BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • si f. 226-228
  • Libri biblik numër 51​—Kolosianëve

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Libri biblik numër 51​—Kolosianëve
  • «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm»
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • PËRMBAJTJA E KOLOSIANËVE
  • PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?
  • Jehovai mund t’ju bëjë të fuqishëm
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
  • T’i ndihmojmë të tjerët që të ecin denjësisht për Jehovain
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2000
  • Epafrai: «Një shërbëtor besnik i krishtit»
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
  • Epafrai
    Gjykim i thellë nga Shkrimet
Shih më tepër
«I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm»
si f. 226-228

Libri biblik numër 51​—Kolosianëve

Shkrimtari: Pavli

Vendi ku u shkrua: Romë

Shkrimi përfundoi: rr. 60 të e.s.–61 të e.s.

1. Ku ndodhej qyteti i Kolosesë?

SI LANË pas Efesin, dy burra morën rrugën drejt lindjes, duke përshkuar Azinë e Vogël përgjatë lumit që në atë kohë quhej Meandër. Me të arritur në degën e lumit të quajtur Likus, në Frigji, ata u kthyen në drejtim të juglindjes, duke ndjekur rrjedhën e lumit nëpër luginën e rrethuar me male. Para tyre shtrihej një pamje e bukur: kullota të blerta e pjellore me kope të mëdha delesh. (Prodhimet e leshit ishin burimi kryesor i të ardhurave për atë zonë.a) Duke ndjekur luginën, në të djathtë lanë pas qytetin e pasur të Laodicesë, qendër e administratës romake për atë krahinë. Në të majtë, matanë lumit, mund të shihnin Hierapolin e famshëm për tempujt e tij dhe burimet termale. Në të dyja këto qytete kishte kongregacione, siç kishte edhe në qytetin e vogël të Kolosesë, rreth 16 kilometra më thellë në luginë.

2. (a) Cilët ishin dy burrat e dërguar nga Pavli në Kolose? (b) Çfarë dihet për kongregacionin e Kolosesë?

2 Vendmbërritja e këtyre udhëtarëve, të dy të krishterë, ishte Koloseja. Të paktën njëri prej tyre i njihte mirë ato vise, pasi ishte nga Koloseja. Quhej Onesim dhe ishte një skllav që po kthehej te zotëria i tij, i cili bënte pjesë në kongregacionin e atjeshëm. Shoku i Onesimit ishte Tikiku, që nuk ishte skllav, dhe të dy ishin dërguar nga apostulli Pavël me një letër nga ai drejtuar «vëllezërve të besueshëm në unitet me Krishtin, që janë në Kolose». Me sa dimë, Pavli nuk e vizitoi kurrë Kolosenë. Kongregacioni që formohej kryesisht nga jojudenj, ka të ngjarë të jetë krijuar nga Epafrai, që kish derdhur mund mes tyre e tani ishte me Pavlin në Romë.​—Kolos. 1:2, 7; 4:12.

3. Çfarë tregon vetë letra drejtuar Kolosianëve për shkrimtarin e saj, si dhe për kohën dhe vendin ku u shkrua?

3 Shkrimtari i kësaj letre ishte apostulli Pavël, siç thotë edhe ai vetë në fjalët e para dhe të fundit të letrës. (1:1; 4:18) Gjithashtu, në fund të saj, ai thotë se e shkroi kur ishte në burg. Pra, duhet të ketë qenë koha kur u burgos për herë të parë në Romë, 59-61 të e.s., kur shkroi disa letra inkurajimi, e ndër to edhe letrën drejtuar Kolosianëve, të cilën e nisi bashkë me atë që i dërgoi Filemonit. (Kolos. 4:7-9; Fil. 10, 23) Duket se këtë letër ai e shkroi pak a shumë në të njëjtën kohë me letrën drejtuar Efesianëve, pasi shumë mendime dhe fraza janë njësoj.

4. Ç’gjë provon vërtetësinë e Kolosianëve?

4 Nuk ka asnjë bazë për të dyshuar tek autenticiteti i letrës drejtuar Kolosianëve. Fakti që renditet bashkë me letrat e tjera të Pavlit në Papirusin Çestër Biti nr. 2 (P46), (rreth vitit 200 të e.s.), tregon se ajo pranohej nga të krishterët e hershëm si një nga letrat e Pavlit. Vërtetësinë e saj e provojnë të njëjtat burime të hershme që vërtetojnë edhe letrat e tjera të Pavlit.

5. (a) Ç’e nxiti Pavlin t’u shkruante kolosianëve? (b) Ku e vë theksin letra?

5 Ç’e nxiti Pavlin t’u shkruante një letër kolosianëve? Një arsye ishte se Onesimi do të kthehej në Kolose. Veç kësaj, kohët e fundit, Epafrai kishte shkuar të vizitonte Pavlin dhe pa dyshim, ato që i kishte thënë për kongregacionin e Kolosesë i dhanë një arsye më shumë për t’u nisur një letër. (Kolos. 1:7, 8; 4:12) Atij kongregacioni të krishterë i kanosej një rrezik. Në atë kohë, fetë po shpërbëheshin dhe po formoheshin vazhdimisht fe të reja që ndërthureshin me elemente të të vjetrave. Atje gëlonin filozofi pagane që përfshinin asketizmin, spiritizmin dhe besëtytnitë idhujtare, të cilat bashkë me mosngrënien e disa ushqimeve dhe kremtimin e disa ditëve nga judenjtë, mund të kenë ndikuar disa pjesëtarë të kongregacionit. Cilido të ketë qenë problemi, duhet të ketë qenë mjaft serioz, sa ta shtynte Epafrain të merrte rrugën deri në Romën e largët për të takuar Pavlin. Megjithatë, fjalët inkurajuese të Epafrait për dashurinë dhe palëkundshmërinë e tyre tregojnë se kongregacioni në tërësi nuk rrezikohej drejtpërdrejt. Kur këto fjalë i vajtën në vesh Pavlit, ai mbrojti me forcë njohurinë e saktë dhe adhurimin e pastër, duke i shkruar këtë letër kongregacionit të Kolosesë. Letra e vinte theksin tek epërsia që i kishte dhënë Perëndia Krishtit përkundër filozofisë pagane, adhurimit të engjëjve dhe traditave judaike.

PËRMBAJTJA E KOLOSIANËVE

6. (a) Çfarë kërkon Pavli në lutjet e tij për kolosianët? (b) Çfarë thotë Pavli për pozitën dhe shërbimin e Jezuit në lidhje me kongregacionin?

6 Kini besim te Krishti, kreu i kongregacionit (1:1–2:12). Pas përshëndetjeve të para nga Timoteu dhe nga ai vetë, Pavli thotë se është mirënjohës për besimin e kolosianëve te Krishti dhe për dashurinë e tyre. Ata kanë mësuar për dashamirësinë e pamerituar të Perëndisë falë predikimit të lajmit të mirë mes tyre nga Epafrai. Që kur dëgjoi të rejat lidhur me ta, Pavli nuk i ka ndalur lutjet, që ata të jenë plot me ‘njohuri të saktë të vullnetit të tij me çdo mençuri dhe kuptueshmëri frymore, që të ecin denjësisht për Jehovain’ dhe ‘të qëndrojnë plotësisht e të jenë shpirtgjerë me gëzim’. (1:9-11) Ati i ka çliruar dhe i ka çuar në «mbretërinë e Birit të dashurisë së tij», i cili është shëmbëlltyra e Perëndisë së padukshëm, me anë të të cilit dhe për të cilin u krijua gjithçka. Ai është Kreu i kongregacionit dhe i parëlinduri, që u ngrit i pari nga të vdekurit. Perëndia e pa të udhës që, nëpërmjet gjakut të Jezuit, të pajtonte përsëri me veten të gjitha gjërat e tjera, po edhe kolosianët që dikur ishin të ndarë nga Perëndia, ‘por me kusht që të vazhdojnë në besim’.​—1:13, 23.

7. Ç’predikon Pavli dhe për ç’qëllim?

7 Pavli gëzon që po heq vuajtje si pjesë e trupit të Krishtit në dobi të kongregacionit, për të cilin ai vetë u bë shërbëtor. Kjo ndodhi që ai ta predikojë plotësisht në dobi të tyre fjalën e Perëndisë për ‘sekretin e shenjtë, pasurinë e lavdishme që Perëndisë i pëlqeu t’ua bënte të njohur të shenjtëve të tij’. ‘Krishtin po shpallim,—thotë Pavli,—duke këshilluar dhe mësuar me plot mençuri, që ta paraqitim secilin të plotë në unitet me Krishtin.’​—1:26-28.

8. Pse lufton Pavli për vëllezërit e tij?

8 Pavli lufton për kolosianët, për laodiceasit dhe për të tjerë që të ngushëllohen e të jenë të bashkuar në dashuri me synimin që të fitojnë ‘njohurinë e saktë të sekretit të shenjtë të Perëndisë, domethënë, Krishtit, ku janë fshehur me kujdes të gjitha thesaret e mençurisë e të njohurisë’. Ai nuk do që t’i shohë të çoroditur nga argumente mbushamendëse, përkundrazi, duhet të ecin në unitet me Krishtin, ‘të rrënjosen, të ndërtohen në të e të bëhen të qëndrueshëm në besim’. Më pas, Pavli i paralajmëron: «Ruhuni që të mos ju bëjë ndokush prenë e vet nëpërmjet filozofisë dhe mashtrimeve boshe, sipas traditës së njerëzve.»​—2:2, 3, 7, 8.

9. Nga cili lloj adhurimi u thotë Pavli të ruhen dhe pse kolosianët nuk duhet t’i nënshtrohen Ligjit?

9 Të vdekur për sa u përket veprave të mishit, por të gjallë për sa i përket Krishtit (2:13–3:17). Edhe pse ishin të vdekur në shkeljet dhe në parrethprerjen e tyre, Perëndia u dha jetë bashkë me Krishtin, duke e fshirë dokumentin e Ligjit të shkruar me dorë, që ishte kundër judenjve. ‘Prandaj, askush të mos i gjykojë’ në lidhje me Ligjin ose me zbatimin e rregullave të tij, të cilat janë veç një hije e realitetit, Krishtit. Nëse kanë vdekur bashkë me Krishtin në lidhje me gjërat elementare të botës, pse atëherë u nënshtrohen dekreteve: «Mos merr, mos shijo, mos prek», që janë urdhërime dhe mësime njerëzish? Një formë adhurimi e vetimponuar për t’u dukur, përulësia e shtirur dhe trajtimi i ashpër i trupit nuk kanë kurrfarë vlere në luftën kundër dëshirave të mishit.​—2:16, 21.

10. Si mund të vazhdojë dikush të kërkojë gjërat në qiell dhe të vishet me personalitetin e ri?

10 Përkundrazi, Pavli këshillon: «Vazhdoni të kërkoni gjërat në qiell, ku Krishti është ulur në të djathtën e Perëndisë. Mbajeni mendjen të ngulitur te gjërat në qiell, jo te gjërat në tokë.» Kjo mund të arrihet duke zhveshur personalitetin e vjetër e duke veshur personalitetin e ri i cili, falë njohurisë së saktë, nuk bën asnjë dallim mes judeut dhe grekut, pasi «Krishti është gjithçka dhe në të gjithë». Kjo nënkupton që «si të zgjedhur të Perëndisë», ata duhet të vishen me dhembshuri të butë, mirëdashje, përulësi mendjeje, butësi dhe shpirtgjerësi. Apostulli thotë: «Ashtu si Jehovai ju fali bujarisht, po kështu bëni edhe ju. Por, përveç të gjitha këtyre gjërave, vishuni me dashuri, pasi ajo është një lidhje e përsosur bashkimi.» Çfarëdo që të bëjnë, në fjalë a në vepra, duhet ta bëjnë «në emër të Zotërisë Jezu, duke falënderuar . . . Perëndinë, Atin, nëpërmjet tij».​—3:1, 2, 11-14, 17.

11. (a) Ç’këshilla jepen për familjen dhe marrëdhëniet e tjera? (b) Ç’përshëndetje jepen në fund të letrës?

11 Marrëdhënia me të tjerët (3:18–4:18). Në marrëdhëniet familjare, gratë të jenë të nënshtruara ndaj burrave dhe burrat t’i duan gratë; fëmijët t’u binden prindërve dhe etërit të mos i pezmatojnë fëmijët. Skllevërit duhet t’u binden zotërinjve të tyre, duke pasur frikë nga Jehovai, dhe zotërinjtë duhet të sillen në mënyrë të drejtë me skllevërit e tyre. Të gjithë të ngulmojnë në lutje dhe të vazhdojnë të veprojnë me mençuri ndaj atyre që janë jashtë. Tikiku dhe Onesimi do t’u tregojnë gjithçka në lidhje me Pavlin dhe bashkëpunëtorët e tij për Mbretërinë e Perëndisë. Ata dërgojnë të fala në Kolose dhe Pavli u dërgon të fala edhe vëllezërve në Laodice, duke u kërkuar që t’i këmbejnë letrat që po u dërgon. Pavli e mbyll letrën duke u shkruar me dorën e vet një përshëndetje të fundit: «Vazhdoni të mbani mend vargonjtë e mi. Dashamirësia e pamerituar qoftë me ju!»​—4:18.

PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?

12. Ç’të vërteta freskuese u dha letra e Pavlit kolosianëve dhe ç’dobi nxori kongregacioni?

12 Mund ta marrim me mend se sa shpejt u përhap te vëllezërit në Kolose lajmi i mbërritjes së dy vëllezërve nga Roma. Duhet të jenë mbledhur ndoshta në shtëpinë e Filemonit, duke pritur me padurim të dëgjonin ç’u kish shkruar Pavli. (Fil. 2) Ajo u dha të vërteta freskuese në lidhje me pozitën e Krishtit të përcaktuar me saktësi dhe nevojën për njohuri të saktë. Në mënyrë të qartë u tregonte vendin filozofive të njerëzve dhe traditave judaike, e lartësonte paqen dhe fjalën e Krishtit. Ishte si një ushqim për mendjen dhe zemrën e të gjithëve në kongregacion: mbikëqyrësve, burrave, grave, etërve, fëmijëve, zotërinjve dhe skllevërve. Pa dyshim, kishte këshilla të mira për Filemonin dhe Onesimin për të rivendosur marrëdhënien e tyre si zotëri dhe skllav. Mbikëqyrësve u jepte udhëzime të shkëlqyera se si ta rikthenin kopenë te doktrina e drejtë. Veç kësaj, fjalët e Pavlit forcuan çmueshmërinë e kolosianëve për privilegjin që kishin për të punuar me gjithë shpirt si për Jehovain. Gjithashtu, këshillat ndërtuese drejtuar kolosianëve për t’u çliruar nga mendimet dhe praktikat robëruese të botës, vazhdojnë të jenë një mesazh i gjallë edhe për kongregacionin e ditëve tona.​—Kolos. 1:9-11, 17, 18; 2:8; 3:15, 16, 18-25; 4:1.

13. Ç’këshillon Pavli për fjalët e thëna me hir, për lutjen dhe për shoqërinë e krishterë?

13 Kolosianëve 4:6 përmban një këshillë të shkëlqyer për shërbëtorët e krishterë: «Fjala juaj të jetë gjithnjë me hir dhe e ndrequr me kripë, që të dini se si t’i përgjigjeni gjithsecilit.» Fjalët e së vërtetës të thëna me hir u hapin oreksin njerëzve të sinqertë dhe u sjellin dobi të qëndrueshme. Gjithashtu, nëse një i krishterë qëndron zgjuar në lidhje me lutjet që burojnë nga një zemër plot mirënjohje, do të marrë bekime të pasura nga Jehovai: «Ngulmoni në lutje dhe rrini zgjuar në lidhje me to duke falënderuar.» Ç’gëzim dhe freskim ndërtues na sjell shoqëria e krishterë! ‘Vazhdoni të mësoni e të këshilloni njëri-tjetrin,—thotë Pavli,—dhe këndoni për Jehovain në zemrat tuaja.’ (4:2; 3:16) Duke shqyrtuar letrën drejtuar Kolosianëve gjejmë edhe shumë xhevahire të tjera në formën e udhëzimeve të shëndetshme e praktike.

14. (a) Cili realitet del në pah në letrën drejtuar Kolosianëve? (b) Si theksohet shpresa e Mbretërisë?

14 Për zbatimin e rregullave të Ligjit, letra thotë: «Këto gjëra janë një hije e gjërave që do të vijnë, kurse realiteti i përket Krishtit.» (2:17) Letra drejtuar Kolosianëve e vë theksin te ky realitet i Krishtit. Ajo përmend shpesh shpresën e lavdishme që ruhet në qiej për ata që janë në unitet me Krishtin. (1:5, 27; 3:4) Këta mund të jenë shumë mirënjohës që Ati i ka çliruar tashmë nga pushteti i errësirës dhe i ka çuar «në mbretërinë e Birit të dashurisë së tij». Në këtë mënyrë ata i janë nënshtruar Atij që është «shëmbëlltyra e Perëndisë së padukshëm, i parëlinduri i gjithë krijimit. Sepse, me anë të tij u krijua gjithçka tjetër në qiej dhe në tokë, gjërat e dukshme dhe të padukshme, qofshin frone, pushtete sunduese, qeveri ose autoritete». Ai është më se i denjë të qeverisë me drejtësi në Mbretërinë e Perëndisë. Prandaj, Pavli i këshillon të krishterët e mirosur: «Mirëpo, nëse u ngritët bashkë me Krishtin, vazhdoni të kërkoni gjërat në qiell, ku Krishti është ulur në të djathtën e Perëndisë.»​—1:12-16; 3:1.

[Shënimi]

a The New Westminster Dictionary of the Bible, 1970, faqja 181.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo