Merrni si shembull profetët e Perëndisë!
«O vëllezër të mi, merrni si shembull vuajtjeje dhe durimi profetët, që folën në emër të Zotit.»—JAKOVIT 5:10.
1. Çfarë i ndihmoi shërbëtorët e Jehovait që të ishin të gëzuar edhe kur persekutoheshin?
PAVARËSISHT nga pikëllimi kaq i përhapur sot në botë, shërbëtorët e Jehovait rrezatojnë gëzim. Është kështu sepse e dinë se i pëlqejnë Perëndisë. Dëshmitarët e Jehovait përballojnë, gjithashtu, persekutimet dhe kundërshtimet ndaj shërbimit të tyre publik, sepse e dinë se po vuajnë për hir të së drejtës. Jezu Krishti u tha ithtarëve të tij: «Lum ju kur do t’ju shajnë dhe do t’ju përndjekin dhe, duke gënjyer, do të thonë të gjitha të zezat kundër jush, për shkakun tim. Gëzohuni dhe ngazëllohuni, sepse shpërblimi juaj është i madh në qiej, sepse kështu i kanë përndjekur profetët që qenë para jush.» (Mateu 5:10-12) Në të vërtetë, çdo herë që shërbëtorët e Perëndisë përballojnë prova besimi, ata e konsiderojnë si një gëzim.—Jakovit 1:2, 3.
2. Sipas Jakovit 5:10, çfarë mund të na ndihmojë të ushtrojmë durim?
2 Dishepulli Jakov shkroi: «O vëllezër të mi, merrni si shembull vuajtjeje dhe durimi profetët, që folën në emër të Zotit.» (Jakovit 5:10) W. F. Arndt dhe F. W. Gingriç e përcaktojnë fjalën greke (hy·poʹdeig·ma) të përkthyer këtu «shembull» si «shembull, model, në kuptim pozitiv si diçka që të shtyn apo të bën ta imitosh». Siç tregohet tek Gjoni 13:15, «kjo është më shumë se një shembull. Është një prototip i përcaktuar». (Theological Dictionary of the New Testament) Prandaj, shërbëtorët e Jehovait në ditët moderne mund të marrin si shembull profetët e tij besnikë, përsa i përket ‘vuajtjeve’ dhe ‘durimit’. Ç’gjë tjetër mund të vërejmë kur studiojmë jetën e tyre? Si mund të na ndihmojë kjo në veprën tonë të predikimit?
Ata vuajtën të keqen
3, 4. Si reagoi profeti Amos ndaj kundërshtimit nga ana e Amaziahut?
3 Profetët e Jehovait shpesh vuajtën të keqen dhe u keqtrajtuan. Për shembull, në shekullin e nëntë p.e.s., Amaziahu, një prift i kultit të viçave e kundërshtoi me ligësi profetin Amos. Amaziahu e akuzoi Amosin në mënyrë të rremë se ai komplotonte kundër Jeroboamit II, duke profetizuar se mbreti do të vdiste nga shpata dhe Izraeli do të mërgonte. Amaziahu i tha me përbuzje Amosit: «Shikues, shko, ik në vendin e Judës; atje ke për të ngrënë bukë dhe atje do të profetizosh; por mos profetizo më në Bethel, sepse është shenjtërorja e mbretit dhe selia mbretërore.» Pa u habitur shumë nga ky sulm i tërbuar fjalësh, Amosi iu përgjigj: «Unë nuk isha profet dhe as bir profeti, por isha bari dhe rrisja fiq egjipti. Zoti më mori pas kopesë dhe Zoti më tha: ‘Shko profetizoi popullit tim të Izraelit.’»—Amosi 7:10-15.
4 Fryma e Jehovait e fuqizoi Amosin të profetizonte me guxim. S’mund ta përfytyrosh reagimin e Amaziahut kur Amosi i tha: «Tani dëgjo fjalën Zotit: ‘Ti po thua: “Mos profetizo kundër Izraelit dhe mos fol më kundër shtëpisë së Isakut.” Prandaj kështu flet Zoti: “Gruaja jote do të kurvërohet në qytet, bijtë dhe bijat e tu do të vriten nga shpata dhe vendi yt do të ndahet me litar; ti do të vdesësh në tokë të papastër dhe Izraeli patjetër do të internohet larg vendit të tij.”’» Kjo profeci u plotësua. (Amosi 7:16, 17) Ç’goditje mund të ketë qenë për Amaziahun!
5. Çfarë paraleleje ekziston ndërmjet situatës së Dëshmitarëve të Jehovait në ditët moderne dhe asaj të profetit Amos?
5 Kjo është e ngjashme me situatën e popullit të Jehovait sot. Ne vuajmë të keqen si ata që shpallën mesazhet e Perëndisë dhe shumë njerëz flasin me përbuzje për veprën tonë të predikimit. Vërtet, autorizimi ynë për të predikuar nuk vjen nga një seminar teologjik. Përkundrazi, fryma e shenjtë e Jehovait na nxit të shpallim lajmin e mirë të Mbretërisë. Ne as nuk e ndryshojmë dhe as nuk e moderojmë mesazhin e Perëndisë. Përkundrazi, ashtu si Amosi ne e shpallim atë me bindje, çfarëdo qoftë reagimi i atyre që e dëgjojnë.—2. Korintasve 2:15-17.
Ata ushtruan durim
6, 7. (a) Çfarë e karakterizoi aktivitetin profetik të Isaisë? (b) Në ç’mënyrë shërbëtorët e Jehovait në ditët e sotme veprojnë si Isaia?
6 Profetët e Perëndisë ushtruan durim. Për shembull, durim tregoi Isaia, që i shërbeu Jehovait si profet në shekullin e tetë p.e.s. Perëndia i tha atij: «Shko dhe i thuaj këtij populli: Dëgjoni [disa herë me radhë, BR], pra, por pa kuptuar, shikoni [disa herë me radhë, BR], pra, por pa dalluar. Bëje të pandieshme zemrën e këtij populli, ngurtëso veshët e tij dhe mbyll sytë e tij që të mos shikojë me sytë tij, që të mos dëgjojë me veshët e tij dhe të mos kuptojë me zemrën e tij, dhe kështu do të kthehet dhe të jet shëruar.» (Isaia 6:9, 10) Populli reagoi vërtet kështu. Por, a e shkurajoi kjo Isainë? Jo. Përkundrazi, ai me durim dhe me zell shpalli mesazhet paralajmëruese të Jehovait. Në hebraisht, mënyra se si janë formuluar fjalët hyjnore të sapo cituara jep idenë e «vazhdimit të gjatë» të asaj që shpallën profetët, të cilën populli e dëgjoi «disa herë me radhë».—Gesenius’ Hebrew Grammar.
7 Sot, shumë njerëz reagojnë ndaj lajmit të mirë ashtu si reaguan njerëzit ndaj fjalëve të Jehovait të thëna nga goja e Isaisë. Megjithatë, ashtu si ky profet besnik, ne e përsërisim mesazhin e Mbretërisë «disa herë me radhë». (BR) E bëjmë këtë me zell dhe me durim ngulmues, sepse ky është vullneti i Jehovait.
«Ata bënë pikërisht ashtu»
8, 9. Në cilat aspekte është një shembull i shkëlqyer profeti i Jehovait, Moisiu?
8 Profeti Moisi ishte shembull në durim dhe bindje. Ai vendosi të qëndronte me izraelitët e skllavëruar, por iu desh të priste me durim kohën e çlirimit të tyre. Për 40 vjet ai jetoi në Midian, derisa Perëndia e përdori për të udhëhequr popullin e Izraelit të dilte nga skllavëria. Kur Moisiu dhe vëllai i tij, Aaroni gjendeshin përpara sundimtarit të Egjiptit, ata thanë dhe bënë me bindje atë që u kishte urdhëruar Perëndia. Në fakt, «ata bënë pikërisht ashtu».—Të Dalët 7:1-6; Hebrenjve 11:24-29.
9 Moisiu përballoi me durim 40 vjetët e ashpra që Izraeli kaloi në shkretëtirë. Gjithashtu, ai ndoqi me bindje drejtimin hyjnor në ndërtimin e tabernakullit të Izraelit dhe në realizimin e shumë gjërave të tjera që do të përdoreshin në adhurimin e Jehovait. Kaq afër i ndoqi profeti mësimet e Perëndisë, saqë lexojmë: «Moisiu ashtu veproi; bëri pikërisht të gjitha ato që Zoti i kishte urdhëruar.» (Të Dalët 40:16) Në kryerjen e shërbimit tonë bashkë me organizatën e Jehovait, le të kujtojmë bindjen e Moisiut dhe le të zbatojmë këshillën e apostullit Pavël për ‘t’iu bindur atyre që marrin drejtimin midis nesh’.—Hebrenjve 13:17, BR.
Kishin një frymë pozitive
10, 11. (a) Nga kuptohet se profeti Hozea kishte një frymë pozitive? (b) Si mund të mbajmë një frymë pozitive kur flasim me persona në territorin tonë?
10 Profetët duhej të kishin një frymë pozitive, kur jepnin mesazhet e gjykimit dhe profecitë që pasqyronin kujdesin e dashur të Perëndisë për besnikët e shpërndarë aty-këtu nëpër Izrael. Kështu ndodhi edhe me Hozenë, i cili ishte profet për mëse 59 vjet. Në mënyrë pozitive, ai vazhdoi të shpallte mesazhet e Jehovait dhe e përfundoi librin e tij profetik me fjalët: «Kush është i urtë, t’u kushtojë kujdes këtyre gjërave. Kush ka mend le t’i kuptojë ato. Sepse rrugët e Zotit janë të drejta; të drejtët do të ecin nëpër to, por shkelësit do të rrëzohen.» (Hozea 14:9) Për aq kohë sa Jehovai na lejon të japim dëshmi, le të kemi një frymë pozitive dhe të vazhdojmë të kërkojmë ata që do të veprojnë me mençuri duke pranuar dashamirësinë e pamerituar të Perëndisë.
11 Për ‘të kërkuar ata që e meritojnë’ duhet të këmbëngulim dhe të kemi një mentalitet pozitiv. (Mateu 10:11) Për shembull, nëse kemi humbur çelësat, ndoshta do të kthehemi nga kemi ardhur për të kërkuar në vende të ndryshme ku kemi shkelur. Kemi shpresë që t’i gjejmë vetëm pasi e kemi bërë këtë gjë disa herë me radhë. Në mënyrë të ngjashme, le të këmbëngulim duke kërkuar ata ngjashëm deleve. Ç’gëzim kemi kur ata i përgjigjen lajmit të mirë në territore të punuara disa herë! Gjithashtu, sa gëzojmë kur shohim që Perëndia e bekon veprën tonë në vende ku njëherë e një kohë shtrëngimet e kufizonin shërbimin tonë publik!—Galatasve 6:10.
Burime inkurajimi
12. Cila profeci e Joelit po plotësohet në shekullin e 20-të dhe si?
12 Fjalët e profetëve të Jehovait mund të jenë një inkurajim i madh për ne në shërbim. Për shembull, shqyrto profecinë e Joelit. Ajo përmban mesazhe gjykimi drejtuar apostatëve izraelitë dhe të tjerëve që jetuan në shekullin e nëntë p.e.s. Megjithatë, Joeli u frymëzua për të profetizuar: «Do të ndodhë që unë [Jehovai] do të përhap Frymën time mbi çdo mish; bijtë tuaj dhe bijat tuaja do të profetizojnë, pleqtë tuaj do të shohin ëndrra, të rinjtë tuaj do të kenë vegime. Në ato ditë do të përhap Frymën time edhe mbi shërbëtorët dhe shërbëtoret.» (Joeli 2:28, 29) Kjo gjë ndodhi me ithtarët e Jezuit nga Rrëshajët e vitit 33 të e.s. e më pas. Gjithashtu, ç’plotësim madhështor të kësaj profecie shohim në këtë shekull të 20-të! Sot, ne kemi miliona njerëz që «profetizojnë» apo shpallin mesazhin e Jehovait—mes tyre mbi 600.000 pionierë në shërbim të plotë kohor.
13, 14. Çfarë mund t’i ndihmojë të krishterët e rinj të gjejnë gëzim në shërbimin në fushë?
13 Shumë lajmëtarë të Mbretërisë janë të rinj. Nuk është përherë e lehtë për ta t’u flasin më të moshuarve për Biblën. Disa herë shërbëtorëve të rinj të Jehovait u thuhet: ‘Po e humbni kohën kot duke predikuar’ ose ‘duhet të merreni me diçka tjetër’. Me takt, të rinjtë Dëshmitarë të Jehovait mund të përgjigjen se u vjen keq që mendojnë kështu. Për një të ri predikues të lajmit të mirë, do të ishte mirë të shtonte: «Për mua është vërtet e dobishme të flas me më të moshuar si ju dhe më duket e këndshme.» Pa dyshim, predikimi i lajmit të mirë nuk është humbje kohe. Bëhet fjalë për jetën. Përmes Joelit Perëndia tha më tutje: «Do të ndodhë që kushdo që do t’i drejtohet emrit të Zotit do të shpëtojë.»—Joeli 2:32.
14 Fëmijët që shoqërohen me prindërit në veprën e predikimit të Mbretërisë, e mirëpresin ndihmën prindërore për t’i vënë vetes synime personale. Pak nga pak këta të rinj përparojnë nga leximi i një shkrimi në shpjegimin e shpresës së tyre të bazuar në Bibël dhe u ofrojnë personave të interesuar literaturën e përshtatshme. Ndërkohë që vërejnë përparimin dhe bekimin e Jehovait, lajmëtarët e rinj të Mbretërisë gjejnë gëzim të madh në predikimin e lajmit të mirë.—Psalmi 110:3; 148:12, 13.
Të kemi zell dhe të vazhdojmë të presim
15. Si mund të na ndihmojë për të rindezur zellin tonë lidhur me veprën e predikimi të Mbretërisë shembulli i Ezekielit?
15 Profetët e Perëndisë ishin shembull edhe në shfaqjen e zellit dhe për faktin se dinin të prisnin—cilësi që na nevojiten edhe ne sot në shërbim. Kur mësuam për herë të parë të vërtetën nga Fjala e Perëndisë, ndoshta u ndezëm nga zelli që na nxiti për të folur me guxim. Por mund të kenë kaluar vite që nga ajo kohë dhe mund ta kemi përshkuar territorin tonë të predikimit disa herë. Ndoshta tani ka shumë më pak persona që e pranojnë mesazhin e Mbretërisë. A e ka zvogëluar kjo gjë zellin tonë? Nëse po, shqyrto profetin Ezekiel, emri i të cilit do të thotë «Perëndia forcon». Megjithëse Ezekieli u ndesh me njerëz zemërgur në Izraelin e lashtë, Perëndia e forcoi atë dhe në mënyrë figurative e bëri ballin e tij më të fortë se guri i strallit. Kështu, Ezekieli mundi të kryente shërbimin e tij për shumë e shumë vjet, edhe pse njerëzit herë e dëgjonin e herë jo. Shembulli i tij tregon se edhe ne mund të bëjmë të njëjtën gjë dhe mund të na ndihmojë të rindezim zellin tonë për veprën e predikimit.—Ezekieli 3:8, 9; 2. Timoteut 4:5.
16. Cilin qëndrim të Mikeas duhet të kultivojmë?
16 Një tjetër që binte në sy për durimin e tij ishte Mikea, i cili profetizoi në shekullin e nëntë p.e.s. Ai shkroi: «Unë do të shikoj te Zoti, do të shpresoj te Perëndia i shpëtimit tim; Perëndia im do të më dëgjojë.» Bindja e Mikeas ishte rrënjosur në besimin e tij të fortë. Ashtu si profeti Isaia, Mikea e dinte se atë që ka për qëllim Jehovai ai me siguri do ta plotësojë. Edhe ne e kemi të qartë këtë. (Isaia 55:11) Prandaj, le të vazhdojmë të presim plotësimin e premtimeve të Perëndisë. Le të predikojmë lajmin e mirë me zell edhe në zona ku njerëzit tregojnë pak interes për mesazhin e Mbretërisë.—Titit 2:14; Jakovit 5:7-10.
Të ushtrojmë durim sot
17, 18. Cilët shembuj të lashtë dhe modernë mund të na ndihmojnë të ushtrojmë durim?
17 Disa profetë të Jehovait ngulmuan me durim në caktimin e tyre për shumë vjet, megjithatë nuk e panë plotësimin e profecive të tyre. Por ngulmimi i tyre me durim shpesh bashkë me vuajtje, na ndihmon të kuptojmë se edhe ne mund ta kryejmë shërbimin tonë. Gjithashtu, mund të përfitojmë nga shembulli i të mirosurve besnikë në dekadat e hershme të shekullit të 20-të. Megjithëse shpresa e tyre qiellore nuk u realizua aq shpejt sa mendonin, nuk lejuan të zhgënjeheshin nga një vonesë në dukje për të zvogëluar zellin e tyre në kryerjen e vullnetit të Perëndisë, pak nga pak që ai ua zbulonte.
18 Për shumë vjet, shumë nga këta të krishterë shpërndanë rregullisht Kullën e Rojës dhe shoqen e saj Zgjohuni!, (më parë e quajtur Epoka e Artë dhe më vonë Ngushëllim). Ata ua ofruan me zell këto revista të çmueshme njerëzve nëpër rrugë dhe në shtëpitë e tyre, në atë që sot quhet itinerari i revistave. Kur një motër e moshuar përfundoi jetën e saj tokësore, mungesa e saj u vu re menjëherë nga kalimtarët që ishin mësuar ta shihnin duke dëshmuar në rrugë. Ç’dëshmi kishte dhënë gjatë viteve të shumta të shërbimit të saj besnik, siç tregohet nga shprehjet e çmueshmërisë së atyre që e kishin parë në shërbimin publik! Si shpallës i Mbretërisë, a u lë në dorë rregullisht Kullën e Rojës dhe Zgjohuni! atyre që takon në shërbim?
19. Çfarë inkurajimi na ofron Hebrenjve 6:10-12?
19 Shqyrto, gjithashtu, durimin dhe shërbimin besnik të vëllezërve që shërbejnë si anëtarë të Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait. Disa prej tyre tani janë në dekadën e tetë ose të nëntë të jetës së tyre, megjithatë akoma janë shpallës të Mbretërisë që kujdesen me zell për detyrat që u janë caktuar. (Hebrenjve 13:7) Po të moshuarit e tjerë me shpresë qiellore dhe ata mes ‘deleve të tjera’ që janë të shkuar në moshë? (Gjoni 10:16) Ata mund të jenë të sigurt se Perëndia nuk është i padrejtë që të harrojë veprën e tyre dhe dashurinë që kanë treguar për emrin e tij. Tok me bashkëbesimtarët e rinj, le të këmbëngulin edhe Dëshmitarët e Jehovait të shkuar në moshë për të bërë atë që mundin, duke ushtruar besim dhe duke treguar durim në shërbim të Perëndisë. (Hebrenjve 6:10-12) Pastaj, qoftë nga ringjallja, si me profetët e Perëndisë, qoftë nga e drejta për të mbijetuar nga «mjerimi i madh» që po vjen, ata do të marrin shpërblimin e jetës së përhershme.—Mateu 24:21.
20. (a) Çfarë ke mësuar nga shembulli i profetëve? (b) Në ç’mënyrë ushtrimi i durimit si profetët mund të jetë një ndihmë për ne?
20 Ç’shembull të shkëlqyer dhanë profetët e Perëndisë për ne! Për shkak se ata duruan vuajtje, duke ushtruar durim dhe duke shfaqur të tjera cilësi hyjnore, ata u privilegjuan që të flisnin në emër të Jehovait. Si Dëshmitarë të tij në ditët moderne, le të imitojmë ata dhe të jemi të patundur si profeti Habakuk, i cili tha: «Unë do të rri në vendrojën time, do të zë vend mbi kullë dhe do t’i hap sytë për të parë atë që [Perëndia] do të më thotë.» (Habakuku 2:1) Le të tregojmë të njëjtën vendosmëri kur ushtrojmë durim dhe të vazhdojmë të shpallim me gëzim në mënyrë publike emrin e shquar të Krijuesit tonë të Madh, Jehovait!—Nehemia 8:10; Romakëve 10:10.
A i ke kuptuar këto pika?
◻ Çfarë shembulli të guximshëm la profeti Amos?
◻ Në cilat mënyra ishte shembull profeti Moisi?
◻ Në ç’mënyrë Dëshmitarët e Jehovait në ditët moderne mund të veprojnë si Amosi dhe Isaia?
◻ Çfarë mund të mësojnë shërbëtorët e krishterë nga sjellja e Hozesë dhe Joelit?
◻ Si mund të përfitojmë nga shembulli i Ezekielit dhe Mikeas?
[Figura në faqen 16]
Pavarësisht nga kundërshtimi i tërbuar i Amaziahut, fryma e Jehovait e fuqizoi Amosin të profetizonte me guxim
[Figura në faqen 18]
Besnikët e mirosur kanë lënë një shembull të shkëlqyer duke ushtruar durim në shërbim të Jehovait