Kulloteni kopenë e Perëndisë me dashuri!
«Kulloteni kopenë e Perëndisë që është nën kujdesin tuaj.»—1. PJETRIT 5:2, BR.
1, 2. Cila është cilësia kryesore e Jehovait dhe si duhet treguar?
TË GJITHA Shkrimet e Shenjta e bëjnë të qartë se dashuria është cilësia kryesore e Perëndisë. «Perëndia është dashuri»,—thotë 1. Gjonit 4:8. Duke qenë se dashuria e tij shprehet me vepra, 1. Pjetrit 5:7 thotë se Perëndia «kujdeset për ju». (BR) Në Bibël, kujdesi që ka Jehovai për popullin e tij krahasohet me kujdesin e dhembshur që një bari i dashur ka për delet e tij: «Ja, Perëndia, Zoti . . . do të kullosë kopenë e tij si një bari, do t’i mbledhë qengjat me krahun e tij dhe do t’i mbajë në gji të tij, dhe do të udhëheqë me ëmbëlsi dhe kujdes delet që kanë të vegjlit e tyre.» (Isaia 40:10, 11) Ç’ngushëllim ishte për Davidin që mundi të thoshte: «Zoti është bariu im, asgjë nuk do të më mungojë.»—Psalmi 23:1.
2 Është e përshtatshme që Bibla e krahason popullin që ka favorin e Perëndisë me delet, sepse ato janë të paqme, të nënshtruara dhe të bindura ndaj bariut të tyre të kujdesshëm. Si një Bari i dashur, Jehovai kujdeset shumë për popullin e tij ngjashëm deleve. Ai e tregon këtë duke i siguruar materialisht dhe frymësisht dhe duke i udhëhequr nëpër «ditët e fundit» të vështira të kësaj bote të ligë, drejt botës së re e të drejtë që po vjen.—2. Timoteut 3:1-5, 13; Mateu 6:31-34; 10:28-31; 2. Pjetrit 3:13.
3. Si e përshkroi psalmisti mënyrën në të cilën Jehovai kujdeset për delet e tij?
3 Shiko kujdesin e dashur të Jehovait për delet e tij: «Sytë e Zotit janë mbi të drejtët dhe veshët e tij janë të vëmendshëm të kapin britmën e tyre. . . . Të drejtët bërtasin dhe Zoti i dëgjon dhe i çliron nga të gjitha fatkeqësitë e tyre. Zoti qëndron afër atyre që e kanë zemrën të thyer dhe shpëton ata që e kanë frymën të dërrmuar. Të shumta janë vuajtjet e njeriut të drejtë, por Zoti e çliron nga të gjitha.» (Psalmi 34:15-19) Çfarë lehtësimi siguron Bariu Universal për njerëzit e tij ngjashëm deleve!
Shembulli i Bariut të shkëlqyer
4. Cili është roli i Jezuit në kujdesin për kopenë e Perëndisë?
4 Biri i Perëndisë, Jezui, mësoi mirë nga Ati i tij, sepse Bibla e quan Jezuin «bariu i shkëlqyer». (Gjoni 10:11-16, BR) Shërbimi i çmuar që ai i bëri kopesë së Perëndisë vërehet tek kapitulli 7 i Zbulesës. Në vargun 9, shërbëtorët e Perëndisë së ditëve tona quhen «një turmë e madhe . . . prej të gjitha kombeve, fiseve, popujve dhe gjuhëve». Më pas vargu 17 thotë: «Qengji [Jezui] . . . do të kullosë dhe do t’i çojë te burimet e gjalla të ujërave [burimet e ujërave të jetës, BR]; dhe Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre.» Jezui drejton delet e Perëndisë drejt ujërave të së vërtetës që të çon në jetën e përhershme. (Gjoni 17:3) Vëre se Jezui quhet «Qengji», për të treguar cilësitë e tij si të një deleje, duke qenë ai vetë shembulli kryesor i nënshtrimit ndaj Perëndisë.
5. Si ndihej Jezui për njerëzit?
5 Kur ishte në tokë, Jezui jetoi mes njerëzve dhe u njoh me kushtet e tyre të trishtueshme. Si reagoi ai ndaj gjendjes së tyre të vështirë? «Kishte dhembshuri për to, sepse ishin të lodhur dhe të shpërndarë si delet pa bari.» (Mateu 9:36) Delet pa bari dhe delet e barinjve të pakujdesshëm, vuajnë shumë në duart e grabitqarëve. Ndërsa Jezui u kujdes shumë, sepse ai tha: «Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj. Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë.»—Mateu 11:28-30.
6. Çfarë konsiderate kishte Jezui për të shtypurit?
6 Profecia biblike paratha se Jezui do të sillej me dashuri me njerëzit: «Jehovai më ka mirosur . . . t’u lidh plagën zemërthyerve, . . . të ngushëlloj të gjithë të pikëlluarit.» (Isaia 61:1, 2; Luka 4:17-21) Jezui nuk e përçmoi kurrë të varfrin dhe fatkeqin. Përkundrazi, ai plotësoi Isaian 42:3: «Nuk do ta copëtojë kallamin e thyer dhe nuk do ta shuajë kandilin që bën tym; do ta paraqesë drejtësinë sipas së vërtetës.» (Krahaso Mateun 12:17-21) Të përvuajturit ishin si kallama të thyer, si fitila llampe që fikeshin shpejt për shkak të mungesës së vajgurit. Duke pasur parasysh gjendjen e tyre të mjerë, Jezui tregoi dhembshuri ndaj tyre dhe u dha forcë dhe shpresë, duke i shëruar kështu frymësisht dhe fizikisht.—Mateu 4:23.
7. Ku i drejtoi Jezui njerëzit që iu përgjigjën atij?
7 Një numër shumë i madh njerëzish ngjashëm deleve iu përgjigjën Jezuit. Kaq tërheqës ishte mësimi i tij, sa ushtarët që u dërguan për ta arrestuar thanë: «Asnjeri nuk ka folur kurrë si ai njeri.» (Gjoni 7:46) Ja përse udhëheqësit fetarë hipokritë ankoheshin: «Bota shkon pas tij.» (Gjoni 12:19) Jezui nuk donte nder dhe lavdi për veten e tij. Ai i drejtoi njerëzit nga Ati. Ai i mësoi ata t’i shërbenin Jehovait nga dashuria për cilësitë e Tij të admirueshme: «Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë forcën tënde, me gjithë mendjen tënde.»—Luka 10:27, 28.
8. Ku ndryshon bindja që populli i Perëndisë i jep atij nga bindja që të tjerët i japin sundimtarëve të botës?
8 Jehovai kënaqet kur delet e tij mbështesin sovranitetin e tij universal nga dashuria për të. Ata me vullnet të lirë vendosin t’i shërbejnë atij, për shkak të njohurisë së tyre lidhur me cilësitë e tij të dashura. Sa e ndryshme është situata me udhëheqësit e kësaj bote, nënshtetasit e së cilës u binden atyre vetëm nga frika, pa dëshirë ose për qëllime egoiste! Për Jehovain dhe Jezuin nuk mund të thuhet kurrë ajo që u tha për një papë të Kishës Katolike të Romës: «Shumë e admironin, të gjithë e kishin frikë, askush nuk e donte.»—Vicars of Christ—The Dark Side of the Papacy, nga Peter De Roza.
Barinjtë mizorë në Izrael
9, 10. Përshkruaj udhëheqësit e Izraelit të lashtë dhe ata të shekullit të parë.
9 Në ndryshim nga Jezui, në ditët e tyre udhëheqësit fetarë të Izraelit nuk kishin dashuri për delet. Ata ishin si sundimtarët e hershëm të Izraelit, për të cilët Jehovai tha: «Mjerë barinjtë e Izraelit që kullotin veten e tyre! A nuk duhet përkundrazi të kullosin kopenë? . . . Nuk i keni forcuar delet e dobëta, nuk jeni kujdesur për të sëmurën, nuk keni fashuar atë të plagosurën, nuk e keni kthyer në shtëpi të hutuarën dhe nuk e keni kërkuar të humburën, por keni sunduar mbi to me forcë dhe ashpërsi.»—Ezekieli 34:2-4.
10 Ashtu si ata barinj politikë, udhëheqësit fetarë judenj të shekullit të parë ishin zemërgur. (Luka 11:47-52) Për të ilustruar këtë fakt, Jezui foli për një hebre që ishte grabitur, rrahur dhe lënë gjysmë i vdekur në mes të rrugës. Një prift izraelit kaloi aty, por sapo pa hebreun, ndërroi rrugë. Të njëjtën gjë bëri edhe një levit. Pastaj, një jo izraelit, një samaritan i përçmuar kaloi aty dhe ndieu dhembshuri për viktimën. I lidhi plagët, e hipi në një kafshë dhe e çoi në një han, ku u kujdes për të. E pagoi hanxhiun dhe i tha se do të kthehej për të paguar pjesën e mbetur.—Luka 10:30-37.
11, 12. (a) Deri në ç’pikë arriti ligësia e udhëheqësve fetarë në ditët e Jezuit? (b) Çfarë u bënë përfundimisht romakët udhëheqësve fetarë?
11 Kaq të korruptuar ishin udhëheqësit fetarë në ditët e Jezuit, sa kur Jezui ringjalli Lazrin nga të vdekurit, kryepriftërinjtë dhe farisejtë mblodhën Sanhedrinin dhe thanë: «Ç’të bëjmë? Ky njeri [Jezui] po bën shumë shenja. Po ta lëmë të vazhdojë kështu, të gjithë do të besojnë në të, do të vijnë Romakët dhe do të shkatërrojnë vendin dhe kombin tonë.» (Gjoni 11:47, 48) Nuk merrnin parasysh të mirën që Jezui i kishte bërë të vdekurit, por shqetësoheshin për pozitën e tyre. Prandaj, «që nga ajo ditë, pra, ata vendosën ta vrasin [Jezuin]».—Gjoni 11:53.
12 Sikur të mos mjaftonte ligësia e tyre, më pas kryepriftërinjtë «vendosën ta vrasin edhe Lazarin, sepse për shkak të tij, shumë veta braktisnin Judenjtë dhe besonin në Jezusin». (Gjoni 12:10, 11) Përpjekjet e tyre egoiste për të ruajtur pozitën e tyre nuk vlejtën aspak, sepse Jezui u kishte thënë: «Ja, shtëpia juaj po ju lihet e shkretë.» (Mateu 23:38) Në plotësim të këtyre fjalëve, në atë gjeneratë romakët vajtën e u morën ‘vendin dhe kombin’ bashkë me jetën.
Barinj të dashur në kongregacionin e krishterë
13. Kë premtoi Jehovai se do të dërgonte për të kullotur kopenë e tij?
13 Në vend të barinjve mizorë e egoistë, Jehovai do të ngrinte Bariun e Shkëlqyer, Jezuin, që do të kujdesej për kopenë e tij. Gjithashtu, ai premtoi se do të sillte edhe nënbarinj të dashur për t’u kujdesur për delet: «Do të caktoj mbi to barinj që do t’i kullosin dhe nuk do të kenë më ndrojtje as frikë.» (Jeremia 23:4) Kështu, si në kongregacionin e krishterë të shekullit të parë, ashtu edhe sot, ‘në çdo qytet, caktohen pleq’. (Titit 1:5) Këta burra të moshuar frymësisht, që plotësojnë cilësitë e dhëna në Shkrime, duhet «të kullotin kopenë e Perëndisë».—1. Pjetrit 5:2; 1. Timoteut 3:1-7; Titit 1:7-9.
14, 15. (a) Cilin qëndrim e kishin të vështirë dishepujt të mbanin? (b) Çfarë bëri Jezui për t’u treguar se pleqtë duhej të ishin shërbëtorë të përulur?
14 Në kujdesin për delet, barinjtë «para së gjithash» duhet të kenë «një dashuri të madhe» për ta. (1. Pjetrit 4:8) Ndërsa dishepujt e Jezuit, duke qenë shumë të shqetësuar për prestigjin dhe pozitën e tyre, akoma duhej ta mësonin këtë gjë. Prandaj, dishepujt e tjerë u indinjuan, kur nëna e dy prej dishepujve i tha Jezuit: «Urdhëro që këta dy bijtë e mi të ulen njëri në të djathtën dhe njëri në të majtën në mbretërinë tënde.» Atëherë Jezui u tha: «Ju e dini se të parët e kombeve i sundojnë ato dhe të mëdhenjtë përdorin pushtet mbi ato, por midis jush kështu nuk do të ndodhë; madje secili prej jush që do të dojë të bëhet i madh, qoftë shërbëtori juaj; dhe kushdo prej jush që do të dojë të jetë i pari, qoftë skllavi juaj.»—Mateu 20:20-28.
15 Në një rast tjetër, pasi dishepujt «kishin diskutuar se cili ndër ta ishte më i madhi», Jezui u tha: «Nëse dikush don të jetë i pari, le të bëhet i fundit i të gjithëve dhe shërbëtori i të gjithëve.» (Marku 9:34, 35) Thjeshtësia e mendjes dhe gatishmëria për të shërbyer duhej të ishin pjesë e personalitetit të tyre. Megjithatë, dishepujt vazhdonin të kishin vështirësi me këto ide, sepse një ditë para se Jezui të vdiste, në darkën e tij të fundit lindi një «grindje» mes tyre mbi faktin se kush ishte më i madhi! Megjithëse Jezui u kishte treguar atyre se si duhej t’i shërbente kopesë një plak, kjo ndodhi; ai e kishte përulur veten dhe u kishte larë këmbët. Ai tha: «Në qoftë se unë, Zoti dhe Mësuesi, ju kam larë këmbët, edhe ju duhet t’i lani këmbët njëri-tjetrit. Unë, në fakt, ju kam dhënë shembullin që ashtu siç kam bërë unë, të bëni edhe ju.»—Luka 22:24; Gjoni 13:14, 15.
16. Çfarë komentesh bëri Kulla e Rojës e vitit 1899 mbi cilësinë më të rëndësishme të pleqve?
16 Dëshmitarët e Jehovait gjithmonë kanë mësuar se pleqtë duhet të jenë kështu. Rreth një shekull më parë, Kulla e Rojës 1 prill 1899 (angl.) vuri në dukje fjalët e Pavlit që gjenden tek 1. Korintasve 13:1-8 dhe më pas thoshte: «Apostulli tregon qartë se nuk janë njohuria dhe oratoria provat kryesore të lidhjes sonë me Perëndinë. Prova e vërtetë është dashuria që përshkon zemrën dhe që tregohet gjatë gjithë jetës, që nxit e vë në veprim trupin tonë të vdekshëm. . . . Karakteristika kryesore që të gjithë ata që janë pranuar si shërbëtorë të kishës, për t’u shërbyer gjërave të shenjta, duhet të jetë para së gjithash fryma e dashurisë.» Ajo vërente se njerëzit që nuk shërbejnë me përulësi nga dashuria «janë mësues të rrezikshëm dhe ndoshta bëjnë më shumë keq sesa mirë».—1. Korintasve 8:1.
17. Si i thekson Bibla cilësitë që duhet të kenë pleqtë?
17 Kështu, pleqtë nuk duhet ‘të zotërojnë mbi’ delet. (1. Pjetrit 5:3) Përkundrazi, ata duhet të marrin drejtimin duke qenë «të mirë dhe të mëshirshëm me njëri-tjetrin». (Efesianëve 4:32) Pavli theksoi: «Vishuni, pra, . . . me dhembshuri të brendshme, mirësinë, përulësinë, zemërbutësinë dhe me durimin. . . . Dhe, përmbi të gjitha këto, vishni dashurinë, që është lidhja e përsosmërisë.»—Kolosianëve 3:12-14.
18. (a) Çfarë shembulli të shkëlqyer dha Pavli në marrëdhëniet me të tjerët? (b) Përse pleqtë nuk duhet t’i shpërfillin nevojat e deleve?
18 Pavli mësoi ta bënte këtë, prandaj tha: «Qemë zemërbutë midis jush, ashtu si mëndesha që rrit me dashuri fëmijët e saj. Kështu, duke pasur një dashuri të madhe ndaj jush ishim të kënaqur duke ju komunikuar jo vetëm ungjillin e Perëndisë, por edhe vetë jetën tonë, sepse na u bëtë të dashur.» (1. Selanikasve 2:7, 8) Në harmoni me këtë ai tha: «Të ngushëlloni zemërlëshuarit, të ndihmoni të dobëtit dhe të jeni të duruar me të gjithë.» (1. Selanikasve 5:14) Pavarësisht nga problemet që delet mund t’u sjellin atyre, pleqtë duhet të kujtojnë Proverbat 21:13: «Kush mbyll veshin ndaj britmës së të varfërit, do të bërtasë edhe ai, por nuk do të ketë përgjigje.»
19. Në ç’mënyrë pleqtë janë një bekim dhe si i përgjigjen delet kësaj dashurie?
19 Pleqtë që e kullotin kopenë me dashuri janë një bekim për delet. Isaia 32:2 parathoshte: «Secili prej tyre do të jetë si një mbrojtje nga era dhe një strehë kundër uraganit, si rrëke uji në një vend të thatë, si hija e një shkëmbi të madh në një tokë të zhuritur.» Jemi të lumtur të dimë se shumë nga pleqtë tanë sot veprojnë në harmoni me këtë përshkrim të bukur lehtësues. Ata kanë mësuar të zbatojnë parimin e mëposhtëm: «Duani njëri tjetrin me dashuri vëllazërore; në nderim tregoni kujdes njëri me tjetrin.» (Romakëve 12:10) Kur pleqtë tregojnë këtë lloj dashurie dhe përulësie, delet përgjigjen duke u dhënë atyre ‘shumë vlerësim në dashuri për veprën e tyre’.—1. Selanikasve 5:12, 13.
Respektoni përdorimin e vullnetit të lirë
20. Përse pleqtë duhet ta respektojnë vullnetin e lirë?
20 Jehovai i krijoi njerëzit me vullnet të lirë, që t’i merrnin vetë vendimet e tyre. Ndërkohë që pleqtë duhet të këshillojnë dhe të disiplinojnë, ata nuk duhet të ushtrojnë kontroll mbi jetën dhe besimin e njëri-tjetrit. Pavli tha: «Jo se kemi pushtet mbi besimin tuaj, por jemi bashkëpunëtorët e gëzimit tuaj, sepse për shkak të besimit ju qëndroni të patundur.» (2. Korintasve 1:24) Po, «secili do të mbajë barrën e vet». (Galatasve 6:5) Jehovai na ka dhënë shumë liri brenda kufijve të ligjeve dhe parimeve të tij. Kështu, pleqtë nuk duhet të vënë ligje aty ku nuk dhunohen parimet nga Shkrimet. Ata duhet t’i rezistojnë çdo prirjeje për të ofruar opinionet e tyre personale si dogma, apo të lejojnë që egoja e tyre të ndërhyjë, kur dikush nuk është në pajtim me këto parime.—2. Korintasve 3:17; 1. Pjetrit 2:16.
21. Ç’mund të mësojmë nga qëndrimi i Pavlit kundrejt Filemonit?
21 Vëre se si u soll Pavli me Filemonin kur ishte burgosur në Romë, një i krishterë, pronar skllevërish nga Koloseja në Azinë e Vogël. Skllavi i Filemonit i quajtur Onesimus iku në Romë, u bë i krishterë dhe ndihmonte Pavlin. Pavli i shkroi Filemonit: «Do të desha ta mbaja pranë vetes që të më shërbente në vendin tënd në prangat për shkak të ungjillit; por nuk desha të bëja asgjë pa mendjen tënde që e mira të cilën do të bësh të mos jetë nga detyrimi, por me dashje [vullnet të lirë, BR].» (Filemonit 13, 14) Pavli e ktheu Onesimun, duke i kërkuar Filemonit që ta trajtonte atë si një vëlla të krishterë. Pavli e dinte se kopeja nuk ishte e tij, por e Perëndisë. Ai nuk ishte pronari i saj, por ishte shërbëtori i saj. Pavli nuk e urdhëroi Filemonin, por përkundrazi e respektoi vullnetin e tij të lirë.
22. (a) Çfarë duhet të kuptojnë pleqtë lidhur me pozitën e tyre? (b) Çfarë lloj organizate po zhvillon Jehovai?
22 Me rritjen e organizatës emërohen gjithnjë e më shumë pleq. Ata si dhe pleqtë më me përvojë, duhet të kuptojnë se pozita e tyre do të thotë shërbim i përulur. Në këtë mënyrë, ndërsa Perëndia e çon organizatën e tij drejt botës së re, ajo do të vazhdojë të rritet ashtu siç do ai—e organizuar mirë, por jo duke sakrifikuar dashurinë dhe dhembshurinë për efektshmërinë. Kështu, organizata e tij do të tërheqë gjithnjë e më shumë ata ngjashëm deleve, që do të shohin në të provat se Perëndia bën ‘që të gjitha gjërat të bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë’. Kjo duhet pritur nga një organizatë, themelet e së cilës qëndrojnë mbi dashurinë, sepse «dashuria nuk dështon kurrë».—Romakëve 8:28; 1. Korintasve 13:8, BR.
Si do të përgjigjeshe
◻ Si e përshkruan Bibla kujdesin e Jehovait për popullin e tij?
◻ Çfarë roli luajti Jezui në kujdesin për kopenë e Perëndisë?
◻ Cila duhet të jetë karakteristika kryesore e pleqve?
◻ Si duhet ta konsiderojnë pleqtë vullnetin e lirë të deleve?
[Figura në faqen 16]
Jezui, «bariu i shkëlqyer», tregoi dhembshuri
[Figurat në faqen 17]
Udhëheqësit e korruptuar fetarë komplotuan për të vrarë Jezuin