PISHONI
[ndoshta: më i shpërndarë].
Një nga katër degët e ‘lumit që dilte nga Edeni’; rrethonte gjithë vendin e Havilahut, ku kishte rezerva ari, rrëshirë bdeli dhe gurë oniksi. (Zn 2:10-12) Për vendndodhjen e lumit Pishon janë hedhur një sërë hipotezash, duke filluar nga disa lumenj në Turqinë Lindore deri te lumi Gang në Indi.
Siç tregohet në artikullin EDENI nr. 1, ka të ngjarë që Përmbytja globale të ketë fshirë dëshmitë që do të ndihmonin të përcaktohej vendndodhja e saktë e lumenjve Pishon dhe Gihon. Natyrisht, kjo nuk e eliminon mundësinë që në kohën e Moisiut, kur u shkrua libri i Zanafillës, këta lumenj ekzistonin ende dhe ishin të njohur. Është gati e pamundur që, kur përmendi «vendin e Havilahut», Moisiu ta kishte fjalën për një rajon që quhej ashtu para Përmbytjes, dhe e njëjta gjë mund të thuhet për «vendin e Kushit». (Zn 2:13) Përkundrazi, vendet që përmendi ai duhet të jenë quajtur ashtu pas Përmbytjes dhe shërbenin si pika referimi gjeografike që njiheshin gjerësisht në ditët e tij. Përveç ndryshimeve që mund të ketë sjellë Përmbytja, duhet mbajtur parasysh se edhe tërmetet mund t’ua ndryshojnë rrjedhën lumenjve ose të zhdukin nga faqja e dheut pjesë të tyre. Tërmete të tilla ka të ngjarë të kenë rënë pas Përmbytjes; Turqia Lindore, vendndodhja e mundshme e Edenit, gjendet në një brez tërmetesh.—Shih HAVILAHU nr. 1.