«Sihariq» nga Apokalipsi
«Pashë një engjëll tjetër që fluturonte në mes të qiellit dhe kishte një lajm të mirë të përhershëm, për t’ua shpallur si sihariq atyre që banojnë mbi tokë.»—ZBULESA 14:6, BR.
1. Edhe pse Dëshmitarët e Jehovait besojnë se libri i Apokalipsit është i frymëzuar, përse ata nuk janë një «sekt apokaliptik»?
NË KUNDËRSHTIM me akuzat që u bëhen, Dëshmitarët e Jehovait nuk janë një «sekt apokaliptik» ose një «kult i ditës së dënimit». Megjithatë, ata e pranojnë Apokalipsin ose librin e Zbulesës si pjesë të Fjalës së frymëzuar të Perëndisë. Është e vërtetë që Zbulesa përmban mesazhe gjykimi kundër të ligjve. Por në dëshminë e tyre publike, shërbëtorët e Perëndisë përqendrohen kryesisht në shpresën e mrekullueshme që gjendet në Bibël, duke përfshirë edhe shpresën që gjendet te libri i Apokalipsit ose i Zbulesës. Duke bërë kështu, ata nuk i shtojnë ose nuk i heqin asgjë fjalëve profetike që gjenden aty.—Zbulesa 22:18, 19.
Shpallës sihariqi
2. Cilat janë disa shkrime që përdorin shpesh Dëshmitarët e Jehovait në veprën e tyre të predikimit?
2 Një bazë biblike e cituar shpesh për shërbimin publik që bëjnë Dëshmitarët e Jehovait është pohimi i Jezuit: «Ky lajm i mirë i mbretërisë do të shpallet në të gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet; dhe atëherë do të vijë fundi.» (Mateu 24:14, shënimi, BR) Por, çfarë është «ky lajm i mirë i mbretërisë»? Shumë Dëshmitarë do të përgjigjeshin duke cituar vargje nga Zbulesa, kapitujt 20 dhe 21, që i referohen Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit dhe qeverisë së Mbretërisë së tij, si edhe shoqërisë njerëzore, ku vdekja, mbajtja zi dhe dhimbja ‘nuk do të jenë më’.—Zbulesa 20:6; 21:1, 4.
3. Me cilin mision korrespondon shërbimi publik i Dëshmitarëve të Jehovait?
3 Si shpallës të këtij sihariqi, Dëshmitarët e Jehovait janë në realitet zëdhënës të një lajmëtari simbolik qiellor, misioni i të cilit përshkruhet, gjithashtu, te Zbulesa. «Pashë një engjëll tjetër që fluturonte në mes të qiellit dhe kishte një lajm të mirë të përhershëm, për t’ua shpallur si sihariq atyre që banojnë mbi tokë dhe çdo kombi, fisi, gjuhe dhe populli.» (Zbulesa 14:6, BR) ‘Lajmi i mirë i përhershëm’ përfshin njoftimin se «mbretëria [ose qeverisja] e botës» është ‘bërë mbretëria e Zotërisë tonë dhe e Krishtit të tij» dhe se ka ardhur «koha e caktuar» nga Jehovai për ‘të çuar në rrënim ata që rrënojnë tokën’. (Zbulesa 11:15, 17, 18, BR) A nuk është me të vërtetë ky një lajm i mirë?
Çfarë përmban Zbulesa për ne?
4. (a) Cilat të vërteta themelore paraqiten në kapitullin 1 të Zbulesës? (b) Çfarë kërkohet prej atyre që dëshirojnë të nxjerrin dobi nga sihariqi?
4 Kapitulli i parë i librit të Zbulesës e paraqet Jehovain si «Alfa dhe Omega . . . Ai që është, që ishte dhe që vjen, i Plotfuqishmi». Dhe Birin e tij, Jezu Krishtin, e paraqet si «Dëshmitari Besnik», «i parëlinduri prej së vdekurish» dhe «Princ i mbretërve të dheut». Gjithashtu, aty flitet për Jezuin si «ai që na deshi dhe na lau nga mëkatet tona në gjakun e tij». (Zbulesa 1:5, 6, 8) Kështu, që nga fillimi, Zbulesa paraqet të vërteta themelore jetëshpëtuese. «Ata që banojnë mbi dhe» nuk do të përfitojnë nga sihariqi që u jepet, po të mos e pranojnë sovranitetin e Jehovait, po të mos e vendosin besimin te gjaku i derdhur i Jezuit e po të mos besojnë se Jehovai e ringjalli atë dhe se Krishti tani është Sundimtari i caktuar nga Jehovai për tokën.—Psalmi 2:6-8.
5. Në cilin rol paraqitet Krishti në kapitujt 2 dhe 3 të Zbulesës?
5 Dy kapitujt vijues e paraqesin Krishtin Jezu si Mbikëqyrësin e dashur qiellor të kongregacioneve me dishepujt e tij në tokë. Rrotulla që i drejtohej një grupi prej shtatë kongregacionesh të krishtere të Azisë së Vogël në shekullin e parë të e.s., përmbante inkurajime dhe këshilla të forta, të cilat zbatohen edhe sot. Mesazhet që iu dërguan kongregacioneve zakonisht fillojnë me fjalë të tilla, si: «I njoh veprat e tua» ose ‘E njoh shtrëngimin tënd’. (Zbulesa 2:2, 9) Po, Krishti e dinte me saktësi se çfarë po ndodhte në kongregacionet e dishepujve të tij. Ai i lavdëroi disa për dashurinë, besimin, mundimin e tyre në shërbim, qëndrueshmërinë dhe besnikërinë ndaj emrit dhe ndaj fjalës së tij. Të tjerë i qortoi sepse kishin lënë që dashuria e tyre për Jehovain dhe për Birin e tij të ftohej ose sepse kishin rënë në imoralitet seksual, në idhujtari a në sektarizëm apostat.
6. Çfarë mund të kuptojnë njerëzit nga vizioni i dokumentuar në kapitullin 4?
6 Kapitulli 4 siguron një vizion madhështor të fronit qiellor të Perëndisë Jehova. Aty ofrohet një imazh i lavdisë së pranisë së Jehovait dhe i strukturës qiellore qeverisëse që do të përdorë ai. Sundimtarët e kurorëzuar, fronet e të cilëve rrethojnë fronin qendror të universit, i bëjnë nderime Jehovait dhe shpallin: «Ti je i denjë, o Zot, të marrësh lavdinë, nderimin dhe fuqinë, sepse ti i krijove të gjitha gjërat dhe nëpërmjet vullnetit tënd ekzistojnë dhe u krijuan.»—Zbulesa 4:11.
7. (a) Çfarë duhet të bëjnë banorët e tokës, sipas nxitjes që u jep engjëlli? (b) Cila është një pjesë e rëndësishme e veprës sonë të arsimimit?
7 A ka ndonjë domethënie kjo për njerëzit sot? Patjetër që ka. Nëse duan të jetojnë nën Mbretërinë Mijëvjeçare, ata duhet t’i vënë veshin asaj që shpall ‘engjëlli që fluturon në mes të qiellit’: «Druani Perëndinë dhe i jepni lavdi, sepse ora e gjyqit të tij erdhi.» (Zbulesa 14:6, 7) Një nga qëllimet kryesore të veprës së arsimimit biblik që po kryhet nga Dëshmitarët e Jehovait është që të ndihmojë «ata që banojnë mbi dhe» për ta njohur dhe për ta adhuruar Jehovain, për të pranuar pozitën e tij si Krijues dhe për t’iu nënshtruar vullnetarisht sovranitetit të tij të drejtë.
Qengji i denjë për nderim
8. (a) Si përshkruhet Krishti në kapitujt 5 e 6? (b) Çfarë mund të mësojnë nga ky vizion të gjithë ata që dëgjojnë sihariqin?
8 Dy kapitujt që vijojnë, kapitulli 5 dhe 6, e paraqesin Jezu Krishtin si një Qengj, i cili konsiderohet i denjë të hapë një rrotull me shtatë vula, duke zbuluar në këtë mënyrë, me një gjuhë simbolike, ngjarjet që po ndodhin në ditët tona. (Krahaso Gjonin 1:29.) Zërat qiellorë i thonë këtij Qengji simbolik: «Ti je i denjë ta marrësh librin dhe të hapësh vulat e tij, sepse ti u there dhe me gjakun tënd na bleve te Perëndia nga çdo fis, gjuhë, popull dhe komb dhe na bëre mbretër e priftërinj për Perëndinë tonë dhe do të mbretërojmë mbi dhe.» (Zbulesa 5:9, 10) Ky vizion mëson se në bazë të gjakut të derdhur të Krishtit, disa njerëz, të çfarëdo origjine, thirren që të jenë me të në qiell dhe të ‘mbretërojnë mbi dhe’. (Krahaso Zbulesën 1:5, 6.) Numri i tyre i kufizuar zbulohet më vonë te libri i Zbulesës.
9. Si paraqitet Krishti në kapitullin 6?
9 Në të njëjtin vizion, Krishti paraqitet edhe si kalorësi i kurorëzuar i një kali të bardhë, i cili shkon përpara «fitimtar dhe për të fituar». Lumturisht, ai do të fitojë mbi pasojat e këqija të simbolizuara nga tre kalorësit e tjerë të Apokalipsit, kalërimi i tërbuar i të cilëve i ka sjellë njerëzimit luftë, zi buke dhe vdekje, duke filluar që nga viti kyç 1914. (Zbulesa 6:1-8) Roli unik i Krishtit, Qengjit të Perëndisë, në shpëtimin e njerëzimit dhe në plotësimin e qëllimeve të mrekullueshme të Jehovait është një temë kryesore e veprës së mësimit biblik të kryer nga Dëshmitarët e Jehovait.
10. (a) Cili informacion i rëndësishëm paraqitet në kapitullin 7? (b) Çfarë tha Krishti për ata që marrin Mbretërinë?
10 Kapitulli 7 përmban vërtet një sihariq. Vetëm në librin e Zbulesës gjejmë numrin e atyre që Jezui i quajti «kope e vogël», të cilëve Ati i Qengjit u jep Mbretërinë. (Luka 12:32, BR; 22:28-30) Këta vulosen nga Perëndia Jehova me anë të frymës së tij. (2. Korintasve 1:21, 22) Apostulli Gjon, i cili mori vizionet e Zbulesës, dëshmon: «Dëgjova numrin e atyre që u vulosën: njëqind e dyzet e katër mijë.» (Zbulesa 7:4) Në një kapitull të mëvonshëm konfirmohet se ky numër i saktë përfshin të gjithë ata që «u shpenguan nga njerëzit» për të sunduar me Qengjin në malin qiellor të Sionit. (Zbulesa 14:1-4) Ndërkohë që kishat e të ashtuquajturit krishterim japin shpjegime të vagëta dhe jobindëse për këtë numër, është interesante që lidhur me të, studiuesi biblik E. W. Bullinger thotë: «Faktet flasin qartë: ky është një numër i përcaktuar, në kontrast me numrin e papërcaktuar në po këtë kapitull.»
11. (a) Çfarë sihariqi gjejmë në kapitullin 7? (b) Çfarë perspektivash u vihen përpara pjesëtarëve të ‘shumicës së madhe’?
11 Cilit numër të papërcaktuar po i referohej Bullinger? Në vargun 9, apostulli Gjon shkroi: «Pas këtyre gjërave, pashë një turmë [shumicë, BR] të madhe, të cilën askush nuk mund ta numëronte, prej të gjitha kombeve, fiseve, popujve dhe gjuhëve.» (Zbulesa 7:9) Kush e përbën këtë shumicë të madhe, çfarë reputacioni kanë tani para Perëndisë dhe çfarë rezervon e ardhmja për ta? Përgjigjja e Apokalipsit është një lajm i mirë për banorët e tokës. Lexojmë: «Këta janë ata që kanë ardhur nga shtrëngimi [mjerimi, BR] i madh dhe i kanë larë rrobat e tyre dhe i kanë zbardhur në gjakun e Qengjit.» Me anë të besimit te gjaku i derdhur i Krishtit, ata do të jenë të mbrojtur gjatë ‘mjerimit të madh’. Krishti «do t’i çojë te burimet e gjalla të ujërave [të jetës, BR] dhe Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre.» (Zbulesa 7:14-17) Po, miliona njerëz që jetojnë sot mund të bëhen pjesë e shumicës së panumërueshme që do të mbijetojë fundin e sistemit të tanishëm të lig të gjërave. Si nënshtetas të Mbretit Jezu Krisht gjatë Mbretërimit të tij Mijëvjeçar, ata do të udhëhiqen prej tij drejt jetës së përhershme në tokë. A nuk është ky një lajm i mirë?
«Gjykimet e Tij janë të vërteta dhe të drejta»
12, 13. (a) Çfarë përmbajnë kapitujt nga 8 deri në 19? (b) Pse njerëzit me zemër të sinqertë nuk duhet të shqetësohen nga këto profeci?
12 Kapitujt nga 8 deri në 19 janë kryesisht përgjegjës për reputacionin që ka libri i Apokalipsit ose i Zbulesës, si një libër që parathotë katastrofa tmerruese. Këta kapituj përmbajnë mesazhe të rënda gjykimi (të simbolizuara nga tinguj trumbetash, plagë dhe kupa të zemërimit hyjnor), të cilat u drejtohen elementeve të ndryshëm të sistemit satanik të gjërave. Këto gjykime do të ekzekutohen, së pari kundër fesë së rreme («Babilonisë së Madhe») e më pas kundër sistemeve të paperëndishme politike, të simbolizuara nga bisha të egra.—Zbulesa 13:1, 2; 17:5-7, 15, 16.a
13 Këta kapituj përshkruajnë pastrimin e qiejve, duke hedhur poshtë në afërsi të tokës Satanain dhe demonët e tij. Ky është i vetmi shpjegim logjik për trazirat botërore pa precedent që nga viti 1914 e më tej. (Zbulesa 12:7-12) Gjithashtu, aty përshkruhet me një gjuhë simbolike shkatërrimi i sistemit të lig satanik të gjërave në tokë. (Zbulesa 19:19-21) A duhet të tronditen njerëzit me zemër të sinqertë nga këto ngjarje dramatike? Jo, sepse gjatë ekzekutimit të gjykimeve të Perëndisë, një ushtri qiellore thërret: «Lavdëroni Jah, ju njerëz! Shpëtimi, lavdia dhe fuqia i përkasin Perëndisë tonë, sepse gjykimet e tij janë të vërteta dhe të drejta.»—Zbulesa 19:1, 2, BR.
14, 15. (a) Si do t’i jepet fund me drejtësi sistemit të tanishëm të lig të gjërave? (b) Përse kjo pjesë e Apokalipsit duhet të jetë një shkak gëzimi për njerëzit me zemër të sinqertë?
14 Jehovai nuk do të sjellë një sistem të drejtë gjërash pa e çliruar më parë tokën nga ata që po e rrënojnë. (Zbulesa 11:17, 18; 19:11-16; 20:1, 2) Gjithsesi, asnjë shtet politik a njerëzor nuk ka autoritetin ose fuqinë për ta bërë këtë gjë. Vetëm Jehovai dhe Mbreti e Gjykatësi i tij i emëruar, Krishti Jezu, mund ta bëjnë këtë gjë me drejtësi.—2. Thesalonikasve (Selanikasve) 1:6-9.
15 Siç e tregon shumë qartë Apokalipsi, Jehovai ka për qëllim të sjellë fundin e sistemit të tanishëm të lig të gjërave. Ky fakt duhet të jetë një shkak gëzimi për burrat e gratë që «psherëtijnë e vajtojnë për të gjitha gjërat [e neveritshme, BR] që kryhen». (Ezekieli 9:4) Kjo duhet të ngulitë tek ata nevojën urgjente për t’ia vënë veshin thirrjes së bërë nga engjëlli që sillte sihariqin, i cili shpalli: «Druani Perëndinë . . . , sepse ora e gjyqit të tij erdhi; adhuroni atë që bëri qiellin e dheun.» (Zbulesa 14:7) Le ta adhurojnë e t’i shërbejnë këta njerëz Jehovait krah për krah me Dëshmitarët e tij, «që zbatojnë urdhërimet e Perëndisë dhe kanë veprën e dhënies së dëshmisë për Jezuin»!—Zbulesa 12:17, BR.
Mbretërimi i lavdishëm Mijëvjeçar
16. (a) Përse kishat e të ashtuquajturit krishterim e kanë hedhur poshtë shpresën e Mijëvjeçarit? (b) Përse Dëshmitarët e Jehovait besojnë që lutja model do të plotësohet?
16 Kapitujt nga 20 deri në 22 të librit të Zbulesës përmbajnë bazën biblike për të shpresuar te Mijëvjeçari. Faktikisht, kjo është e vetmja pjesë e Biblës që përmend një periudhë njëmijëvjeçare e cila do të jetë preludi i një përjetësie me lumturi në qiell dhe në tokë. Kishat e të ashtuquajturit krishterim e kanë hedhur poshtë shpresën e Mijëvjeçarit. Meqë sipas dogmës së kishës, të drejtët shkojnë në qiell dhe të ligjtë në ferr, sipas tyre nuk ka vend për një tokë parajsore. Për pjesën më të madhe të anëtarëve në kishat e të ashtuquajturit krishterim, lutja model, ku kërkohet që ‘vullneti [i Perëndisë] të bëhet në tokë si në qiell’, e ka humbur fare kuptimin. (Mateu 6:10, New International Version) Por nuk është kështu për Dëshmitarët e Jehovait. Ata besojnë fortësisht se Perëndia Jehova nuk e bëri tokën «për asgjë», por «për të qenë e banuar». (Isaia 45:12, 18, BR) Kështu, profecitë e lashta, lutja model dhe shpresa apokaliptike e Mijëvjeçarit janë të gjitha në përputhje me njëra-tjetrën. Gjatë Mbretërimit të tij Mijëvjeçar, Krishti do të kujdeset që vullneti i Jehovait të bëhet në tokë, siç është bërë në qiell.
17. Çfarë tregon se «të një mijë vjetët» duhen kuptuar në mënyrë të mirëfilltë?
17 Në shtatë vargjet e para të kapitullit 20 të Zbulesës përsëritet gjashtë herë termi «një mijë vjet». Ia vlen të përmendet fakti se ky term është përdorur katër herë në trajtën e shquar, «të një mijë vjetët», duke treguar se i referohet një mijëvjeçari të vërtetë, jo thjesht një periudhe të gjatë të papërcaktuar kohe, siç do t’u pëlqente shumë komentuesve të të ashtuquajturit krishterim që ne të besonim. Çfarë do të ndodhë gjatë Mijëvjeçarit? Së pari, Satanait do t’i hiqet mundësia për të vepruar gjatë gjithë asaj periudhe. (Zbulesa 20:1-3; krahaso Hebrenjve 2:14.) Sa lajm i mirë është ky!
18. (a) Përse Mijëvjeçari mund të quhet një «ditë» gjykimi? (b) Çfarë do të ndodhë në fund të një mijë vjetëve?
18 Meqenëse atyre që «sundojnë si mbretër me të [Krishtin] për të një mijë vjetët» u jepet «fuqi për të gjykuar», kjo periudhë në fakt është një «ditë» mijëvjeçare gjykimi. (Zbulesa 20:4, 6, BR; krahaso Veprat 17:31; 2. Pjetrit 3:8.) Të vdekurit do të ringjallen dhe së bashku me ata që kanë mbijetuar nga «mjerimi i madh» do të gjykohen në mënyrë të barabartë sipas veprave ose veprimeve të tyre gjatë asaj kohe. (Zbulesa 20:12, 13) Në fund të një mijë vjetëve, Satanai do të lirohet për pak kohë me qëllim që t’ia nënshtrojë njerëzimin një prove përfundimtare, pas së cilës ai, demonët e tij dhe çdo rebel në tokë që do ta ndjekë atë, do të shkatërrohen përgjithnjë. (Zbulesa 20:7-10) Njerëzve që e kalojnë provën do t’u shkruhet emri në mënyrë të pashlyeshme në «librin e jetës» dhe do të çohen drejt një përjetësie me jetë të lumtur, duke i shërbyer dhe duke adhuruar Jehovain në një tokë parajsore.—Zbulesa 20:14, 15; Psalmi 37:9, 29; Isaia 66:22, 23.
19. (a) Përse mund të jemi të sigurt se premtimet e mrekullueshme që përmban libri i Zbulesës do të përmbushen patjetër? (b) Çfarë do të trajtohet në artikullin vijues?
19 Ky është sihariqi që përmban Apokalipsi. Ai nuk përbëhet nga premtime boshe të bëra nga njerëzit. Apostulli Gjon shkroi: «Ai që rrinte mbi fron tha: ‘Ja, unë i bëj të gjitha gjërat të reja.’ Dhe më tha: ‘Shkruaj, sepse këto fjalë janë të vërteta dhe besnike.’» (Zbulesa 21:5) Çfarë duhet të bëjmë ne për të marrë pjesë në përmbushjen e këtij sihariqi? Libri i Zbulesës përmban shumë këshilla për ata që duan t’i pëlqejnë Perëndisë. Ndjekja e këtyre këshillave do të na sjellë lumturi të pakufishme, tani dhe përgjithmonë, siç do ta tregojë artikulli vijues.
[Shënimi]
a Për një shpjegim të plotë të librit të Zbulesës, shiko librin Zbulesa: Kulmi i saj madhështor është afër!, botuar në vitin 1988 nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc., anglisht.
Pika për rishikim
◻ Cilat të vërteta themelore që gjejmë në kapitujt 4 deri 6 të Zbulesës përbëjnë një pjesë të rëndësishme të sihariqit?
◻ Çfarë sihariqi gjendet në kapitullin 7 të Zbulesës?
◻ Përse njerëzit me zemër të sinqertë nuk duhet të shqetësohen nga mesazhet e gjykimit që gjenden në Zbulesë?
◻ Në ç’mënyrë Mijëvjeçari do të jetë një «ditë» gjykimi?
[Figura në faqen 10]
Mbreti Jezu Krisht do ta pastrojë plotësisht tokën nga lufta, zia e bukës dhe vdekja