BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • be f. 74-f. 77 par. 2
  • Ji i vendosur të bësh përparim

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Ji i vendosur të bësh përparim
  • Të nxjerrim dobi nga arsimimi në Shkollën e Shërbimit Teokratik
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Njohuria dhe transformimi
  • Përdore dhuratën që ke
  • Roli që luan përvoja
  • Vazhdo të zgjatesh drejt asaj që ke përpara
  • Përparimi yt le të bëhet i dukshëm
    Si të përmirësosh të folurin dhe mësimdhënien tënde
  • Të rinj: Bëjeni të dukshëm përparimin tuaj!
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2009
  • Bëje përparimin tënd të shfaqet
    Shërbimi ynë i Mbretërisë—1995
  • Bëni që përparimi juaj të duket qartë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2009
Shih më tepër
Të nxjerrim dobi nga arsimimi në Shkollën e Shërbimit Teokratik
be f. 74-f. 77 par. 2

Ji i vendosur të bësh përparim

NË FILLIM, kur mësove të zbatosh parimet biblike, fillove të ndryshosh pak nga pak disa mënyra të menduari, të foluri dhe sjelljeje që ishin të rrënjosura thellë. Shumë prej këtyre ndryshimeve i ke bërë madje para se të regjistroheshe në Shkollën e Shërbimit Teokratik. Tani ka të ngjarë që të kesh përparuar deri në pikën që ia ke kushtuar jetën Jehovait. A do të thotë kjo se tani s’ke nevojë të bësh më përparim? Aspak. Pagëzimi është vetëm fillimi.

Dishepulli Timote tashmë po shërbente si plak i krishterë kur Pavli i tha të ‘përsiatej’ si në këshillat që i ishin dhënë, ashtu edhe në privilegjet e shërbimit që i ishin besuar, pra, të ‘zhytej’ në këto gjëra, që ‘përparimi i tij të dukej qartë për të gjithë’. (1 Tim. 4:12-15) Pavarësisht nëse ke filluar tani të ndjekësh udhën e së vërtetës apo ke shumë përvojë në jetën si i krishterë, duhet të jesh i interesuar që të bësh përparim.

Njohuria dhe transformimi

Tek Efesianëve 3:14-19 lexojmë se apostulli Pavël u lut që bashkëbesimtarët e tij të ishin «plotësisht të aftë për të rrokur me mendje . . . se cila është gjerësia, gjatësia, lartësia dhe thellësia» e së vërtetës. Për këtë qëllim, Jezui dha dhurata në njerëz për të mësuar, ndrequr dhe për të ndërtuar kongregacionin. Meditimi rregullisht rreth Fjalës së frymëzuar të Perëndisë dhe drejtimi nga mësues me përvojë, mund të na ndihmojnë që «të rritemi» frymësisht.​—Efes. 4:11-15.

Një rritje e tillë nënkupton të ‘rinohemi në forcën që na vë në veprim mendjen’. Kjo përfshin të zhvillojmë një prirje të fortë mendore e cila është në harmoni me atë të Perëndisë dhe të Krishtit. Kërkohet të ballafaqohemi vazhdimisht me mënyrën e tyre të të menduarit, me qëllim që të ‘veshim personalitetin e ri’. (Efes. 4:23, 24) Kur studion Ungjijtë, a i shikon këto tregime të jetës së Krishtit si një model që duhet ta ndjekësh? A përpiqesh të dallosh cilësitë e veçanta që shfaqi Jezui dhe pastaj të bësh një përpjekje të vërtetë për t’i imituar ato në jetën tënde?​—1 Pjet. 2:21.

Argumentet që përfshin në bisedat e tua mund të jenë një tregues se deri në ç’pikë ke bërë përparim. Ata që kanë veshur personalitetin e ri nuk bëjnë biseda të pandershme, sharëse, të ndyra ose negative. Përkundrazi, të folurit e tyre është ‘i mirë për të ndërtuar . . . për t’u dhënë atë që është e favorshme atyre që e dëgjojnë’. (Efes. 4:25, 26, 29, 31; 5:3, 4; Jud. 16) Komentet dhe shprehjet që përdorin si me njëri-tjetrin, ashtu edhe në kongregacion tregojnë se e vërteta po e transformon jetën e tyre.

Në qoftë se nuk je më ‘i lëkundur nga dallgët e i çuar andej-këtej nga çdo erë mësimi’, edhe kjo është dëshmi se po bën përparim. (Efes. 4:14) Për shembull, si reagon kur bota të bombardon me ide, kauza ose forma të reja argëtimi? A tundohesh për t’u marrë me këto gjëra duke përdorur nga koha që ke për detyrimet e tua frymore? Kjo mund të ta pengojë seriozisht përparimin frymor. Është shumë më e mençur të blesh kohë për veprimtaritë frymore.​—Efes. 5:15, 16.

Edhe mënyra se si i trajton të tjerët mund të jetë një tregues i përparimit frymor. A ke mësuar të jesh ‘zemërdhembshur, duke i falur bujarisht’ vëllezërit dhe motrat?​—Efes. 4:32.

Përparimi yt për t’i bërë gjërat sipas mënyrës së Jehovait duhet të bëhet i dukshëm si në kongregacion, ashtu edhe në shtëpi. Gjithashtu duhet të jetë i dukshëm në shkollë, në vendet publike e në vendin ku punon. (Efes. 5:21–6:9) Nëse në të gjitha këto rrethana po i shfaq cilësitë hyjnore në masë më të plotë, atëherë përparimi yt po duket qartë.

Përdore dhuratën që ke

Jehovai na ka besuar secilit prej nesh aftësi dhe talente. Ai pret që t’i përdorim ato në dobi të të tjerëve, me qëllim që nëpërmjet nesh të mund të shprehë dashamirësinë e tij të pamerituar. Lidhur me këtë, apostulli Pjetër shkroi: «Sipas dhuratës që ka marrë secili, përdoreni duke i bërë shërbim njëri-tjetrit si kujdestarë të shkëlqyer të dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë.» (1 Pjet. 4:10) Si po e përmbush detyrën tënde si kujdestar?

Pjetri vazhdon: «Nëse dikush flet, le të flasë si të ishin thënie të shenjta të Perëndisë.» (1 Pjet. 4:11) Ky varg thekson përgjegjësinë tonë për të folur në harmoni të plotë me Fjalën e Perëndisë, që t’i jepet lavdi Perëndisë. Edhe mënyra se si flasim duhet t’i sjellë lavdi Jehovait. Stërvitja që sigurohet në Shkollën e Shërbimit Teokratik mund të të ndihmojë ta përdorësh për këtë qëllim dhuratën tënde, pra, duke i dhënë lavdi Perëndisë me anë të ndihmës që u jep të tjerëve. Duke pasur këtë si synim, në ç’mënyrë duhet ta matësh përparimin që bën në shkollë?

Në vend që të shikosh se sa pika ke kaluar në fletën e këshillave për oratorinë ose llojin e caktimeve që të janë dhënë, medito se sa e ka përmirësuar kjo stërvitje cilësinë e sakrificës sate të lëvdimit. Shkolla na përgatit që të jemi më të efektshëm në shërbimin në fushë. Prandaj, pyet veten: ‘A përgatitem vërtet për atë që do të them në shërbimin në fushë? A kam mësuar të tregoj interes për çdo individ të cilit i jap dëshmi? A po hedh themelin për rivizitat, duke lënë pezull një pyetje për ta diskutuar herës tjetër? Nëse po studioj Biblën me dikë, a po punoj për t’u bërë një mësues që prek zemrën?’

Mos e mat përparimin vetëm në bazë të privilegjeve të shërbimit që të janë dhënë. Përparimi yt nuk duket nga caktimi, por se si po e përmbush atë. Nëse të jepet një caktim që përfshin mësimdhënien, pyet veten: ‘A e përdora vërtet artin e mësimdhënies? A e trajtova materialin në mënyrë të tillë që të ndikonte në jetën e atyre që e dëgjuan?’

Nxitja për të përdorur dhuratën që ke nënkupton të marrësh nismën. A po merr nismën për të punuar me të tjerët në shërbimin në fushë? A kërkon mundësi për të ndihmuar pjesëtarët e kongregacionit që janë të rinj në të vërtetën, të rinj në moshë ose të paaftë fizikisht? A del vullnetar për të pastruar Sallën e Mbretërisë ose për të ndihmuar në mënyra të ndryshme nëpër kongrese dhe asamble? A mund të regjistrohesh herë pas here si pionier ndihmës? A mund të shërbesh si pionier i rregullt ose të ndihmosh në një kongregacion ku ka më shumë nevojë? Nëse je një vëlla, a po synon të përmbushësh kualifikimet biblike për shërbëtorët ndihmës dhe pleqtë? Gatishmëria jote për të ndihmuar dhe për të pranuar përgjegjësi është një shenjë përparimi.​—Psal. 110:3.

Roli që luan përvoja

Në rast se ndihesh i kufizuar ngaqë të mungon përvoja në jetën si i krishterë, merr zemër. Fjala e Perëndisë mund ta bëjë «të mençur njeriun e papërvojë». (Psal. 19:7; 119:130; Prov. 1:1-4) Zbatimi i këshillave të Biblës na jep mundësi të nxjerrim dobi nga mençuria e përsosur e Jehovait, e cila vlen më shumë se gjithçka që mund të mësohet vetëm nëpërmjet përvojës. Megjithatë, teksa përparojmë në shërbimin tonë ndaj Jehovait, fitojmë përvojë të vlefshme. Si mund ta përdorim atë sa më mirë?

Meqë është ndeshur me lloj-lloj rrethanash gjatë jetës, dikush mund të shtyhet të arsyetojë: ‘Kam qenë edhe herë tjetër në këtë rrethanë. E di se ç’duhet të bëj.’ A do të ishte e mençur kjo? Te Proverbat 3:7 na jepet paralajmërimi: «Mos u bë i mençur në sytë e tu.» Natyrisht, përvoja duhet të na e zgjerojë këndvështrimin për faktorët që duhen shqyrtuar kur hasim një rrethanë në jetë. Por, nëse jemi duke bërë përparim frymor, përvoja duhet të na ngulitë në mendje e në zemër edhe se kemi nevojë për bekimin e Jehovait që të kemi sukses. Kështu, përparimi ynë nuk bëhet i dukshëm duke i përballuar rrethanat me besim dhe siguri te vetja, por duke iu drejtuar menjëherë Jehovait që të na japë drejtim në jetë. Bëhet i dukshëm kur jemi të sigurt se asgjë nuk mund të ndodhë pa e lejuar ai dhe kur mbajmë me Atin tonë qiellor një marrëdhënie të karakterizuar nga mirëbesimi dhe përzemërsia.

Vazhdo të zgjatesh drejt asaj që ke përpara

Apostulli Pavël, ndonëse ishte një i krishterë i mirosur dhe i pjekur frymësisht, e pranoi që kishte nevojë të vazhdonte të ‘zgjatej’ për të arritur synimin e jetës. (Filip. 3:13-16) A e ke edhe ti këtë pikëpamje?

Deri në ç’masë ke bërë përparim? Mate rritjen tënde duke analizuar se deri në ç’masë e ke veshur personalitetin e ri e i je nënshtruar sovranitetit të Jehovait dhe se me sa zell po i përdor për të nderuar Jehovain dhuratat që ke marrë. Ndërsa nxjerr dobi nga arsimimi në Shkollën e Shërbimit Teokratik, cilësitë e theksuara në Fjalën e Perëndisë duhet të bëhen gjithnjë e më të dukshme në mënyrën se si flet dhe mëson të tjerët. Përqendroje vëmendjen te këto aspekte të rritjes sate. Po, gjej gëzim në to dhe përparimi yt me siguri do të duket qartë.

ÇFARË SYNIMESH FRYMORE KE PERSONALISHT?

Cilat synime realiste ke vënë, për t’i arritur brenda vitit që vjen?

  1. ․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․

  2. ․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․

Cilat synime afatgjata janë kaq të çmuara për ty, saqë je i vendosur të punosh derisa t’i arrish?

  1. ․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․

  2. ․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․

  3. ․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo