Pyetje nga lexuesit
Çfarë donte të thoshte apostulli Pavël, kur tha se ishte ‘duke harruar ato që kishte lënë pas dhe duke u prirur drejt atyre që kishte përpara’? (Filipianëve 3:13) A mund ta harrojë një person diçka me dashje?
Jo, në shumicën e rasteve nuk mund të heqim me dashje një kujtim nga mendja. Fakt është se harrojmë shumë nga ato që do të dëshironim t’i kujtonim dhe kujtojmë shumë gjëra që do ishte më mirë t’i harronim. Por, çfarë donte të thoshte, atëherë, Pavli kur shkroi fjalët që gjejmë në Filipianëve 3:13? Konteksti na ndihmon ta kuptojmë.
Në kreun 3 të Filipianëve, Pavli përshkruan ‘arsyen [e tij] për të besuar . . . në mishin’. Ai flet për të kaluarën e tij të panjollë në lidhje me kulturën hebreje dhe zellin e tij për Ligjin: gjëra që mund t’i kenë dhënë shumë përparësi atij në kombin e Izraelit. (Filipianëve 3:4-6; Veprat 22:3-5) E megjithatë, ai i hodhi poshtë këto përparësi, në kuptim figurativ, u hoqi vizën. Përse? Sepse kishte gjetur diçka më të mirë, «vlerën e njohjes së Jezu Krishtit».—Filipianëve 3:7, 8.
Synimi më i madh i Pavlit nuk ishte që të arrinte një pozitë në këtë botë, por që të arrinte ‘ringjalljen [më të herët, BR] prej së vdekurish’. (Filipianëve 3:11, 12) Prandaj, ai shkruan: «Duke harruar ato që kam lënë pas dhe duke u prirur drejt atyre që kam përpara, po rend drejt synimit, drejt çmimit të thirrjes së lartme të Perëndisë në Krishtin Jezus.» (Filipianëve 3:13, 14) Kur Pavli tha se ishte ‘duke harruar ato që kishte lënë pas’, ai nuk donte të thoshte se në ndonjë mënyrë ai kishte fshirë nga mendja ‘ato që kishte lënë pas’. Duket qartë se ai akoma i kujtonte ato, sepse sapo i kishte radhitur. Përveç kësaj, në greqishten origjinale, ai përdor një formë foljeje që tregon një veprim në vazhdim, të papërfunduar. Ai thotë «duke harruar» dhe jo «duke pasur harruar».
Fjala greke e përkthyer «harroj» (e·pi·lan·thaʹno·mai) ka hije të ndryshme domethënieje, njëra prej të cilave është «të jesh moskokëçarës» ose «të lësh pas dore». Sipas një fjalori të botuar nga Horst Balz dhe Gerhard Shneider, këtë gjë nënkupton folja «duke harruar» në Filipianëve 3:13. (Exegetical Dictionary of the New Testament) Pavli nuk mendonte vazhdimisht për gjërat që kishte lënë. Ai kishte mësuar t’i shikonte ato si gjëra pak të rëndësishme. Ato ishin «si pleh» në krahasim me shpresën qiellore.—Filipianëve 3:8.
Si mund të zbatohen sot fjalët e Pavlit? Ashtu si Pavli, një i krishterë mund të ketë bërë sakrificë për t’i shërbyer Perëndisë. Ndoshta ka lënë një karrierë fitimprurëse për shërbimin e plotë kohor. Ose ndoshta i përket një familjeje të pasur, që e ka ndarë financiarisht, për shkak se janë kundër së vërtetës. Sakrifica të tilla janë të lavdërueshme, por nuk janë diçka që duhet të mbajmë vazhdimisht në mendje. Një i krishterë ‘harron’, nuk e vret më mendjen për «gjërat prapa», duke pasur parasysh të ardhmen e lavdishme që e pret.—Luka 9:62.
Parimi pas fjalëve të Pavlit, ndoshta mund të zbatohet edhe në një mënyrë tjetër. Ç’mund të thuhet për një të krishterë, i cili ka pasur një sjellje të gabuar para se të mësonte për Perëndinë? (Kolosianëve 3:5-7) Ose ta zëmë se pasi bëhet i krishterë, ai kryen një mëkat serioz dhe disiplinohet nga kongregacioni. (2. Korintasve 7:8-13; Jakovit 5:15-20) Po, nëse është penduar vërtet dhe i ka ndryshuar rrugët e tij, ai është ‘i larë’. (1. Korintasve 6:9-11) Ajo që ka ndodhur ka kaluar. Ndoshta kurrë s’ka për ta harruar vërtet gabimin, e në fakt, duhet të jetë i mençur që të mësojë nga përvoja për të mos e përsëritur më mëkatin. Megjithatë, ai ‘harron’ në kuptimin që nuk e qorton ashpër veten vazhdimisht. (Krahaso Isainë 65:17.) Duke qenë se jemi falur në bazë të sakrificës së Jezuit, ai përpiqet ta harrojë të kaluarën.
Në Filipianëve 3:13, 14, Pavli e përshkruan veten si një vrapues në garë, ‘duke u prirur drejt atyre që kishte përpara’ për të arritur synimin. Vrapuesi shikon përpara, jo prapa. Në mënyrë të ngjashme, një i krishterë duhet të shikojë tek bekimet që ka përpara, jo tek gjërat që ka lënë prapa. Përveç kësaj, Pavli tha: «Në qoftë se ju mendoni ndryshe për ndonjë gjë, Perëndia do t’jua zbulojë edhe këtë.» (Filipianëve 3:15) Prandaj, lutju Perëndisë që të të ndihmojë të kultivosh këtë pikëpamje! Mbushe mendjen me mendimet e Perëndisë që gjenden në Bibël! (Filipianëve 4:6-9) Medito mbi dashurinë që Jehovai ka për ty dhe për bekimet që gëzon si pasojë e saj! (1. Gjonit 4:9, 10; 17-19) Më pas, përmes frymës së tij të shenjtë Jehovai do të të ndihmojë të mos merakosesh për gjërat që ke lënë pas. Përkundrazi, ashtu si Pavli do të shpresosh drejt së ardhmes së lavdishme që na pret.—Filipianëve 3:17.