Kapitulli 23
Të mbajmë mirë në mendje ditën e Jehovait
1. (a) Si reagove kur mësove fillimisht se lirimi prej shqetësimeve të këtij sistemi të vjetër ishte afër? (b) Çfarë pyetjesh duhen shqyrtuar seriozisht në lidhje me këtë?
PA DYSHIM, një nga gjërat e para që ke mësuar nga studimi i Biblës, është se lirimi prej shqetësimeve të jetës në sistemin e tanishëm të gjërave është afër. (Luka 21:28) Ke kuptuar se qëllimi i Perëndisë është që e gjithë toka të jetë një parajsë. Krime, luftëra, sëmundje e vdekje nuk do të ketë më, madje edhe të dashurit që na kanë vdekur do të jetojnë përsëri. Sa e ardhme e mrekullueshme! Afrimi i gjithë kësaj del në pah nga fakti se prania e padukshme e Krishtit si Mbret sundues filloi në 1914-ën dhe se që nga ajo kohë jemi në ditët e fundit të kësaj bote të ligë. A ka sjellë ndryshime në jetën tënde kjo njohuri? A tregon me të vërtetë mënyra jote e jetesës bindjen se «dita e Jehovait» është afër?
2. (a) Kur do të vijë «dita e Jehovait»? (b) Në ç’mënyrë ka dalë dobiprurës fakti se Jehovai nuk e ka zbuluar «ditën ose orën»?
2 Shkrimet tregojnë qartë se «brezi» që pa fillimin e pranisë së Krishtit do të shohë edhe «ditën e madhe të Jehovait», në të cilën ai do të kryejë gjykimin kundër të gjithë atyre që praktikojnë padrejtësi. (Mat. 24:34; Sof. 1:14-2:3) Ai «brez» është tashmë i shkuar në moshë. Por Bibla nuk e përcakton ditën e saktë kur Jezu Krishti do të vijë si ekzekutues i dërguar nga Jehovai kundër sistemit tokësor të gjërave të Satanait. «Sa për atë ditë e për atë orë, s’ di askush, as engjëjt në qiell, as Biri, por vetëm Ati»,—tha Jezui. (Marku 13:32, DSF) Kjo ka dalë shumë dobiprurëse. Në ç’mënyrë? Ajo ka ndihmuar për të parë se ç’kanë njerëzit në zemër. Nëse disa nuk e kanë dashur me të vërtetë Jehovain, kanë pasur prirjen për ta shtyrë atë «ditë» në mendjet e tyre dhe për t’iu kthyer qëllimeve nga të cilat zemra e tyre ka qenë e prirë. Jehovai miraton si shërbëtorë të tij vetëm ata që e duan me të vërtetë atë dhe që e tregojnë këtë duke i shërbyer me gjithë shpirt, pavarësisht nga fakti se kur do të vijë fundi i sistemit të lig. Perëndia dhe Biri i tij nuk i miratojnë ata që janë të vakët apo të pavendosur.—Zbul. 3:16; Psal. 37:4; 1. Gjonit 5:3.
3. Çfarë tha Jezui për të na paralajmëruar mbi këtë çështje?
3 Duke paralajmëruar ata që e duan Jehovain, Jezui tha: «Tregoni kujdes, rrini zgjuar dhe lutuni, sepse nuk e dini kur do të jetë ai moment.» (Marku 13:33-37, Dio) Ai na nxit që të ngrënat dhe të pirat, apo «ankthet e jetës» të mos na e tërheqin aq shumë vëmendjen, sa të na humbë nga pamja serioziteti i kohës.—Luka 21:34-36; Mat. 24:37-42.
4. Siç shpjegoi Pjetri, çfarë do të sjellë «dita e Jehovait»?
4 Më vonë, apostulli Pjetër i këshilloi të gjithë ata që kishin besim të vërtetë «të pritnin dhe të mbanin mirë në mendje praninë e ditës së Jehovait, gjatë së cilës qiejt, do të shpërbëhen duke qenë në zjarr dhe elementet mjaft të nxehta, do të shkrihen». Afrimi i «ditës së Jehovait» është një fakt që askush nga ne nuk duhet ta zvogëlojë kurrë. Qiejt e dukshëm që qeverisin dhe shoqëria e ligë njerëzore do të zëvendësohen së shpejti nga «qiej të rinj dhe një tokë e re» të bërë nga Perëndia dhe të gjitha «elementet» që shkojnë bashkë me sistemin e sotëm të lig—qëndrimi i tij i pavarur, mënyra imorale dhe materialiste e të jetuarit—do të marrin fund nga nxehtësia shkatërruese e «ditës së Jehovait». (2. Pjetr. 3:10-13) Duhet të mbetemi zgjuar, të vetëdijshëm se këto ngjarje dërrmuese për botën mund të fillojnë në çdo çast.—Mat. 24:44.
Rrini zgjuar ndaj ngjarjeve që përmbushin shenjën
5. (a) Në çfarë mase u zbatua përgjigjja e Jezuit për pyetjen që gjendet në Mateun 24:3 gjatë fundit të sistemit judaik? (b) Cilat pjesë të përgjigjes së tij e përqendrojnë vëmendjen mbi ngjarjet e ndodhura prej vitit 1914 e këtej?
5 Veçanërisht, duke parë kohën në të cilën jetojmë, duhet të njohim mirë hollësitë e shenjës së përbërë, që identifikon «ditët e fundit» apo «mbarimin e sistemit të gjërave». Për të lexuar saktësisht shenjën, duhet të mbajmë në mendje se kur Jezui iu përgjigj pyetjes së dishepujve të tij, siç tregon Mateu 24:3, disa nga ato që tha ai u aplikuan në fund të sistemit judaik në shekullin e parë, por zbatimi kryesor shkon përtej kësaj kohe. Ajo që përshkroi ai në vargjet 4 deri 22 patën një përmbushje në shkallë të vogël midis viteve 30 dhe 70 të e.s. Por profecia gjeti përmbushjen në pjesën më të madhe të saj, në ditët tona dhe identifikon periudhën që prej 1914-ës, si kohë e «pranisë [së Krishtit] dhe e mbarimit të sistemit të gjërave». (Shiko edhe Markun 13:5-20 dhe Lukën 21:8-24) Mateu 24:23-28 tregon se çfarë do të ndodhte prej vitit 70 të e.s. e këtej, deri në kohën e pranisë së Krishtit. (Shiko edhe Marku 13:21-23) Sa për zhvillimet që përshkruan Mateu 24:29 deri në fund të kapitullit 25, ato tregojnë periudhën që prej 1914-ës.—Shiko edhe Markun 13:24-37 dhe Lukën 21:25-36.
6. (a) Përse ne personalisht duhet të jemi zgjuar mbi faktin se si e përmbushin ngjarjet e sotme «shenjën»? (b) Përgjigjju pyetjeve në fund të këtij paragrafi për të treguar se si është përmbushur «shenja» prej 1914-ës.
6 Personalisht, ne duhet të vëzhgojmë ngjarjet e tanishme që përmbushin «shenjën». Duke i lidhur këto ngjarje me profecinë e Biblës, do të kemi një ndihmë për të mbajtur «mirë në mendje» ditën e Jehovait. Kjo do të na ndihmojë, gjithashtu, të jemi bindës kur paralajmërojmë të tjerët se ‘dita e hakmarrjes së Perëndisë tonë’ është afër. (Isaia 61:1, 3, Dio) Me këto objektiva në mendje, le të rishikojmë aspektet vijuese të «shenjës».
Në çfarë mënyre të jashtëzakonshme është përmbushur ngritja e parashikuar e «komb kundër kombi dhe mbretëri kundër mbretërie», duke filluar nga viti 1914 i e.s.? Çfarë ka ndodhur edhe në këto muajt e fundit në plotësim të përmbushjes?
Deri në ç’masë e ka prekur mungesa e ushqimeve tokën, me gjithë arritjet shkencore të shekullit të 20-të?
A ka pasur me të vërtetë ndryshime në intensitetin e tërmeteve nga njëri vend në tjetrin që prej 1914-ës?
Në vitin 1918, cila murtajë mori më shumë jetëra se lufta botërore? Pavarësisht nga njohuritë mjekësore, cilat sëmundje janë ende me përmasa epidemike?
Çfarë të bind se kushtet që përshkruhen në 2. Timoteut 3:1-5 nuk përbëjnë thjesht po atë mënyrë jetese që ka qenë gjithmonë, por se ato janë duke u shtuar në një shkallë tronditëse, ndërsa i afrohemi përfundimit të ditëve të fundit?
Ndarja e njerëzve
7. (a) Cilën ngjarje tjetër, të përshkruar në Mateun 13:36-43, i shtoi Jezui mbarimit të sistemit të gjërave? (b) Ç’domethënie ka ai ilustrim?
7 Ka edhe ngjarje të tjera domethënëse që Jezui në mënyrë të dukshme i lidhi me mbarimin e sistemit të gjërave. Një nga këto është ndarja e «bijve të mbretërisë» nga «bijtë e të ligut». Jezui foli për këtë në shëmbëlltyrën e tij mbi fushën me grurë që një armik e mbolli me egjra. Në ilustrimin e tij, «gruri» përfaqëson të krishterët e vërtetë të mirosur. «Egjra» janë të krishterët e rremë. Në mbarim të sistemit të gjërave, «egjrat»—ata që pohojnë se janë të krishterë, por që kanë provuar se janë «bij të të ligut», duke u lidhur me botën që sundohet nga Djalli—ndahen nga «bijtë e mbretërisë [së Perëndisë]» dhe përfundojnë në shkatërrim. (Mat. 13:36-43) A ka ndodhur në fakt kjo?
8. (a) Pas Luftës I Botërore, cila ndarje e madhe ndodhi për të gjithë ata që pohonin se ishin të krishterë? (b) Në ç’mënyrë të krishterët e vërtetë të mirosur treguan se ishin vërtet «bij të mbretërisë»?
8 Në fakt, pas Luftës I Botërore u bë një ndarje e madhe në dy klasa e njerëzve që pohonin se ishin të krishterë: (1) kleri i krishterimit dhe ithtarët e tij, të cilët mbështetën fortësisht Lidhjen e Kombeve (sot Kombet e Bashkuara), megjithëse ende mbaheshin fort pas nacionalizmit të tyre. (2) Të krishterët e vërtetë të mirosur, që ishin relativisht pak në atë periudhë të pas luftës, por që mbështetën plotësisht Mbretërinë Mesianike të Perëndisë. Duke mbështetur hapur qeveritë e botës, si mjete për arritjen e paqes dhe sigurisë, klasa e parë e bëri të qartë se nuk ishin të krishterë të vërtetë. (Gjoni 17:16) Përkundrazi, shërbëtorët e Jehovait e identifikuan saktësisht Lidhjen e Kombeve si «gjëja [moderne] e neveritshme që shkakton shkretim», e përmendur në Mateun 24:15. Duke e treguar veten si «bij [të vërtetë] të mbretërisë [së Perëndisë]», ata filluan predikimin e «lajmit të mirë të mbretërisë . . . në të gjithë tokën e banuar». (Mateu 24:14) Me çfarë rezultati?
9. Cili ishte rezultati i parë i aktivitetit të predikimit të Mbretërisë?
9 Së pari, u bë mbledhja e mbetjes së të krishterëve të mirosur me frymë. Edhe pse të shpërndarë nëpër kombe, nën drejtimin e engjëjve ata u sollën në organizatën e bashkuar.
10. (a) Si u bë një ndarje e mëtejshme dhe në harmoni me cilën profeci? (b) Çfarë domethënie ka plotësimi i këtyre profecive?
10 Më pas, siç kishte parathënë, Jezui filloi të ndante popujt e të gjitha kombeve, «ashtu si ndan bariu delet nga cjeptë». Kjo vepër, e drejtuar prej Krishtit nga froni i tij qiellor, vazhdon deri më sot dhe ti personalisht je i prekur prej saj. Pjesa më e madhe e njerëzimit e përbuz Mbretërinë e Perëndisë dhe «bijtë» e tij të mirosur me frymë, prandaj do të dorëzohen në «shkatërrimin e përhershëm», në vdekje. Megjithatë, të tjerëve Zotëria u shtrin ftesën për të trashëguar pjesën tokësore të Mbretërisë së tij, me perspektivë jetën e përhershme. Këta persona ngjashëm deleve u shoqëruan me «bijtë [e mirosur] të mbretërisë», edhe pse këta ishin objekt i një persekutimi të egër. (Mat. 25:31-46) Me besnikëri, ata ndihmuan në përhapjen e lajmit jetësor të Mbretërisë. Një shumicë e madhe që numëron miliona, merr pjesë në këtë vepër. Lajmi i Mbretërisë po dëgjohet deri në skajet e tokës. Çfarë do të thonë këto ngjarje? Se jemi shumë afër përfundimit të «ditëve të fundit» dhe se «dita e Jehovait» është afër.
Çfarë kemi përpara?
11. A duhet kryer ende vepra e predikimit përpara se të vijë «dita e Jehovait»?
11 A ka akoma profeci që duhen plotësuar përpara se të vijë dita e madhe dhe e frikshme e Jehovait? Po! Ndarja e njerëzve sipas çështjes së Mbretërisë nuk ka mbaruar ende. Në disa zona, ku për vite me radhë është ushtruar një kundërshtim i madh, tani ka një korrje të madhe me dishepuj të rinj. Edhe atje ku njerëzit nuk e pranojnë lajmin e mirë, drejtësia dhe mëshira e Jehovait mbështeten nga dëshmia që japim. Pra, le të vazhdojmë veprën! Jezui na siguron se kur ajo të jetë kryer, «do të vijë fundi».—Mateu 24:14.
12. (a) Siç tregon 1. Selanikasve 5:2, 3, cila ngjarje e rëndësishme duhet të ndodhë akoma? (b) Çfarë domethënie do të ketë për ne?
12 Një tjetër profeci biblike me domethënie të madhe parathotë: «Sepse, kur thonë: ‘Paqe dhe siguri’, atëherë një shkatërrim i papritur do të bjerë mbi ta, ashtu si dhembjet e lindjes të gruas shtatzënë dhe nuk do të shpëtojnë.» (1. Sel. 5:2, 3, Dio) Se ç’formë do të marrë shpallja e «paqes dhe sigurisë», mbetet për t’u parë. Por sigurisht që kjo s’do të thotë se krerët botërorë i kanë zgjidhur vërtet problemet e njerëzimit. Ata që e «mbajnë mirë në mendje» ditën e Jehovait nuk do të mashtrohen prej asaj shpalljeje. Ata e dinë se menjëherë pas saj do të vijë «një shkatërrim i papritur».
13. Cilat ngjarje do ta pasojnë menjëherë shpalljen e «paqes dhe sigurisë» dhe në çfarë radhe?
13 Së pari, siç tregojnë Shkrimet, sundimtarët politikë në shkallë globale do të kthehen kundër Babilonisë së Madhe, perandorisë botërore të fesë së rreme dhe do ta asgjësojnë. (Zbul. 17:15, 16) Në fakt, vlen të përmendet se disa qëndrime armiqësore, veçanërisht kundrejt feve të krishterimit, janë manifestuar qysh tani. Qeveritë me një politikë të fortë antifetare tashmë ushtrojnë një ndikim të fuqishëm brenda Kombeve të Bashkuara dhe vetë publiku në disa vende me tradita fetare po e braktis në një numër të madh fenë e të parëve. Ç’do të thotë e gjithë kjo? Se shkretimi i të gjithë fesë së rreme është afër. Pas kësaj, kur kombet me kundërshtim dhe me forca të mëdha të kthehen kundër atyre që mbështetin sovranitetin e Jehovait, tërbimi hyjnor do të bjerë mbi qeveritë politike dhe përkrahësit e tyre, gjë që do të çojë në një shkatërrim të përgjithshëm për të gjithë ata. Kjo do të jetë në fakt «dita e Jehovait», dita kur emri i tij do të lartësohet.—Ezek. 38:18, 22, 23; Zbul. 19:11-20:3.
14. Përse nuk do të ishte e mençur të arsyetonim se dita e Jehovait është akoma larg?
14 Ajo do të vijë pikërisht në kohë, sipas programit të Perëndisë. Nuk do të vonojë. (Abak. 2:3) Mos harro, shkatërrimi i Jeruzalemit në vitin 70 erdhi shpejt, atëherë kur hebrenjtë nuk e prisnin, kur ata mendonin se rreziku kishte kaluar. Ç’të themi për Babiloninë e lashtë? Ajo ishte e fuqishme, e sigurt, e fortifikuar me mure të mëdha. Por u rrëzua brenda një nate. Po kështu do të vijë edhe «shkatërrimi i papritur» mbi sistemin e tanishëm të lig. Kur të ndodhë kjo, le të na gjejë të bashkuar në adhurimin e vërtetë, pasi kemi mbajtur «mirë në mendje» ditën e Jehovait.
Pyetje për përsëritje
● Përse është jetësore që ta mbajmë «mirë në mendje» ditën e Jehovait? Si mund ta bëjmë këtë?
● Si jemi të ndikuar personalisht nga ndarja e njerëzve që po ndodh?
● Çfarë duhet të ndodhë akoma përpara se të fillojë dita e Jehovait? Çfarë duhet të bëjmë, pra, personalisht?