Prindër dhe fëmijë: Vendosni Perëndinë në vend të parë!
«Ki frikë nga Perëndia dhe respekto urdhërimet e tij.»—EKLISIASTIU 12:13.
1. Çfarë frike duhet të kultivojnë prindërit dhe fëmijët dhe çfarë do t’u sjellë ajo atyre?
NJË profeci mbi Jezu Krishtin tha se do të «ketë gëzim prej tij në frikën ndaj Jehovait». (Isaia 11:3, BR) Frika e tij ishte në thelb një nderim dhe adhurim i thellë ndaj Perëndisë, një frikë ndaj mospëlqimit të Perëndisë, sepse ai e donte atë. Prindërit dhe fëmijët duhet të kultivojnë një frikë Perëndie të tillë, ashtu si Krishti, e cila do t’u sjellë atyre gëzim si i solli Jezuit. Ata duhet të vendosin Perëndinë në vend të parë në jetën e tyre duke iu bindur urdhërave të tij. Sipas një shkrimtari biblik, «ky është i tërë detyrimi i njeriut».—Eklisiastiu 12:13, BR.
2. Cili ishte urdhërimi më i rëndësishëm i Ligjit dhe kujt iu dha fillimisht?
2 Urdhërimi më i rëndësishëm i Ligjit, d.m.th., ai që ne duhet të ‘duam Jehovain me gjithë zemrën, shpirtin dhe forcën tonë jetësore’, iu dha së pari prindërve. Kjo tregohet nga fjalët e mëtejshme të Ligjit: «Do t’ua ngulitësh [këto fjalë mbi dashurinë për Jehovain] bijve të tu, do të flasësh për to kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecën rrugës, kur ke rënë në shtrat dhe kur çohesh.» (Ligji i përtërirë 6:4-7; Marku 12:28-30) Prindërit pra, u urdhëruan të vendosnin Perëndinë në vend të parë, duke e dashur atë vetë dhe duke i mësuar fëmijët e tyre për të vepruar njësoj.
Një përgjegjësi e krishterë
3. Si tregoi Jezui rëndësinë e kushtimit të vëmendjes ndaj fëmijëve?
3 Jezui tregoi rëndësinë e kushtimit të vëmendjes madje edhe fëmijëve të vegjël. Në një rast, përpara përfundimit të shërbimit tokësor të Jezuit, njerëzit filluan t’i sillnin fëmijët e tyre tek ai. Me sa duket, duke besuar se Jezui ishte shumë i zënë për t’u bezdisur, dishepujt e tij u përpoqën t’i ndalonin njerëzit. Por Jezui i qortoi dishepujt e tij: «I lini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë dhe mos i pengoni.» Jezui, madje, «i mori në krahë» fëmijët, duke treguar kështu në një mënyrë prekëse rëndësinë e kushtimit të vëmendjes ndaj të rinjve.—Luka 18:15-17; Marku 10:13-16.
4. Kujt iu dha urdhëri për të «bërë dishepuj nga të gjitha kombet dhe popujt» dhe çfarë do t’u kërkojë kjo për të bërë?
4 Jezui gjithashtu, e bëri të qartë që dishepujt e tij kishin përgjegjësinë për të mësuar të tjerët përveç fëmijëve të tyre. Pas vdekjes dhe ringjalljes së tij, Jezui «iu shfaq një herë të vetme më shumë se pesëqind vëllezërve»—duke përfshirë edhe disa prindër. (1. Korintasve 15:6) Me sa duket kjo ndodhi në një mal në Galile, ku ishin mbledhur gjithashtu të 11-të apostujt e tij. Aty Jezui i nxiti të gjithë ata: «Shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë popujt! . . . mësojini të zbatojnë gjithçka që ju kam urdhëruar!» (Mateu 28:16-20, ECM) Asnjë i krishterë nuk mund ta neglizhojë me të drejtë këtë urdhër! Që të zbatojnë këtë urdhër, për baballarët dhe për nënat kërkohet që të kujdesen për fëmijët e tyre si edhe të marrin pjesë në predikimin publik dhe veprën e mësimit.
5. (a) Çfarë tregon që shumica, në mos të gjithë apostujt ishin të martuar dhe mundësisht kishin edhe fëmijë? (b) Çfarë këshille duhet të marrë seriozisht kreu i familjes?
5 Në mënyrë domethënëse, madje edhe apostujt duhej të drejtpeshonin përgjegjësitë e tyre familjare me detyrimin për të predikuar, ashtu si edhe për kullotjen e kopesë së Perëndisë. (Gjoni 21:1-3, 15-17; Veprat 1:8) Kjo ndodhi sepse shumica, në mos të gjithë prej tyre, ishin të martuar. Kështu që apostulli Pavël shpjegoi: «A nuk kemi edhe ne të drejtë të marrim me vete një bashkëshorte, që të jetë motër në besim, sikurse edhe apostujt e tjerë dhe vëllezërit e Zotit edhe Kefa?» (1. Korintasve 9:5; Mateu 8:14) Disa apostuj mund të kenë pasur edhe fëmijë. Historianët e hershëm si Eusebius thonin që Pjetri kishte fëmijë. Të gjithë prindërit e hershëm të krishterë duhej t’i vinin veshin këshillës biblike: «Në qoftë se dikush nuk kujdeset për të vetët dhe më tepër për ata të shtëpisë, ai e ka mohuar besimin dhe është më i keq se një jobesimtar.»—1. Timoteut 5:8.
Përgjegjësia kryesore
6. (a) Çfarë sfide kanë pleqtë e krishterë që kanë familje? (b) Cila është përgjegjësia kryesore e një plaku?
6 Pleqtë e krishterë, të cilët kanë familje sot, janë në një situatë të ngjashme me atë të apostujve. Ata duhet të drejtpeshojnë përgjegjësitë e tyre për t’u kujdesur për nevojat frymore dhe fizike të familjeve të tyre bashkë me detyrimin e tyre për të predikuar në mënyrë publike dhe për kullotjen e kopesë së Perëndisë. Cili aktivitet duhet të ketë prioritet? Kulla e Rojës e 15 marsit 1964, vërente: «Detyrimi i parë [i babait] është ndaj familjes së tij dhe ai në fakt, nuk mund të shërbejë në mënyrë të përshtatshme si plak në kongregacion nëse nuk kujdeset për këtë detyrim.»
7. Si e vendosin baballarët e krishterë Perëndinë në vend të parë?
7 Kështu baballarët duhet të vënë Perëndinë në vend të parë duke treguar vëmendje ndaj urdhrit ‘për të vazhduar t’i sjellin fëmijët e tyre në disiplinën dhe në rregullin mendor të Jehovait’. (Efesianëve 6:4, BR) Kjo përgjegjësi nuk mund t’i dorëzohet dikujt tjetër, madje edhe nëse një baba mund të ketë një caktim për të mbikëqyrur aktivitetet në kongregacionin e krishterë. Si mund të kujdesen për përgjegjësitë e tyre baballarë të tillë—duke siguruar për pjesëtarët e familjes nevojat fizike, frymore dhe emocionale—dhe në të njëjtën kohë, të drejtojnë dhe të mbikëqyrin kongregacionin?
Sigurimi i mbështetjes së nevojshme
8. Si mundet gruaja e një plaku ta përkrahë atë?
8 Në mënyrë të qartë, pleqtë me përgjegjësi familjare mund të nxjerrin dobi nga përkrahja. Kulla e Rojës e cituar më lart shënonte që gruaja e krishterë mund të jetë një mbështetje për burrin e saj. Kulla e Rojës tha: «Ajo [gruaja] mund ta bëjë përkrahjen sa më të përshtatshme që të jetë e mundur, në mënyrë që ai të përgatisë caktimet e ndryshme dhe ta ndihmojë atë të ruajë kohën e çmuar për të dhe për veten, duke pasur një program të mirë në shtëpi, duke përgatitur ushqimin në kohë, duke u bërë gati shpejt për të shkuar në mbledhjet e kongregacionit. . . . Nën drejtimin e burrit të saj, gruaja e krishterë mund të bëjë shumë për të stërvitur fëmijët, në mënyrë që ata të vazhdojnë të lavdërojnë Jehovain.» (Proverbat 22:6) Po, gruaja u krijua për të qenë «një ndihmës» dhe burri i saj do ta mirëpresë me mençuri ndihmën e saj. (Zanafilla 2:18) Mbështetja e saj mund t’i japë mundësinë atij për t’u kujdesur më efektivisht për përgjegjësitë e tij familjare dhe kongregacionale.
9. Kush u inkurajua në kongregacionin e Selanikut të ndihmonte anëtarët e tjerë të kongregacionit?
9 Sidoqoftë, gratë e pleqve të krishterë nuk janë të vetmet të cilat mund të marrin pjesë në aktivitetin që përkrah një mbikëqyrës, i cili duhet të «kullosë kopenë e Perëndisë» dhe të kujdeset për shtëpinë e tij. (1. Pjetrit 5:2) Kush tjetër mund ta bëjë? Apostulli Pavël i nxiti vëllezërit në Selanik për të pasur vlerësim për ata që «i drejtojnë» ata. Megjithatë, duke vazhduar dhe duke iu adresuar të njëjtëve vëllezër—në mënyrë të veçantë atyre që nuk drejtonin—Pavli shkroi: «Ne ju bëjmë thirrje vëllezër, këshilloni të parregulltit, flisni në mënyrë ngushëlluese ndaj shpirtrave të dëshpëruar, përkrahni të dobëtin, jini shpirtmëdhenj ndaj të gjithëve.»—1. Selanikasve 5:12-14, BR.
10. Çfarë efekti të shkëlqyer ka në kongregacion ndihma e dashur e të gjithë vëllezërve?
10 Sa e shkëlqyeshme është kur vëllezërit në një kongregacion kanë dashurinë që i shtyn ata të ngushëllojnë të dëshpëruarin, të përkrahin të dobëtin, të këshillojnë të parregulltin dhe të jenë shpirtmëdhenj ndaj të gjithëve! Vëllezërit në Selanik, të cilët kishin përqafuar pak kohë më parë të vërtetën e Biblës, edhe pse vuanin një mjerim të madh të mundimshëm aplikuan këshillën e Pavlit për të bërë këtë. (Veprat 17:1-9; 1. Selanikasve 1:6; 2:14; 5:11) Mendoni për efektin e shkëlqyer që pati bashkëpunimi i tyre në forcimin dhe bashkimin e tërë kongregacionit! Në mënyrë të ngjashme, kur vëllezërit sot ngushëllojnë, përkrahin dhe këshillojnë njëri-tjetrin, përgjegjësitë e kullotjes së pleqve, të cilët shpesh kanë familje për t’u kujdesur, bëhen më të lehta për t’u kryer.
11. (a) Pse është e arsyeshme të arrijmë në përfundimin se gratë janë përfshirë në termin «vëllezër»? (b) Çfarë ndihme mund të japë një grua e pjekur e krishtere ndaj një gruaje të re sot?
11 A ishin edhe gratë të përfshira midis «vëllezërve» të cilëve iu adresua apostulli Pavël? Po, ishin, meqenëse shumë gra u bënë besimtare. (Veprat 17:1, 4; 1. Pjetrit 2:17; 5:9) Ç’lloj ndihme mund të japin gra të tilla? Mirë pra, në kongregacione kishte gra të reja të cilat kishin një problem në kontrollimin e «impulseve të tyre seksuale» ose që u bënë «shpirtra të dëshpëruar». (1. Timoteut 5:11-13) Disa gra sot kanë probleme të ngjashme. Ajo çka u nevojitet atyre më shumë është një vesh që dëgjon apo një shpatull ku të mbështesin kokën e të qajnë. Shpesh një grua e pjekur e krishterë është personi më i mirë për të dhënë një ndihmë të tillë. Ajo mund të diskutojë, për shembull me një grua tjetër, probleme personale, të cilat një burrë i krishterë mund të mos i trajtojë në mënyrë të përshtatshme. Duke theksuar vlerën e sigurimit të një ndihme të tillë, Pavli shkroi: «Gratë e moshuara . . . mësuese të së mirës, që t’i mësojnë të rejat të duan burrat e tyre, të duan bijtë e tyre, të jenë fjalëpakë, të dëlira, t’i kushtohen punëve të shtëpisë, të mira, të bindura ndaj burrave të tyre, që fjala e Perëndisë të mos blasfemohet.»—Titit 2:3-5.
12. Cili drejtim është jetësor, të cilin të gjithë në kongregacion e ndjekin?
12 Çfarë bekimi që janë motrat e përulura në një kongregacion kur ato së bashku i përkrahin burrat e tyre dhe pleqtë! (1. Timoteut 2:11, 12; Hebrenjve 13:17) Pleqtë me përgjegjësi familjare, në mënyrë të veçantë, përfitojnë kur të gjithë bashkëpunojnë për të ndihmuar njëri-tjetrin në një frymë dashurie dhe kur të gjithë janë të nënshtruar ndaj drejtimit të barinjve të emëruar.—1. Pjetrit 5:1, 2.
Prindër, çfarë vini në vend të parë?
13. Si dështojnë shumë baballarë në familjet e tyre?
13 Vite më parë një prezantues i shquar vërejti: «Unë shoh njerëz të suksesshëm që drejtojnë kompani biznesi prej qindra njerëzish; ata dinë si të trajtojnë çdo situatë, si të disiplinojnë dhe të shpërblejnë në botën e biznesit. Por biznesi më i madh që ata drejtojnë është familja e tyre dhe ata po dështojnë në të.» Pse? A mos vallë sepse ata vënë biznesin dhe interesat e tjera në vend të parë dhe neglizhojnë këshillën e Perëndisë? Fjala e tij thotë: «Këto fjalë që sot po të urdhëroj . . . , do t’ua ngulitësh bijve të tu.» Dhe kjo duhet bërë përditë. Prindërit duhet të japin në mënyrë të pakufizuar kohën e tyre—dhe në mënyrë të veçantë dashurinë dhe interesin e tyre të thellë.—Ligji i përtërirë 6:6-9.
14. (a) Si duhet të kujdesen prindërit për fëmijët e tyre? (b) Çfarë përfshin stërvitja e duhur e fëmijëve?
14 Bibla na kujton që fëmijët janë një trashëgimi nga Jehovai. (Psalmi 127:3) A kujdeseni për fëmijët tuaj si një pronë e Perëndisë, një dhuratë që ai jua ka besuar? Fëmija juaj me siguri do t’ju përgjigjet nëse ju e merrni atë në krahët tuaj, duke i treguar kështu kujdesin dhe vëmendjen tuaj të dashur. (Marku 10:16) Por për t’i ‘mësuar fëmijës rrugën që duhet të ndjekë’ kërkohet më shumë se sa dhënia e përqafimeve dhe e puthjeve. Për të qenë i pajisur me mençurinë për të shmangur grackat e jetës, një fëmijë ka nevojë për disiplinë të dashur gjithashtu. Një prind tregon një dashuri të vërtetë duke ‘korrigjuar me kohë’.—Proverbat 13:1, 24; 22:6.
15. Çfarë gjëje tregon nevojën e disiplinës së prindërve?
15 Nevoja për disiplinën e prindit mund të shihet edhe nga përshkrimi i një këshillueseje shkollore mbi fëmijët që vijnë në zyrën e saj: «Ata janë të mjerë, të dëshpëruar dhe të humbur. Ata tregojnë duke qarë se si janë në të vërtetë gjërat. Shumë—shumë më tepër se sa dikush mund të mendojë—kanë tentuar vetëvrasjen, jo sepse janë aq të lumtur saqë nuk mund të durojnë më; por sepse ata ndihen aq të palumtur, ndihen pa kujdesje dhe të mbistresuar sepse në një moshë kaq të re ata janë ‘të ngarkuar’ dhe kjo është shumë për ta mbajtur.» Ajo shtoi: «Është një diçka e frikshme për një të ri të ndjejë se është i ngarkuar me probleme.» Vërtet, fëmijët mund të mos pranojnë disiplinën, por ata aktualisht i vlerësojnë udhëheqjen dhe kufizimet e prindërve. Ata janë të lumtur që prindërit e tyre kujdesen mjaft për të vendosur kufij për ta. «Kjo më ka hequr një peshë të tmerrshme nga mendja»,—tha një adoleshent, prindërit e të cilit i vunë kufizime.
16. (a) Çfarë u ndodh disa fëmijëve të rritur në shtëpi të krishtere? (b) Pse sjellja kokëfortë e një fëmije nuk nënkupton me çdo kusht se stërvitja e dhënë nga prindërit nuk ka qenë e mirë?
16 Megjithatë, pavarësisht se kanë prindër që i duan dhe të cilët sigurojnë një stërvitje të shkëlqyeshme, disa të rinj, ashtu si biri plëngprishës në shëmbëlltyrën e Jezuit, hedhin poshtë udhëheqjen e prindërve dhe shkojnë në rrugë të shtrembër. (Luka 15:11-16) Kjo në vetvete, sidoqë, mund të mos nënkuptojë që prindërit nuk përmbushin përgjegjësinë e tyre për të stërvitur fëmijën e tyre si duhet, siç urdhëron Proverbat 22:6. Thënia ‘mësoji fëmijës rrugën që duhet të ndjekë dhe ai nuk do të largohet prej saj’ është dhënë si një rregull i përgjithshëm. Trishtueshëm, tamam si plëngprishës, disa fëmijë nuk do të ‘pranojnë me përbuzje t’i binden nënës’.—Proverbat 30:17.
17. Nga çfarë mund të nxjerrin ngushëllim prindërit e fëmijëve kokëfortë?
17 Babai i një djali kokëfortë u ankua: «Unë jam përpjekur e përpjekur për të arritur në zemrën e tij. Nuk di çfarë të bëj pasi kam provuar kaq shumë gjëra. Asgjë nuk dha rezultat.» Me shpresë, fëmijë të tillë kokëfortë, në kohën e duhur, do të kujtojnë stërvitjen e dashur që ata kanë marrë dhe do të kthehen siç bëri plëngprishësi. Megjithatë, mbetet fakt që disa fëmijë që rebelohen dhe bëjnë gjëra imorale u shkaktojnë një plagë të madhe prindërve të tyre. Prindërit mund të nxjerrin ngushëllim nga njohja e asaj që edhe mësuesi më i madh që jetoi mbi tokë pa nxënësin e tij të hershëm Juda Iskariotin ta tradhëtonte. Dhe vetë Jehovai pa dyshim që u trishtua kur shumë nga bijtë e tij frymorë hodhën poshtë këshillën e tij dhe u bënë rebelë pa asnjë faj nga ana e tij.—Luka 22:47, 48; Zbulesa 12:9.
Fëmijë—cilit do t’i pëlqeni?
18. Si mund të tregojnë fëmijët se ata vendosin Perëndinë në vend të parë?
18 Jehovai ju nxit ju të rinj: «Binduni prindërve tuaj në Zotin.» (Efesianëve 6:1) Të rinjtë, duke bërë kështu, vendosin Perëndinë në vend të parë. Mos jini të marrë! «Çdo i marrë nuk respekton disiplinën e babait të tij»,—thotë Fjala e Perëndisë. As nuk duhet të mendoni se në mënyrë arrogante mund të bëni pa disiplinë. Fakt është që, «ka një brez që duket i pastër në sytë e tij dhe megjithatë nuk është larë nga fëlliqësia e tij». (Proverbat 15:5; 30:12, American Standard Version) Kështu pra, vërini veshin drejtimit hyjnor—«dëgjojini», «vlerësojini», «mos i harroni», «kushtojini vëmendje», «vërejini» dhe «mos i braktisni» urdhrat dhe disiplinën e prindërve.—Proverbat 1:8; 2:1; 3:1; 4:1; 6:20.
19. (a) Ç’arsye të fuqishme kanë fëmijët për t’iu bindur Jehovait? (b) Si mund të tregojnë të rinjtë se i janë mirënjohës Perëndisë?
19 Ju keni arsye të fuqishme për t’ju bindur Jehovait. Ai ju do dhe ka dhënë ligjet e tij, duke përfshirë ligjin që fëmijët t’u binden prindërve të tyre, për t’ju mbrojtur dhe për t’ju ndihmuar që të gëzoni një jetë të lumtur. (Isaia 48:17) Ai ka dhënë gjithashtu Birin e tij në vdekje, në mënyrë që ju të mund të shpëtoheni nga mëkati dhe vdekja dhe të gëzoni jetën e përjetshme. (Gjoni 3:16) Jeni mirënjohës? Perëndia po shikon nga qiejtë, duke shqyrtuar zemrën tuaj për të parë nëse ju me të vërtetë e doni atë dhe i vlerësoni masat e tij. (Psalmi 14:2) Satanai gjithashtu po shikon dhe ai është duke tallur Perëndinë, duke pohuar se ju nuk do t’i bindeni Atij. Ju gëzoni Satanain dhe e bëni Jehovain të «ndiejë dhimbje» kur nuk i bindeni Perëndisë. (Psalmi 78:40, 41) Jehovai ju bën thirrje: «Ji i urtë dhe gëzo zemrën time [duke m’u bindur], kështu do të mund t’i përgjigjem atij që përflet kundër meje.» (Proverbat 27:11) Po, çështja është, cilit do t’i pëlqeni Satanait apo Jehovait?
20. Si e ka mbajtur një e re kurajën për t’i shërbyer Jehovait madje edhe kur ishte e frikësuar?
20 Nuk është e lehtë të bësh vullnetin e Perëndisë përballë presioneve që Satanai dhe bota e tij ushtrojnë mbi ju. Mund të jetë e frikshme. Një e re vërente: «Të kesh frikë është njëlloj si të kesh ftohtë. Ju mund të bëni diçka mbi të.» Ajo shpjegoi: «Kur keni të ftohtë, ju vishni një triko. Nëse keni akoma të ftohtë, ju vishni një tjetër. Dhe vazhdoni të vishni diçka derisa ftohtësia largohet dhe ju nuk keni më të ftohtë. Kështu t’i lutesh Jehovait kur je i frikësuar është tamam si të veshësh një triko kur ke të ftohtë. Nëse pas një lutjeje jam akoma e frikësuar, lutem përsëri dhe përsëri akoma dhe akoma, derisa të mos ndihem më e frikësuar. Dhe kjo jep rezultat. Më ka mbajtur larg telasheve!»
21. Si do të na mbështesë Jehovai nëse ne me të vërtetë përpiqemi të vendosim atë në vend të parë në jetën tonë?
21 Nëse ne me të vërtetë përpiqemi të vëmë Perëndinë në vend të parë në jetën tonë, Jehovai do të na dalë krah. Ai do të na forcojë, duke na siguruar ndihmë engjëllore kur është e nevojshme, madje ashtu si bëri për Birin e tij. (Mateu 18:10; Luka 22:43) Kini kurajë të gjithë ju prindër e fëmijë. Kini frikën si të Krishtit dhe ajo do t’ju sjellë gëzim. (Isaia 11:3) Po, «frikësojuni Perëndisë së vërtetë dhe ruani urdhërimet e tij, sepse ky është i gjithë detyrimi i njeriut».—Eklisiastiu 12:13, BR.
A mund të përgjigjesh?
◻ Çfarë përgjegjësish duhej të drejtpeshonin ithtarët e hershëm të Jezuit?
◻ Cilën përgjegjësi duhet të përmbushin prindërit e krishterë?
◻ Çfarë ndihme është në dispozicion të pleqve të krishterë që kanë familje?
◻ Çfarë shërbimi të vlefshëm mund të kryejnë motrat në kongregacion?
◻ Cilës këshillë dhe drejtimi është jetësore që t’i kushtojnë vëmendje fëmijët?
[Figura në faqen 24]
Shpesh, një grua e pjekur e krishterë mund t’i japë ndihmën e nevojshme një gruaje më të re
[Figura në faqen 26]
Ç’ngushëllim mund të nxjerrin nga Shkrimet, prindërit me fëmijë të pabindur?