-
«Perëndia i miratoi» dhuratat e tyreJehovai rivendos adhurimin e pastër!
-
-
«Perëndia i miratoi» dhuratat e tyre
NË KËTË KAPITULL: Historik i masave që mori Jehovai për adhurimin e pastër
1-3. (a) Cilat pyetje do të shqyrtojmë? (b) Cilat janë katër kriteret kryesore të adhurimit të pastër që do të trajtojmë? (Shih figurën hapëse.)
ABELI kontrollon me kujdes kopenë e dhenve. I ka rritur plot merak që kur kanë lindur. Tani, zgjedh disa, i ther dhe ia paraqet si dhuratë Perëndisë. A do ta pranojë Jehovai këtë akt adhurimi nga një njeri i papërsosur?
2 Vër re çfarë shkroi nën frymëzim apostulli Pavël për Abelin: «Perëndia i miratoi dhuratat e tij.» Megjithatë, Jehovai nuk e pranoi blatimin e Kainit. (Lexo Hebrenjve 11:4.) Kjo ngre disa pyetje që duhen shqyrtuar: pse Perëndia e pranoi adhurimin e Abelit, por jo të Kainit? Çfarë mësimesh nxjerrim nga shembujt e Kainit, të Abelit dhe të të tjerëve që përmenden në kapitullin 11 të Hebrenjve? Falë përgjigjeve të këtyre pyetjeve do të kuptojmë më qartë se çfarë përfshin adhurimi i pastër.
-
-
«Perëndia i miratoi» dhuratat e tyreJehovai rivendos adhurimin e pastër!
-
-
Pse nuk u pranua adhurimi i Kainit?
4, 5. Pse Kaini arriti në përfundimin se dhuratën duhet t’ia paraqiste Perëndisë?
4 Lexo Zanafillën 4:2-5. Kaini e dinte se ishte Jehovai personi që e meritonte dhuratën. Ai pati plot kohë dhe mundësi për të mësuar për Jehovain. Bashkë me të vëllanë, Abelin, mund të kenë qenë afro 100 vjeç në kohën kur paraqitën dhuratat.a Që të vegjël, të dy e dinin se ekzistonte kopshti i Edenit, mbase edhe e kishin parë nga njëfarë distance atë kopsht të begatë. Me siguri duhet të kenë vënë re edhe kerubinët që bllokonin hyrjen për te kopshti. (Zan. 3:24) Pa diskutim që edhe prindërit duhet t’u kenë treguar se Jehovai kishte krijuar gjithçka dhe se qëllimi i tij fillestar për njerëzimin ishte si nata me ditën me atë çka po përjetonin—jeta e tyre kishte marrë të tatëpjetën. (Zan. 1:24-28) Të gjitha këto duhet ta kenë nxitur Kainin të arrinte në përfundimin se dhuratën duhej t’ia paraqiste Perëndisë.
5 Çfarë tjetër mund ta ketë nxitur Kainin ta ofronte flijimin? Jehovai kishte parathënë ardhjen e një ‘pasardhësi’, i cili do të shtypte kokën e «gjarprit» që kishte joshur Evën drejt një vendimi tmerrësisht të keq. (Zan. 3:4-6, 14, 15) Si i parëlinduri, Kaini mund të ketë menduar se ishte ‘pasardhësi’ i premtuar. (Zan. 4:1) Për më tepër, Jehovai nuk e kishte ndërprerë tërësisht komunikimin me njerëzit mëkatarë. Edhe pasi Adami mëkatoi, Perëndia foli me të, me sa duket nëpërmjet një engjëlli. (Zan. 3:8-10) Jehovai foli edhe me Kainin pasi ky paraqiti flijimin. (Zan. 4:6) Pra, s’mbetet pikë dyshimi që Kaini e dinte se Jehovai është i denjë të adhurohet.
6, 7. A kishte diçka të gabuar cilësia e blatimit të Kainit ose mënyra si e paraqiti? Shpjego.
6 Atëherë, pse Jehovai nuk e pa fare me miratim blatimin e Kainit? Mos ndoshta dhurata nuk kishte cilësinë e duhur? Bibla nuk e tregon. Ajo thotë thjesht se Kaini solli «disa fryte të tokës». Më vonë, në Ligjin që i dha Moisiut, Jehovai tregoi se e pranonte këtë lloj blatimi. (Num. 15:8, 9) Mendo pak edhe për rrethanat. Në atë moment të historisë, njerëzit ushqeheshin vetëm me bimësi. (Zan. 1:29) Dhe, duke qenë se Perëndia e kishte mallkuar tokën jashtë Edenit, Kaini ishte robtuar të kultivonte prodhimin që po ofronte. (Zan. 3:17-19) Ai po paraqiste produkte jetike që i kishte fituar me djersën e ballit. Prapëseprapë, Jehovai nuk e miratoi blatimin e Kainit.
7 Mos vallë kishte diçka të gabuar në mënyrën si e bëri dhuratën? Mos ndoshta mënyra si e kishte ofruar ishte e papranueshme? Kjo duket e pamundur. Pse? Sepse kur Jehovai hodhi poshtë blatimin e Kainit, nuk dënoi mënyrën si ishte ofruar dhurata. Në fakt, nuk thuhet asgjë se në ç’mënyrë i paraqitën dhuratat Kaini dhe Abeli. Atëherë, ku qëndronte problemi?
Motivi i Kainit nuk ishte i pastër (Shih paragrafët 8, 9)
8, 9. (a) Pse Jehovai nuk e pa fare me miratim Kainin dhe blatimin e tij? (b) Çfarë të bën përshtypje nga ajo që tregon Bibla për Kainin dhe Abelin?
8 Nga fjalët e frymëzuara të Pavlit drejtuar hebrenjve kuptojmë se motivi i Kainit nuk ishte i pastër. Atij i mungonte besimi. (Hebr. 11:4; 1 Gjon. 3:11, 12) Ja pse Jehovai nuk pa fare me miratim jo thjesht blatimin, por vetë Kainin si person. (Zan. 4:5-8) Si një Atë i dashur, Jehovai u përpoq me dashamirësi ta korrigjonte birin e tij. Por Kaini e shpërfilli ndihmën e Jehovait. Zemra e tij ishte infektuar nga veprat e trupit mëkatar, si ‘armiqësitë, grindjet dhe xhelozia’. (Gal. 5:19, 20) Për shkak të zemrës së ligë, çdo aspekt pozitiv i adhurimit të Kainit u bë i pavlerë. Shembulli i tij na mëson se adhurimi i pastër nuk duhet të jetë vetëm një shfaqje e jashtme e përkushtimit ndaj Jehovait.
9 Bibla tregon goxha për Kainin: fjalët që i tha Jehovai, përgjigjen e Kainit dhe madje emrat e pasardhësve të tij e disa prej gjërave që bënë. (Zan. 4:17-24) Ndërsa për Abelin nuk tregohet nëse kishte fëmijë dhe në Bibël nuk është ruajtur asnjë fjalë e tij. Ama veprat e Abelit flasin deri sot e kësaj dite. Në ç’kuptim?
Abeli lë shembullin
10. Pse Abeli është një shembull për sa i përket adhurimit të pastër?
10 Abeli ia paraqiti flijimin Jehovait, pasi e dinte se Ai është i vetmi person i denjë për t’u adhuruar. Veç kësaj, dhurata ishte e cilësisë më të lartë—Abeli zgjodhi ‘disa pjella të para të kopesë’. Edhe pse Bibla nuk tregon nëse e paraqiti në një altar flijimin, është më se e qartë se e ofroi në mënyrë të pranueshme. Por, ajo që spikat te dhurata e Abelit është motivi pse e paraqiti. Ja pse shembulli i tij «flet» ende pas 6.000 vjetësh. Abeli u motivua nga besimi te Perëndia dhe nga dashuria për standardet e drejta të Jehovait. Nga e dimë këtë?
Abeli plotësoi katër kriteret kryesore të adhurimit të pastër (Shih paragrafin 10)
11. Pse Jezui e përshkroi Abelin si njeri të drejtë?
11 Si fillim, le të shohim si u shpreh Jezui për Abelin. Jezui e kishte veçanërisht për zemër këtë fëmijë të Adamit: e njihte mirë, sepse e kishte parë nga qielli. (Prov. 8:22, 30, 31; Gjoni 8:58; Kolos. 1:15, 16) Si dëshmitar okular, Jezui mund të thoshte me plot gojën se Abeli ishte njeri i drejtë. (Mat. 23:35) Një njeri i drejtë e pranon se i takon Jehovait të vendosë standardet e së drejtës dhe të së gabuarës. Por jo vetëm kaq. Ai tregon me fjalë e me vepra se jeton sipas këtyre standardeve. (Krahaso Lukën 1:5, 6.) Duhet kohë që të fitosh reputacionin si njeri i drejtë. Prandaj Abeli duhet të jetë njohur si njeri që jetonte në harmoni me standardet e Jehovait që para se të paraqiste flijimin. Mendo sa e vështirë duhet të ketë qenë kjo! Vëllai i madh s’ishte aspak shembull pozitiv—zemra e Kainit ishte bërë e ligë. (1 Gjon. 3:12) E ëma kishte shkelur një urdhër që vinte drejtpërdrejt nga Perëndia. I ati ishte rebeluar kundër Jehovait, sepse donte të vendoste vetë çfarë ishte e mirë dhe e keqe. (Zan. 2:16, 17; 3:6) Pra, Abeli u tregua shumë i guximshëm, duke zgjedhur një rrugë krejt ndryshe nga ajo e familjes.
12. Cili ishte ndryshimi kryesor mes Kainit dhe Abelit?
12 Veç kësaj, shiko se çfarë tha Pavli për lidhjen që ekziston mes besimit dhe drejtësisë. Ai shkroi: «Me anë të besimit, Abeli i paraqiti Perëndisë një flijim me vlerë më të madhe se i Kainit, e nëpërmjet këtij besimi mori dëshmi se ishte i drejtë.» (Hebr. 11:4) Këto fjalë të Pavlit tregojnë se, ndryshe nga Kaini, Abeli u motivua gjithë jetën nga besimi i sinqertë te Jehovai dhe te mënyra si vepron Ai.
13. Çfarë na mëson shembulli i Abelit?
13 Shembulli i Abelit na mëson se adhurimi i pastër vjen vetëm nga një zemër me motive të pastra—një zemër që ka besim absolut te Jehovai dhe që i pranon plotësisht standardet e tij të drejta. Për më tepër kuptojmë se adhurimi i pastër nuk është një akt i vetëm përkushtimi. Përkundrazi, përfshin gjithë jetën tonë, çdo aspekt të sjelljes sonë.
-