BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w95 15/11 f. 17-22
  • «Zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë»

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • «Zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë»
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Një zgjedhë e ëmbël
  • Një barrë e lehtë
  • «Prehje për shpirtrat tuaj»
  • Jezui ofroi freskim
    Jeta dhe shërbimi ynë i krishterë—Fletëstudimi për mbledhje—2018
  • Lehtësim nga stresi: Një kurë praktike
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2001
  • «Ejani tek unë, . . . e unë do t’ju freskoj»
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait (Për studim)—2019
  • Mateu 11:28-30—«Ejani tek unë, . . . dhe unë do t’ju jap çlodhje»
    Shpjegim i vargjeve të Biblës
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
w95 15/11 f. 17-22

«Zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë»

«Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë.»​—MATEU 11:29.

1, 2. (a) Çfarë gjëje ke provuar në jetë që të sjell freskim? (b) Ç’duhet të bëjë një person, për të marrë freskimin që premtoi Jezui?

NJË dush i ftohtë në përfundim të një dite të nxehtë e të lagësht, ose një gjumë i mirë natën pas një udhëtimi të gjatë e të lodhshëm: çfarë freskimi! Kështu ndodh kur lirohemi nga ndonjë peshë e rëndë apo kur na falen mëkatet dhe shkeljet. (Proverbat 25:25; Veprat 3:19) Freskimi që na sjellin përvoja të tilla të gëzuara na rinon dhe na jep energji për të vazhduar përpara.

2 Të gjithë ata që ndihen të shtypur e të lodhur mund të shkojnë te Jezui, pasi ai u premtoi pikërisht këtë: freskimin. Megjithatë, për të gjetur freskimin kaq të dëshirueshëm, ka diçka që duhet të jemi të gatshëm të bëjmë. «Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë,—tha Jezui,—dhe ju do të gjeni prehje [freskim, BR] për shpirtrat tuaj.» (Mateu 11:29) Ç’është kjo zgjedhë? Si sjell freskim ajo?

Një zgjedhë e ëmbël

3. (a) Cilat lloje zgjedhash përdoreshin në kohët biblike? (b) Çfarë kuptimi figurativ ka një zgjedhë?

3 Pasi jetonin në një shoqëri bujqësore, Jezui dhe dëgjuesit e tij e njihnin mirë zgjedhën. Kryesisht, zgjedha është një dru i gjatë me dy pjesë të përkulura në pjesën e poshtme, i cili përdoret për t’u vënë mbi qafën e një çifti kafshësh tërheqëse, zakonisht qeve, që së bashku të tërheqin një parmendë, një qerre apo ndonjë ngarkesë tjetër. (1. Samuelit 6:7) Përdoreshin, gjithashtu, edhe zgjedha për njerëzit. Ishte një dru i thjeshtë apo një hu, i cili vihej mbi shpatulla e në të dyja anët kishte të varur ndonjë peshë. Me to, punëtorët ishin në gjendje të mbanin pesha të rënda. (Jeremia 27:2; 28:10, 13) Pasi ka lidhje me peshat dhe punën e rëndë, zgjedha është përdorur shpesh në Bibël në mënyrë figurative, për të simbolizuar sundimin dhe kontrollin.​—Ligji i përtërirë 28:48; 1. Mbretërve 12:4; Veprat 15:10.

4. Çfarë simbolizon zgjedha që Jezui u ofroi atyre që vijnë tek ai?

4 Çfarë është, pra, zgjedha që duhej të mbante dikush, për të shkuar te Jezui për freskim? Mos harro se ai tha: «Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë.» (Mateu 11:29) Kush mëson është një dishepull. Prandaj, të marrësh mbi vete zgjedhën e Jezuit, do të thotë thjesht të bëhesh dishepull i i tij. (Filipianëve 4:3) Megjithatë, kjo kërkon shumë më tepër se vetëm njohja në shkallë mendore e mësimeve të tij. Kërkon veprime në përputhje me to, duke bërë veprën që ai bëri e duke jetuar ashtu siç jetoi ai. (1. Korintasve 11:1; 1. Pjetrit 2:21) Kërkon një nënshtrim të vullnetshëm ndaj autoritetit të tij dhe ndaj atyre që ai u jep autoritet. (Efesianëve 5:21; Hebrenjve 13:17) Do të thotë të bëhesh një i krishterë i dedikuar e i pagëzuar, duke pranuar të gjitha privilegjet dhe përgjegjësitë që sjell një dedikim i tillë. Kjo është zgjedha që Jezui u ofron të gjithë atyre që vijnë tek ai për ngushëllim dhe freskim. A dëshiron ta pranosh?​—Gjoni 8:31, 32.

5. Përse nuk ka për të qenë përvojë e vështirë marrja e zgjedhës së Jezuit?

5 Por, a s’është kontradiktor fakti që për të gjetur freskim, duhet të marrësh mbi vete një zgjedhë? Në të vërtetë jo, sepse Jezui tha se zgjedha e tij është «e ëmbël». Kjo fjalë do të thotë e butë, e pëlqyeshme, e pranueshme. (Mateu 11:30; Luka 5:39; Romakëve 2:4; 1. Pjetrit 2:3) Pasi ishte zdrukthtar nga zanati, ka shumë të ngjarë që Jezui të ketë bërë parmenda dhe zgjedha dhe dinte si të bënte një zgjedhë, në atë mënyrë që të kryente maksimumin e punës sa më rehat të ishte e mundur. Mund ta vishte zgjedhën me ndonjë copë apo lëkurë. Shumë prej tyre janë bërë në atë mënyrë që të mos fërkohen tepër pas qafës. Në të njëjtën mënyrë, zgjedha figurative që na ofron Jezui është «e ëmbël». Edhe pse të jesh një dishepull i tij përfshin disa detyrime dhe përgjegjësi, kjo nuk është ndonjë përvojë e rëndë apo shtypëse, por freskuese. Edhe urdhërimet e Atit të tij Qiellor, Jehovait, nuk janë të rënda.​—Ligji i përtërirë 30:11; 1. Gjonit 5:3.

6. Çfarë mund të ketë pasur ndër mend Jezui, kur tha: «Merrni mbi vete zgjedhën time»?

6 Ka edhe diçka tjetër që e bën zgjedhën e Jezuit «të ëmbël» apo të lehtë për t’u mbajtur. Kur tha «merrni mbi vete zgjedhën time», ai mund të ketë pasur ndër mend dy gjëra. Nëse ka menduar për zgjedhën dyshe, pra, për atë që lidh së bashku dy kafshë për të tërhequr ngarkesën, atëherë po na fton të vijmë me të në të njëjtën zgjedhë. Ç’bekim do të ishte: të kishim në krah Jezuin, duke tërhequr përkrah nesh ngarkesën tonë! Nga ana tjetër, sikur Jezui të ketë pasur ndër mend zgjedhën e thjeshtë të përdorur nga punëtorët, atëherë po na ofronte mjetin për ta bërë më të lehtë e më të kontrollueshme çdo lloj peshe që mund të mbajmë. Sido që të jetë, zgjedha e tij është burim i një freskimi të vërtetë, pasi ai na siguron: «Sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra.»

7, 8. Çfarë gabimi bëjnë disa kur ndihen të stresuar?

7 Çfarë duhet të bëjmë, pra, nëse mendojmë që pesha e problemeve të jetës që po mbajmë po bëhet e padurueshme dhe ndihemi të shtypur deri aty sa s’mban më? Gabimisht, disa mund të mendojnë se zgjedha për të qenë një dishepull i Jezu Krishtit është tepër e rëndë apo kërkuese, edhe pse janë kujdesjet e jetës së përditshme ato që rëndojnë mbi ta. Në këto kushte, disa individë nuk i ndjekin më mbledhjet e krishtere, ose nuk shkojnë më në shërbim, duke menduar mbase se kështu mund të gjejnë ca lehtësim. Por ky është një gabim serioz.

8 Ne e dimë se zgjedha që na ofron Jezui është «e ëmbël». Nëse nuk e vendosim ashtu siç duhet, atëherë mund të jetë acaruese. Në këtë rast duhet të shohim më nga afër zgjedhën që kemi mbi shpatulla. Nëse për ndonjë arsye zgjedha nuk është në kushte të mira apo s’është vendosur siç duhet, përdorimi i saj jo vetëm që do të kërkojë më shumë përpjekje nga ana jonë, por do të sjellë edhe shumë dhimbje. Me fjalë të tjera, nëse aktivitetet teokratike fillojnë të na duken si një peshë, duhet të shohim nëse jemi duke i bërë në mënyrën e duhur. Cili është motivi që na shtyn? A jemi përgatitur siç duhet kur shkojmë në mbledhje? A jemi fizikisht dhe mendërisht të përgatitur kur shkojmë në shërbimin në fushë? A kemi një marrëdhënie të ngushtë e të shëndetshme me të tjerët në kongregacion? Mbi të gjitha, si është marrëdhënia jonë personale me Perëndinë Jehova dhe Birin e tij, Jezu Krishtin?

9. Përse zgjedha e krishterë nuk duhet të jetë kurrë një barrë e papërballueshme?

9 Kur e pranojmë me gjithë zemër zgjedhën që na ofron Jezui dhe mësojmë ta mbajmë siç duhet, për asnjë arsye ajo s’do të na duket kurrë një peshë e papërballueshme. Në fakt, nëse mund të përfytyrojmë skenën, Jezui nën të njëjtën zgjedhë me ne, nuk e kemi të vështirë të kuptojmë se kush e mban në të vërtetë pjesën më të rëndë të peshës. Është njësoj si me një çilimi që mbështetet në dorezën e karrocës së tij, duke menduar se është ai që po e çon përpara, ndërkohë që është e qartë se në fakt është prindi ai që po e shtyn. Si një Atë i dashur, Perëndia Jehova e di shumë mirë se sa kufizime kemi dhe se sa të brishtë jemi ne dhe i plotëson nevojat tona nëpërmjet Jezu Krishtit. «Perëndia im do të plotësojë të gjitha nevojat tuaja sipas pasurisë së tij në lavdi, në Jezu Krisht»,—tha Pavli.​—Filipianëve 4:19; krahaso Isaia 65:24.

10. Cila është përvoja e një personi që e mori seriozisht faktin se ishte një dishepull?

10 Shumë të krishterë të dedikuar e kanë mësuar këtë me anë të përvojave të tyre personale. Xheni, për shembull, e pa se shërbimi si pioniere ndihmëse çdo muaj dhe puna e plotëkohore në botë, e kishin vënë nën një stres të madh. Megjithatë, ajo mendon se vepra si pioniere e ndihmon për të mbajtur ekuilibrin. Ja, çfarë i sjell gëzimin më të madh në jetën e saj të mbushur me punë: duke ndihmuar njerëzit që të mësojnë të vërtetën e Biblës e duke i parë të ndryshojnë jetën e tyre, për të marrë miratimin e Perëndisë. Me gjithë zemër, ajo bashkohet me fjalët e Proverbave: «Bekimi i Zotit pasuron dhe ai nuk shton asnjë vuajtje.»​—Proverbat 10:22.

Një barrë e lehtë

11, 12. Ç’kishte ndër mend Jezui, kur tha: «Barra ime është e lehtë»?

11 Përveç premtimit për një zgjedhë «të ëmbël», Jezui na siguron: «Barra ime është e lehtë.» Mjafton një zgjedhë «e ëmbël» për ta bërë punën më të lehtë; nëse edhe barra është e lehtë, puna është vërtet një kënaqësi. Çfarë kishte, pra, Jezui ndër mend me atë pohim?

12 Mendo pak se ç’do të bënte një bujk, sikur pasi të kishte lëruar arën, të donte t’i vinte kafshët në një punë tjetër, të themi, për shembull, për të tërhequr një karrocë. Së pari, do t’u hiqte parmendën, pastaj do të lidhte karrocën. Do të ishte absurde, sikur t’u lidhte kafshëve parmendën dhe karrocën bashkë. Ngjashëm, Jezui nuk po u thoshte njerëzve që të vinin barrën e tij mbi peshën që tashmë ishin duke mbajtur. Dishepujve të tij ai u tha: «Asnjë shërbëtor nuk mund t’u shërbejë dy zotërinjve.» (Luka 16:13) Pra, Jezui po u ofronte njerëzve një zgjedhje. A do të vazhdonin të mbanin peshën e tyre të rëndë, apo do ta linin e do të pranonin atë që po u ofronte ai? Me dashuri, ai u dha një nxitje: «Barra ime është e lehtë.»

13. Çfarë peshe mbanin njerëzit në ditët e Jezuit dhe me çfarë rezultati?

13 Në ditët e Jezuit, njerëzit ishin të munduar nën një peshë të rëndë, të vendosur mbi ta nga sundimtarët shtypës romakë dhe nga krerët fetarë hipokritë. (Mateu 23:23) Në përpjekje për të hequr qafe sundimin romak, disa njerëz u munduan t’i rregullonin punët sipas mënyrës së tyre. U përfshinë në beteja politike, vetëm për të korrur një fund shkatërrimtar. (Veprat 5:36, 37) Të tjerët vendosën ta përmirësonin gjendjen e tyre, duke iu futur punëve materialiste. (Mateu 19:21, 22; Luka 14:18-20) Kur Jezui u ofroi mënyrën për lehtësim, duke i ftuar të bëheshin dishepuj të tij, jo të gjithë ishin të gatshëm për të pranuar. Ata ngurronin të hidhin peshën e tyre, sado e rëndë që të ishte, për të marrë barrën e Jezuit. (Luka 9:59-62) Sa gabim tragjik!

14. Si mund të na rëndojnë ankthet e jetës dhe dëshirat materiale?

14 Nëse nuk jemi të kujdesshëm, edhe ne sot mund të bëjmë të njëjtin gabim. Duke u bërë dishepuj të Jezuit, ne jemi të lirë nga ndjekja e po atyre qëllimeve dhe vlerave pas së cilave rendin njerëzit e botës. Edhe pse na duhet të punojmë shumë për të plotësuar nevojat e përditshme, nuk i vëmë këto gjëra në qendër të vëmendjes sonë. Megjithatë, ankthet e jetës dhe joshjet pas rehative materialiste mund të kenë një ndikim të fuqishëm mbi ne. Nëse i lejojmë, dëshira të tilla mund edhe t’i zënë frymën të vërtetës që kemi pranuar me aq zell. (Mateu 13:22) Mund të jepemi kaq shumë pas përmbushjes së këtyre dëshirave, saqë përgjegjësitë tona të krishtere kthehen në ca detyrime të lodhshme, të cilat mezi presim t’i bëjmë e t’i heqim qafe shpejt. Sigurisht që s’mund të presim asnjë freskim nga shërbimi që i bëjmë Perëndisë, nëse e kryejmë me këtë frymë.

15. Ç’paralajmërim dha Jezui në lidhje me dëshirat materialiste?

15 Jezui theksoi se një jetë e kënaqshme nuk vjen nëse përpiqemi të përmbushim të gjitha ato që duam, por duke u siguruar për gjërat më të rëndësishme në jetë. «Mos u shqetësoni për jetën tuaj, për atë që do të hani ose do të pini, as për trupin tuaj, për atë që do të vishni,—paralajmëroi ai.—A nuk është vallë jeta më me vlerë se ushqimi dhe trupi më me vlerë se veshja?» Pastaj, drejtoi vëmendjen nga zogjtë e qiellit dhe tha: «Ata nuk mbjellin, nuk korrin dhe nuk mbledhin në hambare; megjithatë Ati juaj qiellor i ushqen.» Duke iu referuar zambakëve të fushës, ai tha: «Ata nuk lodhen dhe nuk tjerrin; dhe unë, pra, po ju them se Salomoni vetë, me gjithë lavdinë e tij, nuk ishte veshur si ndonjë nga ata.»​—Mateu 6:25-29.

16. Ç’ka treguar përvoja në lidhje me ndikimet e qëllimeve materialiste?

16 A mund të mësojmë diçka nga këta shembuj të thjeshtë praktikë? Është e zakonshme përvoja që sa më shumë të përpiqet një njeri për të përmirësuar gjendjen e tij materiale, aq më tepër ngatërrohet në punët e kësaj bote dhe më tepër e rëndon barrën që bart mbi shpatulla. Bota është plot me sipërmarrës që sukseset e tyre materiale i kanë paguar me thyerjen e familjes, me martesa të dështuara, me shëndet të shkatërruar, etj. (Luka 9:25; 1. Timoteut 6:9, 10) Albert Ainshtain, fitues i çmimit Nobel, tha: «Të mirat materiale, suksesin e jashtëm, famën, luksin: gjithmonë i kam përbuzur gjëra të tilla. Besoj se një mënyrë jetese e thjeshtë dhe modeste është më e mira për këdo.» Kjo shprehje s’bën gjë tjetër, veçse përsërit këshillën e thjeshtë të Pavlit: «Perëndishmëria është një mjet që sjell dobi të madhe, kur njeriu kënaqet me aq sa ka.»​—1. Timoteut 6:6.

17. Ç’mënyrë jetese rekomandon Bibla?

17 Ka edhe një aspekt të rëndësishëm që nuk duhet ta nënvlerësojmë. Edhe pse «një mënyrë jetese e thjeshtë dhe modeste» ka të mira të mëdha, nuk është kjo në vetevete që sjell kënaqësi. Shumë veta kanë një mënyrë të thjeshtë jetese të detyruar nga rrethanat, megjithatë nuk janë aspak të kënaqur apo të lumtur. Bibla nuk na nxit të heqim dorë nga gëzimet materiale e të jetojmë si eremitë. Theksi bie mbi devotshmërinë e shenjtë (perëndishmërinë), jo mbi kënaqësinë e atyre që kemi. Vetëm kur i kombinojmë këto të dyja, kemi «një mjet që sjell dobi të madhe». Çfarë dobie? Më tej, në po atë letër, Pavli thekson se ata që nuk «i mbajnë shpresat në pasurinë që është e pasigurt, por në Perëndinë e gjallë», sigurisht ‘do të mbledhin një themel të mirë për të ardhmen, për të arritur jetën e përjetshme’.​—1. Timoteut 6:17-19.

18. (a) Si mund të gjejë një person freskim të vërtetë? (b) Si duhet t’i konsiderojmë ndryshimet që mund të na duhet të bëjmë?

18 Do të kemi freskim nëse mësojmë të heqim peshën tonë të rëndë e të marrim barrën e lehtë që na ofron Jezui. Shumë veta që e kanë riorganizuar jetën, në mënyrë që të marrim pjesë plotësisht në shërbimin e Mbretërisë, kanë gjetur rrugën për një jetë të lumtur e të kënaqshme. Natyrisht, duhet besim dhe guxim që dikush të bëjë një lëvizje të tillë dhe rrugës mund të ketë shumë pengesa. Por Bibla na kujton: «Kush e ka mendjen te era nuk ka për të mbjellë dhe kush rri e shikon retë nuk ka për të korrur.» (Eklisiastiu 11:4) Shumë gjëra nuk janë vërtet të vështira, pasi të kemi vendosur t’i bëjmë. Duket se pjesa më e vështirë është të ndajmë mendjen. Mund të lodhim veten, duke luftuar apo duke i rezistuar idesë. Nëse e mbledhim mendjen dhe pranojmë sfidën, mund të çuditemi kur të shohim se ç’bekime do të vijnë. Psalmisti nxiti: «Provojeni dhe shihni sa i mirë është Zoti.»​—Psalmi 34:8; 1. Pjetrit 1:13.

«Prehje për shpirtrat tuaj»

19. (a) Ç’mund të presim me keqësimin e kushteve botërore? (b) Për çfarë mund të jemi të sigurt, ndërsa ndodhemi nën zgjedhën e Jezuit?

19 Apostulli Pavël i kujtoi dishepujt e shekullit të parë: «Me shumë pikëllime duhet të hyjmë në mbretërinë e Perëndisë.» (Veprat 14:22) Kjo është ende e vërtetë sot. Ndërsa kushtet botërore vazhdojnë të keqësohen, presionet që bien mbi të gjithë ata që janë të vendosur për të bërë një jetë të drejtë e me devotshmëri të shenjtë, do të bëhen edhe më të mëdha. (2. Timoteut 3:12; Zbulesa 13:16, 17) Megjithatë, ndihemi si Pavli kur tha: «Ne jemi të shtrënguar në çdo mënyrë, por nuk jemi të ngushtuar deri në fund; jemi ndërdyshas, por jo të dëshpëruar; jemi të përndjekur, por jo të braktisur; të rrëzuar, por jo të shkatëruar.» Arsyeja është se mund të mbështetemi te Jezu Krishti, i cili na jep forcë përtej normales. (2. Korintasve 4:7-9) Duke pranuar me gjithë zemër zgjedhën për të qenë dishepuj, do të gëzojmë përmbushjen e premtimit të Jezuit: «Ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj.»​—Mateu 11:29.

Mund të shpjegosh?

◻ Çfarë është zgjedha e ëmbël që ofroi Jezui?

◻ Ç’duhet të bëjmë, nëse mendojmë se pesha jonë po rëndohet?

◻ Ç’kishte ndër mend Jezui, kur tha: «Barra ime është e lehtë»?

◻ Si mund të sigurohemi që barra jonë të qëndrojë e lehtë?

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo