Të bashkuar në lidhjen e përsosur të dashurisë
«Bashkohuni në dashuri me harmoni!»—KOLOSIANËVE 2:2, BR.
1, 2. Çfarë ndikimi përçarës po ndihet veçanërisht sot?
DËGJO! Një zë kumbues buçet nëpër qiell duke thënë: «Vaj për tokë dhe për det, sepse Djalli ra ndër ju, tepër i hidhur sepse e di se nuk i mbetet veçse pak kohë.» (Zbulesa 12:12, BR) Vit pas viti ky mesazh bëhet gjithnjë e më kërcënues për banorët e tokës.
2 Për një kohë të gjatë, armiku i madh i Jehovait është njohur si kundërshtar (Satana) dhe shpifës (Djall). Por, tani ky mashtrues ka marrë një tjetër rol të majtë—është bërë një perëndi i zemëruar! Përse? Sepse gjatë luftës në qiell që filloi në 1914-ën, u dëbua prej qiellit nga Mikaeli dhe engjëjt e tij. (Zbulesa 12:7-9) Djalli e di se i mbetet një kohë shumë e shkurtër për të vërtetuar sfidën e tij se mund t’i kthejë të gjithë njerëzit nga adhurimi i Perëndisë. (Jobi 1:11; 2:4, 5) Duke mos patur asnjë mundësi për t’ia mbathur, ai dhe demonët e tij janë bërë si një mizëri bletësh të zemëruara që e shfryjnë dufin tek masat e shqetësuara të njerëzve.—Isaia 57:20.
3. Çfarë ndikimi ka pasur në kohën tonë dëbimi i Satanait nga qielli?
3 Këto fakte të padukshme për sytë e njerëzve, shpjegojnë përse ka një rënie në përgjithësi të moralit tek njerëzit. Gjithashtu, shpjegojnë përpjekjet e tërbuara të njerëzve për të penguar copëzimin e kombeve, që thjesht nuk mund të jetojnë në harmoni. Fiset dhe grupet etnike sulmojnë mizorisht njëri-tjetrin, duke bërë që miliona njerëz të jenë të pastrehë dhe të shpërngulur. Nuk është për t’u habitur që paligjshmëria po rritet në një shkallë të padëgjuar! Siç paratha Jezui, ‘shumëkujt po i ftohet dashuria’. Kudo që të shohësh, mungesa e harmonisë dhe dashurisë është një shenjë e njerëzimit të shqetësuar sot.—Mateu 24:12.
4. Përse veçanërisht populli Perëndisë është në rrezik?
4 Nën dritën e situatës botërore, lutja e Jezuit për ithtarët e tij merr një domethënie më të madhe: «Unë nuk kërkoj që t’i heqësh nga bota, por që t’i mbrosh nga i ligu. Ata nuk janë nga bota, sikurse unë nuk jam nga bota.» (Gjoni 17:15, 16) Sot, «i ligu» e shfryn zemërimin e tij veçanërisht kundër atyre «që i ruajnë urdhërimet e Perëndisë dhe që kanë dëshminë e Jezu Krishtit». (Zbulesa 12:17) Po të mos siguronte Jehovai kujdesin vigjilent dhe të dashur, Dëshmitarët e tij besnikë do të zhdukeshin nga faqja e dheut. Jeta jonë varet nga vlerësimi i gjithë sigurimeve që ka marrë Perëndia për sigurinë dhe mirëqenien tonë frymore. Siç nxiti apostulli Pavël tek Kolosianëve 1:29, kjo kërkon që të ushtrohemi në përputhje me veprimin e fuqisë së Tij përmes Krishtit.
5, 6. Çfarë ndiente apostulli Pavël për të krishterët e Kolosesë dhe përse shkrimi për vitin 1995 është i përshtatshëm?
5 Megjithëse Pavli kurrë nuk kishte pasur rast t’i takonte personalisht, ai i donte vëllezërit e tij në Kolose. Prandaj u tha: «Do të doja të kuptonit se sa i thellë është meraku që kam për ju.» (Kolosianëve 2:1, The New Testament in Modern English, nga J. B. Filips) Përderisa ithtarët e Jezuit nuk janë pjesë e botës, «i ligu» do të vazhdojë përpjekjet e tij për të thyer unitetin e vëllezërve, duke mbjellë mes tyre frymën e botës. Lajmet e Epafrasit nga Koloseja tregonin se kjo kishte ndodhur në një farë mënyre.
6 Një nga interesat kryesore të Pavlit për vëllezërit e tij të krishterë ishte përmbledhur në fjalët: «Bashkohuni në dashuri me harmoni!» Fjalët e tij kanë një kuptim të veçantë sot, në këtë botë që vlon nga mungesa e unitetit dhe e dashurisë. Nëse marrim për zemër këshillën e Pavlit, do të gëzojmë kujdesin e Jehovait. Gjithashtu, do të përjetojmë fuqinë e frymës së tij në jetën tonë, gjë që do të na ndihmojë t’u rezistojmë presioneve të botës. Ç’këshillë e mençur që është! Për këtë arsye, Kolosianëve 2:2 do të jetë tema për shkrimin e vitit 1995.
7. Çfarë harmonie duhet të ekzistojë mes të krishterëve të vërtetë?
7 Në një letër të mëparshme drejtuar korintasve, apostulli përdori si ilustrim trupin njerëzor. Ai shkroi «që të mos kishte përçarje» në kongregacionin e të krishterëve të mirosur, por përkundrazi ‘të gjitha gjymtyrët të kishin të njëjtin kujdes për njëra-tjetrën’. (1. Korintasve 12:12, 24, 25) Ç’ilustrim i mrekullueshëm! Gjymtyrët tona janë të ndërvarura, secila e bashkuar me pjesën tjetër të trupit. Po ky parim zbatohet edhe me shoqërinë ndërkombëtare të vëllezërve tanë, të formuar nga të mirosurit dhe nga miliona të tjerë që kanë shpresë të jetojnë në tokën parajsore. Nuk duhet të veçohemi nga trupi i shokëve tanë të krishterë për të jetuar në mënyrë të pavarur! Duke vepruar me anë të Krishtit, fryma e Perëndisë derdhet tek ne në një masë të madhe përmes shoqërimit me vëllezërit tanë.
Lidhja ndërmjet harmonisë dhe njohurisë
8, 9. (a) Ç’gjë thelbësore i kontribuon harmonisë në kongregacion? (b) Si e ke fituar njohurinë mbi Krishtin?
8 Një nga pikat kryesore që vuri në dukje Pavli ishte lidhja ndërmjet harmonisë dhe njohurisë, veçanërisht ajo që ka të bëjë me Krishtin. Pavli shkroi se të krishterët duhet të ‘bashkoheshin në dashuri me harmoni dhe me një pamje drejt të gjitha pasurive të sigurisë së plotë të kuptueshmërisë së tyre, me një pamje drejt njohurisë së saktë të sekretit të shenjtë të Perëndisë, të quajtur Krisht’. (Kolosianëve 2:2, BR) Që kur kemi filluar të studiojmë Fjalën e Perëndisë kemi fituar njohuri, kemi mësuar disa fakte. Si pjesë e fitimit të kuptueshmërisë mbi mënyrën se si shumë nga këto fakte përshtaten me qëllimin e Perëndisë, kemi kuptuar rolin vendimtar të Jezuit. «Të gjitha thesaret e mençurisë dhe njohurisë janë fshehur me kujdes në të.»—Kolosianëve 2:3, BR.
9 A ke këtë mendim për Jezuin dhe rolin e tij në qëllimin e Perëndisë? Në të ashtuquajturin krishterim, shumë njerëz e kanë Jezuin në majë të gjuhës, duke pohuar se e kanë pranuar atë dhe janë shpëtuar. Por, a e njohin atë në të vërtetë? E pamundur, sepse shumica e tyre besojnë në doktrinën e Trinitetit që nuk gjendet në shkrime. Jo vetëm që ti e njeh të vërtetën në lidhje me këtë, por ndoshta ke një njohuri më të gjerë se çfarë tha dhe bëri Jezui. Miliona njerëz janë ndihmuar në këtë gjë, falë një studimi informativ duke përdorur librin Njeriu më i madh i cili ka jetuar ndonjëherë. Megjithatë, duhet ta thellojmë njohurinë tonë për Jezuin dhe rrugët e tij.
10. Në ç’mënyrë njohuria e fshehur është në dispozicionin tonë?
10 Deklarata «të gjitha thesaret e mençurisë dhe njohurisë» janë «fshehur me kujdes» tek Jezui, nuk do të thotë se kjo njohuri është e pakapshme për trurin tonë. Përkundrazi, është në një farë mënyre si një minierë e hapur. Nuk është se duhet të kërkojmë rreth e rrotull një hapësire të pamatë duke pyetur veten se ku do të fillojmë gërmimin. Tashmë e kemi mësuar se njohuria e vërtetë fillon me atë që ka zbuluar Bibla për Jezu Krishtin. Sa më shumë që ta vlerësojmë rolin e Jezuit në plotësimin e qëllimit të Jehovait, fitojmë thesaret e mençurisë së vërtetë dhe të njohurisë së saktë. Prandaj, na duhet që të gërmojmë gjithnjë e më thellë, për të nxjerrë margaritarët apo gjërat e çmuara që janë në dispozicion nga ky burim ku tashmë kemi gërmuar.—Proverbat 2:1-5.
11. Si mund ta rritim njohurinë dhe mençurinë tonë duke medituar mbi Krishtin? (Ilustroje me shembullin që dha Jezui duke u larë këmbët dishepujve apo duke përdorur shembuj të tjerë.)
11 Për shembull, mund të dimë se Jezui u lau këmbët apostujve. (Gjoni 13:1-20) Megjithatë, a kemi medituar se çfarë mësimi po jepte dhe çfarë qëndrimi shfaqi? Duke vepruar kështu, mund të nxjerrim një thesar mençurie që na jep mundësi, ose më mirë të themi na nxit të ndryshojmë mënyrën se si e trajtojmë një vëlla apo një motër, personaliteti i të cilit apo i së cilës na acaron që prej shumë kohësh. Ose kur marrim një caktim të ri që ndoshta nuk na pëlqen shumë, mund të veprojmë ndryshe nga ç’kemi kuptuar nga domethënia mjaft e thellë e Gjonit 13:14, 15. Në këtë mënyrë ndikojnë njohuria dhe mençuria tek ne. Si mund të ndikohen të tjerët kur imitojmë gjithnjë e më shumë shembullin e Krishtit në përputhje me njohurinë në rritje për Krishtin? Ka mundësi që kopeja ‘të bashkohet në dashuri me harmoni’.a
Shpërqendrimi mund të dëmtojë harmoninë
12. Nga cila njohuri duhet të ruhemi?
12 Nëse njohuria e saktë e lehtëson ‘bashkimin në dashuri me harmoni’, çfarë rezulton nga ajo që «në mënyrë të rremë quhet ‘njohuri’»? Krejt e kundërta: debate, grindje dhe largim nga besimi. Prandaj, duhet të kemi kujdes nga kjo njohuri e rremë, siç e paralajmëroi Pavli Timoteun. (1. Timoteut 6:20, 21) Përveç kësaj, Pavli shkroi: «Po ju them këtë, që askush të mos ju gënjejë me fjalë joshëse [argumente në dukje bindëse, BR]. Tregoni kujdes se mos ndokush ju bën prenë e tij me anë të filozofisë dhe me mashtrime të kota, sipas traditës së njerëzve, sipas elementeve të botës dhe jo sipas Krishtit.»—Kolosianëve 2:4, 8.
13, 14. (a) Përse vëllezërit nga Koloseja ishin në rrezik lidhur me njohurinë? (b) Përse sot disa të tjerë mund të mendojnë se nuk ndeshen me këto rreziqe?
13 Të krishterët në Kolose ishin të rrethuar nga ndikimi djallëzor i falsitetit të ashtuquajtur njohuri. Në Kolose dhe në viset përreth, shumë njerëz i vlerësonin shumë filozofitë greke. Ishin, gjithashtu, edhe judaizuesit, të cilët donin që të krishterët të mbanin Ligjin e Moisiut, si p.sh. lidhur me ditat festive të këtij ligji dhe urdhrat lidhur me ushqimin. (Kolosianëve 2:11, 16, 17) Pavli nuk kishte kundërshtim që vëllezërit e tij të fitonin njohurinë e vërtetë, por duhej të ishin të kujdesshëm që askush të mos i kapte si një pre, duke përdorur argumente në dukje të logjikshme për t’i bindur ata të kishin një pikëpamje të thjeshtë njerëzore për jetën dhe veprat. Mund të kuptosh se sikur disa në kongregacion t’i lejonin mendimet dhe vendimet e tyre të udhëhiqeshin nga këto koncepte të pabazuara në shkrime dhe të kishin një qëndrim të tillë jetese, do të veprohej kundër harmonisë dhe dashurisë mes anëtarëve të kongregacionit.
14 «Po,—mund të mendosh,—e kuptoj se çfarë rreziku përballuan kolosianët, por sa për mua nuk ka ndonjë rrezik të ndikohem nga konceptet greke, të tilla si pavdekësia e shpirtit apo e perëndisë trinitet; as nuk shikoj ndonjë rrezik që të joshem nga festat pagane të fesë së rreme që kam braktisur.» Shkëlqyeshëm! Është mirë të jemi plotësisht të bindur për superioritetin e të vërtetave themelore të zbuluara përmes Jezuit, të cilat gjenden në Shkrime. Megjithatë, mos vallë jemi në rrezik nga filozofi të tjera apo pikëpamje njerëzore që mbizotërojnë sot?
15, 16. Cila pikëpamje mund të ndikojë mënyrën e të menduarit të një të krishteri?
15 Një qëndrim i tillë ka ekzistuar prej kohësh. «Ku është premtimi i ardhjes së tij? Sepse, që kur etërit fjetën, të gjitha gjërat mbetën në po atë gjendje si në fillim të krijimit.» (2. Pjetrit 3:4) Kjo ndjenjë mund të shprehet me fjalë të tjera, por kuptimi mund të jetë po ai. Për shembull, dikush mund të mendojë kështu: «Kur mësova për herë të parë të vërtetën dhjetra vite më parë, fundi ishte ‘prapa derës’. Kurse ai akoma nuk ka ardhur dhe kush e di se kur do të vijë?» Në të vërtetë askush nuk e di se kur do të vijë fundi. Megjithatë, vëre se ç’pikëpamje na nxiti Jezui të kemi: «Tregoni kujdes, rrini zgjuar, . . . sepse nuk e dini kur do të jetë ai moment.»—Marku 13:32, 33.
16 Sa e rrezikshme do të ishte të adoptonim pikëpamjen sipas së cilës duke mos ditur se kur do të vijë fundi, mund të planifikojmë të bëjmë një jetë të plotë e «normale»! Ky koncept mund të shprehet duke arsyetuar në këtë mënyrë: «Fare mirë mund të bëj hapat që do të më lejonin mua (apo fëmijët e mi) të kem një karrierë të respektueshme, që do të më sillte të ardhura të bollshme dhe do të më jepte mundësi të bëja një jetë të rehatshme. Pa dyshim që do t’i ndiqja mbledhjet e krishtere dhe do të merrja pjesë në një farë mënyre në veprën e predikimit, por nuk ka arsye që të mundohem shumë apo të bëj sakrifica të mëdha.»—Mateu 24:38-42.
17, 18. Cilën pikëpamje na nxiti Jezui dhe apostujt të kemi?
17 Megjithatë, nuk duhet mohuar që Jezui dhe dishepujt e tij na këshilluan të jetonim me ndjenjën e urgjencës lidhur me predikimin e lajmit të mirë, ushtrimin e vetes dhe gatishmërinë për të bërë sakrifica. Pavli shkroi: «Po ju them këtë, o vëllezër, se koha tanimë është shkurtuar, kështu tash e tutje edhe ata që kanë gra të jenë si ata që nuk kanë; . . . dhe ata që blejë, sikur të mos kishin gjë në zotërim; dhe ata që përdorin nga kjo botë sikur të mos e përdornin, sepse forma e kësaj bote po kalon.»—1. Korintasve 7:29-31; Luka 13:23, 24; Filipianëve 3:13-15; Kolosianëve 1:29; 1. Timoteut 4:10; 2. Timoteut 2:4; Zbulesa 22:20.
18 Duke mos menduar të na këshillonte për ta bërë jetën e rehatshme synimin tonë, Pavli i frymëzuar shkroi: «Ne nuk kemi marrë asgjë me vete në këtë botë, dhe është e qartë se prej saj nuk mund të marrim gjë me vete; por kur kemi çfarë të hamë e të veshim, të jemi të kënaqur me kaq. . . . Lufto luftën e drejtë të besimit, rrok jetën e përjetshme, në të cilën u thirre dhe për të cilën ke bërë rrëfimin e mirë të besimit përpara shumë dëshmitarëve.»—1. Timoteut 6:7-12.
19. Si ndikohet kongregacioni kur anëtarët e tij pranojnë pikëpamjen e jetës që Jezui na inkurajoi të kemi?
19 Kur një kongregacion përbëhet nga të krishterë të zellshëm, të cilët përpiqen shumë ‘për të bërë rrëfimin e mirë të besimit përpara shumë dëshmitarëve’, harmonia është e natyrshme. Ata nuk jepen pas një qëndrimi të tillë si ky: «Ti ke pasuri të shumta të shtëna për shumë vjet; pusho, ha, pi dhe gëzo.» (Luka 12:19) Përkundrazi, ata janë të bashkuar në përpjekjen e përbashkët, të gatshëm për të bërë sakrifica për një pjesëmarrje sa më të mirë që të jetë e mundur në këtë vepër të papërsëritshme.—Krahaso Filipianëve 1:27, 28.
Të kujdesshëm lidhur me argumentet në dukje bindëse
20. Cila është një mënyrë tjetër në të cilën të krishterët mund të mashtrohen?
20 Pa dyshim që ka mënyra të tjera në të cilat të krishterët mund të ‘mashtrohen me argumente në dukje bindëse’ apo me mashtrime boshe që bien ndesh me ‘bashkimin në dashuri me harmoni’. Zyra e Shoqatës Watch Tower në Gjermani shkroi: «U krijua një gjendje e tillë që çoi në një debat me pleq e lajmëtarë bashkë që ishin pro e kundër disa lloj terapish të përdorura nga një vëlla.» Më pas shtuan: «Për shkak të shumëllojshmërisë së metodave të përdorura dhe numrit të madh të pacientëve fare lehtë mund të ndeshen kundërshtime në këtë fushë, aq më tepër nëse metodat terapike të bëjnë të mendosh për spiritizmin, mund të jetë diçka e rrezikshme.»—Efesianëve 6:12.
21. Si mund t’i humbë një i krishterë gjërat më të rëndësishme sot?
21 Të krishterët duan të qëndrojnë të gjallë e të shëndetshëm, në mënyrë që të adhurojnë Perëndinë. Megjithatë, në këtë sistem duhet t’i nënshtrohemi mplakjes dhe sëmundjeve që rrjedhin nga papërsosmëria. Në vend që të shqetësohemi shumë për shëndetin, duhet të përqendrohemi tek zgjidhja e vërtetë për ne dhe për të tjerët. (1. Timoteut 4:16) Krishti është epiqendra e kësaj zgjidhjeje, ashtu siç ishte epiqendra në këshillat e Pavlit drejtuar kolosianëve. Por mos harro se Pavli vuri në dukje se disa mund të përdorin «argumente në dukje bindëse», duke na e tërhequr vëmendjen nga Krishti dhe duke na e kthyer ndoshta drejt metodave diagnostike, kurave apo dietave.—Kolosianëve 2:2-4.
22. Çfarë qëndrimi të ekuilibruar duhet të kemi lidhur me pohimet e shumta për metodat diagnostike dhe kurat?
22 Në të gjithë botën reklamohen lloj-lloj terapish e mjetesh diagnostike. Disa prej tyre kanë një përdorim të gjerë e janë mjaft të njohura; të tjera akoma janë kritikuar ashpër ose shihen me dyshim.b Çdokush është përgjegjës për të vendosur se çfarë do të bëjë lidhur me shëndetin e vet. Por ata që pranojnë këshillën e Pavlit që gjendet tek Kolosianëve 2:4, 8, do të jenë të mbrojtur nga mashtrimi prej «argumenteve në dukje bindëse» apo nga ‘mashtrimet e kota’, që mund të çojnë në rrugë të shtrembër shumë persona, të cilët duke mos patur shpresën e Mbretërisë kërkojnë me padurim një ngushëllim. Edhe kur një i krishterë është i bindur se një lloj kure duket e mirë për të, nuk duhet ta ngrejë në qiell me vëllazërinë e krishterë, sepse mund të bëhet objekt diskutimesh e kundërshtimesh të mëdha. Në këtë mënyrë ai mund të tregojë se e respekton shumë rëndësinë e harmonisë në kongregacion.
23. Përse veçanërisht ne kemi shkak për gëzim?
23 Pavli theksoi se harmonia e krishterë është baza për gëzimin e vërtetë. Në ditët e tij numri i kongregacioneve sigurisht që ishte më i vogël se sot. Megjithatë, ai u shkroi kolosianëve: «Edhe pse me trup jam larg jush, me frymën jam bashkë me ju dhe gëzohem duke parë rregullin dhe qëndrueshmërinë e besimit tuaj në Krishtin.» (Kolosianëve 2:5; shiko gjithashtu Kolosianëve 3:14.) Sa më e madhe është arsyeja jonë për t’u gëzuar! Mund të shohin prova të vërteta të harmonisë, rregullit dhe qëndrueshmërisë në kongregacionin tonë, të cilat paraqesin situatën në përgjithësi të popullit të Perëndisë në mbarë botën. Prandaj, në këtë pak kohë të mbetur në këtë sistem të tanishëm, le të jetë secili prej nesh i vendosur për t’u ‘bashkuar në dashuri me harmoni’.
[Shënimet]
a Megjithëse rastet janë gati të pafundme, vëre se çfarë mund të mësosh personalisht për Jezuin, nga shembujt e mëposhtëm, që mund t’i kontribuojë harmonisë në kongregacionin tënd: Mateu 12:1-8; Luka 2:51, 52; 9:51-55; 10:20; Hebrenjve 10:5-9.
b Shiko Kullën e Rojës së 15 qershorit 1982, faqet 22-29, (angl.).
A ke vërejtur?
◻ Cili është shkrimi i vitit 1995 për Dëshmitarët e Jehovait?
◻ Përse të krishterët e Kolosesë duhej të ishin të bashkuar në dashuri me harmoni dhe përse duhet edhe ne sot?
◻ Nga cila pikëpamje djallëzore mbi jetën duhet të ruhen veçanërisht të krishterët në këto ditë?
◻ Përse të krishterët duhet të kenë kujdes që të mos mashtrohen nga argumentet bindëse lidhur me shëndetin dhe mjetet diagnostike?
[Figurat në faqen 17]
A përqendrohen mbi praninë e Krishtit planet e tua për të ardhmen?