, nuk mund të thuhet se kjo është e formës së prerë.

Ka mundësi që informacioni që përmban libri i Zanafillës, të jetë marrë me anë të të tri metodave të mësipërme: një pjesë me anë të zbulesës së drejtpërdrejtë, një pjesë me anë të transmetimit gojor dhe një pjesë tjetër me anë të dokumentimeve të shkruara. E rëndësishme është që Moisiun e frymëzoi fryma e Jehovait. Pra, ajo që shkroi ai, konsiderohet me të drejtë si fjala e Perëndisë.

[Figura në faqen 4]

Në mënyra të ndryshme, Perëndia i frymëzoi njerëzit që të shkruanin Biblën

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo