BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • br2 f. 79-80
  • Pyetje nga lexuesit

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Pyetje nga lexuesit
  • Broshura me artikujt e studimit—1995
  • Material i ngjashëm
  • Të shpëtuar nga një «brez i mbrapshtë»
    Broshura me artikujt e studimit—1995
  • Pyetje nga lexuesit
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
  • Një kohë për të qëndruar zgjuar
    Broshura me artikujt e studimit—1995
  • Ç’do të thotë për ju prania e Krishtit?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2008
Shih më tepër
Broshura me artikujt e studimit—1995
br2 f. 79-80

Pyetje nga lexuesit

Në 1. Pjetrit 2:9, përkthimi «King James Version» i quan të krishterët e mirosur «një brez i zgjedhur». A duhet të ndikojë kjo në pikëpamjen tonë mbi përdorimin që i bëri Jezui fjalës «brez» në Mateun 24:34?

Fjala «brez» shfaqet në përkthimin e të dyja vargjeve në disa përkthime. Sipas King James Version, apostulli Pjetër shkroi: «Por ju jeni një brez i zgjedhur, një priftëri mbretërore, një komb i shenjtë, një popull i veçantë; që të dëfteni lavditë e atij që ju ka thirrur nga errësira në dritën e tij të mrekullueshme.» Gjithmonë sipas King James, Jezui paratha: «Vërtet po ju them, ky brez nuk do të kalojë pa u përmbushur të gjitha këto gjëra.»​—1. Pjetrit 2:9; Mateu 24:34.

Në vargun e mësipërm, apostulli Pjetër përdori fjalën greke geʹnos, ndërsa në fjalët e pohimit të Jezuit gjejmë fjalën ge·ne·aʹ. Ndoshta këto dy fjalë greke mund të duket sikur janë të ngjashme dhe janë të lidhura nga një rrënjë e përbashkët; megjithatë, ato janë fjalë të ndryshme dhe kanë domethënie të ndryshme. Përkthimi Bota e Re i Shkrimeve të Shenjta, me referime (angl.), thotë në një shënim për 1. Pjetrit 2:9: «‘Racë’ gr. geʹnos; ndryshon nga ge·ne·aʹ, ‘brez’, si në Mt 24:34.» Një shënim që korrespondon gjendet në Mateun 24:34.

Siç tregojnë këto shënime, në përkthimin Bota e Re, geʹnos është përkthyer në mënyrë të përshtatshme me ekuivalentin e fjalës shqipe «racë», siç gjendet përgjithësisht edhe në versione të tjera të Biblës. Në letrën e tij të parë kreu 2, vargu 9, Pjetri e aplikoi profecinë e gjendur në Isainë 61:6 për të krishterët e mirosur me shpresë qiellore. Këta janë marrë nga shumë kombe dhe fise, por origjina e tyre natyrore s’ka të bëjë më, ndërkohë që ata bëhen pjesë e kombit të Izraelit frymor. (Romakëve 10:12; Galatasve 3:28, 29; 6:16; Zbulesa 5:9, 10) Pjetri tregoi se, në një kuptim frymor, ata bëhen një grup i dalluar, «një racë e zgjedhur, një priftëri mbretërore, një komb i shenjtë, një popull për zotërim të veçantë».​—BR.

Por në tekstin grek të fjalëve të Jezuit në Mateun 24:34, gjejmë fjalën ge·ne·aʹ. Është pranuar gjerësisht se Jezui nuk e kishte fjalën për ndonjë «racë» njerëzish, por për njerëzit që jetojnë në njëfarë periudhe kohore.

Pothuajse njëqind vjet më parë, Çarls T. Rusell, kryetari i parë i Shoqatës Watch Tower, e bëri të qartë këtë, duke shkruar: «Edhe pse mund të thuhet se fjalët ‘brez’ dhe ‘racë’ vijnë nga një rrënjë e përbashkët apo nga një pikënisje, megjithatë, ato nuk janë të njëjta; dhe në përdorimin që u bëjnë Shkrimet të dyja fjalët janë krejt të ndryshme. . . . Në të trija tregimet e ndryshme të kësaj profecie, Zotërisë tonë i atribuohet përdorimi i një fjale greke krejt të ndryshme (genea), e cila nuk do të thotë racë, por ka të njëjtën domethënie me fjalën tonë . . . brez. Përdorime të tjera të kësaj fjale greke (genea) provojnë se ajo nuk është përdorur me kuptimin e racës, por u referohet njerëzve që jetojnë në të njëjtën kohë.»​—The Day of Vengeance, faqe 602-603.

Në kohët më të fundit, një manual për përkthyesit e Biblës, thoshte: «[New International Version] e përkthen fjalë për fjalë ky brez, por vazhdon me një shënim, që thotë: ‘Ose racë’. Ndërsa një studiues i Besëlidhjes së Re beson se ‘Mateu s’ka ndër mend vetëm brezin e parë pas Jezuit, por të gjitha brezat e judenjve që nuk e pranuan atë’. Megjithatë, s’ka asnjë dëshmi gjuhësore për të vërtetuar asnjërën nga këto përfundime dhe ato duhen lënë mënjanë si përpjekje për të shmangur domethënien e dukshme. Në rrethanat origjinale, referimi kishte të bënte vetëm me bashkëkohësit e Jezuit.»

Siç është folur edhe në faqet 44 deri 49 të kësaj broshure, Jezui e dënoi brezin e hebrenjve në kohën e tij, bashkëkohësit e tij që nuk e pranuan. (Luka 9:41; 11:32; 17:25) Duke përshkruar atë brez, ai përdori shpesh mbiemra të tillë, si «i mbrapshtë dhe kurorëshkelës», «që nuk beson dhe i çoroditur» dhe «kurorëshkelës dhe mëkatar». (Mateu 12:39; 17:17; Marku 8:38) Kur përdori për herë të fundit fjalën «brez», Jezui gjendej në Malin e Ullinjve me katër apostuj. (Marku 13:3) Ata burra, që ende nuk ishin mirosur me frymën e as ishin pjesë e kongregacionit të krishterë, nuk përbënin as një «brez», as një racë njerëzish. Megjithatë, ata e kuptonin mirë përdorimin që i bënte Jezui termit «brez», duke iu referuar bashkëkohësve të tij. Është logjike, pra, që ata të kenë kuptuar se ç’kishte ndër mend ai kur përmendi shprehjen «ky brez» për herë të fundit.a Apostulli Pjetër, që ishte i pranishëm, më pas i nxiti judenjtë: «Shpëtoni veten nga ky brez i çoroditur.»​—Veprat 2:40.

Ne kemi botuar shpesh dëshmi që tregojnë se shumë gjëra që paratha Jezui në po atë fjalim (si luftëra, tërmete dhe zi buke) u përmbushën në kohën ndërmjet thënies së profecisë dhe shkatërrimit të Jerusalemit në vitin 70 të e.s. Shumë, por jo të gjitha. Për shembull, nuk ka dëshmi se pasi romakët sulmuan Jerusalemin (66-70 C.E.) u shfaq «shenja e Birit të njeriut», duke shkaktuar që «të gjitha kombet e dheut» të godisnin veten. (Mateu 24:30) Prandaj, ajo përmbushje ndërmjet viteve 33 të e.s. dhe 70 të e.s. duhet të ketë qenë vetëm një përmbushje fillestare, jo përmbushja e plotë apo në shkallë të gjerë, së cilës i referohej edhe Jezui.

Në parathënien që i bëri përkthimit të tij të veprës së Jozefit, Lufta Judaike, G. A. Uilliamson shkruan: «Mateu na thotë se dishepujt i kishin bërë [Jezuit] një pyetje të dyfishtë, në lidhje me shkatërrimin e Tempullit, si dhe në lidhje me ardhjen e Tij përfundimtare dhe Ai u dha një përgjigje të dyfishtë, pjesa e parë e së cilës paratha në mënyrë shumë të gjallë ngjarjet që do të përshkruante në mënyrë kaq të plotë Jozefi.»

Po, në përmbushjen fillestare, «ky brez», me sa duket nënkuptonte të njëjtën gjë si edhe herë të tjera, brezin bashkëkohës të hebrenjve jobesimtarë. Ai «brez» nuk do të kalonte pa provuar ato që kishte parathënë Jezui. Siç komentonte Ulliamson, kjo doli e vërtetë në dekadat që çuan në shkatërrimin e Jerusalemit, siç e përshkroi një dëshmitar okular, Jozefi.

Në përmbushjen e dytë apo më të gjerë, «ky brez» në mënyrë logjike do të ishte, gjithashtu, populli bashkëkohës. Siç shpjegon artikulli që fillon në faqen 50, s’kemi përse të nxjerrim përfundimin se Jezui po i referohej një numri të caktuar vitesh, që përbënin një brez.

Përkundrazi, dy gjëra kyçe mund të themi për çdo kohë që përfshin fjala «brez»: (1) Një brez njerëzish nuk mund të konsiderohet si një periudhë kohore që ka një numër të caktuar vitesh, si në rastin e përcaktimeve kohore që nënkuptojnë një numër të caktuar vitesh (dekada apo shekuj). (2) Njerëzit e një brezi jetojnë për një periudhë kohore relativisht të shkurtër, jo shumë të gjatë.

Si rrjedhim, kur apostujt kanë dëgjuar Jezuin t’i referohej «këtij brezi», çfarë kanë menduar? Ndërsa ne, tani pasi ngjarjet kanë ndodhur, e dimë se shkatërrimi i Jerusalemit gjatë «mjerimit të madh» ndodhi 37 vjet më vonë, apostujt që po dëgjonin Jezuin nuk mund ta dinin. Përkundrazi, përmendja që ai i bëri fjalës «brez» nuk mund t’u ketë transmetuar atyre idenë e një periudhe shumë të gjatë kohore, por të njerëzve që jetonin gjatë një periudhe kohore relativisht të shkurtër. E njëjta gjë është e vërtetë në rastin tonë. Sa të përshtatshme janë, pra, fjalët vijuese të Jezuit: «E kur do të jetë ajo ditë dhe ajo orë, askush s’di gjë, as engjëjt e qiellit, as Biri, përveç vetëm Atit! . . . Prandaj: rrini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë orë kur ju s’e pritni.»​—Mateu 24:36, 44, DSF.

[Shënimi]

a Shprehja «ky brez», përfshin një formë të përemrit dëftor houʹtos, që i korrespondon fjalës shqipe «ky». Ajo mund t’i referohet diçkaje që është e pranishme apo që ndodhet përpara folësit. Por mund ketë, gjithashtu, edhe kuptime të tjera. Fjalori shpjegues i Besëlidhjes së Re (botuar në anglisht, 1991) vëren: «Fjala [houʹtos] përcakton një fakt të menjëhershëm. Kështu, [aion houʹtos] është ‘bota që ekziston tani’ . . . dhe [geneaʹ haute] është brezi që jeton tani’ (p.sh. Mat. 12:41f., 45; Mat. 24:34).» Dr. Xhorxh B. Uinër shkruan: «Përemri [houʹtos] disa herë nuk i referohet emrit që ndodhet më afër, por atij që është më larg, i cili, duke qenë argumenti kryesor, ishte nga ana mendore më i afërti, më i pranishmi në mendimet e shkrimtarit.»—A Grammar of the Idiom of the New Testament, botimi i 7-të, 1897.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo