Njerëz «me ndjenja si tonat»
AI ISHTE mbret dhe profet, por edhe një baba i dashur. Njëri prej djemve të tij, kur u rrit u bë hundëpërpjetë dhe arrogant. Në një orvatje të vendosur për të uzurpuar fronin, ky djalë ndërmori një luftë civile, duke pasur si qëllim vdekjen e babait të tij. Por në betejën që pasoi, ai që u vra ishte djali, jo babai. Kur babai mori vesh vdekjen e të birit, shkoi i vetëm në një dhomë në çati dhe qau: «O biri im Absalom, biri im, biri im Absalom! Të kisha vdekur unë në vendin tënd, o Absalom, biri im, biri im!» (2. Samuelit 18:33) Ky baba ishte mbreti David. Ashtu si profetët e tjerë të Jehovait, ai ishte «një njeri me ndjenja si tonat».—Jakovit 5:17, BR.
Në kohët biblike, burrat dhe gratë që folën në emër të Jehovait ishin nga çdo shtresë shoqërore dhe bënin një jetë të zakonshme. Ashtu si ne, edhe ata patën probleme dhe vuajtën nga papërsosmëritë. Cilët qenë disa prej këtyre profetëve dhe në ç’mënyrë ndjenjat e tyre ishin si tonat?
Moisiu kalon nga siguria e tepërt në zemërbutësi
Një profet i shquar i kohëve para krishterimit, ishte Moisiu. Megjithatë, edhe në moshën 40-vjeçare, ai nuk ishte gati për të shërbyer si zëdhënës i Jehovait. Pse? Ndërkohë që vëllezërit e tij shtypeshin nga faraoni i Egjiptit, Moisiu rritej në shtëpinë e faraonit dhe qe «i pushtetshëm në fjalë e në vepra». Tregimi na thotë: «Ai mendonte se vëllezërit e tij do ta kuptonin se Perëndia do t’u jepte çlirimin me anë të tij.» Tepër i sigurt, ai veproi agresivisht në mbrojtje të një skllavi hebre, duke vrarë një egjiptian.—Veprat 7:22-25; Eksodi 2:11-14.
Tani Moisiu ishte i detyruar të ikte dhe katër dekadat që pasuan i kaloi si bari në Midianin e largët. (Eksodi 2:15) Në fund të kësaj periudhe, Moisiu, tani në moshën 80-vjeçare, u ngarkua nga Jehovai si profet. Por Moisiu nuk ishte më tepër i sigurt. Ai ndihej kaq i pakualifikuar, saqë në lidhje me detyrën që Jehovai i kishte ngarkuar si profet, pyeti duke përdorur shprehje të tilla, si: «Kush jam unë që të shkoj te faraoni?» dhe «Ç’përgjigje duhet të jap?» (Dalja 3:11, 13) Me sigurinë dhe ndihmën e dashur të Jehovait, Moisiu vazhdoi ta përmbushë me sukses të madh caktimin e tij.
A ke lejuar ndonjëherë që, ashtu si Moisiu, siguria e tepërt të të çojë të bësh ose të thuash gjëra që kanë dalë të pamençura? Nëse po, prano me përulësi një stërvitje të mëtejshme. Ose, a je ndier i pakualifikuar për të përmbushur disa përgjegjësi të krishtere? Në vend që të refuzosh, prano ndihmën e ofruar nga Jehovai dhe nga organizata e tij. Ai që ndihmoi Moisiun, mund të të ndihmojë edhe ty.
Elija kishte ndjenja si tonat në një kohë disiplinimi
«Elija ishte një njeri me ndjenja si tonat e megjithatë, u lut që të mos binte shi dhe mbi tokë nuk ra shi për tre vjet e gjashtë muaj.» (Jakovit 5:17, BR) Lutja e Elijas ishte në harmoni me vullnetin e Jehovait për të disiplinuar një komb që ishte larguar prej Tij. Por megjithatë, Elija e dinte se thatësira për të cilën po lutej, do të shkaktonte vuajtje njerëzore. Izraeli ishte një vend kryesisht bujqësor; vesa dhe shiu ishin jeta e njerëzve. Thatësira e vazhduar do të sillte një shqetësim tepër të madh. Bimësia do të thahej dhe të lashtat s’do të bëheshin. Kafshët shtëpiake të përdorura për punë dhe ushqim do të ngordhnin dhe disa familje do t’i kërcënonte vdekja nga uria. Kush do të vuante më shumë? Njerëzit e thjeshtë. Më vonë, një e ve i tha Elijas se ishte katandisur vetëm me një dorë miell dhe pak vaj. Ajo ishte më se e sigurt se bashkë me të birin, së shpejti do të vdisnin nga uria. (1. Mbretërve 17:12) Për Elijan, të lutej, siç edhe bëri, duhej një besim i palëkundur se Jehovai do të kujdesej për shërbëtorët e Tij, të pasur dhe të varfër, të cilët nuk e kishin braktisur adhurimin e vërtetë. Siç thotë tregimi, Elija nuk u zhgënjye.—1. Mbretërve 17:13-16; 18:3-5.
Tre vjet më vonë, kur Jehovai tha se së shpejti do të sillte shiun, dëshira e zjarrtë e Elijas për të parë marrjen fund të thatësirës, u pa në lutjet e tij të përsëritura dhe intensive, ndërkohë që ‘përkulej deri në tokë dhe vinte fytyrën midis gjunjëve’. (1. Mbretërve 18:42) Herë pas here, ai e nxiste shërbëtorin e tij, «tani ngjitu dhe shiko nga ana e detit», për të parë se mos kishte ndonjë tregues që Jehovai i dëgjoi lutjet e tij. (1. Mbretërve 18:43) Ç’gëzim duhet të ketë ndier ai, kur më në fund, në përgjigje të lutjeve të tij, «qielli dha shi dhe dheu dha frytin e vet»!—Jakovit 5:18.
Nëse je prind apo plak në kongregacionin e krishterë, kur jep një korrigjim, mund të të duhet të luftosh me ndjenja të thella. Megjithatë, emocione të tilla njerëzore duhen modifikuar me bindjen se ndonjëherë disiplina është e nevojshme dhe se kur ajo jepet me dashuri, «prodhon fryt paqësor, domethënë drejtësinë». (Hebrenjve 12:11) Rezultatet e bindjes ndaj ligjeve të Jehovait janë gjithmonë të dëshirueshme. Ashtu si Elija, ne lutemi nga zemra që ato të arrihen.
Jeremia tregoi guxim megjithë shkurajimin
Nga të gjithë shkrimtarët e Biblës, Jeremia ishte ndoshta ai që shkroi më shumë për ndjenjat e tij personale. Si i ri, ai ngurronte ta pranonte detyrën e ngarkuar. (Jeremia 1:6) Megjithatë, me guxim të madh, ai vazhdoi të deklaronte fjalën e Perëndisë, edhe pse vetëm ndeshej me kundërshtimin e egër prej izraelitëve të tjerë, duke filluar nga mbreti deri te njeriu i thjeshtë. Ai kundërshtim e bëri që shpesh të zemërohej dhe të qante. (Jeremia 9:3; 18:20-23; 20:7-18) Në raste të ndryshme ai u sulmua nga turma, u godit, u lidh pas një shtylle, u burgos, u kërcënua me vdekje dhe u la të vdiste në baltën në fund të një sterne bosh. Ndonjëherë, edhe vetë mesazhi i Jehovait e lëndoi, siç u ilustrua nga fjalët e tij: «Zorrët e mia, zorrët e mia! Po shtrembërohem nga dhembja. Oh, faqet e zemrës sime.»—Jeremia 4:19.
Megjithatë, ai e deshi fjalën e Perëndisë, duke thënë: «Fjala jote ka qenë për mua gëzimi dhe gazi i zemrës sime.» (Jeremia 15:16) Në të njëjtën kohë, zhgënjimi e bëri t’i thërriste Jehovait, «ti u bëre për mua si diçka mashtruese, si ujërat që kanë dalë të padenja për besim», si ato të një përroi që shteron lehtë. (Jeremia 15:18, BR) Megjithatë, Jehovai i kuptoi ndjenjat e tij që ishin në konflikt dhe vazhdoi ta mbështeste, kështu që ai mundi të përmbushte detyrën e tij.—Jeremia 15:20; shiko edhe 20:7-9.
A has edhe ti, ashtu si Jeremia, zhgënjim ose kundërshtim në kryerjen e shërbimit tënd? Drejtoju Jehovait. Vazhdo të ndjekësh drejtimin e tij dhe Jehovai nga ana e vet, do t’i shpërblejë përpjekjet e tua.
Jezui kishte ndjenja si tonat
Profeti më i madh i të gjitha kohërave ishte Biri i Perëndisë, Jezu Krishti. Megjithëse ishte njeri i përsosur, ai nuk i shtypi ndjenjat e tij. Shpesh ne lexojmë për ndjenjat e tij të brendshme, të cilat duhet të kenë qenë të dukshme në fytyrën dhe në reagimet e tij ndaj të tjerëve. Shpesh, Jezui «pati dhembshuri» dhe përdori të njëjtën shprehje në përshkrimin që u bënte personazheve të ilustrimeve të tij.—Marku 1:41; 6:34; Luka 10:33.
Ai duhet të ketë ngritur zërin, kur përzuri nga tempulli shitësit, këmbyesit e parave dhe kafshët, me fjalët: «Hiqini këto gjëra që këtej!» (Gjoni 2:14-16) Ajo që i sugjeroi Pjetri, «ji i mirë me veten, Zotëri», mori përgjigjen e prerë: «Dil prapa meje, Satana!»—Mateu 16:22, 23, BR.
Jezui kishte një përzemërsi të veçantë për disa, të cilët ishin sidomos të afërt për të. Apostulli Gjon u përshkrua si «dishepulli, të cilin Jezui e donte». (Gjoni 21:7, 20) Lexojmë: «Por Jezui e donte Martën, motrën e saj dhe Llazarin.»—Gjoni 11:5.
Edhe Jezui mund të jetë lënduar. Duke e ndierë tragjedinë e vdekjes së Llazarit, «Jezui qau». (Gjoni 11:32-36) Duke shprehur hapur dhembjen e zemrës, të shkaktuar nga tradhtia e Judë Iskariotit, Jezui citoi një shprehje therrëse nga Psalmet: «Ai që ha bukën me mua, ka ngritur thembrën kundër meje.»—Gjoni 13:18; Psalmi 41:9.
Edhe kur po përjetonte një dhembje agonike në shtyllë, Jezui tregoi thellësinë e ndjenjave të tij. Me dhembshuri ai ia besoi nënën e tij ‘dishepullit që donte’. (Gjoni 19:26, 27) Kur te njëri prej keqbërësve që ishte vënë në shtyllë përbri tij, pa dëshmi të pendimit, me dhembshuri Jezui tha: «Ti do të jesh me mua në Parajsë.» (Luka 23:43) Mund të ndiejmë shpërthimin e emocioneve në thirrjen e tij: «Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?» (Mateu 27:46) Fjalët që tha në momentin e vdekjes, tregojnë një dashuri dhe besim nga zemra: «O Atë, në duart e tua po e dorëzoj frymën time.»—Luka 23:46.
Çfarë sigurie na jep e gjithë kjo! «Sepse ne nuk kemi kryeprift që nuk mund t’i vijë keq për dobësitë tona, por një [Jezuin] që u tundua në të gjitha, ashtu si ne, por pa mëkatuar.»—Hebrenjve 4:15.
Siguria e Jehovait
Jehovait nuk i ka ardhur kurrë keq për zgjedhjen që ka bërë në lidhje me zëdhënësit. Ai e njihte besnikërinë e tyre ndaj tij dhe me dhembshuri kaloi pa vënë re dobësitë e atyre që ishin të papërsosur. Por megjithatë, ai priste prej tyre që ta përmbushnin detyrën. Me ndihmën e tij, ata qenë në gjendje ta bënin një gjë të tillë.
Me durim, le të tregojmë besim në vëllezërit tanë besnikë dhe në motrat tona besnike. Në këtë sistem gjërash, ata do të jenë gjithmonë të papërsosur, siç do të jemi edhe ne. Megjithatë, kurrë nuk duhet t’i gjykojmë vëllezërit tanë si të padenjë për dashurinë dhe vëmendjen tonë. Pavli shkroi: «Ne që jemi të fortë, duhet të mbajmë dobësitë e atyre që janë të dobët dhe jo t’i pëlqejmë vetes.»—Romakëve 15:1; Kolosianëve 3:13, 14.
Profetët e Jehovait përjetuan të gjitha emocionet që përjetojmë ne. Megjithatë, ata besuan në Jehovain dhe Jehovai i përkrahu. Më shumë se kaq, Jehovai u dha atyre arsye për gëzim: një ndërgjegje të mirë, dijeninë se kishin favorin e tij, shokë besnikë që i mbështetën dhe sigurinë e një të ardhmeje të lumtur. (Hebrenjve 12:1-3) Le të kapemi edhe ne fort pas Jehovait me siguri të plotë, ndërsa imitojmë besimin e profetëve të lashtësisë, të njerëzve «me ndjenja si tonat».