Si të ruajmë frymën vetëmohuese
«Nëse ndokush dëshiron të vijë pas meje, le ta mohojë veten.»—MAT. 16:24.
1. Si la Jezui një shembull të përsosur vetëmohimi?
KUR ishte në tokë, Jezui la një shembull të përsosur vetëmohimi. Linte mënjanë dëshirat dhe rehatinë e vet, që të bënte vullnetin e Perëndisë. (Gjoni 5:30) Duke qëndruar besnik derisa vdiq në shtyllën e torturës, tregoi se fryma e tij vetëmohuese nuk kishte cak.—Filip. 2:8.
2. Si mund të shfaqim frymë vetëmohuese, dhe pse duhet ta bëjmë këtë?
2 Si dishepuj të Jezuit, edhe ne duhet të shfaqim frymë vetëmohuese. Ç’do të thotë kjo? Me dy fjalë do të thotë të jesh i gatshëm të heqësh dorë nga interesat e tua, për të ndihmuar të tjerët. Është, si të thuash, e kundërta e egoizmit. (Lexo Mateun 16:24.) Një frymë altruiste mund të na ndihmojë t’i vëmë ndjenjat dhe preferencat e të tjerëve para tonave. (Filip. 2:3, 4) Faktikisht, Jezui mësoi se fryma altruiste është boshti i adhurimit tonë. Pse themi kështu? Sepse dashuria e krishterë, një ndër motivet që na nxit të jemi vetëmohues, është shenja dalluese e dishepujve të vërtetë të Jezuit. (Gjoni 13:34, 35) Veç kësaj, çfarë bekimesh shijojmë si pjesë e një vëllazërie mbarëbotërore që shfaq këtë frymë!
3. Çfarë mund ta minojë frymën tonë vetëmohuese?
3 Prapëseprapë, ndeshemi me një armik që mund ta minojë tinëzisht frymën tonë vetëmohuese. Ky armik është prirja që kemi për të qenë egoistë. Të sjellim ndër mend si shfaqi egoizëm çifti i parë. Eva veproi e shtyrë nga dëshira egoiste për të qenë si Perëndia. I shoqi zbuloi dëshirën e vet egoiste për t’i bërë qejfin asaj. (Zan. 3:5, 6) Pasi largoi Adamin dhe Evën nga adhurimi i vërtetë, Djalli vazhdoi ta përdorte egoizmin si karrem. Madje, këtë karrem e përdori edhe me Jezuin. (Mat. 4:1-9) Sot e kësaj dite Satanai ia ka dalë të mashtrojë shumicën, duke i shtyrë të tregohen egoistë në lloj-lloj mënyrash. Ia vlen t’i kushtojmë vëmendje kësaj, sepse kjo frymë kaq e përhapur mund të na ngjitet edhe ne.—Efes. 2:2.
4. (a) A mund t’i zhdukim sot prirjet egoiste? Shpjegoni. (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë?
4 Egoizmi mund të krahasohet me ndryshkun që formohet te hekuri. Nëse një objekt hekuri lihet në mëshirë të kushteve të motit, mund të fillojë të ndryshket. Ama, rreziku i vërtetë është ta shpërfillësh këtë, duke lejuar që ndryshku të shtohet, aq sa të shkaktojë dëm të rëndë ose katastrofë. Po njësoj, edhe pse sot nuk mund ta zhdukim papërsosmërinë tonë e prirjet egoiste, duhet të jemi syçelë dhe të vazhdojmë t’i luftojmë. (1 Kor. 9:26, 27) Si t’i dallojmë te vetja shenjat e egoizmit? Si mund ta zhvillojmë akoma më tej frymën vetëmohuese?
TË PËRDORIM BIBLËN QË TË PIKASIM SHENJA EGOIZMI
5. (a) Në ç’kuptim Bibla është si një pasqyrë? (Shih figurën hapëse.) (b) Çfarë duhet të shmangim kur përpiqemi të pikasim shenja egoizmi te vetja?
5 Ashtu si me një pasqyrë kontrollojmë pamjen tonë, me anë të Biblës mund të kontrollojmë njeriun e brendshëm dhe të ndreqim çfarëdo defekti që pikasim. (Lexo Jakovin 1:22-25.) Megjithatë, pasqyra na hyn në punë vetëm nëse e përdorim siç duhet. Për shembull, nëse vetëm sa i hedhim një sy, mund të mos e vëmë re një defekt domethënës, ndonëse të vogël. Ose, po ta shohim pasqyrën nga ndonjë kënd, mund të kapim imazhin e dikujt tjetër. Po njësoj, për të përdorur Biblën që të pikasim ndonjë defekt si egoizmi, nuk mjafton ta lexojmë shkel e shko ose ta përdorim që të shohim të metat e një tjetri.
6. Si ‘ngulmojmë’ në ligjin e përsosur?
6 Për shembull, mund ta lexojmë Fjalën e Perëndisë rregullisht, madje çdo ditë, dhe prapë të mos diktojmë asnjë gjurmë egoizmi që po zhvillohet te ne. Si ka mundësi? Mendo pak: në ilustrimin e Jakovit për pasqyrën, problemi nuk ishte që njeriu nuk po shihte me vëmendje. Jakovi përdori një fjalë greke të përkthyer «shihet», që do të thotë të hulumtosh ose të shqyrtosh me kujdes. Atëherë, ku qëndronte problemi? Jakovi vazhdon: «Ikën dhe harron menjëherë se ç’lloj njeriu ishte.» E pra, ai u largua nga pasqyra pa rregulluar atë që vërejti. Krejt ndryshe, njeriu i suksesshëm jo vetëm «ndalet e shikon në ligjin e përsosur», por edhe «ngulmon në të». Nuk i kthen krahët ligjit të përsosur, Fjalës së Perëndisë, por ngulmon duke zbatuar mësimet e saj. Jezui bëri një arsyetim të ngjashëm kur tha: «Nëse qëndroni në fjalën time, jeni vërtet dishepujt e mi.»—Gjoni 8:31.
7. Si mund ta përdorim Biblën që të pikasim gjurmë egoizmi?
7 Pra, që t’ia dalim të luftojmë shenjat e egoizmit, së pari duhet të lexojmë me kujdes Fjalën e Perëndisë. Kështu mund të dallojmë ku duhet të punojmë. Por nuk mjafton me kaq. Të shkojmë më thellë, duke bërë kërkime. Pasi ta kemi të qartë në mendje një tregim biblik, ta përjetojmë atë, duke pyetur veten: «Si do të veproja në këtë situatë? A do të veproja vërtet ashtu siç duhet?» Mbi të gjitha, pas këtij meditimi, të bëjmë çmos ta zbatojmë atë që mësuam. (Mat. 7:24, 25) Le të shohim si mund t’i përdorim tregimet për mbretin Saul dhe apostullin Pjetër që të ruajmë frymën vetëmohuese.
TË MËSOJMË NGA SHEMBULLI PARALAJMËRUES I MBRETIT SAUL
8. Çfarë qëndrimi kishte Sauli kur filloi të mbretëronte, dhe si e shfaqi?
8 Shembulli i Saulit, mbretit të Izraelit, na paralajmëron se egoizmi mund të na gërryejë frymën vetëmohuese. Kur Sauli nisi të mbretëronte, kishte një pikëpamje modeste e të përulur për veten. (1 Sam. 9:21) Nuk ishte dakord t’i ndëshkonte izraelitët që u ankuan për mbretërimin e tij, ndonëse mund t’i dukej e drejtë ta mbronte pozitën që i kishte dhënë Perëndia. (1 Sam. 10:27) Mbreti Saul pranoi drejtimin e frymës së Perëndisë, duke i prirë Izraelit drejt fitores kundër amonitëve. Pas kësaj, gjithë përulësi ia dha meritën Jehovait për fitoren.—1 Sam. 11:6, 11-13.
9. Si zhvilloi egoizëm Sauli me kalimin e kohës?
9 Me kalimin e viteve Sauli lejoi të nxirrnin kokë egoizmi e krenaria, ashtu si ndryshku gërryes. Kur mundi amalekitët, vuri dëshirat e veta para bindjes ndaj Jehovait. Me lakmi, mori plaçkën e luftës, në vend që ta shkatërronte siç kishte urdhëruar Perëndia. Gjithashtu, me arrogancë, Sauli i ngriti përmendore vetes. (1 Sam. 15:3, 9, 12) Kur profeti Samuel i tha se Jehovai ishte mërzitur, u përpoq të justifikohej. U përqendrua tek ajo pjesë e urdhrit të Perëndisë së cilës i ishte bindur dhe ua hodhi fajin të tjerëve për gabimet e veta. (1 Sam. 15:16-21) Veç kësaj, nga krenaria Sauli merakosej më tepër se mos bënte figurë të keqe para popullit, sesa të kënaqte Perëndinë. (1 Sam. 15:30) Si mund ta përdorim tregimin për Saulin si pasqyrë që të ruajmë frymën vetëmohuese?
10, 11. (a) Ç’mësim nxjerrim nga përvoja e Saulit se si të ruajmë frymën vetëmohuese? (b) Si mund të shmangim udhën e keqe të Saulit?
10 Së pari, përvoja e Saulit na tregon se nuk duhet ta flemë mendjen, duke pretenduar se, meqë kemi treguar frymë vetëmohuese më parë, automatikisht do të vazhdojmë ta shfaqim. (1 Tim. 4:10) Të mos harrojmë se për njëfarë kohe Sauli eci mirë dhe kishte miratimin e Perëndisë, por ama nuk i çrrënjosi prirjet egoiste që po e vinin poshtë. Si përfundim, Jehovai e hodhi poshtë Saulin për mosbindje.
11 Së dyti, duhet të bëjmë kujdes të mos përqendrohemi vetëm në ato aspekte të jetës ku po ecim mirë, duke mbyllur sytë para atyre ku duhet të punojmë. Kjo do të ishte sikur të përdornim një pasqyrë për t’u kënaqur me një veshje të re, pa e vërejtur që jemi bërë pis në fytyrë. Mbase nuk jemi aq të vetëkënaqur sa u bë Sauli, por duhet të punojmë se s’bën për të shmangur çdo prirje që mund të na çojë në të njëjtën udhë të keqe. Po të marrim këshilla, të bëjmë kujdes të mos justifikojmë veprimet tona, të mos minimizojmë problemin ose të mos ua hedhim fajin të tjerëve. Ndryshe nga Sauli, bëjmë mirë t’i mirëpresim këshillat.—Lexo Psalmin 141:5.
12. Si mund të na ndihmojë fryma vetëmohuese nëse kryejmë ndonjë mëkat të rëndë?
12 Po sikur të kemi kryer ndonjë mëkat të rëndë? Sauli prekej tepër në sedër dhe kjo e pengoi të merrte veten frymësisht. Krejt ndryshe, fryma vetëmohuese mund të na ndihmojë të kapërcejmë turpin e të kërkojmë ndihmën që na nevojitet. (Prov. 28:13; Jak. 5:14-16) Për shembull, një vëlla nisi të shihte pornografi kur ishte 12 vjeç, dhe vazhdoi ta bënte këtë fshehtas për më se një dekadë. Ai tregon: «Ishte shumë e zorshme t’ia rrëfeja gruas dhe pleqve çfarë po bëja. Por tani që ua kam rrëfyer, ndihem sikur kam hequr nga supet një barrë gjigante. Disa nga miqtë e mi u zhgënjyen kur u çemërova si shërbëtor ndihmës, sikur t’i kisha prerë në besë. Sidoqoftë, e di se Jehovai është më i kënaqur me shërbimin tim tani, sesa kur shihja pornografi, dhe pikëpamja e tij është ajo që vlen vërtet.»
PJETRI MPOSHTI EGOIZMIN
13, 14. Si shfaqi prirje egoiste Pjetri?
13 Apostulli Pjetër shfaqi frymë vetëmohuese ndërsa e stërviste Jezui. (Luka 5:3-11) Gjithsesi, iu desh të luftonte prirjet egoiste. Për shembull, u indinjua kur apostujt Jakov dhe Gjon u përpoqën me marifet të zinin pozita të rëndësishme përkrah Jezuit në Mbretërinë e Perëndisë. Ndoshta Pjetri mendonte se një nga ato vende i takonte atij, sepse Jezui tashmë kishte thënë se Pjetri do të luante rol të veçantë. (Mat. 16:18, 19) Sido të ketë qenë, Jezui i paralajmëroi Jakovin dhe Gjonin, si edhe Pjetrin e apostujt e tjerë, që të mos tregoheshin egoistë, ‘duke u sjellë si zotër’ me vëllezërit.—Mar. 10:35-45.
14 Edhe pasi Jezui u përpoq t’ia ndreqte mendimet, Pjetri ende luftonte me pikëpamjen që kishte për veten. Kur Jezui u tha apostujve se do ta braktisnin përkohësisht, Pjetri i uli të tjerët dhe ngriti veten, duke pohuar se vetëm ai do të qëndronte besnik. (Mat. 26:31-33) Sidoqoftë, ky vetëbesim ishte i pabazë, sepse po atë natë Pjetri nuk u tregua fare vetëmohues. Teksa përpiqej të mbronte veten, e mohoi tri herë Jezuin.—Mat. 26:69-75.
15. Pse shembulli i Pjetrit në tërësi na jep zemër?
15 Pavarësisht nga lufta e brendshme dhe dështimet, jeta e Pjetrit është një shembull që na jep zemër. Falë përpjekjeve të tij dhe ndihmës së frymës së shenjtë të Perëndisë, ia doli të mposhtte prirjet e gabuara dhe të shfaqte vetëkontroll e dashuri vetëmohuese. (Gal. 5:22, 23) Ai u bëri ballë disa sprovave që mund të quheshin më të rënda se ato ku dështoi. Tregoi përulësi kur apostulli Pavël e qortoi në sy të të tjerëve. (Gal. 2:11-14) Pasi u qortua, Pjetri nuk mbajti mëri, sikur vërejtja e Pavlit t’i kishte ulur prestigjin. Vazhdoi të shprehte dashuri për Pavlin. (2 Pjet. 3:15) Shembulli i Pjetrit mund të na ndihmojë të zhvillojmë një frymë vetëmohuese.
Si reagoi Pjetri pasi u qortua? A do të reagonim edhe ne ashtu? (Shih paragrafin 15.)
16. Si mund të shfaqim frymë vetëmohuese në rrethana të vështira?
16 Të mendojmë për mënyrën si reagojmë në rrethana të vështira. Kur Pjetrin dhe apostujt i burgosën dhe i rrahën ngaqë predikonin, ata gëzuan «sepse ishin çmuar të denjë të çnderoheshin për emrin [e Jezuit]». (Vep. 5:41) Edhe ne mund ta shohim përndjekjen si një rast që të imitojmë Pjetrin dhe të ecim në gjurmët e Jezuit, duke shfaqur frymë vetëmohuese. (Lexo 1 Pjetrit 2:20, 21.) Kjo pikëpamje mund të na ndihmojë edhe nëse kemi marrë disiplinë të nevojshme nga pleqtë. Në vend që të prekemi në sedër, le të ndjekim shembullin e Pjetrit.—Ekl. 7:9.
17, 18. (a) Çfarë pyetje mund t’i bëjmë vetes për synimet frymore? (b) Ç’mund të bëjmë nëse pikasim sadopak egoizëm në zemër?
17 Gjithashtu, mund të nxjerrim dobi nga shembulli i Pjetrit kur bëhet fjalë për synimet frymore. Mund t’i arrijmë këto synime në një mënyrë që pasqyron frymë vetëmohuese. Por ama, të kemi kujdes që këto përpjekje të mos kthehen në ambicie. Prandaj, të pyesim veten: «Mos vallë dëshira ime që të përmirësoj ose të shtoj shërbimin ndaj Jehovait është pleksur me dëshirën për të rënë në sy a për të pasur më shumë autoritet, si në rastin e kërkesës që i bënë Jezuit Jakovi dhe Gjoni?»
18 Nëse pikasim sadopak egoizëm në zemër, t’i lutemi Jehovait të na ndihmojë të ndreqim mendimet dhe ndjenjat. Pastaj të përpiqemi akoma më shumë të përqendrohemi te lavdia e Tij dhe jo te jona. (Psal. 86:11) Përveç kësaj, mund të ndjekim synime që nuk na vënë në qendër të vëmendjes. Për shembull, mund të kemi synim të zhvillojmë më tej disa aspekte të frytit të frymës që për ne janë veçanërisht të vështira. Ose, ta zëmë se përgatitemi me zell për pjesët që kemi në mbledhje, por s’na bëhet vonë edhe aq për pastrimin e Sallës së Mbretërisë. Atëherë mund të vëmë si synim të ndjekim këshillën e Romakëve 12:16.—Lexoje.
19. Ç’të bëjmë që të mos na lëshojë zemra nga ajo që shohim në pasqyrën e Fjalës së Perëndisë?
19 Kur e këqyrim mirë veten në pasqyrën e Fjalës së Perëndisë dhe vërejmë të meta ose gjurmë egoizmi, mund të na lëshojë zemra. Nëse na ndodh kështu, të ndalemi e të mendojmë për njeriun e suksesshëm në ilustrimin e Jakovit. Jakovi nuk theksoi sa shpejt i ndreqi ai problemet që pikasi, dhe as nëse ishte i zoti të rregullonte çdo defekt. Tha thjesht se ‘ngulmoi në ligjin e përsosur.’ (Jak. 1:25) Nuk e harroi atë që pa në pasqyrë dhe bënte çmos të përmirësohej. Kështu, të mbajmë një pikëpamje pozitive për veten dhe t’i shohim me ekuilibër papërsosmëritë tona. (Lexo Eklisiastiun 7:20.) Le të vazhdojmë të ndalemi e të shohim në ligjin e përsosur dhe të punojmë fort që të ruajmë frymën vetëmohuese. Jehovai mezi pret të na ndihmojë, siç ka bërë me sa e sa vëllezër, të cilët janë të papërsosur, por prapë mund të gëzojnë miratimin dhe bekimin e Perëndisë, e i gëzojnë vërtet.