BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • lv kap. 4 f. 36-49
  • Pse ta respektosh autoritetin?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Pse ta respektosh autoritetin?
  • ‘Ruaj veten në dashurinë e Perëndisë’
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • PSE ËSHTË E VËSHTIRË
  • PSE TA RESPEKTOJMË AUTORITETIN?
  • RESPEKTO AUTORITETIN NË FAMILJE
  • RESPEKTO AUTORITETIN NË KONGREGACION
  • RESPEKTO AUTORITETET E TJERA
  • Nderoni ata të cilëve u është dhënë autoritet mbi ju
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2000
  • Pikëpamja e krishterë për autoritetin
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
  • Pranoni autoritetin e Jehovait
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2008
  • Respekti për autoritetin: Përse është thelbësor?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2000
Shih më tepër
‘Ruaj veten në dashurinë e Perëndisë’
lv kap. 4 f. 36-49
Një baba mëson familjen e tij

KAPITULLI 4

Pse ta respektosh autoritetin?

«Nderoni njerëzit e çdo lloji.»​​—1 PJETRIT 2:17.

1, 2. (a) Cilën luftë kemi të gjithë me veten kur bëhet fjalë për autoritetin? (b) Ç’pyetje do të shqyrtojmë?

E KE vënë re si reagon një fëmijë i vogël kur mami ose babi i kërkon të bëjë diçka që s’i pëlqen? I lexohet në fytyrë lufta që bën me veten. Ai e dëgjon çfarë i thuhet dhe e di se duhet ta respektojë autoritetin e prindit. Mirëpo nuk do që të bindet. Lufta e tij ilustron diçka që na ndodh të gjithëve nganjëherë.

2 Jo gjithmonë e kemi të lehtë ta respektojmë autoritetin. A të duket ndonjëherë e vështirë të respektosh ata që kanë njëfarë autoriteti mbi ty? Nuk je i vetmi që lufton me këtë. Jetojmë në një epokë kur respekti për autoritetin duket se ka humbur fare. Megjithatë, Bibla thotë se duhet t’i respektojmë ata që kanë autoritet mbi ne. (Proverbat 24:21) Madje, kjo është thelbësore që të ruajmë veten në dashurinë e Perëndisë. Kështu, lindin natyrshëm disa pyetje. Pse nganjëherë e kemi kaq të vështirë të respektojmë autoritetin? Pse na e kërkon këtë gjë Jehovai dhe çfarë do të na ndihmojë të bindemi? Së fundi, si ta tregojmë respektin për autoritetin?

PSE ËSHTË E VËSHTIRË

3, 4. Si e patën fillesën mëkati dhe papërsosmëria? Pse natyra mëkatare na e bën të vështirë të respektojmë autoritetin?

3 Do të shohim shkurtimisht dy arsye pse disa herë e kemi kaq të vështirë të tregojmë respekt për ata që kanë autoritet. Së pari, jemi të papërsosur. Së dyti, edhe njerëzit që kanë autoritet mbi ne janë të papërsosur. Mëkati dhe papërsosmëria e patën fillesën qysh herët në kopshtin e Edenit kur Adami dhe Eva ngritën krye kundër autoritetit të Perëndisë. Pra, mëkati nisi me rebelim. Edhe sot e kësaj dite, e kemi në gjak prirjen për t’u rebeluar.​​—Zanafilla 2:​15-17; 3:​1-7; Psalmi 51:5; Romakëve 5:12.

4 Për shkak të natyrës mëkatare, krenaria dhe fodullëku nxjerrin kokë fare kollaj, kurse përulësia është një cilësi e rrallë të cilën duhet të mundohemi shumë që ta fitojmë e ta mbajmë. Madje mund të biem në grackën e kokëfortësisë e të krenarisë edhe pasi i kemi shërbyer me besnikëri Perëndisë për vite të tëra. Mendo për Korahun, i cili kishte qëndruar besnik bashkë me popullin e Jehovait në sa e sa vështirësi. E megjithatë, lakmoi më tepër autoritet dhe me arrogancë organizoi një kryengritje kundër Moisiut, njeriut më të butë të asaj kohe. (Numrat 12:3; 16:​1-3) Ose mendo për mbretin Uziah, të cilin krenaria e shtyu të hynte në tempullin e Jehovait e të kryente një caktim të shenjtë që ishte rezervuar vetëm për priftërinjtë. (2 Kronikave 26:​16-21) Ata e paguan shtrenjtë rebelimin. Gjithsesi, shembulli i tyre i keq na shërben si përkujtues. Duhet ta luftojmë krenarinë që na e bën të vështirë të respektojmë autoritetin.

5. Si e kanë shpërdoruar autoritetin njerëzit e papërsosur?

5 Nga ana tjetër, edhe njerëzit e papërsosur me pushtet nuk kanë ndihmuar që të rritet respekti për autoritetin. Shumë prej tyre janë treguar mizorë, të ligj e tiranikë. Faktikisht, në pjesën më të madhe të saj, historia njerëzore nxjerr në pah shpërdorimin e pushtetit. (Lexo Eklisiastiun 8:9.) Për shembull, kur Jehovai e zgjodhi si mbret, Sauli ishte njeri i mirë dhe i përulur. Por ra pre e krenarisë dhe e xhelozisë, e arriti deri aty sa përndoqi Davidin besnik. (1 Samuelit 9:​20, 21; 10:​20-22; 18:​7-11) Më vonë Davidi u bë mbret dhe ishte një nga mbretërit më të mirë që pati Izraeli. E megjithatë, edhe ai e shpërdoroi pushtetin kur i mori gruan hititit Uriah dhe e dërgoi atë të pafajshëm në front që të vritej në betejë. (2 Samuelit 11:​1-17) Pra, papërsosmëria i pengon njerëzit që ta përdorin drejt autoritetin. E kur nuk respektojnë Jehovain, ata që kanë autoritet mund të jenë edhe më të këqij. Një burrë shteti britanik, pasi përshkroi mënyrën se si e përhapën përndjekjen disa papë katolikë, shkroi: «Pushteti ka prirjen t’i korruptojë njerëzit dhe, kur ai është absolut, korrupton tërësisht.» Duke pasur në mendje gjithë sa u tha më lart, le të shqyrtojmë pyetjen: pse duhet të respektojmë autoritetin?

PSE TA RESPEKTOJMË AUTORITETIN?

6, 7. (a) Për çfarë na nxit dashuria për Jehovain dhe përse? (b) Cilin qëndrim kërkon nënshtrimi dhe si mund ta shfaqim?

6 Arsyet më të vlefshme për të respektuar autoritetin burojnë nga dashuria jonë për Jehovain, për njerëzit, e madje edhe për veten. Së pari, dëshirojmë t’ia gëzojmë zemrën Jehovait, sepse e duam mbi çdo gjë tjetër. (Lexo Proverbat 27:11; Markun 12:​29, 30.) E dimë se sovraniteti i tij ose e drejta për të sunduar universin është sfiduar që nga rebelimi në Eden. Dimë edhe se shumica e njerëzve kanë marrë anën e Satanait dhe kanë hedhur poshtë sundimin e Jehovait. Kurse ne me shumë kënaqësi marrim anën e Jehovait dhe përkrahim sovranitetin e tij. Na drithërohet zemra kur lexojmë fjalët madhështore të Zbulesës 4:11. E kemi fare të qartë se Jehovai është Sundimtari legjitim i universit. Prandaj e përkrahim sovranitetin e tij dhe e pranojmë sundimin e tij në jetën e përditshme.

7 Ky lloj respekti nuk përfshin vetëm bindjen. Ngaqë e duam Jehovain, ne i bindemi pa ia bërë fjalën dysh. Megjithatë, do të hasim se s’bën raste kur do ta kemi shumë të vështirë të bindemi. Atëherë, ashtu si djali i vogël që përshkruam në fillim, do të na duhet të mësojmë nënshtrimin. Sjellim ndër mend se Jezui iu nënshtrua vullnetit të Atit të tij edhe kur dukej tepër e vështirë. «Le të mos bëhet vullneti im, por yti»,​​—i tha ai Atit.​​—Luka 22:42.

8. (a) Çfarë përfshin shpesh nënshtrimi ndaj autoritetit të Jehovait dhe si dalin në pah ndjenjat e tij në këtë aspekt? (b) Çfarë do të na ndihmojë të dëgjojmë këshillat e të pranojmë disiplinën? (Shih kutinë «Dëgjo këshillën dhe prano disiplinën».)

8 Natyrisht, sot Jehovai nuk i flet secilit një për një, por përdor Fjalën e tij dhe përfaqësuesit njerëzorë këtu në tokë. Prandaj, më shpesh e tregojmë nënshtrimin ndaj autoritetit të Jehovait duke respektuar njerëzit të cilëve u ka dhënë autoritet mbi ne ose ua ka lejuar këtë. Po të ngremë krye kundër tyre, për shembull duke mos ua pranuar këshillat dhe ndreqjen me bazë biblike, do të fyejmë Perëndinë. Kur izraelitët murmuritën dhe u rebeluan kundër Moisiut, Jehovai i mori si personale, si t’i bënin kundër tij.​​—Numrat 14:​26, 27.

9. Pse dashuria për të tjerët do të na shtyjë të tregojmë respekt për autoritetin? Ilustroje.

9 Tregojmë respekt për autoritetin edhe ngaqë i duam njerëzit. Në ç’mënyrë? Ta zëmë se je në ushtri. Suksesi e madje mbijetesa e ushtrisë varet nga bashkëpunimi, bindja dhe respekti që tregon çdo ushtar ndaj atyre që komandojnë. Po ta prishje këtë rregull duke ngritur krye, do të vije në rrezik të gjithë ushtarët e tjerë. Kuptohet, sot ushtritë njerëzore bëjnë kërdinë në botë. Kurse ushtritë e Jehovait sjellin vetëm të mira. Bibla flet me qindra herë për Perëndinë si ‘Jehovai i ushtrive’. (1 Samuelit 1:3) Ai është Komandanti i një morie krijesash të fuqishme frymore. Nganjëherë, i krahason edhe shërbëtorët e tij këtu në tokë me një ushtri. (Psalmi 68:11; Ezekieli 37:​1-10) Po të ngrinim krye kundër njerëzve të cilëve Jehovai u ka dhënë autoritet mbi ne, a nuk do të vinim në rrezik ushtarët e tjerë frymorë? Kur një i krishterë ngre krye kundër pleqve të emëruar, edhe të tjerët në kongregacion mund t’i vuajnë pasojat. (1 Korintasve 12:​14, 25, 26) Kur rebelohet një fëmijë, vuan e gjithë familja. Prandaj, tregojmë dashuri për të tjerët duke pasur një frymë bashkëpunimi me respekt.

10, 11. Shpjego përse dëshira normale për një jetë sa më të mirë, na nxit t’i bindemi autoritetit.

10 Gjithashtu, e respektojmë autoritetin, sepse është në të mirën tonë. Kur Jehovai na kërkon të respektojmë autoritetin, shpesh përmend edhe dobitë që do të kemi. Për shembull, ai u thotë fëmijëve t’u binden prindërve, që të kenë një jetë të gjatë e të mirë. (Ligji i përtërirë 5:16; Efesianëve 6:​2, 3) Na thotë të respektojmë pleqtë e kongregacionit, sepse, nëse nuk veprojmë kështu, do të dëmtojmë marrëdhënien me Të. (Hebrenjve 13:​7, 17) Na thotë edhe t’u bindemi autoriteteve qeveritare, pasi kështu do të jemi të mbrojtur.​—Romakëve 13:4.

11 A nuk je dakord se e kemi më të lehtë ta respektojmë autoritetin kur dimë arsyen pse dëshiron Jehovai që të bindemi? Tani do të shohim si mund ta tregojmë respektin për autoritetin në tri fusha kryesore të jetës.

RESPEKTO AUTORITETIN NË FAMILJE

12. Ç’rol i ka caktuar Jehovai në familje bashkëshortit e babait dhe si duhet ta përmbushë ai këtë rol?

12 Familjen e krijoi vetë Jehovai. Si Perëndi i rregullit, ai e organizoi familjen në mënyrë që të funksionojë mirë. (1 Korintasve 14:33) Autoritetin si kreu i familjes, ia ka dhënë bashkëshortit dhe babait. Burri tregon respekt për Kreun e tij, Krishtin Jezu, duke imituar mënyrën si e ushtron kryesinë mbi kongregacionin. (Efesianëve 5:23) Pra, ai nuk duhet të heqë dorë nga përgjegjësia e tij, por ta përmbushë si burrat. Nga ana tjetër, s’duhet të jetë tiranik ose i ashpër, por i dashur, i arsyeshëm dhe i butë. Mban parasysh se autoriteti i tij është relativ, domethënë nuk del kurrë mbi autoritetin e Jehovait.

Babai i krishterë imiton mënyrën si e ushtron kryesinë Krishti

13. Si duhet ta përmbushë gruaja dhe nëna rolin e saj në familje që t’i pëlqejë Jehovait?

13 Gruaja dhe nëna ka rolin e ndihmëses së burrit, të plotësimit. Edhe ajo ka autoritet në familje, sepse Bibla flet për «ligjin e nënës». (Proverbat 1:8) Natyrisht që ky autoritet nuk del mbi autoritetin e të shoqit. Gruaja e krishterë tregon respekt për autoritetin e të shoqit, duke e ndihmuar të përmbushë rolin e tij si kreu i familjes. Ajo nuk ia ul vlerat, nuk e sjell rrotull si të dojë dhe nuk ia zë vendin. Përkundrazi, e mbështet dhe bashkëpunon me të. Kur nuk i pëlqejnë vendimet e tij, mund t’ia shprehë me respekt mendimin, por gjithsesi mbetet e nënshtruar. Nëse i shoqi nuk ka të njëjtën fe, ajo mund të hasë rrethana sfiduese, megjithatë sjellja e saj e nënshtruar mund ta shtyjë të shoqin që të kërkojë të njohë Jehovain.​—Lexo 1 Pjetrit 3:1.

Një baba i dashur korrigjon djalin e tij që e ka bërë shtëpinë me baltë

14. Si i sjellin gëzim fëmijët prindërve dhe Jehovait?

14 Fëmijët ia kënaqin zemrën Jehovait kur i binden babait dhe nënës. Ama i sjellin nder e gëzim edhe prindërve. (Proverbat 10:1) Edhe në familjet me një prind, fëmijët zbatojnë të njëjtin parim për bindjen, duke ditur se prindi në këtë rast mund të ketë edhe më tepër nevojë për mbështetje e bashkëpunim. Në familjet ku të gjithë pjesëtarët përmbushin rolet që u ka caktuar Perëndia, ka shumë paqe e gëzim. Kjo i sjell nder Nismëtarit të çdo familjeje, Perëndisë Jehova.​—Efesianëve 3:​14, 15.

RESPEKTO AUTORITETIN NË KONGREGACION

15. (a) Si e tregojmë në kongregacion se e respektojmë autoritetin e Jehovait? (b) Cilat parime na ndihmojnë t’u bindemi atyre që marrin drejtimin? (Shih kutinë «Jini të bindur ndaj atyre që marrin drejtimin».)

15 Jehovai e ka emëruar Birin e tij Krye të kongregacionit të krishterë. (Kolosianëve 1:13) Jezui, nga ana e vet, ka caktuar një ‘skllav të besueshëm e të matur’ që të kujdeset për nevojat frymore të popullit të Perëndisë në tokë. (Mateu 24:​45-47) Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait shërben si «skllavi i besueshëm dhe i matur». Edhe sot, ashtu si në kongregacionet e shekullit të parë, pleqtë marrin udhëzime e këshilla nga Trupi Udhëheqës, drejtpërdrejt ose me anë të përfaqësuesve të tij, siç janë mbikëqyrësit udhëtues. Kur respektojmë autoritetin e pleqve të krishterë, i bindemi Jehovait.​​—Lexo 1 Selanikasve 5:12; Hebrenjve 13:17.

16. Në ç’kuptim pleqtë emërohen nga fryma e shenjtë?

16 Pleqtë dhe shërbëtorët ndihmës nuk janë të përsosur. Kanë edhe ata të metat e tyre, ashtu si ne. E megjithatë, pleqtë janë «dhurata në njerëz», që janë dhënë për ta ndihmuar kongregacionin të mbetet i fortë frymësisht. (Efesianëve 4:8) Pleqtë emërohen nga fryma e shenjtë. (Veprat 20:28) Si ndodh kjo? Këta burra, së pari duhet të plotësojnë kërkesat e parashtruara për ta në Fjalën e frymëzuar të Perëndisë. (1 Timoteut 3:​1-7, 12; Titit 1:​5-9) Gjithashtu, kur pleqtë shqyrtojnë nëse një vëlla i plotëson kërkesat, luten me zjarr për udhëheqjen e frymës së shenjtë të Jehovait.

17. Pse disa herë gratë e krishtere e mbulojnë kokën në disa veprimtari të kongregacionit?

17 Nganjëherë në kongregacion nuk ka pleq e shërbëtorë ndihmës për të kryer një detyrë që normalisht u caktohet atyre, si për shembull të drejtojnë mbledhjen për shërbim. Atëherë, këtë detyrë mund ta kryejnë vëllezër të tjerë të pagëzuar. Nëse nuk ka as të tillë, këtë nevojë mund ta përmbushë një motër e kualifikuar. Gjithsesi, kur gruaja përmbush një rol që normalisht i caktohet një burri të pagëzuar, duhet të mbulojë kokën.a (1 Korintasve 11:​3-10) Kjo kërkesë nuk i ul gratë. Përkundrazi, u jep mundësi të tregojnë respekt për rregullin që ka vendosur Jehovai për kryesinë, si në familje dhe në kongregacion.

RESPEKTO AUTORITETET E TJERA

18, 19. (a) Si do t’i shpjegoje parimet e renditura te Romakëve 13:​1-7? (b) Si tregojmë respekt për autoritetet e tjera?

18 Të krishterët e vërtetë i zbatojnë me ndërgjegje parimet te Romakëve 13:​1-7. (Lexoje.) Duke lexuar këto vargje, e kupton se ‘autoritetet më të larta’ që përmenden, janë qeveritë. Për aq kohë sa Jehovai i lejon të ekzistojnë pushtetet njerëzore, ato kryejnë funksione të rëndësishme: mbajnë njëfarë rregulli dhe i sigurojnë shërbimet e nevojshme popullsisë. Tregojmë respekt për këto autoritete duke iu bindur ligjeve të shtetit. Sigurohemi të paguajmë çdo taksë që na kërkohet, t’i plotësojmë siç duhet formularët ose dokumentet që mund të kërkojë shteti dhe të zbatojmë ligjet e tjera që kanë të bëjnë me ne, familjen, punën ose zotërimet tona. Por nuk u nënshtrohemi këtyre autoriteteve, nëse na kërkojnë të shkelim ligjet e Perëndisë. Në këto raste, përgjigjemi si apostujt në shekullin e parë: «Duhet t’i bindemi Perëndisë si sundimtar, dhe jo njerëzve.»​​—Veprat 5:​28, 29; shih kutinë «Autoritetit të kujt duhet t’i bindem?».

AUTORITETIT TË KUJT DUHET T’I BINDEM?

Parimi: «Jehovai është Gjykatësi ynë, Jehovai është Ligjdhënësi ynë, Jehovai është Mbreti ynë.»​​—Isaia 33:22.

Pyetje për vetëshqyrtim

  • Ç’do të bëja po të më kërkonin të shkelja normat e Jehovait?​​—Mateu 22:​37-39; 26:52; Gjoni 18:36.

  • Ç’do të bëja po të më urdhëronin të mos i zbatoja më urdhrat e Jehovait?​​—Veprat 5:​27-29; Hebrenjve 10:​24, 25.

  • Ç’mund të më ndihmojë që t’u bindem me dëshirë atyre që kanë autoritet?​​—Romakëve 13:​1-4; 1 Korintasve 11:3; Efesianëve 6:​1-3.

19 Tregojmë respekt për autoritetet e tjera edhe me mënyrën se si sillemi. Nganjëherë kemi të bëjmë drejtpërdrejt me nëpunës qeveritarë. Apostulli Pavël pati të bënte me sundimtarë si mbreti Herod Agripa dhe guvernatori Fest. Këta burra kishin të meta të mëdha, por Pavli iu drejtua me respekt. (Veprat 26:​2, 25) E ndjekim shembullin e Pavlit qoftë kur i drejtohemi një zyrtari me shumë pushtet, qoftë një polici të thjeshtë. Në shkollë, të rinjtë e krishterë përpiqen të tregojnë këtë lloj respekti për mësuesit e tyre dhe për nëpunësit e punonjësit e tjerë të shkollës. Sigurisht, nuk respektojmë vetëm ata që janë dakord me bindjet tona, por edhe ata që janë armiqësorë ndaj Dëshmitarëve të Jehovait. Në fakt, të gjithë ata që nuk janë Dëshmitarë, duhet ta ndiejnë se i trajtojmë me respekt.​​—Lexo Romakëve 12:​17, 18; 1 Pjetrit 3:15.

20, 21. Ç’bekime vijnë kur tregojmë respektin e duhur për autoritetin?

20 Të mos kursehemi për t’u treguar respekt të tjerëve. Apostulli Pjetër shkroi: «Nderoni njerëzit e çdo lloji.» (1 Pjetrit 2:17) Njerëzit mund të preken thellë kur e ndiejnë se po i trajtojmë vërtet me respekt. Të mos harrojmë se kjo cilësi sa vjen e bëhet më e rrallë. Prandaj, kur i respektojmë të tjerët, po zbatojmë urdhrin e Jezuit: «Le të ndriçojë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të shkëlqyera dhe t’i japin lavdi Atit tuaj që është në qiej.»​​—Mateu 5:16.

21 Në këtë botë të errët, njerëzit me zemër të mirë tërhiqen drejt dritës frymore. Pra, nëse tregojmë respekt në familje, në kongregacion dhe ndaj autoriteteve të tjera, kjo mund t’i tërheqë disa e t’i nxitë që të ecin në dritë bashkë me ne. Ç’perspektivë e shkëlqyer! Po edhe sikur të mos ndodhë kjo, një gjë është e sigurt: kur respektojmë të tjerët, i pëlqejmë Perëndisë Jehova dhe qëndrojmë në dashurinë e tij. A ka shpërblim më të madh se ky?

a Te shtojca «Kur duhet ta mbulojë kokën gruaja dhe përse?», tregohen disa mënyra praktike se si zbatohet ky parim.

«DËGJO KËSHILLËN DHE PRANO DISIPLINËN»

Bota e sotme është e mbushur me frymën e Satanait, domethënë me qëndrimin e tij rebel e grindjembjellës. Prandaj, Bibla e quan Satanain «sundimtarin e autoritetit të ajrit» dhe përmend ‘frymën që tani vepron në bijtë e mosbindjes’ si rezultat i kësaj. (Efesianëve 2:2) Sot shumë veta duan të jenë krejt të pavarur, s’duan të jenë nën autoritetin e të tjerëve. Mjerisht, kjo frymë pavarësie ka infektuar edhe disa në kongregacionin e krishterë. Për shembull, ndoshta një plak jep me dashamirësi këshilla për rreziqet e zbavitjeve imorale ose të dhunshme, por disa nuk duan t’i pranojnë ato këshilla, madje inatosen. Secili nga ne duhet të zbatojë fjalët e Proverbave 19:20: «Dëgjo këshillën dhe prano disiplinën, që të bëhesh i mençur në të ardhmen.»

Ç’mund të na ndihmojë në këtë aspekt? Të shohim tri arsye pse zakonisht njerëzit nuk i pranojnë këshillat ose disiplinën, e pastaj të vërejmë pikëpamjen e Biblës.

  • «Nuk mendoj se këshilla ishte me vend.» Ndoshta mendojmë se këshilla nuk vlente për rrethanat tona ose se ai që e dha këshillën, s’e njihte gjithë situatën. Madje reagimi i menjëhershëm mund të jetë edhe ta nënçmojmë këshillën. (Hebrenjve 12:5) Por, meqë të gjithë jemi të papërsosur, mos ndoshta jemi ne që duhet të ndreqim pikëpamjen për atë çështje? (Proverbat 19:3) A kishte ndonjë arsye të vlefshme pse u dha këshilla? Atëherë pikërisht aty duhet të përqendrohemi. Fjala e Perëndisë na këshillon: «Rroke disiplinën, mos e lër të ikë. Ruaje, sepse ajo është jeta jote.»​​—Proverbat 4:13.

  • «S’më pëlqen si ma dha këshillën.» Natyrisht, në Fjalën e Perëndisë ka një standard të lartë për mënyrën se si duhen dhënë këshillat. (Galatasve 6:1) Gjithsesi, Bibla thotë edhe: «Të gjithë kanë mëkatuar dhe nuk e kanë arritur lavdinë e Perëndisë.» (Romakëve 3:23) Vetëm një njeri i përsosur mund të na japë këshilla të përsosura tamam siç duhet. (Jakovi 3:2) Jehovai përdor njerëzit e papërsosur për të na këshilluar, kështu që bëjmë mirë të mos përqendrohemi te mënyra si jepet këshilla. Përkundrazi, të shohim çfarë na thuhet dhe të shqyrtojmë në lutje si ta zbatojmë.

  • «Kush është ai që të më këshillojë mua!» Në qoftë se mendojmë se mangësitë e atij që na këshillon e bëjnë të pavlefshme këshillën, duhet të sjellim ndër mend pikat e përmendura më sipër. Gjithashtu, nëse mendojmë se nuk kemi nevojë për këshilla për shkak të moshës, përvojës ose përgjegjësive në kongregacion, kemi nevojë të ndreqim mënyrën si mendojmë. Në Izraelin e lashtë, mbreti kishte përgjegjësi të mëdha, e megjithatë duhej të pranonte këshillat e profetëve, priftërinjve dhe të disa nënshtetasve të tjerë. (2 Samuelit 12:​1-13; 2 Kronikave 26:​16-20) Sot, organizata e Jehovait cakton njerëz të papërsosur për të dhënë këshilla dhe të krishterët e pjekur i pranojnë e i zbatojnë me kënaqësi ato. Nëse kemi më shumë përgjegjësi a përvojë se të tjerët, duhet të jemi edhe më të vetëdijshëm se duhet të lëmë shembullin si të arsyeshëm e të përulur, duke i pranuar këshillat e duke i zbatuar.​​—1 Timoteut 3:​2, 3; Titit 3:2.

Pa dyshim, të gjithë kemi nevojë për këshilla. Prandaj, le të jemi të vendosur t’i pranojmë menjëherë ato, t’i zbatojmë pa fjalë dhe të falënderojmë me gjithë zemër Jehovain për këtë dhuratë jetëshpëtuese. Në të vërtetë, këshillat janë shprehje e dashurisë së Jehovait për ne dhe duam të qëndrojmë në dashurinë e tij.​​—Hebrenjve 12:​6-11.

«JINI TË BINDUR NDAJ ATYRE QË MARRIN DREJTIMIN»

Izraeli i lashtë kishte nevojë urgjente për organizim. I vetëm Moisiu nuk mbikëqyrte dot miliona njerëz që po udhëtonin së bashku në një shkretëtirë plot rreziqe. Çfarë bëri? «Zgjodhi burra të zotë nga gjithë Izraeli dhe i vuri si krerë të popullit, si krerë të mijësheve, të qindësheve, të pesëdhjetësheve dhe të dhjetësheve.»​—Dalja 18:25.

Edhe sot kongregacioni i krishterë ka nevojë për organizim. Ja pse çdo grup për shërbim ka mbikëqyrësin e vet, kongregacioni ka pleq, një grup kongregacionesh kanë mbikëqyrësin qarkor dhe një vend ka Komitetin e Vendit ose Komitetin e Degës. Falë këtij organizimi, secili nga barinjtë e krishterë ka mundësi t’u kushtojë vëmendje të plotë deleve të Jehovait që i janë lënë nën kujdes. Këta barinj do t’i japin llogari Jehovait dhe Krishtit.​—Veprat 20:28.

Kjo mënyrë organizimi kërkon që secili prej nesh të jetë i bindur dhe i nënshtruar. Nuk do të donim kurrë të kishim qëndrimin e Diotrefit, i cili s’kishte respekt për ata që merrnin drejtimin në kohën e tij. (3 Gjonit 9, 10) Përkundrazi, duam të zbatojmë fjalët e apostullit Pavël: «Jini të bindur ndaj atyre që marrin drejtimin mes jush, dhe jini të nënshtruar, sepse rrinë zgjuar për shpirtrat tuaj si ata që do të japin llogari, që ta bëjnë këtë me gëzim e jo me psherëtima, sepse kjo do të ishte në dëmin tuaj.» (Hebrenjve 13:17) Disa binden kur janë dakord me udhëzimet që japin ata që marrin drejtimin, por nuk duan të nënshtrohen kur s’janë dakord me ato udhëzime ose kur nuk kuptojnë arsyen pse janë dhënë. Por, të mos harrojmë se të jemi të nënshtruar përfshin idenë që bindemi edhe kur nuk na vjen natyrshëm. Pra secili nga ne duhet të pyesë veten: ‘A jam i bindur e i nënshtruar ndaj atyre që marrin drejtimin?’

Natyrisht, Fjala e Perëndisë nuk radhit çdo rregull ose procedurë që duhet për mbarëvajtjen e kongregacionit. Gjithsesi, ajo thotë: «Çdo gjë le të ndodhë si ka hije dhe me rregull.» (1 Korintasve 14:40) Trupi Udhëheqës i bindet këtij drejtimi biblik, duke parashtruar disa procedura e udhëzime të dobishme për mbarëvajtjen dhe rregullsinë e kongregacionit. Nga ana e tyre, vëllezërit përgjegjës lënë shembullin për sa i përket bindjes, duke vënë në jetë këto procedura e udhëzime. Gjithashtu, ata tregohen ‘të arsyeshëm, të gatshëm t’u binden’ atyre që janë në pozita mbikëqyrjeje. (Jakovi 3:17) Kështu, çdo grup për shërbim, kongregacion, qark, krahinë dhe vend është bekuar me një trup besimtarësh të bashkuar e të rregullt, që nderon Perëndinë e lumtur.​—1 Korintasve 14:33; 1 Timoteut 1:11.

Nga ana tjetër, fjalët e Pavlit te Hebrenjve 13:17 theksojnë edhe arsyen pse është e dëmshme fryma e mosbindjes. Për shkak të saj, vëllezërit përgjegjës mund ta bëjnë punën e tyre «me psherëtima». Ajo që duhet parë si një privilegj shërbimi të shenjtë, mund të bëhet një barrë kur një vëlla duhet të përballet me frymën rebele dhe mungesën e bashkëpunimit në kope. Kjo pastaj do të ishte në dëmin «tuaj», domethënë të të gjithë kongregacionit. Veç kësaj, kur një njeri nuk pranon t’i nënshtrohet rregullit teokratik, ka edhe një ‘dëm’ tjetër. Nëse krenaria nuk e lë të nënshtrohet, kjo i dëmton marrëdhënien me Jehovain dhe krijon një hendek mes tij dhe Atit qiellor. (Psalmi 138:6) Prandaj, le të jemi të gjithë të vendosur që të mbetemi të bindur e të nënshtruar.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo