Harmagedoni
Përkufizimi: Fjala greke Har Magedón, e marrë nga hebraishtja dhe e përkthyer «Armagedon» (ose: Harmagedon) nga shumë përkthyes, do të thotë «Mali i Megidos» ose «Mali i Mbledhjes së Trupave». Bibla nuk e lidh këtë emër me ndonjë holokaust bërthamor, por me «luftën [universale që po afrohet] e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm». (Zbul. 16:14, 16, Dio) Ky emër i referohet në veçanti «vendit [greqisht: tópon; d.m.th., gjendjes ose situatës]», ku krerët politikë të tokës mblidhen që t’i kundërvihen Jehovait dhe Mbretërisë së tij të drejtuar nga Jezu Krishti. Kjo kundërvënie do të bëhet e dukshme me anë të një veprimi global kundër shërbëtorëve të Jehovait në tokë, pra kundër përfaqësuesve të dukshëm të Mbretërisë së Perëndisë.
A do t’i lejojë Perëndia njerëzit të rrënojnë tokën me të ashtuquajturin «Armagedon termobërthamor»?
Psal. 96:10: «Jehovai është bërë mbret! Toka [hebraisht: tevél; toka, pjellore dhe e banuar, globi i banueshëm] është vendosur fort, që të mos lëkundet dot.»
Psal. 37:29: «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të.»
Zbul. 11:18: «Kombet u zemëruan dhe erdhi zemërimi yt [i Jehovait]. Erdhi koha e caktuar që . . . të rrënosh ata që rrënojnë tokën.»
Çfarë është Harmagedoni për të cilin flet Bibla?
Zbul. 16:14, 16, Dio: «Sepse në fakt janë fryma të demonëve që bëjnë mrekulli, që shkojnë te mbretërit e dheut dhe të gjithë botës, që t’i mbledhin për luftën e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm. Dhe i mblodhën në një vend që në hebraisht quhet ‘Armagedon’ [Harmagedon].»
A do të jetë Harmagedoni një luftë që do të bëhet vetëm në Lindjen e Mesme?
Sundimtarët dhe ushtritë e të gjitha kombeve do të mblidhen kundër Perëndisë
Zbul. 16:14, Dio: «Shkojnë te mbretërit e dheut dhe të gjithë botës, që t’i mbledhin për luftën e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm.»
Zbul. 19:19, Dio: «Dhe pashë bishën [sundimtarët politikë njerëzorë në tërësi] dhe mbretërit e dheut dhe ushtritë e tyre të mbledhura që të bënin luftë kundër atij që kalëronte kalin dhe kundër ushtrisë së tij.»
Jer. 25:33, Dio: «Atë ditë ata që janë vrarë nga Zoti do të jenë kudo, nga njëri skaj i tokës te tjetri.»
Përdorimi i emrit Harmagedon (Armagedon) nuk do të thotë se lufta do të zhvillohet në një vend të vërtetë të quajtur Mali i Megidos
Nuk ekziston asnjë vend i vërtetë që quhet Mali i Megidos; është vetëm një bregore rreth 21 m e lartë, aty ku gjenden rrënojat e Megidos së lashtë.
Rrafshina e Esdraelonit, poshtë Megidos, nuk mund t’i nxërë mbretërit dhe forcat ushtarake të «të gjithë botës». Rrafshina është trekëndore, vetëm 32 km e gjatë dhe 29 km e gjerë në skajin lindor.—The Geography of the Bible (Nju-Jork, 1957), Denis Beili, f. 148.
Emri është i përshtatshëm për shkak të rolit të Megidos në histori; rrafshina poshtë Megidos ka qenë vendi i disa luftërave vendimtare
Në atë vend Jehovai i shkaktoi disfatë Siserës, kreut të ushtrisë kananite, përballë gjykatësit Barak.—Gjyk. 5:19, 20; 4:12-24.
Tutmesi III, faraoni i Egjiptit, tha: «Të pushtosh Megidon, vlen sa të pushtosh njëmijë qytete!»—Ancient Near Eastern Texts Relating to the Old Testament (Prinston, N.J.; 1969), botuar nga Xhejms Pritçard, f. 237.
Megidoja (që do të thotë «Mbledhja e Trupave») është një referim i përshtatshëm, sepse Harmagedoni është një situatë botërore, ku do të përfshihen trupat dhe përkrahës të tjerë të sundimtarëve të të gjitha kombeve.
Cilët ose çfarë do të shkatërrohet në Harmagedon?
Dan. 2:44: «Perëndia i qiellit do të vendosë një mbretëri. . . . Ajo do të thërrmojë dhe do t’u japë fund të gjitha këtyre mbretërive, dhe vetë do të qëndrojë përgjithmonë.»
Zbul. 19:17, 18: «Pashë, gjithashtu, një engjëll që qëndronte në diell, i cili thërriti me zë të fortë e u tha gjithë zogjve që fluturojnë në mes të qiellit: ‘Ejani këtu, mblidhuni bashkë për darkën e madhe të Perëndisë, që të hani mishin e mbretërve, mishin e komandantëve ushtarakë, mishin e njerëzve të fortë, mishin e kuajve dhe të atyre që rrinë mbi ta, mishin e të gjithëve, të lirë e skllevër, të vegjël e të mëdhenj.’»
1 Gjon. 2:16, 17: «Gjithçka e botës: dëshirat e mishit, dëshirat e syve dhe kapardisja për t’u dukur me të mirat materiale, nuk vjen nga Ati, por nga bota. Dhe bota po kalon, e po kështu edhe dëshirat e saj, kurse ai që bën vullnetin e Perëndisë, mbetet përgjithmonë.»
Zbul. 21:8: «Kurse burracakët, ata pa besim, ata që janë të neveritshëm me ndyrësinë e tyre, vrasësit, kurvarët, ata që merren me spiritizëm, idhujtarët dhe të gjithë gënjeshtarët, do të përfundojnë në liqenin me zjarr dhe squfur. Kjo do të thotë vdekje e dytë.»
A do të jetë i përhershëm shkatërrimi?
Mat. 25:46: «Ata [të cilët s’pranuan t’u bënin mirë «vëllezërve» të Krishtit] do të përfundojnë në vdekjen e përhershme.»
2 Sel. 1:8, 9: «Ata që nuk e njohin Perëndinë dhe . . . ata që nuk i binden lajmit të mirë lidhur me Zotërinë tonë Jezu . . . do të ndëshkohen me shkatërrim të përhershëm.»
A do të ketë të mbijetuar?
Sof. 2:3: «Kërkoni Jehovain të gjithë ju zemërbutët e dheut që zbatuat vendimin e Tij gjyqësor; kërkoni drejtësinë, kërkoni zemërbutësinë; dhe ka mundësi që të jeni të fshehur ditën e zemërimit të Jehovait.»
Rom. 10:13: «Kushdo që thërret emrin e Jehovait, do të shpëtojë.»
Psal. 37:34: «Shpreso te Jehovai dhe ndiq udhët e tij, e ai do të të lartësojë dhe ti do të trashëgosh tokën. Ti do të shohësh kur të shfarosen të ligjtë.»
Gjoni 3:16: «Perëndia . . . dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.»
Zbul. 7:9, 10, 14: «Pashë të qëndronte para fronit dhe para Qengjit një shumicë të madhe nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët, të cilën askush nuk ishte në gjendje ta numëronte. Ata ishin veshur me petka të bardha të gjata dhe kishin në duar degë palmash. Ata thërrasin me zë të fortë: ‘Shpëtimin ia detyrojmë Perëndisë tonë, i cili rri ulur në fron, dhe Qengjit.’ . . . ‘Këta janë ata që dalin nga shtrëngimi i madh.’»
Ç’do të ndodhë me fëmijët e vegjël në Harmagedon?
Bibla nuk i jep një përgjigje të drejtpërdrejtë kësaj pyetjeje, dhe ne nuk jemi gjykatës. Gjithsesi, Bibla tregon se Perëndia i sheh fëmijët e të krishterëve të vërtetë si «të shenjtë». (1 Kor. 7:14) Nga ana tjetër, tregon se edhe në të shkuarën, kur ka shkatërruar të ligjtë, Perëndia ka bërë të njëjtën gjë me të vegjlit e tyre. (Num. 16:27, 32; Ezek. 9:6) Perëndia dëshiron që askush të mos shkatërrohet, prandaj po shpall tani një paralajmërim, që të përfitojnë prindërit dhe fëmijët. A nuk do të ishte e mençur që prindërit të ndiqnin një rrugë, e cila do t’u jepte fëmijëve të tyre miratim e Perëndisë tani dhe në Harmagedon?
A cenohet dashuria e Perëndisë nga shkatërrimi i të ligjve?
2 Pjet. 3:9: «Jehovai . . . është i durueshëm me ju, sepse nuk dëshiron që të shkatërrohet ndonjë, por dëshiron që të gjithë të arrijnë pendimin.»
Luka 18:7, 8: «A nuk do t’u japë, pra, Perëndia të drejtën të zgjedhurve të vet, që i thërrasin ditë e natë për ndihmë, edhe pse është shpirtgjerë me ta? Unë po ju them se Ai do ta bëjë, madje edhe shpejt.»
2 Sel. 1:6: «Për Perëndinë është e drejtë t’i shpaguajë me shtrëngim ata që ju [shërbëtorët e tij] shtrëngojnë.»
A mund të rrimë neutralë?
2 Sel. 1:8: «Do të sjellë hakmarrjen mbi ata që [me dëshirë] nuk e njohin Perëndinë dhe mbi ata që nuk i binden lajmit të mirë lidhur me Zotërinë tonë Jezu.»
Mat. 24:37-39: «Sepse ashtu siç ishin ditët e Noesë . . . dhe nuk kushtuan vëmendje derisa erdhi përmbytja dhe i fshiu të gjithë, kështu do të jetë prania e Birit të njeriut.»
Mat. 12:30: «Ai që nuk është me mua, është kundër meje dhe ai që nuk mbledh me mua, shpërndan.»
Krahaso Ligjin e përtërirë 30:19, 20.
Nën ndikimimin e kujt po shtyhen kombet drejt asaj situate botërore, që do t’i çojë deri në luftë kundër Perëndisë?
Zbul. 16:13, 14, Dio: «Dhe pashë të dilte nga goja e dragoit [Satana Djalli; Zbul. 12:9], nga goja e bishës dhe nga goja e profetit të rremë, tri frymë të ndyra, që u ngjanin bretkosave. Sepse në fakt janë fryma të demonëve që bëjnë mrekulli, që shkojnë te mbretërit e dheut dhe të gjithë botës, që t’i mbledhin për luftën e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm.»
Krahaso Lukën 4:5, 6; 1 Gjonit 5:19; gjithashtu Veprat 5:38, 39; 2 Kronikave 32:1, 16, 17.