Dita që ‘djeg si një furrë’
«Ja, dita po vjen, e zjarrtë si një furrë.»—MALAKIA 4:1.
1. Çfarë pyetjesh lindin në lidhje me Malakinë 4:1?
GJATË këtyre ditëve të fundit, të lumtur janë ata emrin e të cilëve Jehovai ka zgjedhur për ta shkruar në librin e tij të kujtimit. Por, çfarë mund të themi për ata që nuk arrijnë të kualifikohen për atë privilegj? Qofshin ata sundimtarë apo vetëm njerëz të thjeshtë, si do t’ia bëjnë nëse i trajtojnë me përbuzje lajmëtarët e Mbretërisë së Perëndisë dhe mesazhin e tyre? Malakia flet për ditën e larjes së hesapeve. Në vargun 1 të kapitullit 4 lexojmë: «‘Sepse ja, dita po vjen, e zjarrtë si një furrë; dhe të gjithë ata që veprojnë me pabesi do të jenë si kallamishtet; dita që po vjen do t’i djegë,—thotë Zoti i ushtrive,—në mënyrë të tillë që të mos u mbetet as rrënja as dega.’»
2. Çfarë përshkrimi grafik i gjykimit të Jehovait jepet nga Ezekieli?
2 Edhe profetë të tjerë e krahasojnë gjykimin e Jehovait kundër kombeve me zjarrin përvëlues. Sa me vend ia zbaton Ezekieli 22:19-22 gjykimin e Perëndisë sekteve të të ashtuquajturit krishterim apostat! Thotë: «Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: ‘Duke qenë se të gjithë ju jeni bërë skorje të shumta, ja unë do t’ju mbledh . . . Ashtu si mblidhet argjëndi, bronzi, hekuri, plumbi dhe kallaji në mes të furrës dhe mbi ta i fryjnë zjarrit për t’i shkrirë, kështu në zemërimin tim dhe në tërbimin tim do t’ju mbledh, do t’ju fus atje dhe do t’ju shkrij. Do t’ju mbledh dhe do të fryj mbi ju me zjarrin e zemërimit tim dhe ju do të shkriheni në mes të tij.’»
3, 4. (a) Çfarë pohimi hipokrit ka bërë kleri? (b) Cili është reputacioni i ndyrë i fesë?
3 Vërtet një ilustrim i fuqishëm! Kleri që ka gjetur pretekste për të mos e përdorur emrin e Jehovait, deri aty sa e ka blasfemuar atë emër të shenjtë, duhet të përballojë atë ditë të larjes së hesapeve. Me vetëbesim, ata pohojnë se ata dhe aleatët e tyre politikë do të vendosin Mbretërinë e Perëndisë mbi tokë, ose të paktën do ta bëjnë tokën një vend të përshtatshëm për Mbretërinë.
4 I ashtuquajturi krishterim apostat është bashkuar me sundimtarët politikë në luftrat e tmerrshme. Historia tregon për kryqëzatat e mesjetës, për kthimet me detyrim nga Inkuizicioni spanjoll, për Luftën Tridhjetë Vjeçare që shkatërroi Evropën në shekullin e 17-të dhe për Luftën Civile në Spanjë në vitet ’30, për të siguruar pozitën e kishës katolike në Spanjë. Gjakderdhja më e madhe ndodhi në dy luftërat botërore të shekullit tonë, kur katolikët e protestantët u angazhuan në një vrasje pa dallim të bashkëbesimtarëve dhe të personave të feve të tjera. Kohët e fundit, ka pasur beteja gjakatare mes katolikëve dhe protestantëve në Irlandë, mes fraksioneve fetare në Indi dhe mes grupeve fetare në ish-Jugosllavi. Faqet e historisë fetare janë gjakosur nga martirizimi i mijëra dëshmitarëve besnikë të Jehovait.—Zbulesa 6:9, 10.
5. Cili gjykim e pret fenë e rreme?
5 Nuk mund të mos e çmojmë drejtësinë e ekzekutimit të afërt të Babilonisë së Madhe, perandorisë botërore të fesë së rreme bashkë me përkrahësit e saj nga ana e Jehovait. Ky ekzekutim përshkruhet në Zbulesën 18:21, 24: «Dhe një engjëll i fuqishëm ngriti një gur të madh me përmasat sa një mokër dhe e hodhi në det, duke thënë: ‘Me të njëjtin vrull do të hidhet Babilonia, qyteti i madh, dhe nuk do të gjendet më; Sepse në të u gjet gjak profetësh dhe shenjtorësh, dhe i gjithë atyre që janë vrarë mbi dhè.’»
6. (a) Kush do të bëhet si kallamishtet dhe përse? (b) Çfarë sigurie ka për ata që i frikësohen Jehovait?
6 Me kohë, të gjithë armiqtë e drejtësisë dhe ata që i mbështesin duhen të ‘jenë si kallamishtet’. Dita e Jehovait do të djegë mes tyre si një furrë. Nuk do të «mbetet as rrënja as dega». Në ditën e shlyerjes së hesapeve, të rinjtë, apo degët, do të trajtohen sipas vlerësimit të Jehovait për rrënjët, prindërit e tyre që janë kujdesur për këta fëmijë. Prindërit e ligj nuk do të kenë pasardhës për të përjetësuar rrugët e tyre të liga. Ndërsa ata që ushtrojnë besim në premtimet e Mbretërisë së Perëndisë nuk do të lëkunden. Prandaj Hebrenjve 12:28, 29 paralajmëron: «Le të vazhdojmë të kemi dashamirësi të pamerituar përmes së cilës mund t’i japim shërbim të shenjtë Perëndisë në mënyrë të pranueshme me frikë dhe nderim hyjnor. Sepse Perëndia ynë është edhe një zjarr që të konsumon.»—BR.
A është Jehovai një Perëndi mizor?
7. Si hyn dashuria e Jehovait në gjykimin e tij?
7 A do të thotë kjo se Jehovai është një Perëndi mizor e hakmarrës? Aspak! Në 1. Gjonit 4:8, apostulli deklaron një të vërtetë themelore, «Perëndia është dashuri». Më pas, në 1Gjo 4 vargun 16 ai e thekson më shumë, duke thënë: «Perëndia është dashuri; dhe ai që qëndron në dashuri qëndron në Perëndinë dhe Perëndia në të.» Për shkak të dashurisë së tij për njerëzimin, Jehovai ka për qëllim të pastrojë tokën nga të gjitha ligësitë. Perëndia ynë i dashur dhe i mëshirshëm thotë: «Ashtu siç është e vërtetë që unë rroj, . . . unë nuk kënaqem me vdekjen e të pabesit, por që i pabesi të ndryshojë rrugën e tij dhe të jetojë; konvertohuni, konvertohuni, nga rrugët tuaja të këqija. Pse vallë duhet të vdisni?»—Ezekieli 33:11.
8. Si e theksoi Gjoni dashurinë, megjithëse e tregoi veten si Bir i Bubullimës?
8 Gjoni përmend a·gaʹpen, dashurinë e bazuar në parimet më shumë se tre shkrimtarët e tjerë të ungjijve së bashku, por në Markun 3:17, vetë Gjoni përshkruhet si ‘Biri i Bubullimës’. Përmes frymëzimit të Jehovait ky Bir i Bubullimës shkroi lajmin apokaliptik të librit të fundit të Biblës, Zbulesës, që e portretizon Jehovain si Perëndinë që ekzekuton drejtësi. Ky libër është plot me shprehje gjykuese, si ‘voza e madhe e zemërimit të Perëndisë’, ‘kupat e zemërimit të Perëndisë’ dhe ‘zemërimi i Perëndisë së plotfuqishëm’.—Zbulesa 14:19; 16:1; 19:15.
9. Çfarë tha Jezui lidhur me gjykimet e Jehovait dhe si u plotësuan profecitë e tij?
9 Zotëria ynë Jezu Krisht, i cili është «shëmbëllesa e Perëndisë së padukshëm» shpalli me guxim gjykimet e Jehovait kur ishte këtu në tokë. (Kolosianëve 1:15) Për shembull, në kapitullin e 23-të të Mateut janë shtatë shprehjet e mjerimit që ai i shpalli drejtpërdrejtë kundër hipokritëve fetarë të ditëve të veta. Ai e përfundoi atë gjykim dënues me këto fjalë: «Jeruzalem, Jeruzalem, që i vret profetët dhe i vret me gurë ata që të janë dërguar! Sa herë kam dashur t’i mbledh bijtë e tu ashtu si i mbledh klloçka zogjtë e vet nën krahë, por ju nuk deshët! Ja, shtëpia juaj po ju lihet e shkretë.» Tridhjetë e shtatë vjet më pas, u ekzekutua gjykimi nga ushtria romake nën drejtimin e gjeneral Titit. Ishte një ditë e frikshme që profetizonte se cila do të ishte dita më e frikshme në të gjithë përvojën e njerëzimit: dita e Jehovait, që së shpejti do të vijë.
«Dielli» shkëlqen
10. Si i sjell gëzim «dielli i drejtësisë» popullit të Perëndisë?
10 Jehovai tregon se do të ketë nga ata që do të mbijetojnë atë ditë. E thotë këtë tek Malakia 4:2, me këto fjalë: «Por për ju që keni frikë nga emri im, do të lindë dielli i drejtësisë me shërimin në krahët e tij, dhe ju do të dilni dhe do të hidheni si viçat që dalin nga stalla.» Dielli i drejtësisë nuk është asgjë tjetër përveç Jezu Krishtit vetë. Ai është «drita [frymore] e botës». (Gjoni 8:12) Si shkëlqen ai? Ai vjen me shërimin në krahët e tij: së pari shërim frymor të cilin mund ta përjetojmë sot dhe më pas në botën e re që po vjen shërim fizik për njerëzit e të gjitha kombeve. (Mateu 4:23; Zbulesa 22:1, 2) Sipas Malakisë në mënyrë figurative, të shëruarit do të ‘hidhen si viçat’ që sapo dalin nga stalla. Gjithashtu, çfarë gëzimi do të përjetojnë të ringjallurit që ngrihen në perspektivën për të fituar përsosmërinë njerëzore!
11, 12. (a) Ç’i pret të ligjtë? (b) Në ç’mënyrë populli i Perëndisë ‘i shkel me këmbë të pabesët’?
11 Por, ç’mund të thuhet për të ligjtë? Në Malakia 4:3 lexojmë: «‘Do t’i shkelni me këmbë të pabesët sepse do të jenë hi nën tabanin e këmbëve tuaja gjatë ditës që unë po përgatis’,—thotë Zoti i ushtrive.» Ndërsa mbron ata që e duan, Perëndia ynë Luftëtar do të ketë pastruar tokën nga ata armiq tiranikë, duke i shfarosur ata. Satanai dhe demonët e tij do të mbahen të kufizuar.—Psalmi 145:20; Zbulesa 20:1-3.
12 Populli i Perëndisë nuk merr pjesë në shkatërrimin e të ligjve. Si, ‘do të shkatërrohen të ligjtë’ atëherë? Kjo bëhet në mënyrë figurative duke marrë pjesë në një kremtim të madh fitimtar. Të Dalët 15:1-21 e përshkruan një kremtim të tillë. Ai erdhi pas shkatërrimit të Faraonit dhe karvanit të tij në Detin e Kuq. Në përmbushje të Isaisë 25:3-9, shfarosjea e ‘tiranëve’, do të pasohet nga banketi fitimtar lidhur me premtimin e Perëndisë: «Do të shkatërrojë përgjithnjë vdekjen; Zoti, Zoti do t’i thajë lotët nga çdo fytyrë, do të heqë nga tërë dheu turpin e popullit të tij, sepse Zoti ka folur. Atë ditë do të thuhet: ‘Ja, ky është Perëndia ynë . . . Ky është Zoti [Jehovai, BR] tek i cili kemi shpresuar; të ngazëllojmë dhe të gëzohemi në shpëtimin e tij!’» Në këtë gëzim, nuk ka hakmarrje apo mburrje, por një hare tek shohin emrin e Jehovait të shenjterohet dhe tokën të pastrohet për t’u banuar në paqe nga njerëzimi i bashkuar.
Një program madhështor arsimimi
13. Çfarë arsimimi do të ketë në «tokën e re»?
13 Tek Malakia 4:4, hebrenjtë u këshilluan të ‘mbanin mend ligjin e Moisiut.’ Prandaj sot, duhet të ndjekim «ligjin e Krishtit», siç përmendet në Galatasve 6:2. Të mbijetuarit e Harmagedonit pa dyshim që do të marrin udhëzimet e mëtejshme të bazuara mbi këtë ligj dhe fare mirë mund të shkruhen në «rrotullat» e Zbulesës 20:12 që do të hapen në kohën e ringjalljes. Ç’ditë madhështore do të jetë kur të vdekurit e ringjallur të arsimohen për të ndjekur mënyrën e jetesës së «tokës së re»!—Zbulesa 21:1.
14, 15. (a) Si përcaktohet Elija i ditëve moderne? (b) Çfarë përgjegjësie përmbush klasa e Elisë?
14 Ajo do të jetë një shtrirje e veprës së arsimimit për të cilën flet Jehovai, siç regjistrohet tek Malakia 4:5: «Ja, unë do t’ju dërgoj Elian, profetin, para se të vijë dita e madhe dhe e llahtarshme e Zotit.» Kush është Elia i ditëve moderne? Siç tregohet në Mateun 16:27, 28 kur i referohet «ardhjes [së tij] në mbretëri», Jezui tha: «Sepse Biri i njeriut do të vijë në lavdinë e Atit të vet bashkë me engjëjt e tij; dhe atëherë ai do të shpërblejë secilin sipas veprës së tij.» Gjashtë ditë më pas, kur ishte në një mal me Pjetrin, Jakovin dhe Gjonin, ai ‘u shpërfytyrua përpara tyre: fytyra e tij shkëlqeu si dielli dhe rrobat e tij u bënë të bardha si drita’. A ishte i vetëm në këtë vizion? Jo, sepse «iu shfaqën atyre Moisiu dhe Elia, të cilët bisedonin me të».—Mateu 17:2, 3.
15 Çfarë mund të nënkuptonte kjo? Ajo tregoi për Jezuin për të cilin ishte profetizuar të ishte Moisiu më i Madh në kohën e ardhjes së tij për gjykimin. (Ligji i Përtërirë 18:18, 19; Veprat 3:19-23) Ai do të shoqërohej me Elian e ditëve moderne për të kryer një vepër jetësore, atë të predikimit të lajmit të mirë të mbretërisë në të gjithë tokën para së të vijë dita e madhe dhe e frikshme e Jehovait. Duke përshkruar veprën e këtij «Elije» Malakia 4:6 thotë: «Ai do të bëjë që zemra e etërve t’u kthehet bijve dhe zemra e bijve etërve me qëllim që vendi të mos goditet nga një shfarosje e plotë.» Pra, «Elia» identifikohet si klasa e të mirosurit në tokë, skllavi besnik e i matur, të cilit Zotëria, Jezui, i besoi të gjitha zotërimet e Tij. Kjo përfshin dhënien ndaj shtëpiakëve të besimit ushqimin e nevojshëm frymor ‘në kohën e duhur’.—Mateu 24:45, 46.
16. Çfarë rezultatesh të gëzuara janë marrë nga vepra e klasës së Elisë?
16 Në mbarë botën sot mund të shohim rezultatet e gëzuara të këtij programi të ushqyeri. Revista Kulla e Rojës çdo numër i së cilës botohet në 16.100.000 kopje në 120 gjuhë, ku 97 prej të cilave botohen njëkohësisht, po mbush tokën me «lajmin e mirë të mbretërisë». (Mateu 24:14, BR) Botime të tjera në shumë gjuhë përdoren në aspekte të ndryshme të predikimit dhe të veprës mësimore të Dëshmitarëve të Jehovait. Klasa e Elisë, skllavi besnik e i matur, është i vëmendshëm për të siguruar me ushqim të bollshëm «ata që janë të vetëdijshëm për nevojën e tyre frymore». (Mateu 5:3, BR) Për më tepër ata që pranojnë këtë shpresë të Mbretërisë dhe veprojnë sipas saj, formojnë një bashkim të mrekullueshëm në të gjithë botën. Ai përfshin shumicën e madhe «prej të gjitha kombeve, fiseve, popujve dhe gjuhëve». (Zbulesa 7:9) Kur kjo vepër të plotësohet në masën që Jehovai kërkon, atëherë do të vijë fundi në ditën e madhe dhe të frikshme të tij.
17. Kur do të vijë dita e frikshme e Jehovait?
17 Kur do të vijë kjo ditë e frikshme? Apostulli Pavël përgjigjet: «Dita e Zotit do të vijë, si një vjedhës natën. Sepse, kur thonë [ndoshta në mënyrë të habitshme]: ‘Paqe dhe siguri’, atëherë një shkatërrim i papritur do të bjerë mbi ta, ashtu si dhembjet e lindjes të gruas shtatzënë dhe nuk do të shpëtojnë.»—1. Selanikasve 5:2, 3.
18, 19. (a) Si shpallet «paqja dhe siguria»? (b) Kur do të gjejë ngushëllim populli i Jehovait?
18 Kush janë ata që «thonë» në këtë profeci? Janë udhëheqësit politikë që pohojnë se mund të ndërtojnë një rregull të ri me elemente të copëzuara të kësaj bote të dhunshme. Projekti i tyre madhështor, Lidhja e Kombeve dhe Kombet e Bashkuara nuk kanë arritur ta bëjnë këtë gjë. Siç paratha profeti i Jehovait, që tani shkojnë «duke thënë ‘Paqe, paqe’ kur nuk ka paqe».—Jeremia 6:14; 8:11; 14:13-16.
19 Ndërkohë populli i Jehovait duron presionet dhe persekutimet e kësaj bote të pabesë. Por, së shpejti siç thuhet në 2. Selanikasve 1:7, 8, ata do të gjejnë ngushëllim «kur Zoti Jezu Krisht të shfaqet nga qielli me engjëjt e pushtetit të vet, në një zjarr flakërues, për t’u hakmarrë kundër atyre që nuk njohin Perëndi, dhe të atyre që nuk i binden ungjillit të Zotit tonë Jezu Krisht».
20. (a) Çfarë profetizojnë Sofonia dhe Habakuku lidhur me ditën që «djeg si furrë»? (b) Çfarë këshille dhe inkurajimi japin këto profeci?
20 Sa shpejt do të ndodhë kjo? Shumë prej nesh kanë pritur një kohë të gjatë. Ndërkohë, numri i madh i të butëve që do të mbijetojnë po i përgjigjen thirrjes që gjendet në Sofonia 2:2, 3: «Kërkoni Zotin . . . Kërkoni drejtësinë, kërkoni përulësinë. Ndofta do të jeni të mbrojtur në ditën e zemërimit të Zotit.» Më pas, Sofonia 3:8 përmban paralajmërimin: «’Prandaj më prit,—thotë Zoti,—kur të ngrihem për të bërë plaçkë, sepse unë kam vendosur të mbledh kombet, të bashkoj mbretëritë, për të hedhur mbi ta indinjatën time, gjithë zjarrin e zemërimit tim; po, gjithë dheu do të gllabërohet nga zjarri i xhelozisë sime.’» Fundi është afër! Jehovai e di atë ditë dhe atë orë dhe nuk do ta ndryshojë tabelën e orareve. Le të këmbëngulim me durim. «Sepse vegimi është për një kohë të caktuar, por në fund ai do të flasë dhe nuk do të gënjejë; në se vonon, prite, sepse me siguri do të vijë dhe nuk do të vonojë.» (Habakuku 2:3) Dita e frikshme e Jehovait afrohet gjithjë e më shumë. Mbaj në mend, ajo ditë nuk do të vonojë!
Pyetje për përsëritje
◻ Si do t’ia bëjnë sundimtarët dhe të sunduarit në ditën e frikshme të Jehovait?
◻ Çfarë Perëndie është Jehovai?
◻ Çfarë lloj arsimimi përshkruhet për popullin e Perëndisë?
◻ Si na paralajmërojnë profetët e Perëndisë lidhur me afrimin e fundit?
[Figura në faqen 21]
Gjatë Inkuizicionit spanjoll shumë persona u detyruan të ktheheshin në katolikë
[Burimi]
The Complete Encyclopedia of Illustration,/J. G. Heck