Të tregojmë dashuri të krishterë ndaj personave të moshuar
SAMUEL XHONSON, shkrimtar i shekullit të 18-të, tregoi historinë e një të riu, i cili kur shkoi për vizitë tek miqtë e tij, harroi ku e kishte vendosur kapelen. Askush nuk bëri koment për pakujdesinë e tij. «Por, nëse e njëjta pakujdesi do t’i ndodhte një të moshuari,—vazhdon Xhonsoni,—njerëzit do të mblidhnin supet duke thënë: ‘Kujtesa e tij ka marrë fund.’»
Historia e Xhonsonit tregon se të moshuarit, ndoshta ashtu si edhe grupet e tjera të pakicës, janë viktima të thjeshtëzimeve të padrejta. Megjithëse kujdesi për nevojat e të moshuarve përbën një sfidë, kjo u sjell dobi të gjithë atyre që janë përfshirë në të. Cilat janë vështirësitë e shpërblimet dhe përse ky argument sa vjen edhe prek gjithnjë e më shumë persona?
Sipas statistikave, 6 përqind e popullsisë së botës është 65 vjeç e sipër, ndërsa në vendet e zhvilluara kjo përqindje është dy herë më e madhe. Në Komunitetin Evropian, i cili e përcaktoi vitin 1993 si «vitin evropian të të moshuarve dhe të solidaritetit midis brezave», në çdo 3 persona 1 është mbi 50 vjeç. Atje, si në shumicën e vendeve të industrializuara, ulja e përqindjes së lindjeve dhe shpresa për një jetë më të mirë, kanë bërë që pjesa më e madhe e popullsisë të jetë mbi moshën mesatare. Në rrethana të tilla, është e qartë që të kujdesesh për ata që janë të shkuar në moshë është një detyrë e mundimshme. Sa ndryshe kanë qenë gjërat në Lindjen e lashtë!
«Depo të njohurisë»
Një manual i lashtësisë biblike shpjegon se në Lindjen e lashtë «të moshuarit konsideroheshin si ruajtës të vlerave tradicionale të mençurisë dhe të njohurisë më të madhe dhe për këtë arsye, të rinjtë këshilloheshin të shoqëroheshin me ta dhe të mësonin prej tyre». (Handwörterbuch des Biblischen Altertums für gebildete Bibelleser) Një fjalor biblik shpjegon: «Në jetën private [të moshuarit] respektoheshin si depo të njohurisë . . . [Të rinjtë] i linin ata që të jepnin mendimin e parë.»—Smith’s Bible Dictionary.
Nderimi për të moshuarit është pasqyruar në Ligjin e Moisiut tek Levitiku 19:32: «Çohu në këmbë para atij që ka kokën të zbardhur, nderoje plakun.» Pra, të moshuarit zinin një pozitë të rëndësishme në shoqëri dhe konsideroheshin si një pasuri e çmuar. Në mënyrë të qartë ky ishte koncepti që kishte moabitja Ruthë për vjehrrën e saj izraelite, Naomin.
Rutha në mënyrë të prerë vendosi ta linte Moabin dhe ta shoqëronte Naomin në Izrael dhe pas kësaj ajo i dëgjoi me kujdes këshillat e Naomit. Njëherë, kur ishin në Betlehem, ishte Naomi ajo që vërejti se dora e Jehovait po drejtonte punët dhe po e mësonte Ruthën se si të vepronte. (Rutha 2:20; 3:3, 4, 18) Jeta e Ruthës mori një formë teokratike ndërkohë që mësonte nga Naomi me përvojë. Vjehrra e saj tregoi se ishte një depo e njohurisë.
Në mënyrë të ngjashme, sot, gratë e krishtere më të reja, mund të nxjerrin dobi nga shoqërimi me gratë më të moshuara në kongregacion. Ndoshta, një motër mendon të martohet ose është duke përballuar një problem të fortë personal. Sa e mençur do të ishte të kërkohej këshilla dhe mbështetja e një motre të pjekur e të moshuar, e cila ka përvojë në këtë drejtim!
Edhe trupi i pleqve mund të nxjerrë dobi nga përvoja e anëtarëve më të moshuar. Mund ta kuptojmë këtë, nga ajo që i ndodhi Lotit kur nuk veproi kështu. Për shkak të një grindjeje midis barinjve të Abrahamit dhe barinjve të Lotit, lindi nevoja për të marrë një vendim që do të ndikonte mbi të gjithë. Loti bëri një zgjedhje jo të mençur. Sa mirë do të ishte, po të këshillohej fillimisht me Abrahamin! Atëherë Loti do të ishte drejtuar nga një person i pjekur dhe do t’ia kishte shmangur familjes së tij fatkeqësinë që rrodhi nga zgjedhja e tij e shpejtuar. (Zanafilla 13:7-13; 14:12; 19:4, 5, 9, 26, 29) A i dëgjon me kujdes ato që thonë të moshuarit e pjekur para se të arrish në konkluzionin tënd rreth një çështjeje?
Të moshuar të panumërt vazhdojnë të tregojnë zell për veprën e Jehovait, ashtu siç bënë Ana dhe Simeoni në shekullin e parë. (Luka 2:25, 36, 37) Është një shenjë respekti dhe kujdesi ndaj të moshuarve, përfshirja e tyre në aktivitetet e kongregacionit aq sa u lejojnë fuqitë, madje edhe kur janë shumë të moshuar. Ndoshta një të riu i nevojitet ndihmë për të përgatitur një fjalim për Shkollën Teokratike. Një plak i mprehtë i kongregacionit mund të arrijë në konkluzionin që do të ishte ideale të kërkonte ndihmën e ndonjë pjesëtari të moshuar të kongregacionit që ka shumë dituri, një sjellje dashamirëse dhe kohë në dispozicion.
Por, kujdesi për nevojat e veçanta të të moshuarve, përfshin më tepër se kaq. Shumë shqetësohen nga vetmia, frika e krimit dhe vështirësitë financiare. Për më tepër, kur të moshuarit bëhen të pafuqishëm, këto probleme rëndohen nga keqësimi i shëndetit dhe nga konstatimi i trishtueshëm se fuqitë e tyre po shterojnë. Si duhet të reagojë çdo individ dhe kongregacioni në tërësi?
«Praktiko devotshmëri të shenjtë»
Në shekullin e parë, Pavli shkroi i frymëzuar fjalët që gjejmë tek 1. Timoteut 5:4, 16: «Por në qoftë se një e ve ka djem a nipa, këta le të mësojnë më parë të tregojnë perëndishmëri ndaj atyre të familjes së vet dhe t’ua shpërblejnë prindërve të tyre, sepse kjo është e mirë dhe e pëlqyer përpara Perëndisë. Në qoftë se ndonjë besimtar ose besimtare ka vejusha, le t’i ndihmojë e të mos bëhen barrë kishës, e cila mund të ndihmojë ato që janë me të vërtetë të veja.» Kujdesi për personat e moshuar ishte një përgjegjësi e familjes. Nëse një anëtar i moshuar i kongregacionit ishte në nevojë, pasi familja kishte bërë çdo gjë të mundur për ta ndihmuar, përgjegjësia i mbetej kongregacionit. Këto parime nuk kanë ndryshuar.
Çfarë i ka ndihmuar të krishterët të tregojnë dashuri të krishtere ndaj të moshuarve, duke praktikuar devotshmëri të shenjtë në shtëpitë e tyre? Vërej komentet vijuese të disa Dëshmitarëve, të cilët kanë përvojë për sa i përket kujdesit ndaj të moshuarve.
Kujdes i vazhdueshëm ndaj nevojave frymore
«Një ndihmë e paçmuar ka qenë konsiderimi çdo ditë i shkrimit të ditës së bashku,—kujton Feliksi, i cili ndihmoi të shoqen për t’u kujdesur për prindërit e saj.—Përvojat personale dhe aspiratat ishin ndërthurur me parimet e Jehovait.» Në fakt, kur merr përsipër të kujdesesh për të afërmit e moshuar, faktori kryesor është kujdesi i duhur për ndërtimin e tyre frymor. Kjo është logjike duke marrë parasysh fjalët e Jezuit tek Mateu 5:3: «Të lumtur janë ata që janë të vetëdijshëm për nevojën e tyre frymore.» (BR) Përveç shqyrtimit të tekstit të ditës, mund të ndiqet një program i leximit të Biblës, të diskutohet mbi botimet e bazuara në Bibël dhe të bëhen lutje së bashku. «Duket se të moshuarit e pëlqejnë njëfarë rregulli»,—vëren Peter.
Po, rregullsia është thelbësore në gjërat frymore. Të moshuarit e pëlqejnë rregullsinë jo vetëm në gjërat frymore, por edhe në jetën e përditshme. Madje edhe ata që ndihen pak të pafuqishëm mund të inkurajohen në mënyrë të ngrohtë, ashtu siç thotë Ursula që të çohen nga krevati dhe të vishen siç duhet çdo ditë. Natyrisht, atyre nuk duhet t’u krijohet përshtypja që po u jepen urdhra. Doris pranon se përpjekjet e saj, megjithëse me qëllim të mirë shpesh jepnin rezultate negative. «Bëja shumë gabime. Një ditë i thashë babait tim që ta ndërronte këmishën çdo ditë. Atëherë, mamaja më kujtoi: ‘Shiko se ai është akoma burri im!’»
Të moshuarit kanë qenë të rinj, por për të rinjtë është një detyrë tepër e vështirë ta vënë veten në vendin e të moshuarve. Por ky është çelësi për të kuptuar nevojat e tyre të veçanta. Mosha e thyer sjell zhgënjim. Gerardi shpjegon: «Vjehrri im inatoset me veten e tij, sepse nuk mund të bëjë më çdo gjë që ka bërë njëherë e një kohë. Për të, pranimi i kësaj situate është jashtëzakonisht e dhimbshme. Personaliteti i tij ka ndryshuar.»
Me ndryshimin e rrethanave, nuk është e pazakontë që një i moshuar të shprehë ndjenjat e zhgënjimit që janë mbledhur brenda tij, duke kritikuar të tjerët dhe sidomos ata që kujdesen për të. Arsyeja është e thjeshtë. Kujdesi i tyre i dashur i kujton atij se është duke humbur energjitë. Si duhet të reagoni ndaj këtyre kritikave dhe ankesave të padrejta?
Kujto, këto ndjenja negative nuk pasqyrojnë mendimin që ka Jehovai për përpjekjet e tua. Vazhdo të bësh mirë dhe të mbash një ndërgjegje të pastër, edhe pse në disa raste korr akuza të padrejta. (Krahaso 1. Pjetrit 2:19.) Kongregacioni lokal mund të të ofrojë një mbështetje të madhe.
Çfarë mund të bëjë kongregacioni
Shumë kongregacione kanë arsye për të qenë shumë mirënjohës për përpjekjet që vëllezërit dhe motrat tona të dashura tashmë të kaluar në moshë kanë bërë në të kaluarën. Ndoshta kanë qenë ata që kanë vendosur bazat e kongregacionit, duke e filluar me pak lajmëtarë disa dekada më parë. A do të ishte kongregacioni pa aktivitetin e tyre të zellshëm në të kaluarën dhe ndoshta pa ndihmën e tyre të tanishme financiare?
Kur një lajmëtar i moshuar ka shumë nevojë për një kujdes gjithnjë e më të madh, nuk është nevoja që familjarët ta mbajnë këtë përgjegjësi vetëm. Të tjerët mund të ndihmojnë duke bërë pazarin, gatuar, pastruar, duke dalë me personin e moshuar për një shëtitje, duke e marrë me makinë për në mbledhje apo thjesht duke folur me të në Sallën e Mbretërisë. Të gjithë mund të bëjnë diçka, edhe pse më e efektshme dhe e dobishme do të ishte, nëse përpjekjet do të ishin të kordinuara.
Kordinimi i përpjekjeve është diçka që pleqtë e kongregacionit duhet ta kenë parasysh kur bëjnë vizitat baritore. Disa kongregacione janë shembullorë në këtë drejtim: pleqtë bëjnë vizita baritore të rregullta tek vëllezërit dhe motrat e moshuara e të dobëta fizikisht, madje edhe tek ata, të afërmit e të cilëve kujdesen mirë. Megjithatë, duket se disa kongragacione, duhet të jenë më të vetëdijshme për detyrimin e tyre ndaj të moshuarve.
Për një vëlla besnik, i mbajtur për moshën e tij 80 vjeçare, kujdesej vajza e tij dhe dhëndëri, të cilët për të bërë këtë lanë Bethelin. Por vizitat nga anëtarët e tjerë të kongregacionit ishin përsëri shumë të rëndësishme për të. «Kur unë vizitoja të sëmurët,—thotë me trishtim vëllai,—lutesha me ta. Por asnjë nuk është lutur kurrë me mua.» Kujdesi i dashur i të afërmve, nuk i shfajson pleqtë nga detyra për ‘të kullotur kopenë e Perëndisë nën kujdesin e tyre’. (1. Pjetrit 5:2, BR) Përveç kësaj, edhe ata që kujdesen për të moshuarit kanë nevojë të ndërtohen dhe të inkurajohen që të vazhdojnë me veprën e tyre të mrekullueshme.
«Të moshuar dhe të kënaqur»
Aleksandër von Humbolt, shkencëtar gjerman i shekullit të 18-të, ishte shumë i kaluar në moshë, kur një grua e re e pyeti nëse e shikonte të mërzitshme plakjen. «Ke shumë të drejtë,—përgjigjet burri me mend,—por është e vetmja mënyrë për të jetuar për një kohë të gjatë.» Në të njëjtën mënyrë, shumë vëllezër dhe motra sot, japin një shembull të shkëlqyer duke pranuar fatkeqësitë e pleqërisë në kthim të privilegjit për të jetuar gjatë. Ata pasqurojnë qëndrimin e Abrahamit, Isakut, Davidit dhe Jobit, të cilët ishin ‘të vjetër dhe të kënaqur’.—Zanafilla 25:8; 35:29, BR; 1. Kronikave 23:1, BR; Jobi 42:17, BR.
Mosha e vjetër sjell sfidën për të pranuar ndihmë me dëshirë dhe për të shprehur mirënjohje të sinqertë. Mençuria kërkon që secili të njohë kufijtë e fuqisë së tij. Por kjo nuk do të thotë që një person i moshuar, është i dënuar në pasivitet. Maria i ka kaluar të 90-at, por akoma merr pjesë në mbledhjet e kongregacionit dhe bën komente. Si arrin ta bëjë këtë? «Unë nuk mund të lexoj më, por dëgjoj Kullën e Rojës në kasetë. Pjesën më të madhe të asaj që e dëgjoj e harroj, por zakonisht ia dal mbanë të bëj një koment.» Ashtu si Maria, angazhimi me gjëra që janë ndërtuese, të ndihmojnë që të jesh një person aktiv dhe të ruash personalitetin e krishterë.
Nën Mbretërinë e Perëndisë plakja nuk do të ekzistojë më. Atëherë të gjithë ata që janë të moshuar në këtë sistem dhe ndoshta kanë vdekur, do të kujtojnë me mirënjohje kujdesin dhe vëmendjen që është treguar ndaj tyre. Ndërsa këta të moshuar do të rifitojnë jetën dhe fuqitë, do të ndiejnë dashuri të zjarrtë për Jehovain dhe për ata që duruan bashkë me ta sprovat e tyre në këtë sistem të vjetër.—Krahaso Lukën 22:28.
Çfarë mund të themi për ata që po kujdesen tani për të moshuarit? Shumë shpejt, kur Mbretëria do të vendosë kontroll të plotë në tokë, ata do të shikojnë pas me gëzim dhe lehtësim, sepse nuk iu shmangën detyrimit të tyre, por praktikuan devotshmëri të shenjtë duke treguar dashuri të krishtere ndaj të moshuarve.—1. Timoteut 5:4.
[Kutia në faqen 30]
Të moshuarit do t’i vlerësojnë vizitat tuaja
Do të ishte shumë e dobishme të programoje një vizitë prej 15 minutash tek një i moshuar pas predikimit. Por do të ishte mirë që këto vizita të mos ia lësh rastësisë siç tregon edhe eksperienca që vijon.
Brixhita dhe Hanelore që po predikonin së bashku, po flisnin me një burrë të moshuar tek porta e tij. Motrat folën me të për pesë minuta, para se të zbulonin se edhe ai ishte një Dëshmitar i Jehovait dhe anëtar i të njëjtit kongregacion. Çfarë situate e vështirë! Por përvoja u mbyll në mënyrë pozitive. Hanelore planifikoi menjëherë për ta vizituar vëllain dhe për ta ndihmuar për të ardhur në mbledhjet e kongregacionit.
A ia di emrin dhe adresën çdo lajmëtari të moshuar që banon në territorin ku predikon? A mund ta rregullosh për të bërë një vizitë të shkurtër? Sigurisht që do të vlerësohet shumë.