BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • uw kap. 1 f. 4-11
  • Unitet në adhurim: Çfarë do të thotë për ty?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Unitet në adhurim: Çfarë do të thotë për ty?
  • Të bashkuar në adhurimin e Perëndisë së vetëm dhe të vërtetë
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Si arrihet ai
  • Cilët faktorë i kontribuojnë unitetit?
  • Të evitojmë ndikimet ndarëse
  • Çfarë nënkupton uniteti i adhurimit në kohën tonë?
    Të adhurojmë të vetmin Perëndi të vërtetë
  • Uniteti identifikon adhurimin e vërtetë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2010
  • Familja e Jehovait gëzon një unitet të çmuar
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1996
  • Uniteti i krishterë i jep lavdi Perëndisë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2010
Shih më tepër
Të bashkuar në adhurimin e Perëndisë së vetëm dhe të vërtetë
uw kap. 1 f. 4-11

Kapitulli 1

Unitet në adhurim: Çfarë do të thotë për ty?

1, 2. (a) Mbi cilat baza po realizohet sot bashkimi i vërtetë për sa i përket adhurimit? (b) Si e përshkruan Bibla atë që po ndodh?

NË TË gjithë botën ekziston një lëvizje rrëqethëse drejt bashkimit të adhurimit. Ajo po mbledh së bashku njerëz nga të gjitha kombet, fiset dhe gjuhët. Bashkimi i tyre nuk është rezultat i ndonjë kompromisi të bindjeve. Nuk e arrijnë këtë duke qëndruar larg prej kritikave të mënyrës së jetesës që janë në kundërshtim me Fjalën e Perëndisë. Kujt i detyrohet, pra, ky bashkim? Faktit që njerëz të çdo kulture po vijnë të njohin Jehovain si të vetmin Perëndi të vërtetë e po e përshtasin vullnetarisht jetën e tyre në harmoni me rrugët e tij të drejta.—Krahaso Zbulesën 15:3, 4.

2 Kjo përmbush një profeci të shkruar rreth 2.700 vjet më parë prej profetit Mikea. Duke folur për «pjesën e fundit të ditëve» ai shkroi: «Shumë kombe me siguri do të shkojnë e do të thonë: ‘Ejani, ju njerëz, të ngjitemi në malin e Jehovait dhe në shtëpinë e Perëndisë së Jakobit; dhe ai do të na mësojë rrugët e tij, e ne do të ecim në shtigjet e tij.’» (Mik. 4:1, 2)a A po sheh të ndodhë kjo?

3, 4. (a) Në ç’kuptim «kombet» janë duke u kthyer tek Jehovai? (b) Cilat pyetje duhet t’i bëjmë vetvetes?

3 Në shtëpinë frymore të Jehovait nuk po paraqiten për adhurim «kombe» të tëra. Por individë prej këtyre kombeve po veprojnë kështu. Ndërsa mësojnë mbi qëllimin e dashur të Perëndisë Jehova dhe mbi personalitetin e tij tërheqës, zemrat e tyre preken thellësisht. Përulësisht, ata përpiqen të zbulojnë se çfarë dëshiron Perëndia prej tyre. Lutja e tyre është si ajo e Davidit, një njeriu besnik që tha: «Më mëso të bëj vullnetin tënd, sepse ti je Perëndia im.»—Psal. 143:10.

4 A e sheh veten në mes të kësaj shumice të madhe të adhuruesve të Jehovait? Mënyra se si reagon nga mësimi që merr, a dëshmon që e çmon vërtet faktin se Jehovai është burimi i tij? Deri në ç’pikë je ‘duke ecur në shtigjet e tij’?

Si arrihet ai

5. (a) Deri në ç’përmasa arrin së fundi ky unitet adhurimi? (b) Përse është urgjente të bëhemi që tani adhurues të Jehovait dhe si mund t’i ndihmojmë të tjerët që ta bëjnë këtë?

5 Jehovai ka për qëllim që të gjitha krijesat inteligjente të jenë të bashkuara në adhurim, që asnjë të mos mashtrohet prej falsitetit ose të ecë si i verbër në errësirë, duke mos gjetur qëllimin e vërtetë të jetës. Sa e dëshirojmë ditën në të cilën të gjithë të gjallët do të bekojnë të vetmin Perëndi të vërtetë! (Psal. 103:19-22) Por përpara se të ndodhë kjo, Jehovai duhet ta lirojë krijesën e tij prej atyre që e përbuzin mbretërimin e Tij të dashur dhe që s’heqin dorë nga dëshira për të shkatërruar jetën e të tjerëve. Në mënyrë të mëshirshme, ai lajmëron përpara se ta kryejë atë që do të bëjë. Në çdo vend, njerëzit kanë rastin për të ndryshuar sjelljen e tyre. Në fakt, pikërisht në ditët tona po jepet në të gjithë botën kjo ftesë urgjente: «Frikësojuni Perëndisë dhe jepini atij lavdi, sepse ora e gjykimit prej tij ka arritur, prandaj adhuroni Atë që bëri qiejt dhe tokën dhe detin e burimet e ujërave.» (Zbul. 14:6, 7) A e ke pranuar këtë ftesë? Nëse po, tani ke privilegjin të veprosh me organizatën e Jehovait, për të ndihmuar të tjerët që të bëjnë të njëjtën gjë.

6. Pasi kemi marrë mësimet bazë të Biblës, cilin përparim të mëtejshëm duhet sinqerisht të përpiqemi të bëjmë?

6 Perëndia nuk ka për qëllim të sjellë në organizatën e tij njerëz që mjaftohen të thonë se besojnë në Jehovain dhe se kanë dëshirë të jetojnë në Parajsë, por që njëkohësisht vazhdojnë të ndjekin interesat e tyre egoiste. Ai dëshiron që njerëzit të vijnë në «njohjen e saktë të vullnetit të tij» dhe kjo duhet të pasqyrohet në jetën e tyre. (Kolos. 1:9, 10) Kur marrin mësimet bazë të Biblës, njerëzit me çmueshmëri dëshirojnë të përparojnë drejt pjekurisë së krishterë. Dëshirojnë ta njohin sa më afër Jehovain, ta zgjerojnë dhe ta thellojnë kuptimin e Fjalës së tij e ta zbatojnë në mënyrë sa më të plotë në jetën e tyre. Kërkojnë t’i ngjajnë Atit të tyre qiellor, duke pasqyruar cilësitë e tij dhe duke i parë gjërat si ai. Kjo i shtyn të kërkojnë mënyra të ndryshme, për të marrë pjesë sa më shumë që të jetë e mundur në veprën që ai po kryen në tokë në ditët tona. A je duke vepruar edhe ti kështu?—Efes. 5:1; Heb. 5:12-6:3; 1. Tim. 4:15.

7. Si mund të ekzistojë sot uniteti i vërtetë dhe si po realizohet?

7 Bibla tregon se ata që i shërbejnë Jehovait duhet të jenë popull i bashkuar. (Efes. 4:1-3) Ky bashkim duhet të ekzistojë tani, edhe pse jetojmë në një botë të ndarë e duhet akoma të luftojmë kundër papërsosmërive tona. Jezui u lut me zjarr që dishepujt e tij të ishin të gjithë një, që të gëzonin unitet të vërtetë. Çfarë do të thoshte kjo? Para së gjithash, duhej të kishin një marrëdhënie të mirë me Jehovain dhe me Birin e tij. Gjithashtu duhej të ishin të bashkuar me njëri-tjetrin. (Gjoni 17:20, 21) Kjo po realizohet dora dorës që ata zbatojnë mësimet që marrin në «shtëpinë» e Jehovait.

Cilët faktorë i kontribuojnë unitetit?

8. (a) Çfarë zhvillojmë, duke përdorur personalisht Biblën për t’iu përgjigjur pyetjeve që na përkasin? (b) Duke iu përgjigjur pyetjeve të renditura më lart, analizoni faktorët që i kontribuojnë unitetit të krishterë.

8 Më poshtë janë renditur disa nga faktorët kryesorë që ndihmojnë në këtë unitet. Duke iu përgjigjur pyetjeve që vijojnë, mendo se në ç’mënyrë secili nga këta faktorë ndikon në marrëdhënien tënde me Jehovain e me të krishterët e tjerë. Arsyetimi mbi këto pika, nën dritën e shkrimeve të treguara, do të kontribuojë për zhvillimin e aftësive mendore dhe kuptueshmërisë të orientuara nga Perëndia, cilësi për të cilat të gjithë ne kemi nevojë. (Prov. 5:1, 2; Filip. 1:9-11) Shqyrtoji, pra, një nga një këta faktorë:

(1) Të gjithë ne adhurojmë Jehovain dhe e pranojmë të drejtën e tij për të vendosur atë që është e mirë dhe atë që është e keqe.

Çfarë do të mendonte Jehovai nëse me dashje nuk do të përfillnim këshillat e tij, në një çështje që për ne duket pak e rëndësishme? (Luka 16:10; krahaso Mal. 1:6-8.)

A ndikojmë mbi të tjerët nëse nuk i bindemi gjithmonë urdhrave të Jehovait? (Krahaso Rom. 5:12; Jos. 7:20-26; 1. Mbret. 14:16.)

(2) Në cilindo vend të botës që të ndodhemi, Fjalën e Perëndisë e kemi si udhërrëfyese.

Në marrjen e vendimeve, përse është e rrezikshme të bëjmë thjesht vetëm atë që neve «na duket» e drejtë? (Jer. 17:9; Prov. 14:12)

Në qoftë se nuk e dimë se çfarë këshillon Bibla mbi një problem të caktuar, çfarë duhet të bëjmë? (Prov. 2:3-5)

(3) Të gjithë përfitojmë nga i njëjti program i ushqimit frymor.

Në çfarë kushtesh ndodhen ata që nuk i vlerësojnë përgatitjet e bëra nga Jehovai për t’u ushqyer frymësisht? (Krahaso Isa. 1:3; 9:16; 65:14.)

(4) Jezu Krishti, e jo ndonjë njeri, është Udhëheqësi ynë dhe ai nëpërmjet të cilit të gjithë ne i afrohemi Jehovait në adhurim.

A kemi personalisht ndonjë arsye të vlefshme, për të besuar se jemi më superiorë se njerëzit e tjerë? (Rom. 3:23, 24; 12:3; Mat. 23:8-10)

(5) Pavarësisht se ku jetojmë, e shikojmë Mbretërinë e Perëndisë si të vetmen shpresë të njerëzimit.

Si na mbron kjo prej ndikimeve ndarëse? (Mat. 6:9, 10; Mik. 4:3)

(6) Fryma e shenjtë prodhon tek adhuruesit e Jehovait cilësi të domosdoshme për unitetin e krishterë.

Si i hapim rrugë frymës së Perëndisë që të prodhojë tek ne frytet e saj? (Ps. 1:2; Prov. 22:4; Zbul. 3:6; Veprat 5:32)

Çfarë ndikimi ka fakti që i kemi frytet e frymës, në marrëdhënien tonë me Jehovain? Me vëllezërit tanë? (Gal. 5:22, 23).

(7) Të gjithë ne kemi përgjegjësinë të predikojmë lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë.

Si ndikon pjesëmarrja jonë aktive në këtë vepër të predikimit me të bashkëkrishterët tanë, mbi atë që ndiejmë për ta? (Krahaso Kolosianëve 4:7, 11.)

9. Çfarë ndikimi ndiejmë, duke zbatuar realisht në jetën tonë këto të vërteta?

9 Njohja e këtyre fakteve është një gjë. Të jetosh në harmoni me to kërkon shumë më tepër. Por kur veprojmë kështu, jemi më afër Jehovait. Shoqëria e bashkëbesimtarëve tanë bëhet burim freskimi. Në fakt, Psalmi 133:1 thotë: «Shiko! Sa e mirë dhe sa e pëlqyeshme është që vëllezërit të banojnë së bashku në unitet!» Vallë, nuk e ke provuar personalisht se çfarë freskie ndien duke qëndruar larg nga bota dhe gjithë egoizmi i saj e duke marrë pjesë në mbledhje me ata që e duan me të vërtetë Jehovain?

Të evitojmë ndikimet ndarëse

10. Përse duhet të jemi të kujdesshëm për të shmangur një frymë pavarësie?

10 Për të mos e prishur këtë unitet të çmueshëm, duhet të shmangim ndikimet ndarëse. E para ndër këto është fryma e pavarësisë. Jehovai na ndihmon që ta shmangim këtë, duke na zbuluar burimin: Satana Djallin. Ishte ai që e mashtroi Evën, duke e bërë të mendonte se do të ishte në dobinë e saj të mospërfillte atë që kishte thënë Perëndia e të merrte vetë vendimet e saj. Adami u bashkua më të në këtë rrugë kryengritëse. Rezultati ishte tragjik për ta dhe për ne. (Zan. 2:16, 17; 3:1-6, 17-19) Jetojmë në një botë që është përplot me këtë frymë pavarësie, prandaj nuk duhet të befasohemi në qoftë se edhe ne vetë kemi nevojë të përmbahemi nga kjo frymë. Me dashuri Jehovai na ndihmon ta bëjmë këtë, me këshillat që na jep nëpërmjet organizatës së tij.

11. Nga se mund të vihet re që po përgatitemi sinqerisht për të jetuar në Rregullin e Ri të drejtë të Perëndisë?

11 Nëpërmjet kësaj organizate, kemi njohur premtimin e madh të Jehovait për ta zëvendësuar ambientin e sotëm me qiej të rinj dhe një tokë të re në të cilën «do të banojë drejtësia». (2. Pjetr. 3:13) Na entuziazmon perspektiva që së shpejti kjo botë e keqe do të kalojë e toka do të transformohet në një Parajsë. Por, a tregon mënyra jonë e jetesës se po përgatitemi sinqerisht për të jetuar në një botë ku do të mbretërojë drejtësia? Bibla na thotë qartë: «Mos e doni botën, as gjërat e botës. Nëse dikush e do botën, dashuria e Atit nuk është në të.» (1. Gjonit 2:15) Është e vërtetë që në botë ka shumë gjëra që nuk i pëlqejnë asnjërit prej nesh. Por, a janë aspektet e botës që nuk na pëlqejnë, kryesisht ato që cënojnë në mënyrë direkte kënaqësinë e jetës sonë personale? Ose, a po e shmangim frymën e saj, mënyrën e pavarur të të vepruarit, shqetësimin e tepruar për interesat personale? A po e bëjmë sinqerisht shprehi dëgjimin e Jehovait dhe bindjen ndaj tij me zemër, krahas prirjeve të mundshme të kundërta të trupit? E gjithë mënyra jonë e të jetuarit, pavarësisht se ku ndodhemi dhe çfarë bëjmë, duhet të japë dëshmi që mendimet dhe qëllimet tona janë të orientuara nga Perëndia.—Prov. 3:5, 6.

12. (a) Përse është e rëndësishme të shfrytëzojmë që tani rastin e volitshëm për të mësuar rrugët e Jehovait e për t’i ndjekur ato në jetën tonë? (b) Ç’domethënie kanë personalisht për ne shkrimet e treguara në paragraf?

12 Kur të mbërrijë koha e caktuar prej Jehovait, për të shkatërruar këtë sistem të lig të gjërave dhe të gjithë ata që e duan atë, ai nuk do të vonojë. Nuk do ta shtyjë për më vonë atë kohë e as do t’i ndryshojë normat e tij, për t’ia përshtatur atyre që akoma kërkojnë të ndjekin botën, që janë të pavendosur për të mësuar se cili është vullneti i Perëndisë e ta kryejnë atë. Tani është koha e veprimit! (Luka 13:23, 24; 17:32; 21:34-36) Sa inkurajuese është, pra, të shohësh një «shumicë të madhe» njerëzish që po e mbajnë fortë këtë mundësi të çmuar, duke kërkuar me zell mësimet që Jehovai siguron nëpërmjet organizatës së tij të dashur, duke ecur të bashkuar në shtigjet e Tij!

[Shënimet]

a Citimet e shkrimeve në këtë libër, janë marrë nga Përkthimi i Botës së Re i Shkrimeve të Shenjta. Shkurtimi Dio përdoret për botimin Lajmi i Mirë, Diodati i Ri, përkthimi 1991-94, DSF, për botimin Besëlidhja e Re, përkthimi Don Simon Filipaj.

Pyetje për përsëritje

● Cili është qëllimi i Jehovait për sa i përket adhurimit?

● Pasi kemi marrë mësimet bazë të Biblës, cilin përparim të mëtejshëm duhet të përpiqemi të bëjmë sinqerisht?

● Çfarë mund të bëjmë personalisht, me qëllim që faktorët bashkues që kemi shqyrtuar, të influencojnë mbi jetën tonë në mënyrën e duhur?

[Figura që zë gjithë faqen 4]

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo