ISMAELITËT
[të Ismaelit].
Pasardhës të Ismaelit, birit të parëlindur të Abrahamit nëpërmjet Agarës, shërbyeses egjiptiane të Sarës. (Zn 16:1-4, 11) Edhe Ismaeli u martua me një egjiptiane, nga e cila pati 12 bij (Nebajotin, Kedarin, Adbeelin, Mibsamin, Mishmain, Dumain, Masain, Hadadin, Temain, Jeturin, Nafishin dhe Kedemahun), që u bënë prijësit e klaneve ismaelite. (Zn 21:21; 25:13-16) Pra, nga prejardhja, ismaelitët ishin një e katërta semitikë dhe tri të katërtat kamitikë.
Siç premtoi Perëndia, ismaelitët u shtuan dhe u bënë ‘një komb i madh’, aq sa ‘nuk numërohej dot’. (Zn 17:20; 16:10) Megjithatë nuk hodhën rrënjë në një vend (ishin të pakta qytetet që ndërtuan), por pëlqyen jetën nomade. Ismaeli vetë ishte «si një zebër», pra një shtegtar që nuk i zinin këmbët dhé, i cili endej në shkretëtirën e Paranit dhe jetonte falë harkut e shigjetave. Po ashtu, pasardhësit e tij ishin kryesisht beduinë që banonin në tenda, një popull që u nis nga «përballë Egjiptit», domethënë nga lindja e Egjiptit, u end në gadishullin e Sinait, kaloi nëpër Arabinë Veriore dhe shkoi deri në Asiri. Kishin nam si popull i egër dhe luftarak, që s’para merreshin vesh me të tjerët, ashtu si ati i tyre Ismaeli, për të cilin ishte thënë: «Dora e tij do të ngrihet kundër të gjithëve, dhe dora e të gjithëve do të ngrihet kundër tij.»—Zn 16:12; 21:20, 21; 25:16, 18.
Më tej, për ismaelitët thuhet se «zunë vend [heb., nafál] përballë gjithë vëllezërve të tyre». (Zn 25:18) Edhe për midianitët dhe aleatët e tyre u tha se «ishin lëshuar [nofelím, një pjesore e nafál] në ultësirë» në territorin e Izraelit, derisa i dëbuan ushtarët e Gideonit. (Gjy 7:1, 12) Pra, kur ismaelitët «zunë vend», siç duket kishin si synim të mos shkuleshin nga ai rajon derisa t’i dëbonin.
Ka shumë të ngjarë që, me kalimin e kohës, ismaelitët të kenë bërë krushqi me pasardhës të Abrahamit dhe të Keturës (Zn 25:1-4), e prej tyre e patën origjinën banorët e disa zonave të Arabisë. Meqë Ismaeli dhe Midiani ishin gjysmëvëllezër, martesat mes pasardhësve të tyre, tok me përzierjen e gjakut, të traditave, të tipareve e të zanateve, mund të kenë çuar në shkëmbimin e termave «ismaelitë» dhe «midianitë», siç vërehet nga përshkrimi i karvanit që shiti Jozefin si skllav në Egjipt. (Zn 37:25-28; 39:1) Në ditët e Gideonit, hordhitë që mësynë Izraelin u quajtën herë midianitë, herë ismaelitë; një shenjë dalluese e këtyre të fundit ishin unazat e arta të hundës.—Gjy 8:24; krahaso Gjy 7:25 dhe 8:22, 26.
Armiqësia që ushqente Ismaeli ndaj Isakut me sa duket kaloi edhe te pasardhësit e vet, deri në atë pikë sa urrenin Perëndinë e Isakut, sepse psalmisti i radhiti ismaelitët ndër ata që ‘urrenin thellësisht’ Jehovain. (Ps 83:1, 2, 5, 6) Por, patjetër, kishte edhe përjashtime. Në organizimin që bëri Davidi, për devetë e mbretit u caktua përgjegjës Obili, që thuhet se ishte ismaelit.—1Kr 27:30, 31.
Muhameti (rr. 570-632 të e.s.), themeluesi i islamizmit, pohoi se e kishte prejardhjen nga Abrahami nëpërmjet Ismaelit.