Kapitulli 8
‘Të ndeshemi kundër forcave të liga frymore’
1. Përse veprimtaria e frymërave të liga na intereson në mënyrë të veçantë?
NJERËZIT materialistë mund të tallen me idenë e ekzistencës së frymërave të liga. Por kjo nuk është për të qeshur. Besojnë apo jo, veprimtaria demonike ushtron ndikim mbi të gjithë. Adhuruesit e Jehovait nuk janë të përjashtuar. Në fakt, ata janë një shenjë kryesore. Apostulli Pavël na paralajmëron për këtë konflikt, duke thënë: «Ne kemi një ndeshje, jo kundër gjakut dhe mishit, por kundër qeverive [jo ato prej mishi dhe gjaku], kundër autoriteteve, kundër fuqive botërore të kësaj errësire, kundër forcave të liga frymore që ndodhen në vendet qiellore.» (Efes. 6:12) Këto shtypje kanë arritur kulmin në ditët tona, sepse Satanai është hedhur poshtë nga qielli dhe është tërbuar, duke ditur se koha që i ka mbetur është e shkurtër.—Zbul. 12:12.
2. Si është e mundur që të dalim të suksesshëm nga ndeshja kundër frymërave mbinjerëzore?
2 Si mund të ketë sukses cilido prej nesh në një ndeshje kundër forcave frymore mbinjerëzore? Vetëm duke besuar plotësisht në Jehovain. Ne duhet ta dëgjojmë dhe t’i bindemi Fjalës së tij. Duke bërë kështu mund të ruhemi nga dëmet fizike, morale, emocionale dhe mendore që pësojnë ata që janë nën kontrollin satanik.—Efes. 6:11; Jak. 4:7.
Qeveritarë botërorë në vendet qiellore
3. Çfarë dhe kë kundërshton Satanai ashpër?
3 Jehovai gjallërisht na përshkruan situatën botërore që sheh nga pozicioni i tij i favorshëm në qiell. Ai i jep apostullit Gjon një vizion në të cilin Satanai është paraqitur si «një dragua i madh ngjyrë zjarri», gati për të shqyer, nëse do të ishte e mundur, Mbretërinë mesianike të Perëndisë menjëherë sapo ajo të lindte në qiell në vitin 1914 të e.s. Duke dështuar në këtë, me kundërshtim të tërbuar Satanai volli një lumë kundër përfaqësuesve të dukshëm të kësaj Mbretërie, pjesës dytësore të farës së «gruas».—Zbul. 12:3, 4, 13, 17.
4. (a) Mbi cilin fakt në lidhje me burimin e fuqisë së qeverive njerëzore na paralajmëron Bibla? (b) Për çfarë mblidhen tani të gjithë qeveritarët politikë dhe nga kush?
4 Në këtë zbulim që iu dha Gjonit u tregua qartë edhe burimi i fuqisë dhe i autoritetit të qeverive njerëzore. Atij iu paraqit një bishë e egër e përbërë, që kishte shtatë koka dhe dhjetë brirë, një bishë që kishte autoritet «mbi çdo fis dhe popull dhe gjuhë dhe komb». Ajo nuk paraqet një qeveri të vetme, por sistemin politik botëror. Gjoni u informua se ‘dragoi [Satana Djalli] i dha bishës fuqinë e tij dhe fronin e tij dhe autoritet të madh’. (Zbul. 13:1, 2, 7; krahaso Luka 4:5, 6.) Pavarësisht nga çdo shfaqje fetare nga ana e qeveritarëve politikë, asnjë nga kombet që përbëjnë «bishën» nuk i nënshtrohet sovranitetit të Jehovait dhe Mbretit që ai ka vendosur, Jezu Krishtit. Ata luftojnë të gjithë për të mbrojtur sovranitetin e tyre. Sot, siç tregon Zbulesa, «shprehje të frymëzuara nga demonët» po mbledhin të gjitha kombet për «ditën e luftës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm» në Harmagedon. (Zbul. 16:13, 14, 16) Prandaj, siç shkroi apostulli Pavël «qeveritarët botërorë» nuk janë thjeshtë njerëz, por «forca të liga frymore që ndodhen në vende qiellore». (Efes. 6:12) Të gjithë ata që do të japin prova se janë adhurues të vërtetë të Jehovait duhet të kuptojnë plotësisht domethënien e kësaj.
5. Përse duhet të kemi kujdes që të mos përfshihemi në përkrahjen e sistemit satanik?
5 Jeta jonë e përditshme ndikohet nga konfliktet që e coptojnë familjen njerëzore. Për njerëzit është e zakonshme që me fjalë apo me ndonjë tjetër mënyrë, të marrin anën e kombit, fisit, grupit gjuhësor apo klasës shoqërore në të cilën bëjnë pjesë. Edhe kur problemi nuk ka të bëjë drejtpërdrejt me grupin e tyre të veçantë shoqëror, ata njëlloj mund të tregojnë favor për njërin apo tjetrin. Por, pa marrë parasysh shkaqet, personin apo kauzën që mbështesin, çfarë po përkrahin ata me të vërtetë? Bibla thotë hapur se «e tërë bota shtrihet nën fuqinë e të ligut». (1. Gjonit 5:19) Si mund, pra, të shmanget një njeri, duke mos u futur në një rrugë të shtrembër bashkë me pjesën tjetër të njerëzimit? Vetëm duke mbështetur plotësisht Mbretërinë e Perëndisë dhe duke qëndruar krejtësisht asnjanës në lidhje me konfliktet midis kombeve.—Gjoni 17:15, 16.
Strategjitë dhelpërake të të ligut
6. Cilat janë disa nga mënyrat e përdorura prej Satanait për të larguar njerëzit nga rruga e adhurimit të vërtetë?
6 Në çdo periudhë të historisë, Satanai ka përdorur persekutimin gojor dhe fizik për të larguar njerëzit nga adhurimi i vërtetë. Por, ai ka përdorur edhe mjete të tjera nga më të fshehtat: vepra tinëzare dhe strategji dhelpërake.
7. Si tregohet aftësia e Satanait në mënyrën se si e ka përdorur fenë e rreme?
7 Ai me shkathtësi e mban në errësirë një pjesë të madhe të njerëzimit me anë të fesë së rreme, duke i lënë njerëzit të mendojnë, nëse kështu dëshirojnë, se po i shërbejnë Perëndisë. Meqë u mungon dashuria e pastër për të vërtetën, ndoshta, mund të tërhiqen nga shërbesat fetare mistike dhe emocionuese apo të mbeten të habitur nga vepra të fuqishme. (2. Sel. 2:9, 10) Por, ne jemi të paralajmëruar, se edhe në mes të atyre që praktikojnë adhurimin e vërtetë, «disa do të largohen . . . duke i kushtuar vëmendje shprehjeve të frymëzuara dhe mësimeve mashtruese të demonëve». (1. Tim. 4:1) Si është e mundur kjo?
8. Si i ka tërhequr Satanai në fenë e rreme disa nga ata që një kohë adhuronin Jehovain?
8 Në mënyrë dhelpërake, Satanai punon në dobësitë e individëve. Ky individ, a ka akoma njëfarë frike nga njeriu? Në këtë rast mund të bjerë nën presionin e kushërinjve apo të të afërmëve dhe të marrë pjesë në praktika që i kanë rrënjët në fenë e rreme. A është një individ mendjemadh? Në këtë rast mund të ofendohet kur merr këshilla apo kur të tjerët nuk i pranojnë idetë që ai mbështet. (Prov. 29:25; 15:10; 1. Tim. 6:3, 4) Ç’mund të themi nëse pjesëmarrja e tij në shërbim nuk është e motivuar nga dashuria? Në vend se të korrigjojë pikëpamjen e tij dhe ta vërë në përputhje me shembullin e Krishtit mund të fillojë të dëgjojë ata që i «pëshpëritin në vesh», duke i thënë se mjafton të lexojmë Biblën dhe të bëjmë një «jetë të mirë». (2. Tim. 4:3) Nëse një person bashkohet me një grup tjetër fetar apo thjesht bën një fe sipas mënyrës së tij, Satanait nuk i bëhet vonë fare, mjaft që ai të mos adhurojë Jehovain në atë mënyrë që Perëndia tregon nëpërmjet Fjalës dhe organizatës së tij.
9. Në cilën mënyrë dinake e përdor Satanai seksin për të plotësuar qëllimet e tij?
9 Satanai gjithashtu në mënyrë tinzare i tërheq njerëzit që t’i kënaqin dëshirat e tyre normale në mënyra të gabuara. Ai e ka bërë këtë me dëshirat seksuale intime. Duke hedhur tej moralin e Biblës, shumë njerëz në botë i shikojnë marrëdhëniet seksuale para martesës si një kënaqësi të ligjshme apo si një mënyrë për të treguar se janë të rritur. Po për të martuarit? Nuk është e pazakontë për personat nga bota që nëse kanë probleme martesore kërkojnë divorc dhe rimartohen ose thjesht ndahen për të jetuar me një person tjetër. Kur vërejmë këtë mënyrë jetese, a mendojmë ndoshta se po humbim diçka, se mënyra e krishterë e të jetuarit është tepër kërkuese? Me dinakëritë e tij, Satanai përpiqet që një person të mendojë se Jehovai po i mohon diçka të mirë. Na shtyn të mendojmë mbi kënaqësitë që mund të kemi tani, jo mbi efektet që mund të ndikojnë gjatë mbi ne e mbi të tjerët, për të mos folur pastaj mbi marrëdhënien tonë me Jehovain dhe Birin e tij.—Gal. 6:7, 8; 1. Kor. 6:9, 10.
10. Me cilat mjete përpiqet Satanai për të ndryshuar qëndrimin tonë në lidhje me dhunën?
10 Një dëshirë tjetër natyrale është zbavitja. Kur është e shëndoshë, ajo mund të të çlodhë fizikisht, mendërisht dhe nga ana emocionale. Por, si reagojmë kur Satanai shfrytëzon në mënyrë të shkathët rastin e zbavitjeve, duke u përpjekur që të largojë mënyrën tonë të të menduarit nga ajo e Perëndisë? Për shembull, ne e dimë se Jehovai i urren ata që duan dhunën. (Psal. 11:5) Por, kur ajo paraqitet në televizor apo në teatër, a qëndrojmë pasiv të ulur për të parë, duke e thithur të gjithë atë? Ose kur ajo paraqitet në emër të sportit, a e pranojmë dhe inkurajojmë gjithashtu edhe pjesëmarrësit?—Krahaso Zanafilla 6:13.
11. Në ç’mënyrë, edhe një person që e njeh të vërtetën, nëse nuk është i kujdesshëm, mund të zihet në grackën e spiritizmit?
11 Ne e dimë gjithashtu se ata që jepen pas çdo forme të spiritizmit—duke praktikuar fallin, magjitë apo duke u përpjekur për të komunikuar me të vdekurit—janë «diçka e urryer për Jehovain». Nuk do të mendojmë të këshillohemi me mediumët dhe sigurisht nuk do t’i ftonim ata në shtëpinë tonë për të praktikuar artet e tyre demonike. Por, a do t’i dëgjonim dhe shikonim si magjepsëse po të shfaqeshin në ekranin tonë të televizorit? Edhe nëse nuk do të pranonim kurrë të kuroheshim nga një magjistar, a do t’i vendosnim të porsalindurit tonë në pulsin e dorës një kordon, me mendimin se do ta mbronte në ndonjë mënyrë fëmijën nga dëmet? Ose, duke njohur se Bibla dënon ‘të lidhurit e të tjerëve me një magji’, a do të lejonim që një hipnotizues të kontrollonte mendjen tonë përkohësisht?—Li. përt. 18:10-12; Gal. 5:19-21.
12. (a) Në ç’mënyrë përdoret muzika për të na ngulitur ide që e dimë se janë të gabuara? (b) Mënyra në të cilën një person vishet, krihet apo flet, si mund të zbulojë admirimin e tij për ata që kanë një stil jetese të paaprovuar nga Jehovai? (c) Çfarë kërkohet prej nesh nëse nuk duam të biem viktima të strategjive të Satanait?
12 Ne kemi lexuar në Shkrime se ‘kurvëria dhe papastërtia e çdo lloji, as nuk duhet të përmendet midis nesh’, me motive të gabuara. (Efes. 5:3-5) Por ç’mund të themi nëse këto subjekte shoqërohen me shkathtësi nga një muzikë që ka një melodi të pëlqyeshme apo nga një ritëm që të mbërthen ose i vazhdueshëm? A nuk mund të fillojmë t’i përsëritim, edhe në mënyrë të pavetëdijëshme, vargje që i japin lavdi seksit jashtë martesës, përdorimit të drogës për kënaqësi dhe të tjera si këto? Ose, edhe pse e dimë se nuk duhet të imitojmë mënyrën e jetesës së njerëzve që janë të dhënë pas gjërave të tilla, a kemi prirje të identifikohemi me ta, duke imituar mënyrën e të veshurit, të krehurit dhe të folurit të tyre? Sa dinak është Satanai! Sa tinzare janë mënyrat që ai përdor për të shtyrë njerëzit që t’i përputhen mendjes së tij të korruptuar! (2. Kor. 4:3, 4) Për të mos rënë viktima të strategjive të tij, duhet të shmangim shkuarjen në një rrjedhë me botën. Duhet të mbajmë në mendje se cilët janë «sunduesit e kësaj bote të errët» dhe të luftojmë energjikisht kundër ndikimit të tyre.—Efes. 6:12, DSF; 1. Pjetr. 5:8.
Të pajisur për të fituar
13. Si është e mundur për secilin prej nesh, krahas papërsosmërisë, të mundë botën që sundohet nga Satanai?
13 Para se të vdiste, Jezui u tha apostujve të tij: «Kini kurajo! Unë e munda botën.» Kështu, edhe ata kishin mundësi ta mundnin dhe 60 vjet më pas apostulli Gjon shkroi: «Kush është ai që e mund botën në mos qoftë ai që beson se Jezusi është Biri i Hyut?» (Gjon. 16:33, DSF; 1. Gjon. 5:5, DSF) Mund të tregojmë një besim të tillë, duke iu bindur urdhërimeve të Jezuit dhe duke besuar në Fjalën e Perëndisë ashtu si bëri ai. Çfarë kërkohet tjetër? Të qëndrojmë afër kongregacionit, kreu i të cilit është ai. Kur dështojmë, duhet të pendohemi sinqerisht dhe t’i kërkojmë falje Perëndisë në bazë të sakrificës së Krishtit. Në këtë mënyrë, krahas papërsosmërisë sonë, edhe ne mund të dalim fitimtarë.
14. (a) Lexo Efesianëve 6:13-18. (b) Përdor pyetjet dhe shkrimet e siguruara si një bazë për të trajtuar dobitë e çdo pjese të armaturës frymore.
14 Për të pasur sukses, duhet të veshim «armaturën e plotë të Perëndisë», pa lënë pas dore asnjë pjesë. Hape Biblën të lutemi në Efesianëve 6:13-18 dhe lexo përshkrimin e kësaj armature. Pastaj, duke iu përgjigjur pyetjeve që pasojnë, konsidero se si mund të nxjerrësh dobi nga mbrojtja që të ofrohet prej secilës pjesë të armaturës.
«Mesi i ngjeshur me të vërtetën»
Edhe pse tashmë e njohim të vërtetën, si mund të na mbrojnë, studimi i rregullt, meditimi mbi të vërtetat biblike dhe pjesëmarrja në mbledhje? (Filip. 3:1; 4:8, 9; 1. Kor. 10:12, 13; 2. Kor. 13:5; 1. Pjetr. 1:13, Kingdom Interlinear)
«Parzmorja e drejtësisë»
Kush vendos atë që është e drejtë? (Zbul. 15:3)
Ilustro se si padëgjueshmëria ndaj urdhërimeve të Jehovait, duke mos kultivuar dashuri për rrugët e tij, mund ta vërë një person përballë një dëmi të madh frymor. (Shiko 1. Samueli 15:22, 23; Ligji i përtërirë 7:3, 4.)
«Këmbët të mbathura me pajimet e lajmit të mirë për paqen»
Përse është një mbrojtje për ne që t’i mbajmë këmbët tona të zëna për të na çuar tek njerëzit e t’u flasim mbi masat e Perëndisë për paqen? (Rom. 10:15; Psal. 73:2, 3; 1. Tim. 5:13)
«Mburoja e madhe e besimit»
Nëse besimi ynë ka themele të forta, si do të reagojmë përballë përpjekjeve për të ngjallur tek ne dyshime apo frikë? (Krahaso 2. Timoteut 1:12; 2. Mbretërit 6:15-17.)
«Helmeta e shpëtimit»
Në ç’mënyrë na ndihmon shpresa e shpëtimit për të mos rënë në lak nga shqetësimet e tepërta për zotërimin e të mirave materiale? (1. Tim. 6:7-10, 19)
«Shpata e frymës»
Mbi çfarë duhet të mbështetemi gjithmonë, kur luftojmë ndaj sulmeve të tërbuara kundër karakterit tonë frymor apo të të tjerëve? (Psal. 119:98; Prov. 3:5, 6; krahaso Mateu 4:3, 4.)
Në harmoni me këtë, në Efesianëve 6:18, 19, çfarë tjetër është thelbësore për të pasur sukses në luftën frymore? Sa shpesh duhet të bëhet kjo? Në favor të kujt?
15. (a) A kryen ndoshta secili prej nesh një luftë frymore për llogari të vet? (b) Si mund të hidhemi në sulm në këtë betejë?
15 Si ushtarë të Krishtit bëjmë pjesë në një ushtri të madhe të angazhuar në një luftë frymore. Nëse qëndrojmë vigjilentë dhe përdorim mirë armaturën e plotë të Perëndisë, nuk do të bëhemi viktima të kësaj lufte. Përkundrazi, do të forcojmë shërbëtorë të tjerë të Perëndisë. Do të jemi të gatshëm dhe të padurueshëm për t’u hedhur në sulm, duke përhapur lajmin e mirë të Mbretërisë mesianike të Perëndisë. Qeveri të cilën Satanai e kundërshton dhunshëm.
Pyetje për përsëritje
● Përse adhuruesit e Jehovait përpiqen të qëndrojnë plotësisht asnjanës në lidhje me konfliktet në mes të elementëve të botës?
● Cilat janë disa nga strategjitë që përdor Satanai për të çuar të krishterët në shkatërrim frymor?
● Në cilat mënyra thelbësore na mbron armatura e siguruar nga Perëndia, në këtë luftë frymore?