Jehovai jep fuqi përtej asaj që është normale
1 Të gjithë dishepujve të Jezuit u është besuar një privilegj i çmuar i shërbimit të shenjtë, shërbimi i krishterë. (Mat. 24:14; 28:19, 20) Por papërsosmëria njerëzore dhe presionet e këtij sistemi gjërash mund të na shkaktojnë disa herë që ta shohim veten thuajse të papërshtatshëm për këtë privilegj.
2 Kur ndodh një gjë e tillë, ne mund të jemi të ngushëlluar nga letra që apostulli Pavël u dërgoi të krishterëve të mirosur në Korint. Ai shkroi: «Ne e kemi këtë thesar në enë prej balte.» (2. Kor. 4:7) Pavli ishte i sigurt: «Duke qenë se kemi këtë shërbim . . . , ne nuk dorëzohemi.» (2. Kor. 4:1, BR) Vërtet, është një sfidë për secilin prej nesh, qofshim të mirosur ose nga «delet e tjera», që të vazhdojmë të shpallim lajmin e mirë dhe ‘të mos dorëzohemi’. Kemi nevojë për forcë nga Perëndia, i cili jep «fuqinë përtej asaj që është normale».—Gjoni 10:16; 2. Kor. 4:7b, BR.
3 Është shumë inkurajuese kur shohim se shumë Dëshmitarë janë ungjillëzues të zellshëm, pavarësisht se u duhet të përballojnë kundërshtimin e ashpër, problemet e rënda shëndetësore ose janë të kufizuar nga ana financiare. Të gjithë ne duhet të kuptojmë se caktimi ynë për të predikuar ka mbështetjen e Jehovait. Në vend se të lejojmë që shkurajimi apo ankthi të dobësojnë vendosmërinë tonë për të predikuar, le të «vazhdojmë të marrim fuqi në Zotërinë dhe në fuqinë e forcës së tij».—Efes. 6:10, BR; Prov. 24:10.
4 Si ta marrim fuqinë e Perëndisë: Ngulmo në lutje, duke kërkuar ndihmën dhe forcën nga Perëndia. (Rom. 12:12; Filip. 4:6, 7) Pastaj, me të gjithë zemrën, beso se Jehovai do të sigurojë fuqi përtej asaj që është normale. (Prov. 3:5) Lexo tregimet e jetës së ditëve moderne që shfaqen nëpër revistat tona, sepse ato japin dëshmi se Jehovai po i ndihmon shërbëtorët e tij sot për të qëndruar në sprova. Qëndro afër në shoqëri me vëllezërit e kongregacionit dhe mos braktis mbledhjet e kongregacionit.—Rom. 1:11, 12; Hebr. 10:24, 25.
5 Bëfshim të gjithë atë që mundemi për ta vënë veten në radhë që të marrim fuqinë e Jehovait, një fuqi e cila është përtej asaj që është normale dhe e cila do të na ndihmojë që të mos dorëzohemi në veprën më të rëndësishme të predikimit të Mbretërisë.