BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • si f. 214-217
  • Libri biblik numër 47​—2 Korintasve

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Libri biblik numër 47​—2 Korintasve
  • «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm»
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • PËRMBAJTJA E 2 KORINTASVE
  • PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?
  • Libri biblik numër 46​—1 Korintasve
    «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm»
  • «Jam i pastër nga gjaku i të tërë njerëzve»
    ‘Të japim dëshmi të plotë’ për Mbretërinë e Perëndisë
  • «Vazhdo të flasësh e të mos heshtësh»
    ‘Të japim dëshmi të plotë’ për Mbretërinë e Perëndisë
  • Kjo është dita e shpëtimit!
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
Shih më tepër
«I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm»
si f. 214-217

Libri biblik numër 47​—2 Korintasve

Shkrimtari: Pavli

Vendi ku u shkrua: Maqedoni

Shkrimi përfundoi: rr. 55 të e.s.

1, 2. (a) Çfarë e nxiti Pavlin të shkruante letrën e tij të dytë drejtuar korintasve? (b) Nga shkruante Pavli dhe çfarë e shqetësonte?

NDOSHTA ishte fundi i verës ose fillimi i vjeshtës së vitit 55 të. e.s. Në kongregacionin e krishterë të Korintit kishte ende disa gjëra që e shqetësonin apostullin Pavël. S’kishin kaluar shumë muaj që kur ai u kishte shkruar korintasve letrën e tij të parë. Ndërkohë, Titi ishte dërguar në Korint për të ndihmuar me mbledhjen e dhuratave për të shenjtët në Jude, e ndoshta edhe për të parë reagimin e korintasve ndaj letrës së parë. (2 Kor. 8:1-6; 2:13) Si e kishin pritur? Sa u lehtësua Pavli kur mësoi se ajo i kishte bërë të ndienin keqardhje e të pendoheshin! Me këto fjalë të mira ishte kthyer Titi te Pavli në Maqedoni, dhe tani apostullit i gufonte zemra nga dashuria për bashkëbesimtarët e tij të dashur në Korint.​—7:5-7; 6:11.

2 Kështu, Pavli u shkruan sërish korintasve. Letra e dytë, ku bie në sy ngrohtësia dhe forca, u shkrua në Maqedoni dhe me sa duket u dërgua nga Titi. (9:2, 4; 8:16-18, 22-24) Një nga problemet që e nxiti Pavlin të shkruante, ishte se mes korintasve kishte ‘apostuj tejet të shquar’, të cilët ai i përshkroi edhe si «apostuj të rremë, punëtorë mashtrues». (11:5, 13, 14) Ishte në rrezik mirëqenia frymore e këtij kongregacioni relativisht të ri dhe sulmohej autoriteti i Pavlit si apostull. Kështu, letra e dytë që u drejtoi korintasve plotësoi një nevojë të madhe.

3, 4. (a) Sa herë e vizitoi Pavli Korintin? (b) Si nxjerrim dobi edhe ne nga 2 Korintasve?

3 Gjatë leximit të bien në sy fjalët e Pavlit: «Kjo është hera e tretë që jam gati të vij te ju.» (2 Kor. 12:14; 13:1) Ai kishte pasur ndër mend t’i vizitonte për herë të dytë, kur shkroi letrën e parë, por megjithëse u bë gati, ‘rasti i dytë për gëzim’ nuk u konkretizua. (1 Kor. 16:5; 2 Kor. 1:15) Pra, faktikisht, Pavli kishte qenë atje vetëm një herë, për 18 muaj, nga 50-52 të e.s., kur u formua kongregacioni i krishterë i Korintit. (Vep. 18:1-18) Megjithatë, më vonë, Pavli pa t’i plotësohej dëshira për të shkuar edhe një herë në Korint. Gjatë kohës që qëndroi tre muaj në Greqi, ndoshta në vitin 56 të e.s., të paktën një pjesë të kohës e kaloi në Korint, dhe nga atje shkroi letrën drejtuar Romakëve.​—Rom. 16:1, 23; 1 Kor. 1:14.

4 2 Korintasve, bashkë me 1 Korintasve dhe letrat e tjera të Pavlit, janë konsideruar gjithnjë si një pjesë autentike e kanunit të Biblës. Edhe në këtë letër na jepet mundësi të shohim brenda kongregacionit të Korintit dhe të nxjerrim dobi nga fjalët e frymëzuara që tha Pavli për të këshilluar ata, si edhe ne.

PËRMBAJTJA E 2 KORINTASVE

5. (a) Ç’shkruan Pavli për ngushëllimin? (b) Çfarë ka ndodhur me anë të Krishtit, e cila jep edhe më shumë siguri?

5 Ndihmë nga «Perëndia i çdo ngushëllimi» (1:1–2:11). Në përshëndetjet e para Pavli përfshin edhe Timoteun. Ai thotë: ‘I bekuar është Ati i mëshirave të buta dhe Perëndia i çdo ngushëllimi, i cili na ngushëllon në të gjitha shtrëngimet tona’, që ne nga ana jonë të ngushëllojmë të tjerë. Pavli dhe shokët e tij kanë qenë nën një presion tejet të madh dhe jeta e tyre ka qenë në rrezik, por Perëndia i çliroi. Edhe korintasit mund t’i ndihmojnë duke u lutur për ta. Pavli po u shkruan i sigurt për çiltërsinë e tij dhe për dashamirësinë e pamerituar të Perëndisë. Premtimet e Perëndisë janë bërë «po» me anë të Jezuit, dhe Ai i ka mirosur ata që i takojnë Krishtit dhe u ka dhënë «kaparin e asaj që do të vijë, domethënë frymën» në zemrat e tyre.​—1:3, 4, 20, 22.

6. Ç’këshillon Pavli në lidhje me të përjashtuarin që tani është penduar?

6 Duket se ai për të cilin kishte folur Pavli në kapitullin 5 të letrës së tij të parë, ishte përjashtuar nga kongregacioni. Tani ai është penduar dhe po tregon pikëllim. Prandaj, Pavli u thotë korintasve ta falin sinqerisht dhe ta sigurojnë të penduarin për dashurinë e tyre.

7. Si e pëshkruan Pavli veten dhe korintasit dhe çfarë thotë me forcë?

7 Të kualifikuar si shërbëtorë të besëlidhjes së re (2:12–6:10). Pavli e përshkruan veten dhe të krishterët e Korintit si në një marshim ngadhënjimtar bashkë me Krishtin. (Korintasit e njihnin mirë aromën e këndshme të temjanit që asokohe digjej përgjatë rrugës ku marshonte vargani i ushtrive fitimtare.) Ekziston një dallim i qartë mes ‘aromës’ që del nga i krishteri për ata që do të fitojnë jetën dhe ‘aromës’ që del për ata që do të marrin fund. «Nuk jemi shitës ambulantë të fjalës së Perëndisë»,—thotë me forcë Pavli.​—2:16, 17.

8. (a) Cilat prova tregonin qartë se Pavli dhe bashkëpunëtorët e tij ishin shërbëtorë të kualifikuar? (b) Në cilat aspekte ka epërsi shërbimi i besëlidhjes së re?

8 Pavli dhe bashkëpunëtorët e tij nuk kanë nevojë për dokumente, letra rekomandimi të shkruara për korintasit ose nga ata. Sipas fjalëve të Pavlit, vetë besimtarët e Korintit janë letra rekomandimi, të shkruara ‘nga ata si shërbëtorë’ dhe të skalitura jo në pllaka guri, por «në pllaka mishi, në zemra». Perëndia i ka kualifikuar aq sa duhet shërbëtorët e besëlidhjes së re. Kodi i shkruar administronte vdekjen, kishte një lavdi që venitej dhe ishte i përkohshëm. Kurse administrimi i frymës çon në jetë, është i qëndrueshëm dhe ka edhe më shumë lavdi. Kur «lexohet Moisiu», një vel qëndron mbi zemrat e bijve të Izraelit, por kur kthehen te Jehovai, veli hiqet dhe ‘shndërrohen në të njëjtën shëmbëlltyrë nga lavdia në lavdi’.​—3:3, 15, 18.

9. Si e përshkruan Pavli thesarin e shërbimit?

9 Pavli shton: ‘E kemi këtë shërbim falë mëshirës që na u tregua. Kemi hequr dorë nga gjërat që bëhen në fshehtësi dhe nuk e kemi bastarduar fjalën e Perëndisë, por e rekomandojmë veten tonë duke bërë të njohur të vërtetën. Nëse lajmi i mirë që ne shpallim është i mbuluar me vel, është sepse perëndia i kësaj bote ua ka verbuar mendjen jobesimtarëve. Megjithatë, zemrat tona janë ndriçuar me njohurinë e lavdishme të Perëndisë nëpërmjet fytyrës së Krishtit. Sa i madh ky thesar që kemi! Është në enë balte, që fuqia përtej asaj që është normale, të jetë nga Perëndia. Para përndjekjeve dhe anktheve, madje edhe para vdekjes, tregojmë besim e nuk dorëzohemi, sepse shtrëngimi kalimtar prodhon për ne një lavdi që ka një peshë, e cila tejkalon gjithnjë e më shumë çdo gjë dhe është e përhershme. I kemi sytë te gjërat që nuk shihen.’​—4:1-18.

10. (a) Çfarë thotë Pavli për ata që janë në unitet me Krishtin? (b) Si e rekomandon Pavli veten si shërbëtor të Perëndisë?

10 ‘Ne e dimë,—shkruan Pavli,—që shtëpia jonë tokësore do t’ia lërë vendin një shtëpie të përhershme në qiej. Ndërkohë ecim me anë të besimit dhe kemi shumë guxim. Megjithëse larg Krishtit, përpiqemi të jemi të pranueshëm nga ai.’ (5:1, 7-9) Ata që janë në unitet me Krishtin, janë «një krijesë e re» dhe u është dhënë shërbimi i pajtimit. Janë «ambasadorë në vend të Krishtit». (5:17, 20) Pavli e rekomandon veten si shërbëtor të Perëndisë në çdo mënyrë. Si? ‘Përmes qëndrueshmërisë në shtrëngime, në rrahje, mundime, net pa gjumë; përmes pastërtisë, njohurisë, shpirtgjerësisë, mirëdashjes, frymës së shenjtë, dashurisë pa hipokrizi, fjalëve të vërteta, fuqisë së Perëndisë; si i varfër, por duke bërë të pasur shumë të tjerë, sikur nuk ka asgjë e megjithatë duke zotëruar gjithçka.’​—6:4-10.

11. Cilën këshillë dhe cilin paralajmërim jep Pavli?

11 «Ta përsosim shenjtërinë në frikën e Perëndisë» (6:11–7:16). Pavli u thotë korintasve: ‘Zemra jonë është zgjeruar për t’ju futur ju.’ Edhe ata duhet të zgjerojnë përzemërsinë e tyre të butë. Më pas vjen një paralajmërim! «Mos u futni nën të njëjtën zgjedhë me jobesimtarët.» (6:11, 14) Ç’lidhje ka drita me errësirën ose Krishti me Belialin? Si tempull i Perëndisë së gjallë, ata duhet të ndahen e të mos e prekin më gjënë e papastër. Pavli thotë: «Le të pastrohemi nga çdo ndotje e mishit dhe e frymës, dhe ta përsosim shenjtërinë në frikën e Perëndisë.»​—7:1.

12. Pse ishte i gëzuar Pavli për lajmet nga Korinti?

12 Pavli shton: «Jam i mbushur me ngushëllim, po më vërshon gëzimi në të gjitha mundimet tona.» (7:4) Pse? Jo vetëm për praninë e Titit, por edhe për lajmet e mira nga Korinti, për dëshirën e tyre të zjarrtë, për vajtimin dhe për merakun e tyre për Pavlin. Ai e kupton se letra e tij e parë i ka trishtuar për pak kohë, por është i gëzuar që korintasit u trishtuan për pendim që të shpëtonin. Ai i falënderon që bashkëpunuan me Titin.

13. (a) Ç’shembull bujarie përmend Pavli? (b) Cilat parime trajton Pavli në lidhje me dhënien?

13 Bujaria do të shpërblehet (8:1–9:15). Në lidhje me kontributet për «të shenjtët» nevojtarë, Pavli përmend shembullin e vëllezërve të Maqedonisë. Bujaria e tyre, pavarësisht nga varfëria e thellë, ishte përtej mundësive të tyre. Tani ai shpreson të shohë të njëjtën bujari nga ana e korintasve, për të treguar çiltërsinë e dashurisë së tyre për Zotërinë Jezu Krisht, i cili u bë i varfër që ata të bëheshin të pasur. Bujaria e tyre me aq sa kanë, do të sjellë barazi, që kush ka shumë, të mos ketë tepër dhe kush ka pak, të mos ketë fare pak. Titi dhe disa të tjerë do të nisen tek ata për këtë dhuratë dashamirëse. Pavli është mburrur me bujarinë dhe gatishmërinë e korintasve, dhe nuk do që të turpërohen duke mos arritur në ndonjë mënyrë ta plotësojnë dhuratën bujare. Po, «ai që mbjell dorëhapur, edhe do të korrë dorëhapur». Ajo le të jepet nga zemra, sepse «Perëndia do një dhënës të gëzuar». Perëndia është në gjendje të bëjë që gjithë dashamirësia e tij e pamerituar të jetë me bollëk për ta dhe t’i pasurojë për çdo lloj bujarie. «Faleminderit Perëndisë për dhuratën e tij të papërshkrueshme falas!»​—9:1, 6, 7, 15.

14. Çfarë thotë Pavli për të mbrojtur pozitën e tij si apostull?

14 Pavli mbron pozitën e tij si apostull (10:1–13:14). Pavli e pranon se pamja e tij e jashtme nuk ta mbush syrin. Gjithsesi, të krishterët nuk luftojnë sipas mishit; armët e tyre janë frymore, «të fuqishme nga Perëndia», që të përmbysin arsyetimet që janë kundër njohurisë së Perëndisë. (10:4) Disa që i shohin gjërat sipas vlerës së tyre të jashtme, thonë se letrat e apostullit janë me peshë, por fjalët e tij s’vlejnë një hiç. Këta, pra, le ta dinë se Pavli do të veprojë njësoj si u ka shkruar në letra. Korintasit duhet ta kuptojnë se Pavli nuk po mburret për arritjet në territorin e dikujt tjetër. Ai ua ka çuar vetë lajmin e mirë. Veç kësaj, nëse është për t’u mburrur, le të mburren në Jehovain.

15. (a) Me cilat ilustrime shprehet Pavli kundër apostujve të rremë? (b) Ç’përvoja ka pasur Pavli?

15 Pavli ndihet përgjegjës që t’ia paraqitë Krishtit kongregacionin e Korintit si një virgjëreshë të dëlirë. Ashtu si Gjarpri joshi Evën me dinakërinë e tij, ekziston rreziku që mendjet e tyre të korruptohen. Prandaj, Pavli shprehet me forcë kundër ‘apostujve tejet të shquar’ të kongregacionit të Korintit. (11:5) Ata janë apostuj të rremë. Vetë Satanai vazhdon të shndërrohet në engjëll drite, ndaj nuk është çudi që edhe shërbëtorët e tij të bëjnë po njësoj. Ç’kanë kaluar ata në krahasim me Pavlin si shërbëtorë të Krishtit? Ai ka duruar shumë: burgosje, rrahje, tri herë iu shkallmua anija në det, rreziqe të shumta, shpesh pa gjumë dhe i uritur. Megjithatë, ka mbajtur gjithnjë në mendje nevojat e kongregacioneve dhe është ndier i indinjuar sa herë që dikush është penguar.

16. (a) Për çfarë mund të mburret Pavli, por pse më mirë flet për dobësitë e tij? (b) Si ka dhënë Pavli prova që vërtetojnë se është apostull?

16 Prandaj, nëse ka ndonjë që ka arsye të mburret, ky është Pavli. A munden të tjerë të vetëquajtur apostuj në Korint të thonë se janë rrëmbyer në parajsë, për të dëgjuar fjalë që nuk thuhen? E megjithatë, Pavli flet për dobësitë e tij. Që të mos ndihej i lartësuar së tepërmi, iu dha «një gjemb në mish». Pavli u përgjërua që t’i hiqej, por iu tha: «Dashamirësia ime e pamerituar të mjafton.» Pavli më mirë mburret për dobësitë e tij, që «fuqia e Krishtit» të rrijë mbi të si një tendë. (12:7, 9) Ai nuk qëndron aspak më poshtë se ‘apostujt e tyre tejet të shquar’ dhe korintasit i kanë parë provat që vërtetojnë se ai është një apostull, prova që ai i ka dhënë mes tyre «me plot qëndrueshmëri, me shenja, çudira dhe vepra të fuqishme». Ai nuk po u kërkon zotërimet, ashtu si Titi dhe bashkëpunëtorët e tjerë që dërgoi nuk përfituan prej tyre.​—12:11, 12.

17. Ç’këshillë të fundit u jep Pavli korintasve?

17 Gjithçka është për ndërtimin e tyre. Megjithatë, Pavli shpreh frikën se mos kur të shkojë në Korint, do të gjejë disa që nuk janë penduar për veprat e mishit. Ai i paralajmëron që më përpara mëkatarët se do të veprojë siç duhet e s’do të kursejë asnjë, si dhe i këshillon të gjithë në kongregacion të vazhdojnë ta vënë në provë veten nëse janë në besim në unitet me Jezu Krishtin. Pavli dhe Timoteu do t’i luten Perëndisë për ta. Ai u thotë të gëzojnë e të jenë sërish në unitet, me qëllim që Perëndia i dashurisë dhe i paqes të jetë me ta, dhe e mbyll letrën duke u dërguar përshëndetje nga të shenjtët dhe duke u uruar bekime frymore.

PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?

18. Cila është pikëpamja e drejtë që duhet të kenë të krishterët për shërbimin?

18 Sa nxitëse dhe inkurajuese është çmueshmëria për shërbimin e krishterë që shpreh Pavli te 2 Korintasve! Le ta çmojmë edhe ne po njësoj! Shërbëtori i krishterë që është i kualifikuar aq sa duhet nga Perëndia, nuk është shitës ambulant i fjalës, por shërben me sinqeritet. Atë nuk e rekomandon ndonjë dokument i shkruar, por frytet që sjell në shërbim. Megjithatë, edhe pse shërbimi është vërtet i lavdishëm, nuk është aspak shkak për t’u krekosur. Shërbëtorët e Perëndisë, si njerëz të papërsosur, e kanë këtë thesar shërbimi në enë të brishta balte, që të duket qartë se fuqia është e Perëndisë. Nevojitet përulësi për të pranuar privilegjin e lavdishëm për të qenë shërbëtorë të Perëndisë. Shërbimi si «ambasadorë në vend të Krishtit» është vërtet shprehje e dashamirësisë së pamerituar nga ana e Perëndisë! Pra, sa me vend ishte këshilla e Pavlit: «Mos e pranoni dashamirësinë e pamerituar të Perëndisë, pa e përmbushur qëllimin e saj.»​—2:14-17; 3:1-5; 4:7; 5:18-20; 6:1.

19. Në cilat mënyra Pavli la një shembull të shkëlqyer për shërbëtorët e krishterë sot, sidomos për mbikëqyrësit?

19 Sigurisht, Pavli la një shembull të shkëlqyer për shërbëtorët e krishterë. Ai studioi dhe çmoi Shkrimet e frymëzuara Hebraike, duke cituar herë pas here prej tyre, duke iu referuar dhe duke i zbatuar. (2 Kor. 6:2, 16-18; 7:1; 8:15; 9:9; 13:1; Isa. 49:8; Lev. 26:12; Isa. 52:11; Ezek. 20:41; 2 Sam. 7:14; Hoz. 1:10) Gjithashtu, si mbikëqyrës ai tregoi shqetësim të thellë për kopenë, duke thënë: «Unë do të shpenzoj me gëzim të madh dhe do të shpenzohem deri në fund për shpirtrat tuaj.» Siç e tregon qartë letra, ai u bë copë për vëllezërit. (2 Kor. 12:15; 6:3-10) Nuk u lodh kurrë duke mësuar, duke nxitur e duke ndrequr gjërat në kongregacionin e Korintit. Ai i paralajmëroi qartë korintasit të mos kishin shoqëri me errësirën, duke u thënë: «Mos u futni nën të njëjtën zgjedhë me jobesimtarët.» Prej merakut të dashur për ta, ai nuk donte t’i shihte mendjet e tyre të korruptoheshin, «ashtu si gjarpri joshi Evën me dinakërinë e tij», prandaj i këshilloi me gjithë zemër: «Vazhdoni të vini në provë veten nëse jeni në besim, vazhdoni të provoni se çfarë jeni ju vetë.» I nxiti të tregonin bujari të krishterë, duke u thënë se «Perëndia do një dhënës të gëzuar», dhe i shprehu Perëndisë mirënjohjen e vet më të thellë për dhuratën e Tij të papërshkrueshme falas. Vërtet, vëllezërit e Korintit ishin skalitur me dashuri në zemrën e Pavlit, dhe shërbimi i tij i pakursyer në të mirë të tyre, është një veçori që duhet ta tregojë çdo mbikëqyrës i zellshëm dhe vigjilent. Ç’shembull i shkëlqyer për ne sot!​—6:14; 11:3; 13:5; 9:7, 15; 3:2.

20. (a) Në ç’mënyrë Pavli na i kthen sytë e mendjes në drejtimin e duhur? (b) Cilën shpresë të lavdishme thekson 2 Korintasve?

20 Apostulli Pavël na i kthen sytë e mendjes në drejtimin e duhur, duke treguar se «Ati i mëshirave të buta dhe Perëndia i çdo ngushëllimi» është burimi i vërtetë i forcës në kohë sprove. Ai «na ngushëllon në të gjitha shtrëngimet tona», që të qëndrojmë derisa të shpëtojmë e të hyjmë në botën e re. Pavli thekson edhe shpresën e lavdishme të ‘një ndërtese nga Perëndia, një shtëpie të bërë jo me duar, por të përhershme në qiej’ dhe thotë: «Prandaj, nëse dikush është në unitet me Krishtin, është një krijesë e re. Gjërat e vjetra kaluan dhe gjëra të reja kanë ardhur në jetë.» 2 Korintasve përmban vërtet fjalë të mrekullueshme që u japin siguri atyre që, si Pavli, do të trashëgojnë Mbretërinë qiellore.​—1:3, 4; 5:1, 17.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo