Përse të gjithë ne duhet të lavdërojmë Perëndinë?
HALELUJA! Kjo fjalë është mjaft e njohur për pjesën më të madhe të atyre që shkojnë nëpër kishat e të ashtuquajturit krishterim. Disa prej tyre e thonë me zë të lartë këtë fjalë në shërbesat e tyre fetare të dielave. Por, sa prej tyre e dinë se ç’do të thotë në të vërtetë ajo? Në fakt, është një fjalë hebraike që do të thotë «Lavdëroni Jah». Është një brohoritje e gëzueshme dhe kumbuese për Krijuesin, emri i të cilit është Jehova.a
Fjala «Haleluja» shfaqet dendur në Bibël. Përse? Sepse ekzistojnë shumë arsye për të lavdëruar Perëndinë. Jah (Jehovai) është Krijuesi dhe Mbajtësi i universit madhështor. (Psalmi 147:4, 5; 148:3-6) Ai krijoi ekosistemet që bëjnë të mundur jetën mbi tokë. (Psalmi 147:8, 9; 148:7-10) Ai interesohet, gjithashtu, në mënyrë të veçantë për njerëzimin. Nëse ne bëjmë vullnetin e tij, ai na bekon dhe na përkrah në këtë jetë dhe na ofron shpresën e sigurt të një jete akoma edhe më të mirë që do të vijë. (Psalmi 148:11-14) Jah (Jehovai) frymëzoi këto fjalë: «Të drejtët vetë do të zotërojnë tokën dhe do të banojnë mbi të përgjithmonë.»—Psalmi 37:29, BR.
Prandaj, nxitja u është drejtuar të gjithëve: «Haleluja!» «Lavdëroni Jah, ju njerëz!» (Psalmi 104:35, BR; shënimi) Mjerisht, ama, jo të gjithë janë të gatshëm për t’u përgjigjur. Sot, njerëzit kanë vuajtje. Shumë janë të uritur, të sëmurë apo të shtypur. Shumë të tjerë heqin keq, për shkak të keqpërdorimit të drogës, të alkoolit, apo për shkak të imoralitetit dhe rebelimit të tyre. A ka ndonjë arsye që këta individë të lavdërojnë Perëndinë?
‘Vetëm Jehovai mundi të më jepte shpresë’
Po, ka. Jehovai i fton të gjithë pa përjashtim që ta njohin atë, të mësojnë të bëjnë vullnetin e tij dhe të gëzojnë bekimet, të cilat futin te njerëzit dëshirën për ta lavdëruar atë. Shumë veta përgjigjen. Le të marrim, për shembull, Adrianën nga Guatemala. Kur Adriana ishte shtatë vjeçe, i vdiq e ëma. Pak pas kësaj, babai e braktisi. Në moshën dhjetëvjeçare, ajo nisi të punonte për të jetuar. Meqë mamaja i kishte thënë t’i shërbente Perëndisë dhe kishës, Adriana shoqërohej me grupe të ndryshme katolike, por qysh në moshën 12-vjeçare, u zhgënjye prej tyre dhe u bashkua me një bandë rrugësh. Filloi të pinte duhan, të drogohej e të vidhte. Përse të kishte një vajzë e tillë dëshirë për të lavdëruar Perëndinë?
Motra e Adrianës nisi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, kurse Adriana e vinte në lojë. Pastaj, tezja e tyre vdiq. Në funeralin e saj, Adrianën e munduan disa pyetje shqetësuese. Ku shkoi tezja e saj? A ishte në qiell? A mos shkoi në ndonjë ferr të zjarrtë? Kishte një pështjellim të madh, prandaj shkoi në kishëzën e varrezave, që të lutej për ndihmë, duke përdorur emrin e Perëndisë, Jehova, siç e kishte mësuar motra.
Shpejt, ajo filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait dhe të ndiqte mbledhjet e tyre të krishtere. Kjo gjë hapi përpara saj një pikëpamje krejt të re për jetën dhe me guxim ajo këputi lidhjet me bandën e saj. Adriana, që tashmë është nga mesi i të 20-ave, thotë: «Vetëm dashuria për Jehovain më bëri që të braktisja atë mënyrë të keqe jetese. Vetëm Jehovai, me mëshirën e tij të madhe, mundi të më jepte shpresën e jetës së përhershme.» Pavarësisht nga fillimi i vështirë i jetës, Adriana ka arsye të shkëlqyera për të lavdëruar Perëndinë.
Një situatë tjetër akoma edhe më e pashpresë është raportuar nga Ukraina. Një burrë gjendet në burg, në pritje të ekzekutimit. A i vjen keq për veten? A ndihet i dëshpëruar? Jo, përkundrazi. Pasi kohët e fundit u takua me Dëshmitarët e Jehovait dhe mori ca njohuri për Jehovain, ai u kërkoi atyre që të takonin mamanë e tij. Tani, ai po u shkruan atyre, pasi ka dëgjuar se ata e kishin përmbushur kërkesën e tij. Ai thotë: «Ju falënderoj që vizituat mamanë. Ishte lajmi më i gëzuar që kam marrë këtë vit.»
Duke folur për veten dhe për shokët e tij të burgut, të cilëve u kishte dhënë dëshmi, ai shkruan: «Tani ne kemi besim në Perëndinë dhe përpiqemi të veprojmë sipas besimit tonë.» Ja, si e përfundon letrën: «Faleminderit që na ndihmuat të mësojmë se ç’është dashuria dhe të fitonim besimin. Nëse mbetem gjallë, edhe unë do t’ju ndihmoj në veprën e predikimit. Shyqyr Zotit që ju ekzistoni dhe që po ndihmoni të tjerët të duan Perëndinë e të besojnë në të.» Ky burrë ka apeluar kundër dënimit të tij me vdekje. Por edhe nëse ekzekutohet, edhe nëse kalon shumë vjet në burg, ai sigurisht që ka arsye për të lavdëruar Perëndinë.
‘Edhe pse jam e verbër, mund të shoh’
Le të shqyrtojmë, tani, një vajzë adoleshente plot gjallëri, e cila papritur humbi shikimin. Kjo ka ndodhur me Glorian, e cila jeton në Argjentinë. Papritur, Gloria u verbua në moshën 19-vjeçare dhe shikimi nuk iu kthye kurrë më. Në moshën 29 vjeç filloi të bashkëjetonte me një burrë dhe mbeti shtatzënë. Tani ajo mendoi se jeta e saj kishte kuptim. Por kur fëmija i vdiq, ajo nisi nga pyetjet. «Përse më ndodhi mua? Çfarë kam bërë? A ekziston vërtet Perëndia?»
Në këtë pikë, dy Dëshmitare të Jehovait ia behën në derën e saj. Ajo filloi të studionte Biblën dhe mësoi premtimin e saj, që në botën e re të verbërit do të shohin përsëri. (Isaia 35:5) Sa perspektivë e mrekullueshme për Glorian! Ajo ishte shumë e lumtur, sidomos kur burri i saj pranoi të ligjëronte martesën e tyre. Më pas, burri i saj pësoi një aksident dhe u bë invalid, i kufizuar në një karrocë invalidi. Sot, kësaj gruaje të verbër i duhet të punojë shumë për të jetuar. Veç kësaj, ajo bën të gjitha punët e shtëpisë, si edhe kujdeset për nevojat personale të të shoqit. Megjithatë, Gloria lavdëron Jehovain! Me ndihmën e vëllezërve dhe motrave të krishtere ajo studioi Biblën në gjuhën Braille dhe është shumë e inkurajuar nga mbledhjet e krishtere në Sallën e Mbretërisë. Ajo thotë: «Është vështirë për t’u shpjeguar, por edhe pse jam e verbër, duket se unë mund të shoh.»
Disa herë, njerëzit janë persekutuar kur lavdërojnë Perëndinë. Një grua në Kroaci u lumturua kur mësoi për Perëndinë, por burri iu kundërvu besimit të saj të sapogjetur dhe e braktisi, duke marrë me vete vajzën e tyre njëvjeçare. Në mes të të katër rrugëve, e braktisur nga burri dhe nga familja, pa shtëpi, pa punë, madje edhe pa fëmijën e saj, së pari ajo e humbi toruan. Por dashuria për Perëndinë nuk e la të binte, edhe pse takohej veçse rrallë me vajzën e saj, derisa kjo u rrit. Kjo grua kishte gjetur «margaritarin me vlerë të madhe» dhe nuk do të lejonte t’i ikte. (Mateu 13:45, 46) Si e mbajti ajo gëzimin e saj gjatë këtyre kohëve të vështira? Ajo thotë: «Gëzimi është një fryt i frymës së Perëndisë. Ai mund të kultivohet, pavarësisht nga rrethanat e jashtme, ashtu sikurse bimët mund të rriten në një serrë, sido që të jetë koha jashtë.»
Në Finlandë, Markut gjashtëvjeçar iu vu diagnoza e një sëmundjeje të pashërueshme muskulare. Shpejt, përfundoi në një karrocë invalidi. Pak vite më vonë, e ëma e çoi te një pentekostal, i cili po fitonte publicitet të gjerë, duke pohuar se kuronte të sëmurët. Por për Markun s’pati ndonjë shërim të mrekullueshëm. Kështu që Marku e humbi interesin për Perëndinë dhe iu vu studimeve në shkencë dhe në fusha të tjera botërore. Pastaj, rreth pesë vjet më parë, një grua në karrocë invalidi, e shoqëruar nga një djalë i ri, ia behu në shtëpinë ku banonte Marku. Ata ishin Dëshmitarë të Jehovait. Marku ishte tashmë një ateist, por s’kishte kundërshtim të bisedonte për fenë dhe i ftoi brenda.
Më vonë, e vizitoi një çift i martuar dhe filloi një studim biblik. Së fundi, fuqia e së vërtetës biblike e ndryshoi pikëpamjen e Markut mbi gjërat dhe ai e kuptoi se pavarësisht nga sëmundja e tij, kishte vërtet arsye për të lavdëruar Perëndinë. Ai tha: «Jam shumë i lumtur sepse kam gjetur të vërtetën dhe organizatën që përdor Jehovai. Tani, jeta ime ka një drejtim dhe domethënie. Një tjetër dele e humbur është gjetur dhe nuk dëshiron të lërë kopenë e Jehovait!»—Krahaso Mateu 10:6.
Të gjithë le «të lavdërojmë Jehovain»!
Këto janë vetëm pak nga përvojat e panumërta që mund të thuhen, për të treguar se sot njerëzit, pavarësisht nga rrethanat e tyre, mund të kenë arsye për të lavdëruar Perëndinë. Apostulli Pavël e shpjegoi në këtë mënyrë: «Devotshmëria e shenjtë është e dobishme për çdo gjë, pasi mban premtimin e jetës së tashme dhe të asaj që do të vijë.» (1. Timoteut 4:8, BR) Nëse bëjmë vullnetin e Perëndisë, ai do të përmbushë «premtimin e jetës së tashme». Natyrisht, në këtë sistem të gjërave ai nuk do ta bëj të varfërin të pasur, apo të sëmurin të shëndetshëm. Por ai u jep frymën e tij atyre që i shërbejnë, kështu që ata mund të gjejnë gëzim dhe kënaqësi, sidoqoftë gjendja e tyre e jashtme. Po, edhe në «jetën e tashme», të sëmurët, të dëshpëruarit dhe të varfërit, mund të kenë arsye për të lavdëruar Perëndinë.
Por, ç’të themi për jetën «që do të vijë»? E pra, vetëm mendimi i saj duhet të na bëjë që të lavdërojmë Perëndinë me entuziazmin më të madh! Drithërohemi, po të mendojmë për kohën kur varfëria s’do të njihet; kur «asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam sëmurë’»; dhe kur Perëndia Jehova «do të thajë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan». (Isaia 33:24; Zbulesa 21:3, 4; Psalmi 72:16) Si i konsideron këto premtime të Perëndisë?
Një i ri në El Salvador pranoi një fletushkë që shpjegonte disa prej këtyre gjërave. Ai i tha Dëshmitares që i dha fletushkën: «Zonjë, ajo që thotë kjo fletushkë është tepër e mirë, për të qenë e vërtetë.» Shumë veta reagojnë kështu. Megjithatë, këto janë premtimet e Atij që krijoi universin, që vuri në lëvizje ciklet e natyrshme të tokës sonë, që ndihmon edhe të varfërit e të sëmurët për të gjetur gëzim. Ne mund t’i besojmë ato që ai thotë. I riu që përmendëm më lart studoi Biblën me Dëshmitarët e Jehovait dhe zbuloi se kjo është e vërtetë. Nëse ti tashmë nuk je duke studiuar, ne të inkurajojmë të bësh si ai djalë. Kështu, qofsh edhe ti në botën e re, kur ky sistem i tanishëm i gjërave të ketë kaluar dhe i gjithë krijimi të bashkohet në thirrjen: «Haleluja!» «Lavdëroni Jah, ju njerëz!»—Psalmi 112:1; 135:1.
[Shënimi]
a Në Bibël, disa herë «Jehova» është shkurtuar «Jah».
[Figura në faqen 5]
Qofsh edhe ti në botën e re, kur i gjithë krijimi të bashkohet në thirrjen: «Haleluja!»