Arti që prek zemrat: Të bindim njerëzit
SHUMË njerëz e shohin me dyshim shprehjen «të bindësh njerëzit». Ajo mund të sjellë në mendjen e një personi një shitës të zhdërvjellët ose një reklamë që ka për qëllim të mashtrojë ose manipulojë konsumatorin. Edhe në Bibël, disa herë ideja e bindjes së dikujt ka ngjyrime negative, që tregojnë një korruptim ose çuarje në rrugë të shtrembër. Për shembull, apostulli i krishterë Pavël, u shkroi galatasve: «Ju vraponit bukur; kush ju ka penguar që të mos i bindeni së vërtetës? Kjo bindje nuk vjen nga ai që ju thërret.» (Galatasve 5:7, 8) Pavli i paralajmëroi edhe kolosianët që të mos linin askënd t’i ‘zhgënjente me argumente bindëse’. (Kolosianëve 2:4, BR) Një bindje e tillë varet nga argumentet e zgjuara, të ndërtuara mbi themele të rreme.
Megjithatë, në letrën e tij të dytë drejtuar Timoteut, apostulli Pavël e përdori idenë e bindjes në një kuptim të ndryshëm. Ai shkroi: «Vazhdo në gjërat që ke mësuar dhe që u binde për t’i besuar, duke ditur se nga cilët njerëz i ke mësuar.» (2. Timoteut 3:14, BR) Duke u ‘bindur për t’i besuar’, Timoteu nuk po manipulohej nga mamaja dhe nga gjyshja e tij, nëpërmjet të cilave mësoi të vërtetat biblike.—2. Timoteut 1:5.a
Kur ishte në arrest shtëpie në Romë, Pavli u dha dëshmi të plotë shumë vetave «dhe me anë të ligjit të Moisiut dhe të profetëve kërkonte t’i bindte për gjërat që i përkasin Jezuit, që nga mëngjesi e deri në mbrëmje». (Veprat 28:23) A po e mashtronte Pavli auditorin e tij? Patjetër që jo! Qartë, pra, të bindësh dikë nuk është gjithmonë diçka e keqe.
E përdorur në një kuptim pozitiv, rrënja e fjalës greke e përkthyer «bind» do të thotë të mbushësh mendjen e njerëzve, të shkaktosh ndërrimin e mendjes me anë të një arsyetimi të shëndoshë dhe logjik. Kështu, një mësues mund të ndërtojë mbi një themel biblik, duke e përdorur bindjen që t’u mbushë mendjen të tjerëve për të vërtetat biblike. (2. Timoteut 2:15) Në të vërtetë, kjo ishte një karakteristikë e shërbimit të Pavlit. Edhe argjendari Dhimitër, i cili i konsideronte si të rreme mësimet e krishtere, vërejti: «Ky Pavli ua ka mbushur mendjen [ka bindur, BR] dhe ktheu një numër të madh njerëzish jo vetëm në Efes, por gati në mbarë Azinë, duke thënë se nuk janë perëndi ata që janë bërë me duar.»—Veprat 19:26.
Të bindim njerëzit në shërbim
Jezu Krishti i udhëzoi ithtarët e tij: «Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt, duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të frymës së shenjtë dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës.» (Mateu 28:19, 20) Në mbi 230 vende, Dëshmitarët e Jehovait po i binden këtij urdhri. Çdo muaj, gjatë vitit të tyre të shërbimit 1997, ata drejtuan në mbarë botën një mesatare prej 4.552.589 studimesh biblike në shtëpi.
Nëse ke privilegjin të drejtosh një studim biblik në shtëpi, mund të jesh në gjendje t’u dalësh përpara sfidave që do të kërkojë përdorimi i artit të bindjes. Për shembull, ta zëmë se kur të shkosh për studim herën tjetër, do të ngrihet një pyetje në lidhje me Trinitetin. Ç’do të bësh sikur të marrësh vesh se studenti yt e beson këtë doktrinë? Mund t’i japësh një botim që trajton këtë çështje. Pasi ta ketë lexuar, mund të vëresh se ai është bindur që Perëndia dhe Jezui nuk janë i njëjti person. Po nëse mbetet ndonjë dyshim, si mund të vazhdosh?
Dëgjo me vëmendje. Kjo do të të ndihmojë të përcaktosh se çfarë beson tashmë studenti yt në lidhje me ndonjë çështje specifike. Për shembull, nëse studenti yt thotë se ‘unë besoj në Trinitetin’, mund të fillosh menjëherë një bisedë biblike për ta përgënjeshtruar këtë doktrinë. Por, në lidhje me Trinitetin ka besime të ndryshme. Studenti yt mund të besojë diçka krejt të ndryshme nga ajo që ti do ta përkufizoje si doktrinën e Trinitetit. E njëjta gjë mund të thuhet për bindje të tjera të tilla, si: rimishërimi, pavdekshmëria e shpirtit dhe shpëtimi. Kështu që, dëgjo me vëmendje para se të flasësh. Mos e merr me mend atë që beson studenti.—Fjalët e urta 18:13.
Bëj pyetje. Këto mund të përfshijnë: ‘Gjithmonë ke besuar në Trinitetin? A ke bërë ndonjëherë një studim të plotë të asaj që thotë Bibla mbi këtë çështje? Nëse Perëndia do të ishte pjesë e një triniteti, a nuk do të na e tregonte qartë dhe drejtpërdrejt këtë Fjala e tij, Bibla?’ Kur je duke mësuar studentin, ndalu herë pas here, për të drejtuar pyetje të tilla, si këto: ‘A të duken me kuptim ato që kemi trajtuar deri tani?’ ‘A je dakord me këtë shpjegim?’ Me anë të përdorimit të zhdërvjellët të pyetjeve, ti e përfshin studentin në procesin e mësimit. Ai nuk do të jetë thjesht duke të dëgjuar, tek shtjellon një çështje.
Përdor arsyetim të shëndoshë. Për shembull, kur je duke trajtuar doktrinën e Trinitetit, mund t’i thuash studentit: ‘Kur Jezui u pagëzua, nga qielli doli një zë, që tha: «Ti je Biri im i dashur.» Nëse Perëndia ishte me të vërtetë në tokë duke u pagëzuar, a do ta lëshonte zërin e tij, sikur ai të vinte prej qiellit, që ato fjalë të dëgjoheshin në tokë? A nuk do të ishte diçka mashtruese kjo? A do ta bënte Perëndia, «i cili nuk mund të gënjejë», një gjë të tillë mashtruese?’—Luka 3:21, 22; Titit 1:1, 2, BR.
Arsyetimi i shëndoshë i paraqitur me takt, shpesh është shumë i efektshëm. Merr rastin e një gruaje, që po e quajmë Barbara. Gjatë gjithë jetës, ajo kishte besuar se Jezui ishte Perëndia dhe pjesë e një triniteti që përfshinte frymën e shenjtë. Por më pas, një Dëshmitar i Jehovait i tha se Perëndia dhe Jezui ishin dy individë të veçantë dhe i tregoi shkrime në mbështetje të pohimit të tij.b Barbara nuk mund të hidhte poshtë Biblën. Në të njëjtën kohë ishte e zhgënjyer. Në fund të fundit, ajo e kishte për zemër doktrinën e Trinitetit.
Me durim, Dëshmitari arsyetoi me Barbarën. «Nëse do të përpiqeshe të më mësoje se dy persona janë të barabartë,—e pyeti ai,—cilën marrëdhënie familjare do të përdorje për ta ilustruar?» Ajo u mendua për një çast dhe pastaj u përgjigj: «Mund të përdorja dy vëllezër.» «E saktë,—iu përgjigj Dëshmitari.—Madje ndoshta dy binjakë identikë. Por, kur na mëson që Perëndinë ta konsiderojmë si Atin dhe atë vetë si Birin, cilin mesazh përcjell Jezui?» «E kuptoj,—u përgjigj Barbara, me sytë që po i zmadhoheshin. Ai e përshkruan njërin si më të madh dhe që ka më shumë autoritet.»
«Po,—u përgjigj Dëshmitari,—dhe sidomos auditori judaik i Jezuit, që jetonte në një shoqëri patriarkale, do të kishte arritur në po këtë përfundim.» Duke theksuar se ku e kishte fjalën, Dëshmitari përfundoi: «Nëse për t’u mësuar të tjerëve barazinë, propozojmë një ilustrim të tillë të përshtatshëm, atë të vëllezërve ose të binjakëve identikë, sigurisht që edhe Jezui, Mësuesi i Madh, mund të bënte po kështu. Por në vend të tij, për të përshkruar marrëdhënien ndërmjet atij vetë dhe Perëndisë, ai përdori termat ‘at’ dhe ‘bir’.»
Së fundi, Barbara e kuptoi atë pikë dhe e pranoi. Zemra e saj u arrit me artin e bindjes.
Të marrim parasysh emocionet
Shpesh, bindjet fetare të rrënjosura fort përfshijnë komponentin emocional. Merr rastin e Ednës, një katolike e devotshme. Nipat e saj adoleshentë i treguan me prova të qarta nga Shkrimet se Perëndia dhe Jezui nuk janë i njëjti person. Edna e kuptoi atë që dëgjoi. Megjithatë, me butësi, por me vendosmëri, tha: «Unë besoj në Trinitetin e shenjtë.»
Ndoshta ti ke pasur një përvojë të ngjashme. Shumë veta i konsiderojnë doktrinat e fesë së tyre si të ishin pjesë e identitetit të atyre vetë. Për të bindur studentë të tillë të Biblës, nevojitet më shumë sesa logjika e ftohtë ose qoftë edhe një seri shkrimesh, të cilat provojnë se pikëpamja e personit është e gabuar. Situata të tilla mund të trajtohen mirë duke drejtpeshuar artin e bindjes me dhembshurinë. (Krahaso Romakëve 12:15; Kolosianëve 3:12.) Kuptohet që një mësues i efektshëm duhet të ketë bindje të forta. Për shembull, Pavli përdori fraza të tilla, si: «Unë jam i bindur» dhe «unë e di dhe jam plotësisht i bindur në Zotin Jezu». (Romakëve 8:38; 14:14) Megjithatë, kur shprehim bindjet tona, nuk duhet të përdorim një ton dogmatik dhe moralizues, as nuk duhet të jemi sarkastikë ose përçmues në prezantimin e të vërtetave biblike. Sigurisht, nuk duam ta ofendojmë ose ta fyejmë studentin.—Fjalët e urta 12:18.
Është shumë më e efektshme të respektosh bindjet e studentit dhe të pranosh të drejtën e tij për t’i zotëruar ato. Çelësi është përulësia. Një mësues më përulësi mendjeje nuk mendon se i takon një pozitë më e lartë sesa studentit të tij. (Luka 18:9-14; Filipianëve 2:3, 4) Bindja hyjnore përfshin një përulësi të tillë, e cila, në fakt, thotë: ‘Me mëshirë, Jehovai më ka ndihmuar ta kuptoj këtë. Më lejoni t’jua tregoj edhe juve.’
Bashkë të krishterëve në Korint, Pavli u shkroi: «Armët e luftës sonë nuk janë mishore, por të fuqishme me anë të Perëndisë, për të përmbysur gjëra të rrënjosura fort. Sepse ne po përmbysim arsyetimet dhe çdo gjë të lartë të ngritur kundër njohurisë së Perëndisë dhe po e çojmë në robëri çdo mendim, për ta bërë të bindur ndaj Krishtit.» (2. Korintasve 10:4, 5, BR) Sot, Dëshmitarët e Jehovait po e përdorin Fjalën e Perëndisë për të përmbysur doktrina të rreme të rrënjosura fort, si dhe praktika e tipare të ngulitura thellë, të cilat nuk i pëlqejnë atij. (1. Korintasve 6:9-11) Kur bëjnë këtë, Dëshmitarët nuk harrojnë se me dashuri, Jehovai ka qenë i duruar me ta. Sa të lumtur janë ata që e kanë Fjalën e tij, Biblën, si dhe që e përdorin këtë mjet të fuqishëm për të çrrënjosur mësimet e rreme dhe për të prekur zemrat me artin e bindjes!
[Shënimet]
a Shiko artikullin «Eunika dhe Loide: Mësuese shembullore», në faqet 7-9 të këtij numri të Kullës së Rojës.
b Shiko Gjonin 14:28; Filipianëve 2:5, 6; Kolosianëve 1:13-15. Për më shumë informacion shiko broshurën A duhet të besosh në Trinitet?, botuar nga Shoqata Watchtower Bible and Tract of New York, Inc.
[Kutia në faqen 23]
Preke zemrën e studentit tënd
◻ Lutu për drejtimin e Jehovait në arritjen e zemrës së studentit të Biblës.—Nehemia 2:4, 5; Isaia 50:4.
◻ Shquaj se çfarë beson studenti dhe se përse mund t’i duket tërheqëse një bindje e rremë.—Veprat 17:22, 23.
◻ Në mënyrë të sjellshme dhe të duruar ndërto një argument logjik biblik, ndërsa mban një bazë të përbashkët.—Veprat 17:24-34.
◻ Nëse është e mundur, përforcoji të vërtetat biblike me ilustrime të efektshme.—Marku 4:33, 34.
◻ Tregoji studentit dobitë e pranimit të njohurisë së saktë nga Bibla.—1. Timoteut 2:3, 4; 2. Timoteut 3:14, 15.