Çmoni shërbimin tuaj të shenjtë!
PËR TË arritur çdo synim të vlefshëm, duhet të jemi të gatshëm për të paguar një çmim. Për t’u bërë mjek, duhen vite studimi, qëndrueshmërie si edhe para. Një gjimnast i suksesshëm, harxhoi pjesën më të madhe të viteve të rinisë së tij, duke u ushtruar vazhdimisht në kryerjen e ushtrimeve gjithnjë e më të vështira, në kërkimin me këmbëngulje të përsosmërisë. Në mënyrë të ngjashme një pianist i kualifikuar, ka vite të tëra dedikuar praktikimit.
Megjithatë, ekziston një synim, avantazhet e të cilit janë më të mëdha se çdo çmim që duhet paguar. Cili është ky? Është privilegji për të qenë shërbëtor i Më të Lartit, Perëndisë Jehova. Çfarëdo sakrificash që mund të bëjmë në lidhje me kohën, paratë apo energjinë, privilegji i kryerjes së shërbimit të shenjtë ndaj Krijuesit tonë sjell shpërblime të pakrahasueshme. Fjalët e apostullit Pavël janë të vërteta: «Devotshmëria hyjnore është e dobishme për çdo gjë, pasi përmban premtimin për jetën e tanishme dhe atë që do të vijë.» (1. Timoteut 4:8, BR) Le të shohim përse është e vërtetë kjo.
Kur mësojmë për herë të parë për Perëndinë
Shumica, që i përgjigjen në mënyrë të favorshme lajmit të mirë dhe fillojnë të studiojnë Biblën, ndoshta nuk e kuptojnë masën e ndryshimeve që do të sjellë kjo në jetën e tyre. Së pari, studenti i ri i Biblës mund të humbasë disa miq, të cilët nuk mund të kuptojnë se përse ai nuk merr më pjesë me ta në aktivitetet që tani ai e kupton se janë të paaprovueshme nga Perëndia. (1. Pjetrit 4:4) Disa mund të përjetojnë kundërshtim familjar dhe mund të preken kur shohin që të dashurit e tyre tregojnë mospëlqim dhe urrejtje ndaj Jehovait. (Mateu 10:36) Ky mund të jetë një çmim i vështirë për t’u paguar.
Në punë apo në shkollë do të ketë, gjithashtu, një çmim që duhet paguar. Studenti i ri i Biblës me kalimin e kohës nuk do të marrë pjesë në mbrëmjet apo festat e tjera botërore. Ai nuk duhet do të dëgjojë më bisedat e ndyra të shokëve të tij të punës apo të shkollës e as të bëjë shaka të pahijshme me ta. Në vend të kësaj, ai do të përpiqet për të vënë në praktikë, paralajmërimin që gjendet në Efesianëve 5:3, 4: «Por, ashtu si u ka hije shenjtorëve, as kurvëria, as ndonjë papastërti, as kurnacëri të mos zihet në gojë midis jush; as pandershmëri, as të folur pa mend e të përqeshur, të cilat nuk kanë hije, por më tepër të ketë falenderime.»
Ndryshime të tilla mund ta bëjnë studentin e Biblës të duket si i huaj për të tjerët. Kjo mund të jetë e vështirë, veçanërisht për një të ri që akoma shkon në shkollë. Duke u ndeshur me festat njëra pas tjetrës, me mësime që mohojnë ekzistencën e Perëndisë, si ai i evolucionit dhe presionin e vazhdueshëm për t’u bashkuar me shumicën, të rinjve të krishterë u duhet të zhvillojnë një luftë të qëndrueshme për të ruajtur besimin. Ndjekja e rrugëve të Perëndisë, i bën ata të ndryshëm dhe mund të shkaktojë talljen nga shokët e klasës dhe mësuesit. Kjo është veçanërisht e vështirë për t’u pranuar gjatë adoleshencës, pasi janë vitet kur je më i ndjeshëm, por aprovimi i Perëndisë është vlera e këtij çmimi.
A janë me të vërtetë sakrifica?
Të tjera gjëra që në fillim duken sakrifica, tregojnë se janë bekime. Disa duhet të lënë zakonin e duhanit. (2. Korintasve 7:1) Kjo mund të jetë një luftë, por çfarë bekimi kanë kur ky huq i neveritshëm më në fund mposhtet! E njëjta gjë mund të thuhet në lidhje me mposhtjen e prirjeve ndaj narkotikëve të tjerë apo alkoolit. Jeta është shumë më e mirë pa këto zakone shkatërruese. Të tjerë duhet të zgjidhin çështjet e tyre martesore. Ata që bashkëjetojnë me një person pa qenë të martuar, duhet të martohen ose të mos jetojnë më së bashku. (Hebrenjve 13:4) Ata që jetojnë me më shumë se një grua duhet të mbajnë vetëm gruan e rinisë së tyre. (Proverbat 5:18) Rregullime të tilla kërkojnë sakrifica, por sjellin paqe në shtëpi.
Mendo për shpërblimet
Me të vërtetë, kushdo që i bindet ligjeve të Jehovait do të ketë bekime. Për të parën herë në jetën e tij, studenti i Biblës fillon t’i drejtohet Krijuesit të tij me emrin e Tij, Jehova. (Psalmi 83:18) Studenti fillon të ndiejë dashuri për Jehovain, ndërsa mëson për gjërat e mrekullueshme që Ai ka bërë dhe akoma do të bëjë për njerëzimin. Në vendet ku frika ndaj vdekjes është e zakonshme, ai e humbet këtë lloj frike bestytnore duke mësuar se të vdekurit janë në një gjendje gjumi duke pritur ringjalljen. (Eklisiastiu 9:5, 10) Dhe çfarë lehtësimi është që të mësosh se Jehovai nuk i torturon përgjithmonë njerëzit në ferr. Po, me të vërtetë njohja e së vërtetës e liron atë.—Gjoni 8: 32.
Ndërsa studenti ia përshtat jetën e tij gjithnjë e më shumë normave të Jehovait, ai fiton një ndërgjegje të pastër dhe respektin ndaj vetes. Të mësuarit për të jetuar si një i krishterë i vërtetë, e ndihmon atë të kujdeset më mirë për familjen e tij, gjë që sjell kënaqësi dhe gëzim të madh. Gjithashtu, është edhe ndjekja e mbledhjeve në Sallën e Mbretërisë. Çfarë përvoje e këndshme! Këtu gjenden njerëzit që praktikojnë vërtetë dashurinë e ngrohtë që Bibla thotë se do t’i identifikojë ata si popull i Perëndisë. (Psalmi 133:1; Gjoni 13:35) E folura e tyre është e pastër dhe ndërtuese ndërsa flasin për «gjërat e mrekullueshme të Perëndisë». (Veprat 2:11, BR) Po, ardhja në kontakt me «të gjithë shoqërinë e vëllezërve» është një burim lumturie. (1. Pjetrit 2:17, BR) Kjo shoqëri e shkëlqyer e ndihmon studentin e Biblës që «të veshë personalitetin e ri që u krijua në përputhje me vullnetin e Perëndisë në drejtësi dhe besnikëri të vërtetë».—Efesianëve 4:24, BR.
Hapi i dedikimit
Ndërsa një individ përparon në njohuri, së fundi nxitet nga dashuria për Jehovain për t’i dedikuar jetën e tij dhe ta simbolizojë këtë dedikim me pagëzimin në ujë. (Mateu 28:19, 20) Këshilla e Jezuit është që para ndërmarrjes së këtij hapi, dishepujt e tij të bëjnë llogarinë. (Luka 14:28) Mbaj në mend, një i krishterë i dedikuar, vendos në vend të parë vullnetin e Jehovait dhe refuzon gjërat e mishit. Ai punon shumë për të lënë «punët e mishit» dhe për të kultivuar «frytet e frymës». (Galatasve 5:19-24, BR) Këshilla e gjetur në Romakëve 12:2, luan tani një rol të rëndësishëm në jetën e tij: «Mos u konformoni me këtë botë, por transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj, që të provoni cili është i miri, i pëlqyeri dhe i përsosuri vullnet i Perëndisë.» Kështu, një i krishterë i dedikuar e zhvillon jetën e tij me një qëllim të ripërtërirë.
Megjithatë, shqyrto se çfarë fiton ai. Sa për fillim, ai ka tani një marrëdhënie personale me Krijuesin e universit. Është deklaruar i drejtë, për të qenë një mik i Perëndisë! (Jakovi 2:23) Me një kuptim shumë më të thellë, i drejtohet Perëndisë si «Ati ynë në qiej». (Mateu 6:9, BR) Një tjetër bekim për të dedikuarin e ri është të dijë se jeta me të vërtetë ka një qëllim dhe se po jeton në përputhje me atë qëllim. (Eklisiastiu 12:13) Duke ndjekur udhëheqjen e Jezuit, mund të qëndrojë besnikërisht, duke provuar kështu se Djalli është një gënjeshtar. Çfarë gëzimi i sjell kjo zemrës së Jehovait!—Proverbat 27:11.
Natyrisht, ndërsa ngulmon në shtegun e besnikërisë, një i krishterë duhet të bëjë sakrifica të tjera. Duhet kohë për një studim serioz të Fjalës së Perëndisë, në mënyrë personale dhe me kongregacionin. (Psalmi 1:1-3; Hebrenjve 10:25) Koha për shërbimin në fushë duhet të sigurohet nga ajo që përdorim për aktivitetet e tjera. (Efesianëve 5:16) Gjithashtu, kërkohet kohë dhe përpjekje për të ndjekur mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait dhe për të shkuar në asambletë dhe kongreset e tyre. Kontributi financiar për të mbështetur Sallën e Mbretërisë dhe veprën ndërkombëtare të predikimit, mund të kërkojë sakrifica. Megjithatë, fakti që miliona të krishterë dëshmojnë duke marrë pjesë me gjithë zemër në aktivitete të tilla, të sjell lumturi. Jezui tha: «Ka më shumë lumturi të japësh se të marrësh.»—Veprat 20:35.
Shpërblimet që vijnë nga mbështetja e veprës së Jehovait, i kalojnë shumë më tepër shpenzimet e bëra për të. Ndërsa rritemi në pjekuri, shërbimi ynë bëhet më i frytshëm dhe më i gëzuar. Me të vërtetë, asgjë nuk mund të sjellë kaq shumë kënaqësi se t’i mësosh dikujt tjetër të vërtetën biblike dhe të shohësh një person të fillojë të adhurojë Jehovain. Dhe nëse adhuruesi i ri është anëtar i një familjeje, ndoshta një fëmijë që ka qenë mësuar «në disiplinën dhe rregullin mendor të Jehovait», kjo sjell një gëzim të veçantë. (Efesianëve 6:4, BR) Ne shohim bekimet e pasura të Perëndisë në përpjekjet tona për të qenë «bashkëpunëtorët» e tij.—1. Korintasve 3:9, BR.
Shpërblime të tjera për shërbimin besnik
Në të vërtetë do të kemi probleme, deri sa ky sistem gjërash të marrë fund. Ndoshta, problemet do të bëhen edhe më të ashpra, ndërsa kohës së Djallit po i vjen fundi. Mund të na duhet të vuajmë nën persekutime apo të durojmë tundimet. Por kur e dimë se Perëndia është me ne, ngushëllohemi dhe marrim forcë për të qëndruar. (1. Korintasve 10:13; 2. Timoteut 3:12) Disa nga vëllezërit tanë, kanë duruar vite të tëra nën keqtrajtime, por ngulmuan për shkak të dashurisë së tyre për Perëndinë. Ata që durojnë me sukses provat e llojeve të ndryshme, ndihen ashtu si ndiheshin apostujt kur rriheshin dhe pastaj liroheshin. Veprat 5:41 tregon: «Kështu ata u larguan nga sinedri, duke u gëzuar sepse qenë çmuar të denjë të fyhen për emrin e Jezusit.»
Shpërblimi për durim, që tani është më i lartë se çmimi që paguhet. Por mbaj në mend se devotshmëria hyjnore «përmban premtimin» jo vetëm ‘të jetës së tashme’ por edhe «të asaj që do të vijë». (1. Timoteut 4:8) Çfarë perspektive e mrekullueshme për atë që duron! Nëse je besnik, ti do të mbijetosh mjerimin e madh që shënon fundin e këtij sistemi gjërash. Ose, nëse vdes përpara kësaj ngjarjeje që shënon një epokë të re për njerëzimin, do të ringjallesh në botën e re që do të vijë. (Danieli 12:1; Gjoni 11:23-25) Imagjino entuziazmin tënd kur të mund të thuash: «Me ndihmën e Jehovait, ia dola mbanë!» Sa rrëqethëse të fitosh të drejtën për të jetuar në atë tokë, e cila «sigurisht do të jetë e mbushur me njohurinë e Jehovait ashtu si ujërat mbulojnë detin.»—Isaia 11:9, BR.
Po, duhet të harxhosh diçka për t’i shërbyer Perëndisë. Por i krahasuar me shpërblimet, shpenzimi është minimal. (Filipianëve 3:7, 8) Në lidhje me gjithçka që Perëndia bën për shërbëtorët e tij tani dhe që do të bëjë në të ardhmen, mund të rikujtojmë fjalët e psalmistit: «Si mund t’ia shpërblej Jehovait për të gjitha bekimet që më ka dhënë?»—Psalmi 116:12.