BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w99 1/7 f. 8-12
  • Prindër, çfarë mëson shembulli juaj?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Prindër, çfarë mëson shembulli juaj?
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Ndikimi që ushtron shembulli personal
  • Çfarë mund t’u mësojë shembulli ynë personal?
  • Të lëmë një shembull me leximin e përditshëm të Biblës
  • Të ndërtojmë një familje të fortë frymësisht
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2001
  • Prindër, sigurojini gjërat e nevojshme familjes suaj!
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2005
  • Mësojini fëmijët të duan Jehovain
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2007
  • Prindër, ndihmojini fëmijët ta duan Jehovain
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2022 (Për studim)
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
w99 1/7 f. 8-12

Prindër, çfarë mëson shembulli juaj?

«Bëhuni, pra, imitues të Perëndisë, si bij shumë të dashur dhe ecni në dashuri.»—EFESIANËVE 5:1, 2.

1. Çfarë udhëzimesh i dha Jehovai çiftit të parë njerëzor?

JEHOVAI është Nismëtari i rregullimit familjar. Çdo familje ia detyron atij ekzistencën e vet, pasi ai krijoi familjen e parë dhe i dha çiftit të parë njerëzor aftësinë e riprodhimit. (Efesianëve 3:14, 15) Ai i dha Adamit dhe Evës udhëzime bazë, për sa u përket përgjegjësive të tyre dhe, gjithashtu, u la shumë mundësi për të përdorur iniciativën personale në përmbushjen e këtyre përgjegjësive. (Zanafilla 1:28-30; 2:6, 15-22) Pasi Adami dhe Eva mëkatuan, situatat që duhej të përballonin familjet u bënë më të ndërlikuara. Prapëseprapë, me dashuri Jehovai dha udhëzime që do t’i ndihmonin shërbëtorët e tij për t’ia dalë mbanë me sukses në këto situata.

2. (a) Cilët ka përdorur Jehovai për t’i përforcuar këshillat e shkruara me mësimin gojor? (b) Cilën pyetje duhet t’i bëjnë vetes prindërit?

2 Duke qenë Mësuesi ynë i Madh, Jehovai nuk na ka dhënë vetëm direktiva të shkruara, lidhur me gjërat që duhet të bëjmë dhe ato që duhet të shmangim. Në kohët e lashta, ai i shoqëroi mësimin e shkruar me mësimin gojor, duke përdorur priftërinjtë, profetët dhe kryefamiljarët. Po në ditët tona, cilët po përdor ai, për të siguruar këtë mësim gojor? Pleqtë dhe prindërit e krishterë. Nëse jeni prindër, a po bëni pjesën tuaj për ta mësuar familjen në udhët e Jehovait?—Fjalët e urta (Proverbat) 6:20-23.

3. Çfarë mund të mësojnë kryefamiljarët nga Jehovai, për sa i përket mësimdhënies së efektshme?

3 Si duhet dhënë ky mësim brenda familjes? Jehovai lë shembullin për ne. Ai e thotë qartë se çfarë është e mirë dhe çfarë është e gabuar dhe përdor në mënyrë të konsiderueshme përsëritjen. (Eksodi [Dalja] 20:4, 5; Ligji i përtërirë 4:23, 24; 5:8, 9; 6:14, 15; Jozueu [Josiu] 24:19, 20) Ai përdor pyetje që nxitin mendimet. (Jobi 38:4, 8, 31) Me anë të ilustrimeve dhe shembujve të jetës reale, ai na nxit ndjenjat dhe modelon zemrat tona. (Zanafilla 15:5; Danieli 3:1-29) Prindër, a përpiqeni ta imitoni këtë model kur mësoni fëmijët tuaj?

4. Çfarë mësojmë nga Jehovai lidhur me përdorimin e disiplinës dhe pse është e rëndësishme disiplina?

4 Jehovai është i patundur, për sa i përket drejtësisë, por i kupton pasojat e papërsosmërisë. Prandaj, përpara se të ndëshkojë njerëzit e papërsosur, ai i mëson dhe u jep disa herë me radhë paralajmërime e përkujtues. (Zanafilla 19:15, 16; Jeremia 7:23-26) Kur disiplinon, ai e bën këtë në masën e duhur, jo në mënyrë të tepruar. (Psalmi 103:10, 11; Isaia 28:26-29) Nëse edhe ne veprojmë kështu me fëmijët tanë, kjo dëshmon se e njohim Jehovain dhe ua bëjmë më të lehtë fëmijëve që ta njohin më mirë atë.—Jeremia 22:16; 1. Gjonit 4:8.

5. Çfarë mund të mësojnë prindërit nga Jehovai, për sa i përket dëgjimit?

5 Jehovai na dëgjon si një Atë i dashur qiellor dhe kjo është një gjë e mrekullueshme. Ai nuk na jep vetëm urdhra, por na inkurajon t’ia hapim zemrën. (Psalmi 62:8) Pastaj, nëse ndjenjat që shprehim nuk janë tamam të drejta, ai nuk na qorton duke na bërtitur nga qielli, por na mëson me durim. Pra, sa e përshtatshme është këshilla e apostullit Pavël: «Bëhuni, pra, imitues të Perëndisë, si bij shumë të dashur.» (Efesianëve 4:31–5:1) Çfarë shembulli të shkëlqyer lë Jehovai për prindërit që përpiqen të mësojnë fëmijët e tyre! Është një shembull që na prek zemrën dhe na bën të duam të ecim në udhën e tij të jetës.

Ndikimi që ushtron shembulli personal

6. Si ndikojnë te fëmijët qëndrimi dhe shembulli i prindërve?

6 Përveç mësimit gojor, një ndikim të thellë mbi të rinjtë ka shembulli personal. Duan s’duan prindërit, fëmijët do t’i imitojnë se s’bën ata. Prindërit mund të kënaqen ose disa herë mund të tronditen kur dëgjojnë fëmijët që thonë gjëra, të cilat i kanë thënë ata vetë. Kur sjellja dhe qëndrimi i prindërve pasqyrojnë një çmueshmëri të thellë për gjërat frymore, kjo ushtron një ndikim pozitiv te fëmijët.—Fjalët e urta 20:7.

7. Çfarë shembulli prindëror i la Jeftai vajzës së vet dhe me cilin rezultat?

7 Ndikimi që ka shembulli i prindërve ilustrohet më së miri në Bibël. Jeftai, të cilin Jehovai e përdori për të udhëhequr Izraelin drejt fitores kundër amonitëve, ishte edhe një baba. Dokumentimi i përgjigjes që i dha Jeftai mbretit të amonitëve tregon se ai duhet ta ketë lexuar shpesh historinë e marrëdhënieve të Jehovait me Izraelin. Ai mundi ta citonte këtë histori pa problem dhe tregoi një besim të fortë te Jehovai. Pa dyshim, shembulli i tij e ndihmoi vajzën e vet që të zhvillonte besimin dhe frymën vetësakrifikuese që shfaqi, kur pranoi shërbimin për gjithë jetën si një grua beqare e kushtuar ndaj Jehovait.—Gjykatësit 11:14-27, 34-40; krahaso Jozueun 1:8.

8. (a) Çfarë qëndrimi të shkëlqyer shfaqën prindërit e Samuelit? (b) Si i solli dobi kjo Samuelit?

8 Samueli ishte një fëmijë shembullor dhe një profet besnik ndaj Perëndisë gjatë gjithë jetës së tij. A do t’ju pëlqente që fëmijët tuaj të bëheshin si ai? Analizoni shembullin që lanë prindërit e Samuelit, Elkanai dhe Hana. Edhe pse gjendja e familjes së tyre nuk ishte e përsosur, ata ngjiteshin rregullisht për të adhuruar në Silo, në vendin ku gjendej tabernakulli i shenjtë. (1. Samuelit 1:3-8, 21) Vër re thellësinë e ndjenjave me të cilat u lut Hana. (1. Samuelit 1:9-13) Shqyrto se si mendonin ata të dy për rëndësinë që kishte përmbushja e çdo premtimi të bërë ndaj Perëndisë. (1. Samuelit 1:22-28) Shembulli i tyre i shkëlqyer, pa dyshim, e ndihmoi Samuelin të zhvillonte cilësitë që i dhanë mundësinë të ndiqte një rrugë të drejtë, edhe kur njerëzit që e rrethonin e që gjoja i shërbenin Jehovait nuk treguan respekt për udhët e Perëndisë. Në kohën e duhur, Jehovai i besoi Samuelit përgjegjësinë që të ishte profeti i Tij.—1. Samuelit 2:11, 12; 3:1-21.

9. (a) Cilat ndikime në shtëpi patën një efekt të mirë mbi Timoteun? (b) Çfarë lloj personi u bë Timoteu?

9 A do t’ju pëlqente që biri juaj të bëhej si Timoteu, i cili kur ishte i ri u bë bashkëpunëtor i apostullit Pavël? Babai i Timoteut nuk ishte besimtar, por nëna dhe gjyshja e tij lanë një shembull të shkëlqyer çmueshmërie për gjërat frymore. Kjo, pa dyshim, e ndihmoi Timoteun që të vendoste një themel të mirë për jetën si i krishterë. Mësojmë se nëna e tij, Eunika dhe gjyshja, Loida, kishin ‘besim të sinqertë’. Jeta e tyre si të krishtere nuk ishte hipokrite, në fakt ato jetonin me të vërtetë në harmoni me atë që deklaronin se besonin dhe e mësuan Timoteun e ri që të bënte po ashtu. Timoteu u bë një i ri i besueshëm dhe që kujdesej me të vërtetë për mirëqenien e të tjerëve.—2. Timoteut 1:5; Filipianëve 2:20-22.

10. (a) Shembujt e cilëve persona, jashtë shtëpisë, mund të ndikojnë mbi fëmijët? (b) Si duhet të reagojmë kur këto ndikime bëhen të dukshme në të folurin ose në qëndrimin e fëmijëve tanë?

10 Shembujt që ndikojnë mbi fëmijët tanë nuk gjenden vetëm brenda shtëpisë. Ata janë në kontakt me fëmijë të tjerë në shkollë; me mësuesit, puna e të cilëve është të modelojnë mendjet e reja; me njerëz që janë plotësisht të bindur se gjithsecili duhet t’u përmbahet zakoneve thellësisht të rrënjosura fisnore ose të vendit; me yjet e sportit, arritjet e të cilëve ngrihen në qiell dhe me zyrtarë të ndryshëm, sjellja e të cilëve paraqitet nëpër lajme. Miliona fëmijë janë ekspozuar edhe ndaj brutalitetit të luftës. A duhet të habitemi nëse këto ndikime bëhen të dukshme në të folurin ose në qëndrimin e fëmijëve tanë? Si reagojmë kur ndodh kështu? A e zgjidh problemin një qortim i rreptë ose një leksion i ashpër? Në vend se t’u japim një përgjigje të nxituar fëmijëve, a nuk do të ishte më mirë të pyesnim veten: ‘A ka ndonjë gjë në mënyrën se si na trajton Jehovai, e cila mund të më ndihmojë për të kuptuar si ta përballoj këtë situatë?’—Krahaso Romakëve 2:4.

11. Kur prindërit bëjnë gabime, si mund të ndikojë kjo në qëndrimin e fëmijëve të tyre?

11 Sigurisht, prindërit e papërsosur nuk u bëjnë ballë gjithnjë situatave në mënyrën më të mirë që është e mundur. Ata do të bëjnë edhe gabime. Kur fëmijët të kuptojnë këtë gjë, a do ta gërryejë kjo respektin e tyre për prindërit? Mundet, veçanërisht nëse prindërit përpiqen t’i mbulojnë gabimet e tyre, duke imponuar me ashpërsi autoritetin që kanë. Por, rezultati mund të jetë shumë i ndryshëm, nëse prindërit janë të përulur dhe i pranojnë hapur gabimet. Duke bërë kështu, ata mund të lënë një shembull të vlefshëm për fëmijët, të cilët duhet të mësojnë të bëjnë të njëjtën gjë.—Jakovit 4:6.

Çfarë mund t’u mësojë shembulli ynë personal?

12, 13. (a) Çfarë duhet të mësojnë fëmijët mbi dashurinë dhe si mund të mësohet më me efektshmëri kjo? (b) Pse është e rëndësishme që fëmijët të mësojnë mbi dashurinë?

12 Mjaft mësime të vlefshme mund të jepen më me efektshmëri kur udhëzimet gojore shoqërohen me një shembull të mirë personal. Le të konsiderojmë disa prej tyre.

13 Të shprehim dashuri altruiste: Një nga mësimet më të rëndësishme që duhet përforcuar me anë të shembullit personal është domethënia e dashurisë. «Ne e duam atë, sepse ai [Perëndia] na deshi i pari.» (1. Gjonit 4:19) Ai është Burimi dhe shembulli më i lartë i dashurisë. Kjo dashuri, agape, e bazuar në parime, përmendet në Bibël më shumë se 100 herë. Ajo është një cilësi që identifikon të krishterët e vërtetë. (Gjoni 13:35) Një dashuri e tillë duhet treguar ndaj Perëndisë, ndaj Jezu Krishtit, si edhe ndaj njerëzve të tjerë, madje edhe ndaj atyre për të cilët nuk ndiejmë ndonjë simpati. (Mateu 5:44, 45; 1. Gjonit 5:3) Këtë dashuri duhet ta kemi në zemër dhe duhet të jetë e dukshme në jetën tonë para se t’ua mësojmë me efektshmëri fëmijëve. Veprat flasin më shumë se fjalët. Fëmijët duhet të shohin dhe të përjetojnë brenda familjes dashurinë dhe cilësitë që lidhen me të, si për shembull, përzemërsinë. Pa këto gjëra, zhvillimi i një fëmije pengohet fizikisht, mendërisht dhe emocionalisht. Fëmijët duhet të shohin, gjithashtu, se si shfaqen dashuria dhe përzemërsia ndaj të bashkëkrishterëve jashtë familjes.—Romakëve 12:10; 1. Pjetrit 3:8.

14. (a) Si mund t’u mësohet fëmijëve që të bëjnë punë me cilësi e që sjell kënaqësi? (b) Si mund të bëhet kjo në rastin e familjes suaj?

14 T’u mësojmë se si të punojnë: Puna është një aspekt themelor i jetës. Për të pasur vlerësim për veten, një person duhet të mësojë se si të bëjë punë me cilësi. (Predikuesi 2:24; 2. Thesalonikasve [Selanikasve] 3:10) Nëse një fëmije i jepen detyra për të cilat ka marrë shumë pak udhëzime dhe pastaj qortohet sepse nuk i ka bërë mirë ato, ka shumë pak të ngjarë që ai të mësojë të bëjë punë me cilësi. Por, kur fëmijët mësojnë duke punuar përkrah prindërve dhe u jepen lavdërime me vend, ka më shumë të ngjarë që të mësojnë të bëjnë punë që sjell kënaqësi. Nëse shembulli i prindërve shoqërohet me shpjegime, fëmijët mund të mësojnë jo vetëm se si ta bëjnë punën, por edhe si të kapërcejnë problemet, si të këmbëngulin në një punë derisa ta mbarojnë dhe si të arsyetojnë e të marrin vendime. Në rrethana të tilla, ata mund të ndihmohen për të kuptuar se edhe Jehovai punon, se ai bën një punë me cilësi dhe se Jezui imiton Atin e tij. (Zanafilla 1:31; Fjalët e urta 8:27-31; Gjoni 5:17) Nëse një familje merret me bujqësi a me blegtori ose bën tregti, disa pjesëtarë të familjes mund të punojnë së bashku. Ose, ndoshta, nëna mund t’i mësojë djalit a vajzës së saj të gatuajë e të pastrojë pas një vakti. Një baba që punon larg shtëpisë, mund të planifikojë të punojë mbi disa projekte në shtëpi, së bashku me fëmijët. Sa dobiprurëse është kur prindërit nuk kanë ndër mend vetëm bërjen e punëve për momentin, por edhe stërvitjen e fëmijëve për jetën!

15. Si mund të jepen mësimet mbi besimin? Ilustroje.

15 Të mbajmë besimin përballë halleve: Edhe besimi është një aspekt thelbësor i jetës sonë. Kur në studimin familjar diskutohet mbi besimin, fëmijët mund të mësojnë ta përkufizojnë atë. Ata mund të mësojnë edhe për dëshmi që e bëjnë besimin të rritet në zemrën e tyre. Por, kur i shohin prindërit që tregojnë një besim të palëkundur përballë sprovave të rënda, ndikimi mund të zgjatë për gjithë jetën. Burri i një studenteje biblike në Panama e kërcënonte se do ta nxirrte atë nga shtëpia, nëse do të vazhdonte t’i shërbente akoma Jehovait. Megjithatë, duke marrë të katër fëmijët e saj të vegjël me vete, ajo bënte rregullisht 16 kilometra më këmbë e pastaj merrte një autobus për nja 30 kilometra të tjera, që të shkonte në Sallën më të afërt të Mbretërisë. Të inkurajuar nga shembulli i saj, rreth 20 pjesëtarë të familjes kanë përqafuar udhën e së vërtetës.

Të lëmë një shembull me leximin e përditshëm të Biblës

16. Pse rekomandohet leximi i përditshëm i Biblës si familje?

16 Një nga zakonet më të vlefshme që mund të fitojë një familje, një zakon që do t’u sjellë dobi prindërve dhe do të jetë një shembull që ta imitojnë fëmijët, është leximi i Biblës rregullisht. Për aq sa ju lejojnë mundësitë, lexoni një pjesë të Biblës çdo ditë. Nuk është sasia e asaj që lexohet ajo që ka më shumë rëndësi. Shumë më e rëndësishme është rregullsia dhe mënyra se si bëhet ky lexim. Për fëmijët, leximi i Biblës mund të plotësohet me kasetat e botimit Libri im i tregimeve biblike, nëse janë në dispozicion në gjuhën tuaj. Leximi i përditshëm i Fjalës së Perëndisë na ndihmon për t’i mbajtur në plan të parë mendimet e Perëndisë. Veç kësaj, nëse ky lexim bëhet jo vetëm individualisht, por si familje, kjo mund t’i ndihmojë gjithë pjesëtarët e familjes të ecin në udhën e Jehovait. Kjo praktikë u inkurajua në dramën Familje: Bëjeni leximin e përditshëm të Biblës, një shprehi në udhën tuaj të jetës!, gjatë Kongreseve «Udha hyjnore e jetës», të mbajtura kohët e fundit.—Psalmi 1:1-3.

17. Si ndihmojnë leximi i Biblës familjarisht dhe fiksimi në mendje i shkrimeve kryesore, për të zbatuar këshillën e dhënë në Efesianëve 6:4?

17 Leximi i Biblës familjarisht është në harmoni me atë që shkroi apostulli Pavël në letrën e tij të frymëzuar, drejtuar të krishterëve në Efes, domethënë: «Etër, mos provokoni për zemërim fëmijët tuaj, por i edukoni në disiplinë dhe në këshillë [në normën mendore, BR] të Zotit.» (Efesianëve 6:4) Çfarë do të thotë kjo? «Normë mendore», fjalë për fjalë do të thotë «të vendosësh mendje», prandaj baballarët e krishterë janë të nxitur të vendosin mendjen e Perëndisë Jehova te fëmijët e tyre, për t’i ndihmuar ata që të njohin mendimet e Perëndisë. Një ndihmë për të arritur këtë do të jetë inkurajimi i fëmijëve që të fiksojnë në mendje shkrimet kryesore. Synimi është që mendimet e Jehovait të udhëheqin mënyrën e të menduarit të fëmijëve, kështu që dëshirat dhe sjellja e tyre gradualisht të pasqyrojnë standardet hyjnore, edhe kur prindërit nuk janë me ta. Themeli për një mënyrë të tillë të menduari është Bibla.—Ligji i përtërirë 6:6, 7.

18. Kur lexojmë Biblën, çfarë mund të nevojitet me qëllim që (a) ta kuptojmë qartë atë? (b) të nxjerrim dobi nga këshillat që përmban? (c) t’i përgjigjemi asaj që zbulon ajo mbi qëllimin e Jehovait? (d) të nxjerrim dobi nga ajo që thotë për qëndrimet dhe për veprimet e njerëzve?

18 Qartë, që Bibla të ndikojë në jetën tonë, ne duhet të kuptojmë se çfarë thotë ajo. Për shumë veta, kjo mund të kërkojë që t’i lexojnë pjesë të saj më shumë se një herë. Për të kapur kuptimin e plotë të disa shprehjeve, mund të na duhet të bëjmë kërkime për fjalët në një fjalor ose në vëllimet Mendjehollësi mbi Shkrimet (anglisht). Nëse shkrimi përmban një këshillë ose një urdhër, gjeni kohë për të folur mbi situatat e përditshme ku mund të hyjë në punë ky shkrim. Pastaj mund të pyesni: ‘Çfarë dobie do të nxjerrim po të zbatojmë këtë këshillë?’ (Isaia 48:17, 18) Nëse shkrimi tregon disa aspekte të qëllimit të Jehovait, pyesni: ‘Si ndikohet jeta jonë nga kjo?’ Ndoshta po lexoni një tregim që flet për qëndrimet dhe veprimet e njerëzve. Çfarë presionesh kishin ata në jetë? Si ia dolën mbanë këtyre presioneve? Si mund të nxjerrim dobi nga shembulli i tyre? Gjeni gjithnjë kohë për të trajtuar se çfarë domethënieje ka tregimi në jetën tonë të përditshme.—Romakëve 15:4; 1. Korintasve 10:11.

19. Çfarë do t’u sigurojmë fëmijëve tanë, duke qenë imitues të Perëndisë?

19 Sa mënyrë e mirë për t’i ngulitur mendimet e Perëndisë në mendje dhe në zemër! Kështu do të ndihmohemi me të vërtetë për t’u bërë «imitues të Perëndisë, si bij shumë të dashur». (Efesianëve 5:1) Përveç kësaj, do të sigurojmë një shembull që vërtet meriton të imitohet nga fëmijët tanë.

A të kujtohet?

◻ Si mund të nxjerrin dobi prindërit nga shembulli i Jehovait?

◻ Pse prindërit duhet ta shoqërojnë mësimin gojor me shembullin e mirë personal?

◻ Cilat janë disa mësime që mund të jepen më mirë nga shembulli prindëror?

◻ Në ç’mënyrë mund të nxjerrim dobi plotësisht nga leximi i Biblës si familje?

[Figurat në faqen 10]

Shumë njerëz kënaqen me leximin e përditshëm familjar të Biblës

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo