Ruhu nga tallësit!
Sot, parashikimet janë me bollëk dhe biznesi i studimit të së ardhmes po lulëzon. «Ndërsa afrohet viti 2000,—vëren The Daily Telegraph e Londrës,—po ndodh diçka e çuditshme, por megjithatë, jo krejtësisht e papritur. Me mijëra njerëz përreth botës po përjetojnë vizione të habitshme dhe shpesh tmerruese për të ardhmen.» Për shumë vëzhgues, ky interes i madh për të ardhmen është thjesht një përsëritje e ndryshimeve që shpresohej të ndodhnin më parë, të cilat nuk u materializuan.
NDËRSA në shekullin e 19-të u rrit trafiku i karrocave me kuaj, një burrë paratha se së fundi, qyteteve evropiane do t’u zihej fryma nga bajgat. Sigurisht, ky parashikim i tij doli i rremë. Kështu, duke e tërhequr vëmendjen te mënyra në të cilën dështojnë shpesh parashikimet, The Times e Londrës pohonte: «E ardhmja është thjesht një dëng me bajga kuajsh.»
Të tjerë tallen me ata që shohin përpara një rrezik. Për shembull, një profesor biznesi në universitetin e SHBA-së i sfidoi ata që paralajmërojnë për degradim të mjedisit, duke kërkuar të vinin bast nëse kjo prirje do të keqësohej apo jo. Siç thuhej në revistën New Scientist, ai deklaron se «cilësia e jetës sonë po përmirësohet dhe do të vazhdojë të përmirësohet pafundësisht».
Mes rrëmujës së deklaratave dhe kundërdeklaratave, shumë veta mendojnë se çdo gjë do të mbetet në thelb e pandryshuar. Duke u tallur me çfarëdo mendimi për një ndërhyrje hyjnore në çështjet njerëzore, ata tregojnë një qëndrim si ai i tallësve në shekullin e parë të e.s.
A është çdo gjë ende njësoj?
Letra e dytë e frymëzuar e apostullit të krishterë Pjetër, e shkruar rreth vitit 64 të e.s., paralajmëronte: «Në ditët e fundit do të vijnë tallës me talljet e tyre, që veprojnë sipas dëshirave të veta.»—2. Pjetrit 3:3, BR.
Tallësit kërkojnë që objektin e talljes së tyre ta bëjnë të duket qesharak. Personi që i dorëzohet talljes mund të jetë duke rënë në një grackë egoiste, sepse shpesh tallësi dëshiron që dëgjuesit të adoptojnë pikëpamjen e tij. Ndoshta disa prej tallësve për të cilët paralajmëroi Pjetri ishin si ky, ‘që vepron sipas dëshirave të veta’. Duke i paralajmëruar për rrezikun lexuesit e tij, apostulli përdori një mënyrë të shprehuri me emfazë. Ai paralajmëroi për ardhjen e «tallësve me talljet e tyre».
Këta tallës të shekullit të parë vinin në dyshim realitetin e «pranisë së premtuar» të Krishtit, duke thënë: «Ku është kjo prania e premtuar e tij? Ja, që nga dita kur etërit tanë ranë në gjumin e vdekjes, të gjitha gjërat po vazhdojnë njësoj si në fillim të krijimit.» (2. Pjetrit 3:4, BR) Kështu u dukej atyre. Por megjithatë, në vitin 33 të e.s., Jezui kishte parathënë një katastrofë për qytetin e Jerusalemit. «Do të vijnë ditët,—deklaroi ai,—kur armiqtë e tu do të ndërtojnë rreth teje një fortifikatë me hunj të mprehtë, do të të rrethojnë, do të të shtrëngojnë nga çdo anë, do të të flakin përtokë ty dhe fëmijët brenda teje dhe nuk do të të lënë gur përmbi gur.» Sa gabim e kishin ata që u tallën me këtë paralajmërim! Në vitin 70 të e.s., ushtritë romake rrethuan Jerusalemin dhe e shkatërruan qytetin, me një humbje të madhe jetësh për banorët e saj. Pse shumica e banorëve të qytetit nuk ishin të përgatitur për këtë shkretim? Sepse nuk kishin arritur të shquanin faktin që Perëndia i kishte inspektuar me anë të Birit të tij, Jezuit.—Luka 19:43, 44, BR.
Apostulli Pjetër i referohet një ndërhyrjeje në të ardhmen nga Perëndia i Plotfuqishëm. «Dita e Jehovait do të vijë si një vjedhës»,—paralajmëron Pjetri. (2. Pjetrit 3:10, BR) Në atë kohë, Perëndia do të heqë nga i gjithë globi të paperëndishmit dhe do të kursejë ata që janë gjykuar si të drejtë. Siç është shpjeguar shpesh në revistën Kulla e Rojës, «prania» e Krishtit filloi në vitin 1914. Por veprimi që do të ndërmarrë ai si Ekzekutuesi i Perëndisë, për të hequr ligësinë, i përket ende së ardhmes. Për pasojë, paralajmërimi i apostullit për t’u ruajtur nga tallësit, tani aplikohet me një urgjencë më të madhe.
Ndoshta ke pritur tashmë për një kohë të gjatë ndërhyrjen hyjnore në çështjet e njeriut. Ç’gjë do të të ndihmojë të vazhdosh të presësh me durim, pa u bërë pre e tallësve? Të lutemi, vazhdo të lexosh më tej.
[Diçitura në faqen 4]
«Do të vijnë ditët, kur armiqtë e tu . . . do të të rrethojnë, do të të shtrëngojnë nga çdo anë, . . . dhe nuk do të të lënë gur përmbi gur.» Ky nuk ishte një paralajmërim për t’u tallur. Ushtritë romake e shkatërruan Jerusalemin, me një humbje të madhe jetësh.