Të jemi me mendje të shëndoshë, ndërsa afrohet fundi
1 Fjala e Perëndisë shpeshherë e përshkruan ditën e Jehovait duke ardhur «si një hajdut», që do të thotë befas, në çast, fshehurazi. (1 Sel. 5:2; Mat. 24:43; 2 Pjet. 3:10; Zbul. 3:3; 16:15) «Prandaj,—tha Jezui—tregohuni gati, sepse Biri i njeriut vjen në një orë që ju s’e mendoni.» (Mat. 24:44) Si mund të rrimë zgjuar frymësisht, ndërsa afrohet fundi? Çelësi gjendet në këshillën e frymëzuar: «Jini me mendje të shëndoshë.»—1 Pjet. 4:7.
2 Mendja e shëndoshë përfshin t’i shikojmë gjërat sipas pikëpamjes së Jehovait. (Efes. 5:17) Kjo na ndihmon ta shohim veten si «të ardhur e banorë të përkohshëm» mes këtij sistemi gjërash. (1 Pjet. 2:11) Ajo bën të mundur që të dallojmë atë që është vërtet e rëndësishme, duke i dhënë përparësi dhe të marrim vendime të mençura.—Filip. 1:10.
3 Kini synime frymore: Pasja dhe arritja e synimeve frymore na ndihmon të jemi me mendje të shëndoshë. A po ndiqni tani synime frymore? A po përpiqeni ta lexoni Biblën çdo ditë, të merrni pjesë në të gjitha mbledhjet e krishtere, të lexoni çdo numër të Kullës së Rojës dhe Zgjohuni!, ose ndoshta të rritni pjesëmarrjen tuaj në shërbim? Nëse keni synime të përshtatshme, nëse këmbëngulni për t’i arritur ato dhe nëse i kërkoni Jehovait që të bekojë përpjekjet tuaja, mund të çuditeni nga rezultatet që do të keni.
4 Një plak pyeti një çift për synimet frymore që kishin. Pyetja i bëri ata të kuptonin se po ta thjeshtonin jetën e tyre dhe të shlyenin borxhet e mëdha, mund të shërbenin si pionierë. Vendosën që të kishin këtë synim. Ngulmuan që të shlyenin borxhet dhe hoqën dorë nga disa veprimtari të panevojshme, të cilat u harxhonin kohë dhe energji. Pikërisht një vit më vonë e arritën synimin e tyre. Me çfarë rezultati? Burri tha: «Pa këto synime nuk do të ishim ku jemi tani. Jemi më të lumtur. Jeta jonë është më e qetë dhe më e mirë. Ka kuptim dhe qëllim të vërtetë.»
5 Ndërsa presim ditën e Jehovait, mund të rrimë zgjuar frymësisht duke jetuar me mendje të shëndoshë dhe duke u përqendruar për të bërë vullnetin e Perëndisë.—Titit 2:11-13.