A i pranojnë të tjerët këshillat e tua?
KËSHILLAT e mira, të dhëna siç duhet, arrijnë gjithnjë rezultate të shkëlqyera. E vërtetë? Gabim! Edhe këshillat e shkëlqyera të dhëna nga këshillues të aftë shpesh shpërfillen ose refuzohen.—Fjalët e urta 29:19.
Kjo ndodhi kur Jehovai këshilloi Kainin, i cili kishte zhvilluar një urrejtje për vëllanë e vet, Abelin. (Zanafilla 4:3-5) Duke e ditur rrezikun që përbënte kjo gjë për Kainin, Perëndia i tha: «Pse je pezmatuar dhe pse fytyra jote është dëshpëruar? Në rast se bën mirë, a nuk do të pranohesh? Por, në qoftë se bën keq, mëkati po të ruan te porta dhe dëshirat e tij drejtohen ndaj teje; por ti duhet ta sundosh.»—Zanafilla 4:6, 7.
Kështu Jehovai e krahasoi mëkatin me një kafshë grabitqare që priste për t’u vërvitur mbi Kainin, nëse ai do të ngulte këmbë duke ushqyer mëri kundër vëllait të tij. (Krahaso Jakovit 1:14, 15.) Kaini kishte ende kohë për të ndryshuar qëndrimin e vet, për të ‘bërë mirë’ në vend se të ndiqte një rrugë shkatërrimtare. Mjerisht, Kaini nuk e mbajti parasysh këtë. Ai e refuzoi këshillën e Jehovait, me pasoja të hidhura.
Disa nuk i durojnë dot dhe refuzojnë çdo lloj këshille. (Fjalët e urta 1:22-30) A mund të ndodhë që faji të jetë i këshilluesit nëse refuzohen këshillat? (Jobi 38:2) A e bën të vështirë pranimin e këshillave ti, që jep një këshillë? Papërsosmëria njerëzore e kthen këtë në një rrezik të vërtetë. Por ti mund ta zvogëlosh mundësinë që të ndodhë një gjë e tillë, duke ndjekur me kujdes parimet biblike. Le të shqyrtojmë disa prej tyre.
‘Ndreqni në një frymë butësie’
«Vëllezër, edhe nëse një njeri bën ndonjë hap të gabuar, përpara se ai të jetë i vetëdijshëm për këtë, ju që keni kualifikime frymore përpiquni ta ndreqni këtë njeri në një frymë butësie, duke mbajtur secili një sy mbi veten, nga frika se mos tundoheni edhe ju.» (Galatasve 6:1, BR) Pra, apostulli Pavël tregoi se ata që kanë «kualifikime frymore» duhet të përpiqen ta ndreqin një të krishterë që «bën ndonjë hap të gabuar, përpara se ai të jetë i vetëdijshëm për këtë». Disa herë duket se ata që janë më pak të kualifikuar për ta bërë këtë, janë më të prirurit për të dhënë këshilla. Prandaj, mos ji tepër i shpejtë për të këshilluar të tjerët. (Fjalët e urta 10:19; Jakovit 1:19; 3:1) Në radhë të parë janë pleqtë e kongregacionit ata që janë të kualifikuar frymësisht për të dhënë këshilla. Sigurisht, çdo i krishterë i pjekur duhet të japë një paralajmërim nëse sheh një vëlla që është në rrezik.
Nëse ofron sugjerime ose këshilla, sigurohu që po e bazon atë që thua mbi mençurinë hyjnore, jo mbi teoritë dhe filozofitë njerëzore. (Kolosianëve 2:8) Ji ngjashëm një kuzhinieri të kujdesshëm, i cili sigurohet se çdo përbërës që përdor për të gatuar është i shëndetshëm dhe nuk ka asgjë që mund të jetë helmuese. Sigurohu se këshillat e tua janë të bazuara fort mbi Fjalën e Perëndisë dhe jo thjesht mbi opinionin tënd personal. (2. Timoteut 3:16, 17) Duke vepruar kështu, mund të jesh i sigurt se këshillat e tua nuk do të dëmtojnë askënd.
Objektivi i këshillave është të «ndreqet» personi që ka gabuar, jo ta detyrojmë dikë të bëjë një ndryshim të pavullnetshëm. Fjala greke e përkthyer «ndreq» lidhet me një term që i përket çuarjes në vend të një kocke të nxjerrë nga vendi, me qëllim që të parandalohen dëmtime të mëtejshme. Sipas leksikografit W. E. Vajn, fjala sugjeron edhe «nevojën për durim dhe këmbëngulje gjatë këtij procesi». Imagjino butësinë dhe mjeshtërinë që kërkohet për të mos shkaktuar ndonjë dhimbje të mëtejshme të panevojshme fizike. Në mënyrë të ngjashme, një këshillues duhet të ushtrojë kujdes të madh që të mos e lëndojë atë që po këshillon. Kjo është mjaft e vështirë kur dikush të kërkon një këshillë. Aq më tepër kur këshilla nuk kërkohet, duhet një takt dhe mjeshtëri akoma më e madhe.
Sigurisht që nuk do të «ndreqësh» askënd duke e larguar nga vetja. Për të shmangur këtë, mbaj në mendje nevojën për të shfaqur «përzemërsitë e buta të dhembshurisë, dashamirësisë, përulësisë së mendjes dhe të shpirtmadhësisë». (Kolosianëve 3:12, BR) Nëse një mjek është i paduruar dhe i ashpër pa qenë nevoja, pacienti mund ta shpërfillë sugjerimin e tij dhe të mos kthehet më tek ai për mjekimin e nevojshëm.
Kjo nuk do të thotë se këshillave duhet t’u mungojë vendosmëria. Jezu Krishti ishte i vendosur kur këshilloi shtatë kongregacionet e krahinës së Azisë. (Zbulesa 1:4; 3:1-22) Ai u dha atyre disa këshilla shumë të drejtpërdrejta, të cilat ata duhej t’i dëgjonin dhe t’i zbatonin. Por vendosmëria e Jezuit ekuilibrohej gjithnjë me cilësi të tilla, si dhembshuria dhe dashamirësia, duke pasqyruar frymën e dashur të Atit të tij qiellor.—Psalmi 23:1-6; Gjoni 10:7-15.
Të këshillojmë me hijeshi
«Mënyra juaj e të shprehurit të jetë gjithmonë me hijeshi, e ndrequr me kripë, që të dini si duhet t’i jepni një përgjigje gjithsecilit.» (Kolosianëve 4:6, BR) Kripa mund ta shtojë shijen e ushqimit, duke e bërë atë të dëshirueshëm. Nëse do që këshillat e tua të jenë të pëlqyeshme, ato duhet të jepen «me hijeshi, ndrequr me kripë». Por, edhe sikur të ketë përbërësit më të mirë, ushqimi mund të përgatitet keq ose mund të hidhet në pjatë me një formë jotërheqëse. Këto nuk ia shtojnë oreksin asnjërit. Në fakt, mund të jetë e vështirë për t’u gëlltitur sikur edhe vetëm një kafshatë, nëse nuk është e shijshme.
Kur jepen këshillat, është e rëndësishme të zgjidhen fjalët e duhura. Njeriu i mençur Solomoni tha: «Një fjalë e thënë në kohën e duhur është si mollë të arta mbi një enë argjendi.» (Fjalët e urta 25:11) Ai mund të ketë pasur fare mirë në mendje një enë argjendi të skalitur bukur me mollë të arta të gdhendura mbi të. Sa e këndshme duhet të ketë qenë kjo për syrin dhe sa shumë do ta kishe çmuar ti, nëse do ta kishe marrë si dhuratë! Në të njëjtën mënyrë, fjalët e hijshme të zgjedhura mirë mund të kenë një ndikim të fuqishëm te personi, të cilin po përpiqesh ta ndihmosh.—Predikuesi 12:9, 10.
Në kontrast, «fjala therrëse e nxit zemërimin». (Fjalët e urta 15:1) Fjalët e zgjedhura keq mund të sjellin me lehtësi si pasojë dhimbje dhe zemërim, në vend se mirënjohje. Në fakt, jo vetëm fjalët e zgjedhura keq, por edhe toni i gabuar i zërit mund të bëjë që një person ta refuzojë një këshillë në thelb të mirë. Dhënia e këshillave në një mënyrë të pandjeshme e pa takt mund të jetë po aq dëmtuese sa edhe ta sulmosh dikë me një armë. «Kush flet pa mend është si ai që shpon me shpatë»,—thuhet në Fjalët e urta 12:18. Pse të flasim pa mend dhe ta bëjmë të vështirë dëgjimin e këshillave nga personi?—Fjalët e urta 12:15.
Siç tha Solomoni, një fjalë e dhënë si këshillë duhet të ‘thuhet në kohën e duhur’. Koha është shumë e rëndësishme që një këshillë të ketë sukses. Është e qartë se ushqimi nuk mund të vlerësohet nga dikush që nuk ka më oreks. Ndoshta ai ka ngrënë pak më përpara një sasi të madhe ushqimi ose mund të jetë i sëmurë. Ta ushqesh me zor dikë që nuk dëshiron të hajë nuk është as e mençur, as e pranueshme.
Të këshillojmë me përulësi mendjeje
«Bëjeni të plotë gëzimin tim . . . duke mos bërë asgjë për grindje ose për të rënë në sy, por me përulësi mendjeje, duke konsideruar se të tjerët janë më të lartë se ju, duke mbajtur një sy, jo në interesin personal vetëm mbi çështjet tuaja, por edhe në interesin personal mbi ato të të tjerëve.» (Filipianëve 2:2-4, BR) Nëse je një këshillues i mirë, do të motivohesh nga «interesi personal» për mirëqenien e të tjerëve. Do të shfaqësh, gjithashtu, «përulësi mendjeje» në marrëdhëniet me vëllezërit e tu frymorë dhe motrat e tua frymore, duke i konsideruar të tjerët më të lartë se veten. Çfarë do të thotë kjo?
Përulësia e mendjes do të të parandalojë që të marrësh një qëndrim ose ton zëri sikur të jesh më lart se të tjerët. Asnjëri prej nesh nuk ka një bazë për t’u ndier më lart se bashkëbesimtarët e tjerë. Secili prej nesh dështon herë pas here. Meqë nuk mund të lexosh zemrën e atij që po këshillon, është veçanërisht e rëndësishme të mos e gjykosh atë. Ai mund të mos ketë asnjë motiv të keq e mund të mos jetë në dijeni të ndonjë qëndrimi ose veprimi të gabuar. Edhe sikur të jetë disi i vetëdijshëm se ka dalë jashtë rruge në lidhje me kërkesat e Perëndisë, pa dyshim që ai do ta ketë më të lehtë të pranojë këshillën, nëse kjo i jepet me përulësi e me një interes të sinqertë për mirëqenien e tij frymore.
Imagjino se si do të ndiheshe po të të ftonin për të ngrënë një vakt, por mikpritësi të të trajtonte në një mënyrë të ftohtë e mospërfillëse! Patjetër që nuk do të të pëlqente vakti që do të haje. Në fakt, është «më mirë një pjatë me perime në të cilën ka dashuri, sesa një ka i majmur në të cilin ka urrejtje». (Fjalët e urta 15:17) Po ashtu, edhe këshilla më e mirë mund të mos pranohet me lehtësi, nëse këshilluesi shfaq një mospëlqim për personin që po këshillon ose i ul vlerat dhe e vë në siklet atë. Megjithatë, dashuria, respekti reciprok dhe besimi do ta bëjnë më të lehtë dhënien dhe marrjen e këshillave.—Kolosianëve 3:14.
Një këshillë që u pranua
Profeti Natan tregoi përulësi mendjeje kur këshilloi mbretin David. Dashuria dhe respekti për Davidin dukeshin qartë nga ajo që tha e që bëri Natani. Ai filloi me një ilustrim që merrte parasysh vështirësinë e mundshme që mund të kishte Davidi për të dëgjuar këshillën. (2. Samuelit 12:1-4) Profeti i bëri thirrje dashurisë që kishte Davidi për drejtësinë dhe për të drejtën, edhe pse kjo dashuri nuk kishte qenë e dukshme në veprimet e tij në lidhje me Betshebën. (2. Samuelit 11:2-27) Kur u theksua thelbi i ilustrimit, reagimi nga zemra i Davidit ishte: «Kam mëkatuar kundër Zotit [Jehovait, BR].» (2. Samuelit 12:7-13) Ndryshe nga Kaini, i cili nuk e dëgjoi Jehovain, Davidi e pranoi me përulësi korrigjimin.
Pa dyshim që Jehovai e udhëhoqi Natanin, duke marrë parasysh papërsosmërinë e Davidit dhe mundësinë që ai të reagonte në mënyrë të pafavorshme. Natani veproi me shumë takt dhe është e qartë se e konsideroi Davidin më të lartë se veten, për shkak të pozitës së Davidit si mbreti i emëruar i Jehovait. Nëse ke ndonjë pozitë autoriteti, ndoshta mund të japësh këshilla të përshtatshme, por mund të pranohen me vështirësi, nëse nuk ke shfaqur përulësi mendjeje.
Natani e ndreqi Davidin në një frymë butësie. Fjalët e profetit ishin të hijshme dhe të përgatitura me kujdes që Davidi të reagonte në një mënyrë, e cila do të ishte për të mirën e tij. Natani nuk ishte i motivuar nga interesi vetjak e as nuk u përpoq të merrte një qëndrim më të lartë frymor ose moral mbi Davidin. Sa shembull i shkëlqyer i thënies së fjalëve të duhura në një mënyrë të përshtatshme! Nëse shfaq një frymë të ngjashme, ka më shumë mundësi që të tjerët t’i pranojnë këshillat e tua.
[Figura në faqen 22]
Ashtu si ushqimi me vlera ushqyese, këshillat e tua duhet të jenë të shëndetshme
[Figura në faqen 23]
A i bën këshillat e tua po aq tërheqëse sa mollët e arta mbi enë argjendi?
[Figura në faqen 24]
Me përulësi profeti Natan i bëri thirrje dashurisë që kishte Davidi për drejtësinë dhe për të drejtën