BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w96 15/7 f. 26-29
  • Gamalieli: Ai mësoi Saulin nga Tarsi

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Gamalieli: Ai mësoi Saulin nga Tarsi
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1996
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Kush ishte Gamalieli?
  • I mësuar nga Gamalieli: në ç’mënyrë?
  • Fryma e mësimeve të Gamalielit
  • Ç’domethënie kishte për Pavlin?
  • Gamalieli
    Gjykim i thellë nga Shkrimet
  • ‘Nuk pushojmë dot së foluri për Jezuin’
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2006
  • «Duhet t’i bindemi Perëndisë si sovran»
    ‘Të japim dëshmi të plotë’ për Mbretërinë e Perëndisë
  • Mishna dhe ligji i Perëndisë i dhënë Moisiut
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1996
w96 15/7 f. 26-29

Gamalieli: Ai mësoi Saulin nga Tarsi

TURMA s’pipëtinte më. Vetëm pak çaste më parë, ata gati e kishin vrarë apostullin Pavël. I njohur edhe si Sauli nga Tarsi, ai kishte shpëtuar nga trupat romake dhe tani gjendej përpara popullit në një shkallare pranë tempullit në Jerusalem.

Duke ngritur dorën për të bërë qetësi, Pavli nisi të fliste në hebraisht, duke thënë: «Burra, vëllezër dhe etër, dëgjoni tani mbrojtjen time para jush. . . . Unë jam një jude, lindur në Tars të Kilikisë dhe i edukuar në këtë qytet në këmbët e Gamalielit, i mësuar sipas përpikmërisë së Ligjit të etërve, plot me zell për Perëndinë, sikurse jeni ju të gjithë këtë ditë.»​—Veprat 22:1-3, BR.

Ndërkohë që jeta e tij gjendej në rrezik, përse Pavli e hapi mbrojtjen e tij, duke thënë se ishte edukuar nga Gamalieli? Kush ishte Gamalieli dhe ç’donte të thoshte të ishe mësuar prej tij? A ndikoi kjo stërvitje mbi Saulin edhe pasi u bë apostulli i krishterë Pavël?

Kush ishte Gamalieli?

Gamalieli ishte një farise i mirënjohur. Ai ishte nipi i Hilelit Plakut, i cili kishte themeluar një nga dy shkollat kryesore të mendimit brenda judaizmit farise.a Metoda e të mësuarit e Hilelit konsiderohej si më toleruese se ajo e rivalit të tij, Shamait. Pas shkatërrimit të tempullit të Jerusalemit, në vitin 70 të e.s., Bet Hileli (shtëpia e Hilelit) preferohej nga hebrenjtë më shumë se Bet Shamai (shtëpia e Shamait). Shtëpia e Hilelit u bë shprehja zyrtare e judaizmit, pasi të gjitha sektet e tjera u zhdukën me shkatërrimin e tempullit. Vendimet e Bet Hilelit përbëjnë shpesh bazën e ligjit judaik në Mishnah, e cila u bë themeli i Talmudit dhe duket se ndikimi i Gamalielit ishte një faktor kryesor i dominimit të shtëpisë së Hilelit.

Gamalieli ishte kaq i vlerësuar, sa ishte i pari që u quajt raban, një titull më i lartë se rabin. Në fakt, Gamalieli u bë një individ kaq shumë i respektuar, saqë Mishnah thotë për të: «Kur Rabani Gamaliel, plaku, vdiq, pushoi edhe lavdia e Toras dhe pastërtia e shenjtëria [lit. «ndarja»] humbën.»​—Sotah 9:15.

I mësuar nga Gamalieli: në ç’mënyrë?

Çfarë kishte ndër mend apostulli Pavël, kur i tha turmës në Jerusalem se ‘ishte edukuar në këmbët e Gamalielit’? Ç’do të thoshte të ishe dishepull i një mësuesi si Gamalieli?

Në lidhje me këtë stërvitje, profesori Dov Zlotnik i Seminarit Teologjik Judaik të Amerikës, shkruan: «Saktësia e e ligjit gojor, si rrjedhojë, pra, edhe besueshmëria e tij, varet pothuajse krejtësisht nga marrëdhënia mësues-dishepull: nga kujdesi që tregonte mësuesi në mësimin e ligjit dhe nga vëmendja e dishepullit në mësimin e tij. . . . Prandaj, dishepujt ishin të nxitur të uleshin në këmbët e mësuesve . . . ‘e të pinin me etje fjalët e tyre’.​—Avot 1:4, Mishnah.

Në një nga librat e tij, Emil Shryrer, hedh dritë mbi metodat e mësuesve rabinë të shekullit të parë. Ai shkruan: «Rabinët më të famshëm mblidhnin shpesh rreth vetes një numër të madh me të rinj që dëshironin të mësoheshin, me qëllim që t’i bënin ata plotësisht të pajisur me njohurinë e degëve të shumta e të bollshme të ‘ligjit gojor’. . . . Mësimi konsistonte në një ushtrim të palodhshëm e të vazhdueshëm të kujtesës. . . . Mësuesi paraqiste përpara nxënësve çështje të ndryshme gjyqësore që ata të vendosnin dhe i linte t’u përgjigjeshin këtyre çështjeve apo ai vetë u përgjigjej atyre. Edhe nxënësve u lejohej të paraqisnin para mësuesit çështje.»

Nga pikëpamja e rabinëve, përfitimi i nxënësve ishte shumë më i madhe sesa vetëm marrja e një note kalimtare. Ata që studionin me mësues të tillë, ishin paralajmëruar: «Kushdo që harron qoftë edhe një gjë të vetme nga ato që ka mësuar: Shkrimi do të kërkojë llogari prej tij, sikur të jetë bërë përgjegjës për jetën e tij.» (Avot 3:8) Nxënësit që ishte si «një pus i stukuar që nuk humb asnjë pikë ujë», i thureshin lavdet më të mëdha. (Avot 2:8) Këtë lloj stërvitjeje kishte marrë nga Gamalieli Pavli, i njohur në atë kohë me emrin e tij hebraik, Sauli nga Tarsi.

Fryma e mësimeve të Gamalielit

Në përputhje me mësimet e farisenjve, Gamalieli nxiste besimin në ligjin gojor. Prandaj, ai u jepte më shumë rëndësi traditave të rabinëve, sesa Shkrimeve të frymëzuara. (Mateu 15:3-9) Mishnah citon Gamalielin, duke thënë: «Gjej për vete një mësues [një rabi] dhe lirohu nga dyshimet, sepse nuk duhet të japësh të dhjetën me teprime me anë të hamendjeve.» (Avot 1:16) Kjo donte të thoshte se kur Shkrimet Hebreje nuk thoshin shkoqur se ç’duhej bërë, një njeri nuk duhej të përdorte arsyetimin e tij apo të ndiqte ndërgjegjen, për të marrë një vendim. Përkundrazi, ai duhej të gjente një rabi të aftë, i cili do të vendoste për të. Sipas Gamalielit, vetëm në këtë mënyrë një individ do të shmangte mëkatin.​—Krahaso Romakëve 14:1-12.

Megjithatë, Gamalieli ishte i njohur për një qëndrim më tolerues dhe liberal në ligjet e tij fetaro-ligjore. Për shembull, ai tregoi konsideratë për gratë, kur vendosi se do të «lejonte një grua të rimartohej në bazë të dëshmisë së një dëshmitari të vetëm [pas vdekjes së të shoqit]». (Yevamot 16:7, Mishnah) Përveç kësaj, për të mbrojtur një grua të divorcuar, Gamalieli futi një sërë kufizimesh në lëshimin e një letre divorci.

Kjo frymë vërehet, gjithashtu, edhe në atë se si i trajtoi Gamalieli ithtarët e Jezuit. Libri i Veprave tregon se kur krerët e tjerë hebrenj kërkuan të vritnin apostujt e Jezuit, të cilët i kishin arrestuar ngaqë kishin predikuar, «një farise, me emër Gamaliel, mësues i ligjit dhe i nderuar nga gjithë populli, u ngrit në këmbë në Sinedër dhe urdhëroi të nxirren jashtë apostujt për një moment. Pastaj u tha atyre të Sinedrit: ‘Burra të Izraelit, mendohuni mirë për atë që do t’u bëni këtyre njerëzve. . . . Tani unë po ju them t’u rrini larg këtyre njerëzve dhe t’i lironi, . . . sepse do të gjendeshit në luftë kundër vetë Perëndisë!’». Këshilla e Gamalielit u dëgjua dhe apostujt u liruan.​—Veprat 5:34-40.

Ç’domethënie kishte për Pavlin?

Pavli ishte stërvitur dhe edukuar nga një prej mësuesve rabinë më të mëdhenj të shekullit të parë të e.s. Pa dyshim, përmendja që i bëri apostulli Gamalielit bëri që turma në Jerusalem t’i kushtonte vëmendje të madhe fjalimit të tij. Por ai u foli atyre për një Mësues shumë më të madh se Gamalieli: Jezui, Mesia. Dhe pikërisht tani, si dishepull i Jezuit dhe jo i Gamalielit, Pavli iu drejtua turmës.​—Veprat 22:4-21.

A ndikoi stërvitja e Gamalielit mbi mësimin e Pavlit si një i krishterë? Ka të ngjarë, edukimi i rreptë nga Shkrimet dhe ligji hebre doli i dobishëm për Pavlin si një mësues i krishterë. Megjithatë, letrat e frymëzuara hyjnore të Pavlit që gjenden në Bibël, tregojnë qartë se ai nuk e pranoi esencën e bindjeve të Gamalielit si farise. Pavli nuk i drejtoi hebrenjtë dhe gjithë të tjerët nga rabinët e judaizmit apo nga traditat e bëra prej njerëzve, por nga Jezu Krishti.​—Romakëve 10:1-4.

Sikur të kishte vazhduar si dishepull i Gamalielit, Pavli do të kishte gëzuar një prestigj të madh. Disa të tjerë nga rrethi i Gamalielit ndihmuan në përcaktimin e së ardhmes së judaizmit. Për shembull, djali i Gamalielit, Simeoni, ndoshta një shok shkolle i Pavlit, luajti një rol të madh në revoltën hebreje kundë Romës. Pas shkatërrimit të tempullit, nipi i Gamalielit, Gamalieli II, rivendosi autoritetin e Sanhedrinit, duke e transferuar në Jabneh. Nipi i Gamalielit II, Juda Ha-Nasi, ishte përpiluesi i Mishnas, e cila është bërë guri i themelit për mendimin judaik deri në ditët tona.

Si student i Gamalielit, Sauli nga Tarsi mund të ishte bërë mjaft i shquar në judaizëm. Megjithatë, në lidhje me këtë karrierë, Pavli shkroi: «Por gjërat që më ishin fitim, i konsiderova, për shkak të Krishtit, humbje. Dhe me të vërtetë i konsideroj të gjitha këto një humbje në krahasim me vlerën e lartë të njohjes së Jezu Krishtit, Zotit tim, për shkak të të cilit i humba të gjitha këto dhe i konsideroj si pleh, që unë të fitoj Krishtin.»​—Filipianëve 3:7, 8.

Duke lënë prapa karrierën e tij si farise dhe duke u bërë ithtar i Jezu Krishtit, Pavli bëri një zbatim praktik të këshillës së ish-mësuesit të tij, duke pasur kujdes se mos ‘gjendej në luftë kundër vetë Perëndisë’. Duke e pushuar persekutimin kundër dishepujve të Jezuit, Pavli pushoi luftën kundër Perëndisë. Në vend të kësaj, duke u bërë ithtar i Krishtit, ai u bë një nga ‘bashkëpunëtorët e Perëndisë’.​—1. Korintasve 3:9.

Mesazhi i krishterimit të vërtetë vazhdon të shpallet në ditët tona nga Dëshmitarët e zellshëm të Jehovait. Si Pavli, shumë prej tyre kanë bërë ndryshime dramatike në jetën e tyre. Disa kanë lënë madje ndonjë karrierë me përfitim, për të pasur një pjesëmarrje më të madhe në veprën e predikimit të Mbretërisë, një vepër vërtet «prej Perëndisë». (Veprat 5:39) Sa të lumtur janë ata që kanë ndjekur shembullin e Pavlit dhe jo atë të mësuesit të tij të dikurshëm, Gamalielit.

[Shënimi]

a Disa burime thonë se Gamalieli ishte biri i Hilelit. Talmudi nuk është i qartë në këtë çështje.

[Figura në faqen 28]

Si apostulli Pavël, Sauli nga Tarsi u shpalli lajmin e mirë njerëzve nga kombet

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo