BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w97 15/6 f. 14-19
  • «Mashkull dhe femër ai i krijoi ata»

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • «Mashkull dhe femër ai i krijoi ata»
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Natyra e vërtetë mashkullore dhe femërore
  • Pamja e jashtme
  • Burrat dhe gratë e krishtere janë burra dhe gra të vërteta
  • A duhet ta fshehin gratë bukurinë?
    Zgjohuni!—2005
  • Gratë
    Të arsyetojmë nga Shkrimet
  • A interesohet vërtet Perëndia për gratë?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2012
  • Gruaja, I
    Gjykim i thellë nga Shkrimet
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
w97 15/6 f. 14-19

«Mashkull dhe femër ai i krijoi ata»

«Perëndia vazhdoi të krijonte njeriun sipas shëmbëlltyrës së tij, e krijoi sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë; mashkull dhe femër ai i krijoi ata.»​—ZANAFILLA 1:27, BR.

1. Në ç’mënyrë e vërteta është bekim për një burrë apo një grua të krishterë?

SA KËNAQËSI është të jesh mes popullit të Jehovait e të shoqërohesh me burra e gra dhe me djem e vajza, në jetën e të cilëve vend të parë zë dashuria për Perëndinë dhe bindja ndaj tij! Veç kësaj, e vërteta na liron nga qëndrimet dhe sjellja që nuk i pëlqen Perëndisë Jehova e na mëson se si të jetojmë siç duhet të jetojnë të krishterët. (Gjoni 8:32; Kolosianëve 3:8-10) Për shembull, njerëzit kudo kanë tradita apo koncepte lidhur me mënyrën, në të cilën burrat duhet ta shprehin natyrën e tyre mashkullore dhe gratë natyrën e tyre femërore. Mos vallë kjo është vetëm për faktin që burrat kanë lindur meshkuj, ndërsa gratë femra? Apo ka edhe faktorë të tjerë që duhen mbajtur parasysh?

2. (a) Ç’gjë duhet ta përcaktojë pikëpamjen tonë mbi natyrën mashkullore apo atë femërore? (b) Çfarë u ka ndodhur pikëpamjeve mbi sekset?

2 Për të krishterët, Fjala e Perëndisë është autoriteti, të cilit ata i nënshtrohen, pavarësisht nga pikëpamjet personale, kulturore apo tradicionale që mund të kenë fituar. (Mateu 15:1-9) Bibla nuk shtjellon të gjitha aspektet e natyrës mashkullore dhe të asaj femërore. Përkundrazi, ajo lë vend për ta shprehur natyrën mashkullore dhe atë femërore në mënyra të ndryshme, ashtu siç i gjejmë në kultura të ndryshme. Për të qenë ashtu siç i krijoi Perëndia, burrat duhet të jenë meshkuj, kurse gratë femra. Përse? Sepse përveç faktit që burri dhe gruaja ishin krijuar për të plotësuar njëri-tjetrin fizikisht, ata duhej ta plotësonin njëri-tjetrin edhe nëpërmjet cilësive të tyre mashkullore dhe femërore. (Zanafilla 2:18, 23, 24; Mateu 19:4, 5) Megjithatë, pikëpamjet mbi seksin mashkull apo femër janë shtrembëruar dhe shfytyruar. Shumë njerëz e barazojnë natyrën mashkullore me sundimin e ashpër, vrazhdësinë apo ndjenjën e fortë të krenarisë mashkullore. Në disa kultura, do të ishte e rrallë apo e turpshme, që një burrë të qante si në publik, ashtu edhe privatisht. Por, kur ishte me turmën jashtë varrit të Lazrit, «Jezui u lëshua në lot». (Gjoni 11:35, BR) Kjo gjë nuk ishte e pavend për Jezuin, natyra mashkullore e të cilit ishte e përsosur. Sot, shumë njerëz janë bërë të paekuilibruar lidhur me natyrën femërore, duke e konsideruar atë thjesht si një tërheqje fizike dhe seksuale.

Natyra e vërtetë mashkullore dhe femërore

3. Si ndryshojnë ndërmjet tyre burrat dhe gratë?

3 Çfarë është natyra e vërtetë mashkullore dhe ajo e vërtetë femërore? Një enciklopedi thotë: «Pjesa më e madhe e burrave dhe e grave ndryshojnë nga njëri-tjetri jo vetëm në anatomi, por edhe në sjellje dhe interesa. Disa prej këtyre ndryshimeve janë të përcaktuara nga përbërja jonë gjenetike. . . . Por shumë ndryshime joanatomike duket se bazohen në rolin e seksit që përvetëson çdo individ. Njerëzit lindin ose meshkuj, ose femra, por mësojnë të jenë mashkullorë ose femërorë.» (The World Book Encyclopedia) Përbërja jonë gjenetike mund të sqarojë shumë gjëra, por zhvillimi i natyrës së përshtatshme mashkullore apo i asaj femërore varet nga fakti nëse mësojmë se çfarë kërkon Perëndia dhe nga fakti se çfarë zgjedhim për të bërë në jetë.

4. Çfarë zbulon Bibla mbi rolet e burrit dhe të gruas?

4 Historia biblike zbulon se roli i Adamit ishte marrja e drejtimit si kreu i gruas dhe i fëmijëve të tij. Veç kësaj, ai duhej të plotësonte vullnetin e Perëndisë për ta mbushur tokën, për ta nënshtruar atë dhe për t’i pasur të nënshtruara të gjitha krijesat më të ulëta tokësore. (Zanafilla 1:28) Roli femëror i Evës në familje ishte ai i «ndihmëses» dhe i «plotësueses» së Adamit, i të nënshtruarës ndaj kryesisë së tij, duke bashkëpunuar me të në përmbushjen e qëllimit të deklaruar nga Perëndia për ta.​—Zanafilla 2:18; 1. Korintasve 11:3.

5. Si ishte dëmtuar marrëdhënia ndërmjet burrit dhe gruas?

5 Por Adami nuk e përmbushi përgjegjësinë e tij dhe Eva e përdori në mënyrë bindëse natyrën e saj femërore, për të joshur Adamin që të bashkohej me të për të mos iu bindur Perëndisë. (Zanafilla 3:6) Duke e lejuar veten të bënte atë që e dinte se ishte e gabuar, Adami dështoi në shfaqjen e natyrës së vërtetë mashkullore. Me dobësi ai zgjodhi të pranonte fjalën e bashkëshortes së tij të mashtruar, në vend të asaj që kishte thënë Ati dhe Krijuesi i tij. (Zanafilla 2:16, 17) Shpejt, çifti i parë filloi të përjetonte atë që Perëndia kishte parashikuar se do të ishte pasoja e mosbindjes. Adami, i cili më parë e kishte përshkruar gruan e tij me terma të zjarrta poetike, tani i drejtohej asaj ftohtë me fjalët ‘gruaja që më dhe’. Papërsosmëria e tij tani shëmtoi dhe keqorientoi natyrën e tij mashkullore, gjë që çoi në ‘sundim mbi gruan e tij’. Eva, nga ana e saj, do ta ‘dëshironte me gjithë shpirt’ burrin e saj, ndoshta duke e tepruar apo në mënyrë të paekuilibruar.​—Zanafilla 3:12, 16.

6, 7. (a) Cili shtrembërim i natyrës mashkullore u zhvillua para Përmbytjes? (b) Çfarë mund të mësojmë nga situata para Përmbytjes?

6 Keqpërdorimi i natyrës mashkullore dhe asaj femërore u bë tepër i dukshëm përpara Përmbytjes. Engjëjt që braktisën pozitat e tyre fillestare në qiell, u materializuan në trupa njerëzorë, për të pasur marrëdhënie seksuale me gratë. (Zanafilla 6:1, 2) Bibla përmend vetëm meshkuj si të lindur nga ato bashkime seksuale të panatyrshme dhe duket se pasardhësit ishin hibridë, të paaftë për të riprodhuar. Ata u bënë të njohur si të fuqishmit, Nefilimët apo Rrëzuesit, sepse shkaktonin që të tjerët të rrëzoheshin. (Zanafilla 6:4; shënimi, BR) Me sa duket, ata ishin të dhunshëm, agresivë e nuk tregonin dhembshuri të butë.

7 Është e qartë se bukuria fizike, forma e trupit, madhësia apo forca nuk kumtojnë në vetvete një natyrë të pranueshme mashkullore apo femërore. Engjëjt që u materializuan ka të ngjarë të kenë qenë të pashëm. Edhe Nefilimët ishin të mëdhenj e gjithë muskuj, por qëndrimi i tyre mendor ishte i shtrembëruar. Engjëjt e pabindur dhe pasardhësit e tyre e mbushën tokën me imoralitet seksual dhe dhunë. Prandaj, Jehovai i dha fund asaj bote. (Zanafilla 6:5-7) Megjithatë, Përmbytja nuk e zhduku ndikimin demonik dhe as nuk eliminoi rezultatet e mëkatit të Adamit. Një pasqyrim jo i përshtatshëm i natyrës mashkullore dhe i asaj femërore doli përsëri në sipërfaqe pas Përmbytjes dhe në Bibël ka shembuj të mirë e të këqij, nga të cilët ne mund të mësojmë.

8. Cilin shembull të shkëlqyer të natyrës së përshtatshme mashkullore la Jozefi?

8 Jozefi dhe gruaja e Potifarit paraqesin një kontrast të fuqishëm, për sa i përket natyrës së përshtatshme mashkullore përballë natyrës femërore në botë. Gruaja e Potifarit, duke qenë se po i ikte mendja nga pamja e Jozefit, u përpoq ta joshte atë. Në atë kohë, nuk kishte asnjë ligj hyjnor të shkruar që të ndalonte kurvërinë apo tradhtinë bashkëshortore. Megjithatë, Jozefi iku nga ajo grua imorale dhe tregoi se ishte vërtet një burrë i Perëndisë, që shfaqte atë natyrë mashkullore, e cila kishte miratimin e Perëndisë.​—Zanafilla 39:7-9, 12.

9, 10. (a) Si abuzonte mbretëresha Vashti me natyrën e saj femërore? (b) Cilin shembull të shkëlqyer të natyrës femërore la Estera për ne?

9 Estera dhe mbretëresha Vashti siguruan një kontrast të jashtëzakonshëm për gratë. Nga sa duket, Vashti mendonte se ishte kaq e bukur, sa mbreti Ashuer do t’ia plotësonte gjithmonë dëshirat. Por bukuria e saj nuk shkonte më thellë sesa shumë kremëra lëkure që shiten sot. Asaj i mungonte modestia dhe natyra femërore, pasi nuk shfaqi nënshtrim ndaj burrit të saj që ishte njëkohësisht edhe mbret. Mbreti e hodhi poshtë atë dhe zgjodhi si mbretëreshë të tij një grua me një natyrë vërtet femërore, e cila, në fakt, i frikësohej Jehovait.​—Estera 1:10-12; 2:15-17.

10 Estera shërben si një shembull i mrekullueshëm për gratë e krishtere. Ajo ishte «e hijshme në trup dhe e bukur në pamje», por ajo shfaqi stolisjen «e personit sekret të zemrës në veshjen e pakorruptueshme të një fryme të qetë e të butë». (Estera 2:7; 1. Pjetrit 3:4, BR) Ajo nuk e konsideronte si gjë të parë stolisjen që bie në sy. Estera tregoi takt dhe vetëkontroll, duke qenë e nënshtruar ndaj Ashuerit, burrit të saj, edhe atëherë kur ishte në rrezik jeta e popullit të saj. Estera heshti, kur ishte e mençur për t’u bërë, por ama foli pa iu dridhur qerpiku, kur ishte e nevojshme dhe në kohën e duhur. (Estera 2:10; 7:3-6) Ajo e pranoi këshillën e Mordekait, kushëririt të saj të pjekur. (Estera 4:12-16) Ajo tregoi dashuri dhe besnikëri ndaj popullit të saj.

Pamja e jashtme

11. Çfarë duhet të mbajmë në mend, për sa i përket pamjes së jashtme?

11 Ku qëndron çelësi i natyrës së përshtatshme femërore? Një nënë deklaroi: «Tërheqja mund të jetë e rreme dhe bukuria mund të jetë e kotë; por gruaja që i frikësohet Jehovait, është ajo që i sjell vetes lavdërim.» (Proverbat 31:30, BR) Kështu, pra, frika me nderim për Perëndinë është thelbësore dhe dashamirësia e dashur, këndshmëria, modestia dhe një gjuhë e butë i kontribuojnë shumë më tepër natyrës femërore, sesa bukuria fizike.​—Proverbat 31:26.

12, 13. (a) Mjerisht, çfarë tregon e folura e shumë njerëzve? (b) Cila është domethënia e Proverbave 11:22?

12 E hidhur të thuhet, por shumë burra dhe gra nuk e hapin gojën e tyre me mençuri dhe as nuk kanë dashamirësinë e dashur në gjuhën e tyre. E folura e tyre është abuzive, sarkastike, vulgare dhe e pamenduar. Disa burra mendojnë se gjuha e ndyrë është një shenjë që tregon se je mashkull dhe disa gra me budallallëk i imitojnë ata. Por, nëse një grua është e hijshme, por i mungon arsyeja dhe është grindavece, sarkastike apo arrogante, a mund të jetë vërtet e hijshme në kuptimin më të mirë, a mund të jetë vërtet femërore? «Si një unazë hunde prej ari në noçkën e një derri, kështu është gruaja e bukur, por që shmanget nga arsyeja.»​—Proverbat 11:22, BR.

13 Bukuria e shoqëruar me të folurin e papastër, me sarkazmën apo mungesën e arsyes, nuk do të ishte në harmoni me çdo dukje femërore që një person mund të paraqesë. Në fakt, një sjellje e tillë e paperëndishme mund ta bëjë madje një person tërheqës fizikisht të duket i shëmtuar. Mund të dallojmë lehtë se pamja fizike e një burri apo e një gruaje nuk mund të kompensojë në vetvete apo të justifikojë shpërthimet e zemërimit, të bërtiturat apo të folurin abuziv. Të gjithë të krishterët mund dhe duhet të bëhen tërheqës për Perëndinë dhe për të tjerët, me anë të të folurit dhe të sjelljes së tyre të bazuar në Bibël.​—Efesianëve 4:31.

14. Cila stolisje lavdërohet në 1. Pjetrit 3:3-5 dhe çfarë mendon ti për këtë?

14 Ndërkohë që natyra e vlefshme femërore dhe ajo mashkullore bazohet mbi cilësitë frymore, mbajtja fizike dhe pamja e jashtme, duke përfshirë rrobat që veshim dhe mënyrën në të cilën i veshim, përçojnë për ne një mesazh pa fjalë. Pa dyshim që kur i këshilloi gratë e krishtere, apostulli Pjetër kishte në mendje disa stile të veshuri dhe të krehuri në shekullin e parë: «Mos lejoni që stolisja juaj të jetë ajo e gërshetimit nga jashtë të flokëve tuaj dhe e vënies së stolive prej ari apo e veshjes së rrobave të jashtme, por të jetë personi sekret i zemrës në veshjen e pakorruptueshme të një fryme të qetë e të butë, i cili është me vlerë të madhe në sy të Perëndisë. Pasi kështu stoliseshin dikur edhe gratë e shenjta që shpresonin në Perëndinë, duke iu nënshtruar burrave të tyre.»​—1. Pjetrit 3:3-5, BR.

15. Çfarë duhet të përpiqen gratë e krishtere të shfaqin në veshjen e tyre?

15 Në 1. Timoteut 2:9, 10, ne gjejmë komentet e Pavlit mbi veshjen femërore: «Dëshiroj që gratë të stolisen me veshje të rregulluara mirë, me modesti dhe mendje të shëndoshë . . . siç u shkon për shtat grave që pohojnë se nderojnë Perëndinë, d.m.th., përmes veprave të mira.» (BR) Këtu ai theksoi nevojën për modesti dhe veshje të rregulluara mirë, gjëra këto që pasqyrojnë një mendje të shëndoshë.

16, 17. (a) Si është keqpërdorur veshja nga shumë burra dhe gra sot? (b) Çfarë duhet të nxjerrim si përfundim nga këshilla që gjejmë në Ligjin e përtërirë 22:5?

16 Për një burrë apo grua, djalë apo vajzë, sjellja ose veshja që provokon seksualisht, nuk ia rrit natyrën e vërtetë mashkullore apo atë femërore dhe pa dyshim që nuk nderon Perëndinë. Shumë njerëz në botë shkojnë në ekstreme për të shfaqur hapur karakterin seksual mashkullor apo femëror në të veshur dhe në sjellje. Të tjerë mjegullojnë ndryshimet ndërmjet sekseve për synime imorale. Sa mirënjohës mund të jemi ne të krishterët që Bibla na zbulon mendimin e Perëndisë! Jehovai i shpalli Izraelit të lashtë: «Një gruaje nuk i duhet veshur rroba e një burri të fuqishëm, as një burrë i fuqishëm nuk duhet të veshë mantelin e një gruaje; sepse kushdo që bën këto gjëra është i neveritshëm për Jehovain.»​—Ligji i përtërirë 22:5, BR.

17 Ndoshta do të kesh kënaqësinë që në këtë aspekt të rishikosh se çfarë ka thënë Kulla e Rojës e 15 gushtit 1988, në faqen 17, botuar në anglisht: «Nuk është problem fakti nëse një stil është shumë në modë, por nëse është i përshtatshëm për një person që thotë se është shërbëtor i Perëndisë. (Romakëve 12:2; 2. Korintasve 6:3) Veshjet që janë tepër të çrregullta apo të ngjitura pas trupit, mund t’i heqin një pjesë të mirë mesazhit tonë për Mbretërinë. Stilet që gjithë bujë apo me qëllim feminizojnë burrat apo mashkullizojnë gratë, janë qartësisht pa vend. (Krahaso Ligjin e përtërirë 22:5.) S’ka dyshim që zakonet lokale mund të ndryshojnë sipas motit, nevojave në punë e kështu me radhë, prandaj kongregacioni i krishterë nuk vë rregulla të ashpra për vëllazërinë anekënd botës.»

18. Çfarë hapash mund të ndërmarrim në zbatimin e këshillës biblike për veshjen dhe krehjen?

18 Një këshillë vërtet e ekuilibruar dhe e përshtatshme! Mjerisht, disa të krishterë, meshkuj dhe femra, ndjekin verbërisht gjithçka që përkrah bota në veshje dhe krehje, pa marrë parasysh se si mund ta pasqyrojë kjo gjë Jehovain dhe kongregacionin e krishterë. Secili prej nesh mund të bëjë një vetëshqyrtim, për të parë nëse jemi ndikuar nga mënyra e të menduarit të botës. Veç kësaj, mund t’i afrohemi një vëllai apo motre të respektuar e me përvojë dhe t’i kërkojmë disa vërejtje për ndonjë rregullim që mund të bëjmë në mënyrën tonë të veshjes dhe më pas t’i peshojmë sugjerimet seriozisht.

Burrat dhe gratë e krishtere janë burra dhe gra të vërteta

19. Cilin ndikim të padëshirueshëm duhet të luftojmë?

19 Perëndi i kësaj bote është Satanai dhe ndikimi i tij mund të shihet në rrëmujën që ka krijuar në lidhje me sekset dhe që shkon përtej veshjes. (2. Korintasve 4:4) Në disa vende, shumë gra konkurrojnë me burrat për kryesinë, duke shpërfillur parimet biblike. Nga ana tjetër, një numër i madh burrash thjesht i braktisin përgjegjësitë e tyre të kryesisë, ashtu siç bëri Adami. Ka edhe nga ata që përpiqen ta ndryshojnë rolin e tyre seksual në jetë nga një seks në një tjetër. (Romakëve 1:26, 27) Bibla nuk nxjerr në pah asnjë mënyrë jetese alternative të miratuar nga Perëndia. Për më tepër, të gjithë ata që para se të bëheshin të krishterë, ishin të ngatërruar mbi identitetin apo preferencat e tyre seksuale, mund të kenë besim se do të jetë për të mirën e tyre të përhershme jetesa sipas normës së Perëndisë, normë kjo që pa dyshim do të çmohet nga të gjithë ata që arrijnë përsosmërinë njerëzore.

20. Si duhet të ndikojë Galatasve 5:22, 23 mbi pikëpamjen tonë për natyrën mashkullore dhe atë femërore?

20 Shkrimet tregojnë se burrat dhe gratë e krishtere duhet të kultivojnë dhe të shfaqin frytin e frymës së Perëndisë: dashurinë, gëzimin, paqen, shpirtmadhësinë, dashamirësinë, mirësinë, besimin, butësinë dhe vetëkontrollin. (Galatasve 5:22, 23) Me mençurinë e tij të madhe, Perëndia u dha mundësi burrave të rritnin natyrën e tyre mashkullore dhe grave natyrën e tyre femërore, duke kultivuar këto cilësi. Një burrë që shfaq frytin e frymës është e lehtë të respektohet dhe një grua që bën po kështu, është e lehtë të duhet.

21, 22. (a) Çfarë modeli la Jezui, për sa i përket mënyrës së jetesës? (b) Si e shfaqi Jezui natyrën e tij mashkullore?

21 Njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë ishte Jezu Krishti dhe të krishterët duhet të imitojnë mënyrën e tij të të jetuarit. (1. Pjetrit 2:21-23) Ashtu si Jezui, burrat edhe gratë duhet të tregohen besnikë ndaj Perëndisë dhe të bindur ndaj Fjalës së Tij. Jezui shfaqi cilësitë e mrekullueshme të dashurisë, të butësisë dhe të mëshirës. Si të krishterë të vërtetë, nga ne pritet që ta imitojmë atë dhe të tregojmë se jemi dishepujt e tij.​—Gjoni 13:35.

22 Jezu Krishti ishte një burrë i vërtetë dhe cilësitë e tij mashkullore mund t’i shohim, ndërsa studiojmë tregimin e jetës së tij siç gjendet në Shkrime. Ai nuk u martua kurrë, por Bibla tregon se ai gëzoi shoqëri të ekuilibruar me gratë. (Luka 10:38, 39) Marrëdhëniet e tij me burrat dhe gratë ishin gjithmonë të dëlira dhe të ndershme. Ai është modeli i përsosur i natyrës mashkullore. Ai nuk lejoi askënd, burrë, grua apo engjëll i pabindur që t’i grabiste natyrën e tij të shenjtë mashkullore dhe besueshmërinë ndaj Jehovait. Ai nuk ngurroi të pranonte përgjegjësitë e tij dhe këtë e bëri pa u ankuar.​—Mateu 26:39.

23. Në lidhje me rolet e sekseve, si janë bekuar dallueshëm të krishterët e vërtetë?

23 Ç’kënaqësi është të jesh mes popullit të Jehovait dhe të shoqërohesh me burra e gra dhe me djem e vajza, në jetën e të cilëve vend të parë zë dashuria për Perëndinë Jehova dhe bindja ndaj tij! Duke iu bindur Fjalës së Perëndisë, ne nuk jemi të kufizuar. Përkundrazi, jemi të liruar nga kjo botë dhe rrugët e saj që poshtërojnë bukurinë, qëllimin dhe rolet e veçanta të sekseve. Mund të përjetojmë lumturinë e vërtetë që vjen nga përmbushja e pozitës që na ka dhënë Perëndia në jetë, mashkull apo femër qofshim. Po, sa mirënjohës i jemi Perëndisë Jehova, Krijuesit, për të gjitha sigurimet e dashura që ai ka bërë për të mirën tonë dhe për faktin që na ka krijuar mashkull dhe femër!

Si do të përgjigjeshe?

◻ Cilat role të përshtatshme për burrat dhe gratë përshkruan Bibla?

◻ Si ishte shtrembëruar natyra mashkullore para Përmbytjes dhe si është shfytyruar në ditët tona natyra mashkullore dhe ajo femërore?

◻ Cilën këshillë biblike mbi pamjen e jashtme do të përpiqesh të zbatosh?

◻ Si mund të tregojnë burrat dhe gratë e krishtere se janë burra dhe gra të vërteta?

[Figura në faqen 17]

Edhe pse ishte e bukur, Estera kujtohet në mënyrë të veçantë për modestinë dhe frymën e saj të qetë e të butë

[Figura në faqen 18]

Kushtoji vëmendje të arsyeshme zbukurimit, ndërkohë që i vë theks më të madh bukurisë së brendshme

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo