Gëzo ‘jetën e vërtetë’
PERËNDIA JEHOVA i ka dhënë njeriut aftësinë për të perceptuar përjetësinë. (Predikuesi 3:11) Kjo i bën njerëzit të ndihen të pafuqishëm përballë vdekjes, por në të njëjtën kohë, bën të lindë tek ata një dëshirë e fortë për të jetuar.
Bibla e Shenjtë, Fjala e frymëzuar e Perëndisë, na jep një shpresë të madhe. (2. Timoteut 3:16) Jehovai, i cili është mishërimi i dashurisë, nuk mund ta bënte njeriun me aftësinë për të kapur konceptin e përjetësisë e pastaj ta dënonte që të jetonte vetëm për pak vjet. Është thjesht në kundërshtim me personalitetin e Perëndisë, të na krijonte që të torturoheshim me gjendjen tonë. Ne nuk u krijuam si «shtazë pa mend, të lindura nga natyra që të kapen dhe të shkatërrohen».—2. Pjetrit 2:12.
Kur krijoi Adamin dhe Evën me një ndjenjë të brendshme për përjetësinë, Perëndia Jehova bëri diçka ‘shumë të mirë’, ai i krijoi ata me potencialin për të jetuar përgjithmonë. (Zanafilla 1:31) Por mjerisht, çifti i parë e keqpërdori vullnetin e lirë, duke mos iu bindur një ndalimi të qartë që kishte vënë Krijuesi dhe duke humbur përsosmërinë e tyre fillestare. Për pasojë, ata vdiqën, pasi ia kishin transmetuar papërsosmërinë dhe vdekjen pasardhësve të tyre.—Zanafilla 2:17; 3:1-24; Romakëve 5:12.
Bibla nuk lë asnjë hije misteri rreth qëllimit të jetës dhe se çfarë nënkupton vdekja. Ajo thotë se në vdekje «nuk ka më as punë, as mendim, as njohuri, as dituri» dhe se të vdekurit «nuk dinë asgjë». (Predikuesi 9:5, 10) Me fjalë të tjera, të vdekurit janë të vdekur. Doktrina e shpirtit të pavdekshëm nuk është biblike, kështu që nuk ka ndonjë mister të madh për t’u zbuluar rreth gjendjes së të vdekurve.—Zanafilla 3:19; Psalmi 146:4; Predikuesi 3:19, 20; Ezekieli 18:4.a
Perëndia kishte një qëllim, pasi nuk e krijoi tokën «thjesht për asgjë». Ai e formoi që «të banohej» nga njerëz të përsosur, në kushte parajsore dhe Perëndia nuk e ka ndryshuar qëllimin e tij. (Isaia 45:18; Malakia 3:6) Për të përmbushur këtë qëllim, ai dërgoi Birin e tij në tokë. Duke mbetur besnik deri në vdekje, Jezu Krishti siguroi mjetin për të riblerë njerëzimin nga mëkati dhe vdekja. Në fakt, Jezui tha: «Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.»—Gjoni 3:16.
Kohë më parë, Perëndia premtoi se do të krijonte «qiej të rinj dhe një tokë të re». (Isaia 65:17; 2. Pjetrit 3:13) Kjo do të përfshinte zgjedhjen e një grupi të kufizuar të krishterësh besnikë për të jetuar në qiell. Së bashku me Jezu Krishtin, ata formojnë një qeveri. Bibla i referohet kësaj si «mbretëria e qiejve» ose «mbretëria e Perëndisë», e cila do të administrojë «gjërat që janë mbi dhe». (Mateu 4:17; 12:28; Efesianëve 1:10; Zbulesa 5:9, 10; 14:1, 3) Pasi të shkatërrojë gjithë paperëndishmërinë në globin tonë dhe pasi ta pastrojë atë, Perëndia do të formojë një shoqëri të re e të drejtë njerëzore, ose ‘tokën e re’. Këtu do të përfshihen njerëz të cilët Perëndia do t’i mbrojë gjatë shkatërrimit të afërt të këtij sistemi të lig gjërash. (Mateu 24:3, 7-14, 21; Zbulesa 7:9, 13, 14) Atyre do t’u bashkohen personat që do të sillen në jetë me anë të ringjalljes së premtuar.—Gjoni 5:28, 29; Veprat 24:15.
«Jeta e vërtetë» atëherë
Për të vërtetuar përshkrimin rrëqethës të jetës në tokën e ardhshme parajsore, Perëndia thotë: «Ja! Unë i bëj të gjitha gjërat të reja.» (Zbulesa 21:5) Mendja njerëzore e ka të pamundur të kuptojë plotësisht veprat e mrekullueshme që do të kryejë Perëndia për njerëzimin. Perëndia do të krijojë një parajsë mbarëbotërore, sipas modelit të Edenit. (Luka 23:43) Ashtu si në Eden, bukuria dhe kënaqësia e ngjyrave, tingujve dhe shijeve do të jenë me bollëk. Varfëria dhe mungesa e ushqimit nuk do të ekzistojnë më, sepse lidhur me atë kohë, Bibla thotë: «Gjërat e mëparshme shkuan.» (Zbulesa 21:4; Psalmi 72:16) Askush nuk do të thotë më kurrë «jam i sëmurë», pasi sëmundjet do të eliminohen përgjithnjë. (Isaia 33:24) Pikërisht, të gjitha shkaqet e dhimbjeve do të zhduken, duke përfshirë edhe armikun e njerëzimit prej shumë kohësh, vdekjen. (1. Korintasve 15:26) Në një vizion mahnitës të ‘tokës së re’, të shoqërisë së re njerëzore nën sundimin e Krishtit, apostulli Gjon dëgjoi një zë që thoshte: «Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre dhe vdekja nuk do të jetë më, as brengë, as klithma, as mundim.» Ç’gjë mund të sillte ngushëllim më të madh sesa përmbushja e këtij premtimi hyjnor?
Duke përshkruar jetën e ardhshme, Bibla thekson në veçanti kushtet që do të kënaqin aspiratat morale dhe frymore të njeriut. Të gjitha idealet e drejta, për të cilat njerëzimi ka luftuar më kot deri tani, do të arrihen plotësisht. (Mateu 6:10) Ndër to është edhe dëshira për drejtësi, e cila ka mbetur e paplotësuar, sepse shpesh njeriu është munduar nga shtypës mizorë, të cilët kanë zotëruar mbi të dobëtit. (Predikuesi 8:9) Psalmisti shkroi në mënyrë profetike për kushtet që do të ishin nën sundimin e Krishtit: «Në ditët e tij, drejtësia do të lulëzojë dhe paqja me shumicë.»—Psalmi 72:7, The New Jerusalem Bible.
Barazia është një tjetër aspiratë, për të cilën shumë njerëz kanë bërë sakrifica. Në «krijimin e ri» Perëndia do ta eliminojë diskriminimin. (Mateu 19:28) Të gjithë do të gëzojnë të njëjtin dinjitet. Kjo nuk do të jetë një barazi e imponuar nga ndonjë regjim i ashpër qeveritar. Përkundrazi, do të eliminohen shkaqet e diskriminimit, duke përfshirë këtu lakminë dhe krenarinë, të cilat i bëjnë njerëzit të kërkojnë të zotërojnë mbi të tjerët ose të grumbullojnë sasi shumë të mëdha të mirash materiale. Isaia profetizoi: «Do të ndërtojnë shtëpi dhe do të banojnë në to, do të mbjellin vreshta dhe do të hanë frytin. Nuk do të ndërtojnë më që të banojë një tjetër, nuk do të mbjellin më që të hajë një tjetër.»—Isaia 65:21, 22.
Sa shumë ka vuajtur njeriu për shkak të gjakderdhjes, si në konfliktet individuale, ashtu edhe në ato kolektive! Kjo ka filluar me vrasjen e Abelit e ka vazhduar deri tani, me luftërat e kohës sonë. Sa shumë kohë kanë shpresuar dhe kanë pritur njerëzit, me sa duket më kot, që të vendosej paqja! Në Parajsën e rivendosur, të gjithë njerëzit do të jenë paqësorë e të butë dhe do të ‘gëzojnë një paqe të madhe’.—Psalmi 37:11.
Në Isainë 11:9 thuhet: «Vendi do të mbushet me njohurinë e Zotit, ashtu si ujërat mbulojnë detin.» Për shkak të papërsosmërisë së trashëguar, si edhe për shkaqe të tjera, ne sot nuk kemi mundësi të kuptojmë plotësisht masën në të cilën do të përmbushen këto fjalë. Ndoshta do të na duhet ende ta mësojmë se në ç’mënyrë njohuria e përsosur e Perëndisë do të na bashkojë me të dhe se në ç’mënyrë kjo gjë do të sjellë si rezultat një gëzim të plotë. Veç kësaj, meqenëse Shkrimet na informojnë se Jehovai është një Perëndi i mrekullueshëm në fuqi, mençuri, drejtësi dhe dashuri, mund të jemi të sigurt se ai do t’i dëgjojë të gjitha lutjet që do të bëjnë banorët e ‘tokës së re’.
‘Jeta e vërtetë’ është një realitet: Arrije atë!
Për shumë njerëz, jeta e përhershme në një botë më të mirë është vetëm një ëndërr ose një iluzion. Megjithatë, për ata që kanë vërtet besim në premtimin e Biblës, kjo shpresë është e sigurt. Ajo është si një spirancë për jetën e tyre. (Hebrenjve 6:19) Ashtu si spiranca i jep stabilitet një anijeje dhe pengon lëvizjen, shpresa e jetës së përjetshme i bën njerëzit të qëndrueshëm dhe të sigurt, si edhe u jep mundësinë të përballojnë vështirësitë e mëdha të jetës e madje edhe t’i kapërcejnë ato.
Mund të jemi të sigurt se Perëndia do t’i përmbushë premtimet e tij. Ai madje na ka dhënë garanci, duke bërë një betim, një detyrim të pakthyeshëm. Apostulli Pavël shkroi: «Perëndia, duke dashur t’u tregojë trashëgimtarëve të premtimit, në mënyrë më të qartë, palëkundshmërinë e vendimit të tij, vuri ndërmjetës betimin, që me anë të dy gjërave të pandryshueshme, në të cilat është e pamundur që Perëndia të gënjejë, të kemi trimërim të madh, . . . duke u kapur nga shpresa që na u vu përpara.» (Hebrenjve 6:17, 18) ‘Dy gjërat e pandryshueshme’ që Perëndia nuk mund t’i anulojë kurrë janë premtimi dhe betimi i tij, mbi të cilat ne bazojmë gjërat që presim.
Besimi në premtimet e Perëndisë siguron një ngushëllim të madh dhe forcë frymore. Josiu, një udhëheqës i popullit izraelit, e pati këtë besim. Kur u mbajti fjalimin e tij të lamtumirës izraelitëve, Josiu ishte i moshuar dhe e dinte se po i afrohej vdekja. Gjithsesi, ai shprehu forcë dhe besnikëri të pathyeshme, që buruan nga besimi i plotë në premtimet e Perëndisë. Pasi tha se po shkonte «në rrugën e gjithë botës», në drejtimin që e çon të gjithë njerëzimin në vdekje, Josiu pohoi: «Pranoni, pra, me gjithë zemër e me gjithë shpirt që nuk ka rënë përtokë asnjë nga fjalët e mira që Zoti, Perëndia juaj, ka thënë lidhur me ju. Të tëra u vërtetuan për ju. As edhe një [fjalë] nuk ra përtokë.» Tamam, Josiu e përsëriti tri herë se Perëndia i mban gjithnjë të gjitha premtimet e tij.—Jozueu 23:14.
Edhe ti mund të kesh të njëjtin besim në premtimin e Perëndisë për një botë të re që do të vendoset së shpejti. Duke e studiuar me zell Biblën, do të arrish të kuptosh se kush është Jehovai dhe përse meriton besimin tonë të plotë. (Zbulesa 4:11) Abrahami, Sara, Isaku, Jakobi dhe besnikë të tjerë të lashtësisë patën besim të pathyeshëm, të bazuar në njohurinë e tyre të thellë për Perëndinë e vërtetë, Jehovain. Ata qëndruan të fortë në shpresë, pavarësisht nga fakti se ‘nuk i morën premtimet e bëra’ ndërsa ishin gjallë. Megjithatë, «i panë për së largu dhe i përshëndetën ato».—Hebrenjve 11:13.
Duke kuptuar profecitë e Biblës, tani ne shohim afrimin e «ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm», gjatë së cilës toka do të pastrohet nga e gjithë ligësia. (Zbulesa 16:14, 16) Ashtu si njerëzit besnikë të lashtësisë, edhe ne duhet të qëndrojmë në pritje të sigurt të ngjarjeve të ardhshme, të motivuar nga besimi, si edhe nga dashuria për Perëndinë dhe për ‘jetën e vërtetë’. Fakti që bota e re është afër siguron një stimul të fortë për ata që ushtrojnë besim në Jehovain dhe që e duan atë. Ky besim dhe kjo dashuri duhen kultivuar me qëllim që të fitojmë favorin dhe mbrojtjen e Perëndisë gjatë ditës së tij të madhe, e cila është te pragu i derës.—Sofonia 2:3; 2. Thesalonikasve 1:3; Hebrenjve 10:37-39.
Pra, a e do jetën? A e dëshiron akoma më tepër ‘jetën e vërtetë’, jetën si një shërbëtor i miratuar i Perëndisë, me perspektivën e një të ardhmeje të lumtur, po, duke pasur përpara jetën e përhershme? Nëse kjo është ajo që ti kërkon, vërja veshin thirrjes së apostullit Pavël, i cili shkroi se duhet ‘t’i mbajmë shpresat, jo në pasurinë që është e pasigurt, por në Perëndinë’. Pavli vazhdoi: ‘Bëhuni të pasur në vepra të shkëlqyera’, të cilat e nderojnë Perëndinë, me qëllim që ‘të kapeni fort pas jetës së vërtetë’.—1. Timoteut 6:17-19, BR.
Duke pranuar ofertën për një studim biblik me Dëshmitarët e Jehovait, mund të fitosh njohurinë që «do të thotë jetë e përhershme». (Gjoni 17:3, BR) Me dashuri, Bibla ka dokumentuar këtë ftesë atërore që u bëhet të gjithëve: «Biri im, mos harro mësimet e mia dhe zemra jote le të ruajë urdhërimet e mia, sepse do të të shtohen ditë të gjata, vite jete dhe paqeje.»—Fjalët e urta 3:1, 2.
[Shënimi]
a Për një shqyrtim të hollësishëm të kësaj çështjeje, shiko broshurën Çfarë ndodh me ne kur vdesim?, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.