Mikpritja e krishterë në një botë të përçarë
«Ne e kemi për detyrë, pra, t’i presim këta njerëz, që të jemi bashkëpunëtorë në çështjen e së vërtetës.»—3. GJONIT 8.
1. Cilat dhurata nga më të dëshirueshmet i ka dhënë Krijuesi njerëzimit?
«PËR njerëzimin, nuk ka gjë më të mirë nën diell, se të hajë, të pijë e të gëzojë dhe kjo i shoqëroftë ata në punën e rëndë gjatë ditëve të jetës së tyre, që Perëndia i vërtetë u ka dhënë nën diell.» (Eklisiastiu 8:15, BR) Me këto fjalë, predikuesi i lashtë hebre na tregon se Perëndia Jehova, jo vetëm dëshiron që krijesat e tij njerëzore të jenë të gëzuara e të lumtura, por u siguron, gjithashtu, edhe mjetet për të qenë të tilla. Gjatë gjithë historisë njerëzore, mes njerëzve, kudo që ata ndodhen, është shfaqur një dëshirë e përbashkët, ajo për të gëzuar vetveten e për të pasur momente të këndshme.
2. (a) Si ka abuzuar njerëzimi me qëllimin që Jehovai kishte për të? (b) Cili është rezultati?
2 Sot, ne jetojmë në një shoqëri hedonike, në të cilën njerëzit janë në kërkim të kënaqësive dhe të momenteve të këndshme. Siç ka parathënë Bibla, pjesa më e madhe e njerëzve janë bërë «dashurues të vetvetes, . . . dashurues të kënaqësive më shumë se dashurues të Perëndisë». (2. Timoteut 3:1-4, BR) Sigurisht që ky, është një shtrembërim flagrant i asaj që pati si qëllim Perëndia Jehova. Kur kërkimi i momenteve të këndshme bëhet një qëllim në vetvete apo kur kërkimi i kënaqësive personale bëhet synimi i vetëm, atëherë nuk ka kënaqësi të vërtetë dhe ‘çdo gjë bëhet kotësi dhe një përpjekje për të kapur erën’. (Eklisiastiu 1:14; 2:11, BR) Si rezultat, bota është mbushur me njerëz të vetmuar dhe të zhgënjyer, të cilët, nga ana e tyre, çojnë në probleme të shumta të shoqërisë. (Proverbat 18:1) Njerëzit bëhen dyshues për njëri-tjetrin dhe të përçarë nga pikëpamja raciale, etnike, sociale dhe ekonomike.
3. Si mund të gjejmë gëzim dhe kënaqësi të vërtetë?
3 Sa e ndryshme do të ishte situata, nëse njerëzit do të imitonin mënyrën me të cilën Jehovai trajton të tjerët, duke qenë mirëdashës, bujar dhe mikpritës! Ai e ka bërë më se të qartë se sekreti i lumturisë së vërtetë nuk gjendet në përpjekjet tona për të kënaqur dëshirat personale. Përkundrazi, çelësi është ky: «Ka më shumë lumturi të japësh sesa të marrësh.» (Veprat 20:35) Për të gjetur gëzimin dhe kënaqësinë e vërtetë, ne duhet të kapërcejmë pengesat dhe ndarjet, të cilat mund të na kufizojnë. Duhet të qëndrojmë me të gjithë ata që i shërbejnë Jehovait bashkë me ne. Është themelore që t’i kushtojmë vëmendje këshillës: «Ne e kemi për detyrë, pra, t’i presim këta njerëz, që të jemi bashkëpunëtorë në çështjen e së vërtetës.» (3. Gjonit 8) Mikpritja e treguar ndaj atyre që e meritojnë, në masën që na e lejojnë rrethanat, sjell dobi të dyanshme: nxjerr dobi ai që jep dhe ai që merr. Cilët, pra, janë ata që bëjnë pjesë mes atyre që e meritojnë e që ne duhet t’i ‘mikpresim’?
«Kujdesuni për jetimët dhe të vejat»
4. Çfarë ndryshimi është parë në strukturën familjare, madje edhe brenda popullit të Jehovait?
4 Sot, familjet e qëndrueshme dhe martesat e lumtura, janë një gjë e rrallë. Treguesi i lartë i divorceve dhe numri në rritje i nënave të pamartuara në mbarë botën, ka ndryshuar në mënyrë drastike familjen tradicionale. Si rezultat i kësaj, shumë prej atyre që janë bërë Dëshmitarë të Jehovait në vitet e fundit, vijnë nga familje të ndara. Ata janë ose të ndarë a të divorcuar nga bashkëshorti apo bashkëshortja e tyre, ose jetojnë në familje me një prind. Përveç kësaj, ashtu siç paratha Jezui, e vërteta që ai mësoi, ka çuar në ndarje në shumë familje.—Mateu 10:34-37; Luka 12:51-53.
5. Çfarë tha Jezui, gjë që mund të jetë burim inkurajimi për ata që jetojnë në familje të ndara?
5 Na ngrohen zemrat kur shohim persona të rinj, të cilët marrin një qëndrim të vendosur për të vërtetën dhe shpesh i ngushëllojmë me premtimin inkurajues të Jezuit: «Me të vërtetë po ju them, o njerëz, asnjeri nuk ka lënë shtëpinë, vëllezërit apo motrat, nënën apo babain, fëmijët apo arat për hirin tim e për hir të lajmit të mirë, që nuk do të marrë tani, në këtë periudhë, njëqindfish shtëpi, vëllezër, motra, nëna, fëmijë dhe ara, bashkë me persekutime dhe në sistemin e gjërave që po vjen, jetën e përhershme.»—Marku 10:29, 30, BR.
6. Si mund të bëhemi ‘vëllezër, motra, nëna dhe fëmijë’ për «jetimët dhe të vejat» që ndodhen mes nesh?
6 Cilët janë, pra, këta ‘vëllezër, motra, nëna e fëmijë’? Thjesht shikimi i një numri të madh personash në një Sallë Mbretërie, shpesh njëqind a më shumë, të cilët thirren midis tyre vëllezër e motra, nuk e bën një person që të ndjejë automatikisht se këta janë vëllezërit, motrat, nënat dhe fëmijët e tij. Le ta shqyrtojmë këtë pikë: Dishepulli Jakov na kujton se për të pasur një adhurim të pranueshëm nga Jehovai, ne duhet ‘të kujdesemi për jetimët dhe të vejat në pikëllimet e tyre dhe ta ruajmë veten të pastër nga bota’. (Jakovi 1:27) Kjo do të thotë se nuk duhet të lejojmë që qëndrimet nga bota, lidhur me krenarinë për shkak të gjendjes së mirë ekonomike dhe të superioritetit të klasës shoqërore ku bën pjesë, t’i mbyllin derën mëshirës ndaj «jetimëve dhe të vejave». Përkundrazi, duhet të marrim iniciativën për ta shtrirë tek ata shoqërinë dhe mikpritjen.
7. (a) Cili është qëllimi i vërtetë i të qenit mikpritës ndaj «jetimëve dhe të vejave»? (b) Cilët kanë, gjithashtu, mundësi të marrin pjesë në shfaqjen e mikpritjes së krishtere?
7 Shfaqja e mikpritjes ndaj «jetimëve dhe të vejave», jo gjithmonë do të thotë kompensim i mungesave të tyre materiale. Familjet me një prind, apo të ndara nga pikëpamja fetare, nuk janë domosdoshmërisht në një situatë të keqe financiare. Gjithsesi, shoqëria e shëndetshme, atmosfera familjare, shoqëria me persona të moshave të ndryshme dhe pjesëmarrja në gjërat e mira frymore, janë aspekte të jetës që kanë vlerën e një thesari. Prandaj, duke mos harruar që, në një rast, nuk është ajo që përgatitet, por fryma e dashurisë dhe e unitetit, ajo që ka rëndësi, sa bukur është që herë pas here, edhe «jetimët dhe të vejat» të mund të marrin pjesë në shfaqjen e mikpritjes ndaj bashkë të krishterëve!—Krahaso 1. Mbretërve 17:8-16.
A ka të huaj mes nesh?
8. Çfarë ndryshimi është parë në shumë kongregacione të Dëshmitarëve të Jehovait?
8 Jetojmë në një kohë migrimesh masive. Në një revistë thuhet: «Më shumë se 100 milionë njerëz në mbarë botën, jetojnë në shtete, ku nuk janë qytetarë të tyre dhe 23 milionë janë detyruar të largohen nga shtetet e tyre.» (World Press Review) Një pasojë e drejtpërdrejtë e kësaj ka qenë fakti se në shumë zona, veçanërisht në qytetet e mëdha, kongregacionet e popullit të Jehovait që dikur përbëheshin kryesisht prej një race apo kombësie, tani përmbajnë njerëz nga vende të ndryshme të botës. Ndoshta kjo është e vërtetë edhe për vendin ku banon ti. Si duhet t’i shohim, pra, këta «banorë të huaj» dhe të «huaj», siç mund t’i quajë bota, gjuha e të cilëve, zakonet dhe stili i jetës mund të jenë të ndryshme nga tonat?
9. Në çfarë gracke mund të zihemi lidhur me pikëpamjen tonë ndaj «banorëve të huaj» dhe «të huajve» që vijnë në kongregacionin e krishterë?
9 E thënë thjesht, ne nuk duhet të lejojmë asnjë prirje të ksenofobisë, që të na bëjë të ndihemi se në njëfarë mënyre, ne e meritojmë më shumë privilegjin e njohjes të së vërtetës, sesa ata që vijnë nga një tokë e huaj apo e ashtuquajtur pagane; gjithashtu, nuk duhet të ndihemi sikur këta të sapoardhur po cënojnë përdorimin e Sallës së Mbretërisë apo të pronave të tjera që disponohen. Apostullit Pavël iu desh t’u kujtonte disa të krishterëve judenj të shekullit të parë, të cilët u kishin bërë vend pikëpamjeve të tilla, që në të vërtetë asnjeri nuk meritonte gjë. Ishte dashamirësia e pamerituar e Perëndisë, që i kishte mundësuar gjithsecilit të fitonte shpëtimin. (Romakëve 3: 9-12, 23, 24) Ne duhet të gëzohemi që dashamirësia e pamerituar e Perëndisë, po arrin tani kaq shumë njerëz, që në një mënyrë apo në një tjetër kishin qenë të privuar nga mundësia për të dëgjuar lajmin e mirë. (1. Timoteut 2:4) Si mund të tregojmë se dashuria jonë për ta është e vërtetë?
10. Si mund të tregojmë se jemi me të vërtetë mikpritës ndaj «të huajve» që ndodhen mes nesh?
10 Mund të ndjekim këshillën e Pavlit: «Mirëprisni njëri-tjetrin, ashtu si Krishti na ka mirëpritur, me lavdinë e Perëndisë para syve.» (Romakëve 15:7, BR) Duke qenë të vetëdijshëm se njerëzit nga vende apo mjedise të tjera , janë shpesh të pafavorizuar, duhet t’u shfaqim dashamirësi dhe përkujdesje, kur e kemi në dorë për ta bërë. Duhet t’i mirëpresim mes nesh, ta trajtojmë secilin prej tyre «si një vendas nga tuajët» dhe «ta duam si veten». (Levitiku 19:34, BR) Ndoshta kjo nuk është e lehtë për t’u bërë, por ne do të kemi sukses, nëse kujtojmë këshillën: «Mos u bëni një me këtë sistem gjërash, por ndryshohuni duke rinuar mendjen tuaj, që të mund të provoni vetë vullnetin e mirë, të pranueshëm dhe të përsosur të Perëndisë.»—Romakëve 12:2, BR.
Ndani me të shenjtët
11, 12. Çfarë vëmendjeje e veçantë iu kushtua disa shërbëtorëve të Jehovait në (a) Izraelin e lashtë (b) shekullin e parë?
11 Mes atyre që e meritojnë me të vërtetë konsideratën dhe mikpritjen tonë, janë të krishterët e pjekur, të cilët punojnë shumë për mirëqënien tonë frymore. Në Izraelin e lashtë, Jehovai mori masa të veçanta për priftërinjtë dhe levitët. (Numrat 18:25-29) Në shekullin e parë, të krishterët u nxitën, gjithashtu, që të kujdeseshin për ata me cilësi të veçanta, që u shërbenin atyre. Tregimi në 3. Gjonit 5-8, na jep një vështrim të shkurtër mbi lidhjen e ngushtë të dashurisë që ekzistonte ndërmjet të krishterëve të parë
12 Apostulli Gjon, i shkuar në moshë, vlerësoi lart dashamirësinë dhe mikpritjen që Gaji tregoi ndaj disa vëllezërve udhëtues, të cilët ishin dërguar për të vizituar kongregacionin. Këta vëllezër, duke përfshirë edhe Demetrin, që me sa duket ishte ai që shpërndante letrat e Gjonit, ishin të gjithë të panjohur më parë nga Gaji. Por ata u mikpritën, sepse «kishin shkuar atje në emër të Perëndisë». Gjoni e shprehu kështu këtë gjë: «Ne e kemi për detyrë, pra, t’i presim këta njerëz, që të jemi bashkëpunëtorë në çështjen e së vërtetës.»—3. Gjonit 1, 7, 8.
13. Cilët nga ata që ndodhen mes nesh, meritojnë në mënyrë të veçantë që të ‘mikpriten’?
13 Sot, në organizatën e Jehovait, ka shumë nga ata që po e ushtrojnë me forcë veten, në emër të të gjithë shoqërisë së vëllezërve. Këtu përfshihen mbikëqyrësit udhëtues, të cilët harxhojnë kohën dhe energjitë e tyre javë pas jave, për ndërtimin e kongregacioneve; misionarët, të cilët lënë familjet dhe miqtë për të predikuar në vende të huaja; ata që shërbejnë në shtëpitë Bethel apo në zyrat e degës, të cilët shërbejnë vullnetarisht për mbështetjen e veprës mbarëbotërore të predikimit, si dhe ata që shërbejnë si pionierë, të cilët shpenzojnë pjesën më të madhe të kohës dhe të energjive të tyre në shërbimin në fushë. Në themel të gjithë kësaj pune të madhe, nuk është fitimi apo lavdia personale, por dashuria për vëllazërinë e krishterë dhe për Jehovain. Ata janë të denjë për t’u imituar nga ne për devotshmërinë e tyre me gjithë shpirt dhe e meritojnë që ‘të mikpriten’.
14. (a) Në ç’mënyrë bëhemi të krishterë më të mirë kur tregojmë mikpritje ndaj personave besimplotë? (b) Përse Jezui tha se Maria zgjodhi «pjesën e mirë»?
14 Apostulli Gjon theksoi se kur «presim këta njerëz», ne bëhemi «bashkëpunëtorë në çështjen e së vërtetës». Si rezultat, ne bëhemi në njëfarë kuptimi, të krishterë më të mirë. Është kështu, sepse veprat e krishtere përfshijnë bërjen mirë ndaj bashkëbesimtarëve. (Proverbat 3:27, 28; 1. Gjonit 3:18) Shpërblime ka edhe në një mënyrë tjetër. Kur Maria dhe Marta pritën Jezuin në shtëpinë e tyre, Marta pati dëshirë të ishte një mikpritëse e mirë, duke përgatitur «shumë gjëra» për të. Maria e tregoi mikpritjen në një mënyrë të ndryshme. Ajo «u ul në këmbët e Zotërisë dhe vazhdoi të dëgjonte fjalët e tij» dhe Jezui e lavdëroi, pasi ajo kishte zgjedhur «pjesën e mirë». (Luka 10:38-42, BR) Bisedat dhe diskutimet me ata që kanë përvojë shumëvjeçare, janë shpesh momentet më të rëndësishme të një mbrëmjeje të kaluar në shoqërinë me ta.—Romakëve 1:11, 12.
Rastet e veçanta
15. Cilat raste të veçanta mund të tregojnë se janë momente të lumtura për popullin e Jehovait?
15 Megjithëse të krishterët e vërtetë nuk ndjekin zakonet e botës, apo nuk festojnë datëlindjet apo festa të tjera, ka raste kur ata mblidhen së bashku për të gëzuar shoqërinë me njëri-tjetrin. Për shembull, Jezui mori pjesë në festimin e një martese në Kanë dhe kontribuoi në gëzimin e këtij rasti, duke kryer atje mrekullinë e tij të parë. (Gjoni 2:1-11) Ngjashëm, sot pjesëtarët e popullit të Jehovait kalojnë momente të lumtura së bashku në raste të tilla të veçanta dhe kremtimi e festimi i përshtatshëm, kontribuon shumë në ngjarje të tilla. Por, çfarë është e përshtatshme?
16. Cila është udhërrëfyesja jonë që duhet të kemi për një sjellje të përshtatshme, edhe në raste të veçanta?
16 Nëpërmjet studimit të Biblës, ne mësojmë se cila është sjellja e përshtatshme për të krishterët dhe këtë sjellje e ndjekim në çdo moment. (Romakëve 13:12-14; Galatasve 5:19-21; Efesianëve 5:3-5) Grumbullimet në shoqëri, pavarësisht nëse ka lidhje me martesat apo për çfarëdo lloj arsyeje tjetër, nuk na japin lirinë për të braktisur normat tona të krishtere, apo për të bërë diçka që zakonisht nuk e bëjmë; as nuk jemi të detyruar të ndjekim të gjitha zakonet e vendit ku jetojmë. Shumë prej tyre bazohen në praktika të rreme fetare apo në bestytni, ndërsa të tjera përfshijnë një sjellje qartësisht të papranueshme për të krishterët.—1. Pjetrit 4:3, 4.
17. (a) Cilët faktorë tregojnë se dasma në Kanë ishte e organizuar mirë dhe e mbikëqyrur siç duhej? (b) Ç’gjë tregon se Jezui e aprovoi këtë rast?
17 Nga leximi i Gjonit 2:1-11, nuk është e vështirë të kuptojmë se për këtë rast ishin bërë parapërgatitje dhe se atje ndodheshin një numër i madh mysafirësh. Megjithatë, Jezui dhe dishepujt e tij, ishin mysafirë «të ftuar», nuk kishin kaluar atje rastësisht, ndonëse të paktën disa prej tyre ka të ngjarë të kenë qenë të afërm të të zotit të shtëpisë. Vëmë re gjithashtu, se atje ndodheshin ata që «shërbenin» po aq mirë sa edhe një «drejtues», të cilët duhej të jepnin udhëzime lidhur me atë se çfarë do të shërbehej apo bëhej. E gjithë kjo tregon se çdo gjë ishte e organizuar mirë dhe e mbikëqyrur siç duhej. Tregimi mbyllet me pohimin se në saje të asaj që kreu në festë, Jezui «bëri të shfaqej lavdia e tij». A do të kishte zgjedhur ai këtë rast për ta bërë atë, nëse do të kishte qenë një mbrëmje gjithë potere dhe e pakontrolluar? Pa dyshim që jo.
18. Çfarë duhet marrë në konsideratë lidhur me ndonjë ngjarje shoqërore?
18 Ç’mund të themi, pra, për ndonjë rast të veçantë, ku jemi ne të zotët e shtëpisë? Do të dëshironim të kujtonim se qëllimi për të cilin mikpresim të tjerët, është që të gjithë të mund ‘të bëhemi bashkëpunëtorë në çështjen e së vërtetës’. Prandaj, nuk mjafton që një ngjarje ta etiketojmë si grumbullim «Dëshmitarësh». Mund të shtrohet pyetja: A është ajo me të vërtetë një dëshmi ndaj faktit se cilët jemi dhe çfarë besojmë? Raste të tilla nuk duhet t’i shohim kurrë si mundësi për të parë se sa mund t’i afrohemi botës, duke u dhënë pas ‘dëshirës së mishit dhe dëshirës së syve dhe duke u mburrur hapur me mjetet e veta të mbështetjes’. (1. Gjonit 2:15, 16, BR) Përkundrazi, këto raste duhet të pasqyrojnë siç duhet rolin tonë si Dëshmitarë të Jehovait dhe duhet të sigurohemi që sjellja jonë, t’i japë lavdi dhe nder Jehovait.—Mateu 5:16; 1. Korintasve 10:31-33.
‘Jini mikpritës pa u ankuar’
19. Përse duhet të «jemi mikpritës me njëri-tjetrin, pa u ankuar»?
19 Ndërsa kushtet botërore vazhdojnë të keqësohen dhe njerëzit përçahen gjithnjë e më shumë, ne duhet të bëjmë gjithçka mundemi për të forcuar lidhjen e ngushtë që ekziston ndërmjet të krishterëve të vërtetë. (Kolosianëve 3:14) Me këtë qëllim, ne duhet të kemi «dashuri të dendur për njëri-tjetrin», siç na nxiti apostulli Pjetër. Më pas, duke folur praktikisht, ai shtoi: «Jini mikpritës me njëri-tjetrin, pa u ankuar.» (1. Pjetrit 4:7-9, BR) A jemi të gatshëm të marrim iniciativën për të qenë mikpritës me vëllezërit tanë, që të ushtrojmë veten për të qenë dashamirës e për të ndihmuar të tjerët? Apo ankohemi kur na lind një mundësi e tillë. Nëse bëjmë kështu, nuk mund të provojmë gëzimin që shkakton një gjë e tillë, si dhe nuk arrijmë të marrim shpërblimin e lumturisë, që vjen nga bërja e një gjëje të mirë.—Proverbat 3:27; Veprat 20:35.
20. Çfarë bekimesh na presin, nëse praktikojmë mikpritjen në botën e sotme të përçarë?
20 Duke punuar ngushtësisht me bashkë të krishterët, duke qenë dashamirës e mikpritës me njëri-tjetrin, do të na vijnë bekime të bollshme. (Mateu 10:40-42) Personave të tillë, Jehovai u premton se mbi ta do të «shtrijë tendën e tij. Ata nuk do të kenë më uri dhe as etje». Të jesh në tendën e Jehovait, do të thotë të gëzosh mbrojtjen dhe mikpritjen e tij. (Zbulesa 7:15, 16; Isaia 25:6) Po, përpara shtrihet perspektiva e gëzimit të mikpritjes së Jehovait përgjithmonë.—Psalmi 27:4; 61:3, 4.
A mund të shpjegosh?
◻ Çfarë nuk duhet të kalojmë pa vënë re, nëse duam të gjejmë gëzim dhe kënaqësi të vërtetë?
◻ Cilët janë «jetimët dhe të vejat» dhe si duhet «të kujdesemi» për ta?
◻ Si duhet t’i shohim «banorët e huaj» dhe «të huajt» që ndodhen mes nesh?
◻ Cilët meritojnë konsideratë të veçantë sot?
◻ Si duhet ta pasqyrojnë rastet e veçanta, frymën e vërtetë të mikpritjes?
[Figura në faqet 16, 17]
Në raste festash ne mund të jemi mikpritës ndaj të huajve, fëmijëve pa baballarë, atyre në shërbim të plotë kohor dhe ndaj mysafirëve të tjerë