BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w96 1/6 f. 9-14
  • Fara e gjarprit: si demaskohet?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Fara e gjarprit: si demaskohet?
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1996
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Cila është domethënia e profecisë?
  • «Armiqësi midis teje dhe gruas»
  • Armiqësi kundrejt Farës së gruas së Perëndisë
  • Demaskimi i farës së Gjarprit në ditët moderne
  • Bibla—Plotësisht e harmonishme
    Bibla—Fjala e Perëndisë apo e njerëzve?
  • Tema e mrekullueshme e Biblës
    Zbulesa—Plotësimi i saj madhështor është afër!
  • Ai për të cilin dhanë dëshmi të gjithë profetët
    Të adhurojmë të vetmin Perëndi të vërtetë
  • Pyetje nga lexuesit
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2007
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1996
w96 1/6 f. 9-14

Fara e gjarprit: si demaskohet?

«Do të shtie armiqësi midis teje dhe gruas, midis farës sate dhe farës së saj.»​—ZANAFILLA 3:15.

1. (a) Përse Jehovai është Perëndia i lumtur? (b) Çfarë ka bërë ai për të na dhënë mundësinë të marrim pjesë në gëzimin e tij?

JEHOVAI është Perëndia i lumtur dhe ka arsye për këtë. Ai është Dhuruesi më i madh dhe më i shquar i çdo gjëje të mirë dhe asgjë nuk mund ta ndalojë plotësimin e qëllimeve të tij. (Isaia 55:10, 11; 1. Timoteut 1:11; Jakovit 1:17) Ai dëshiron që edhe shërbëtorët e tij të marrin pjesë në gëzimin e tij, prandaj u siguron atyre arsye të shëndosha për të bërë kështu. Në këtë mënyrë, në një nga momentet më të zymta të historisë njerëzore, gjatë rebelimit në Eden, ai na siguroi bazën për ta parë të ardhmen me shpresë.​—Romakëve 8:19-21.

2. Si u siguroi Jehovai një bazë për shpresë pasardhësve të Adamit dhe të Evës, kur shpalli gjykimin e rebelëve në Eden?

2 Një nga bijtë frymorë të Jehovait, duke kundërshtuar dhe duke shpifur kundër Perëndisë, e ktheu veten në Satana Djalli. Njerëzit e parë, Eva dhe më pas Adami, ranë nën ndikimin e tij dhe dhunuan ligjin e deklaruar qartë nga Jehovai. Me të drejtë, ata u ndëshkuan me vdekje. (Zanafilla 3:1-24) Megjithatë, kur shpalli gjykimin për këta rebelë, Jehovai u siguroi një bazë për shpresë pasardhësve të Adamit dhe të Evës. Në ç’mënyrë? Siç shkruhet në Zanafillën 3:15, Jehovai tha: «Dhe unë do të shtie armiqësi midis teje dhe gruas, midis farës sate dhe farës së saj; fara e saj do të shtypë kokën tënde dhe ti do të plagosësh thembrën e farës së saj.» Kjo profeci është çelësi për të kuptuar gjithë Biblën si dhe ngjarjet e kaluara dhe të tanishme, që kanë përfshirë botën dhe shërbëtorët e Jehovait bashkë.

Cila është domethënia e profecisë?

3. Identifiko (a) Gjarprin, (b) «gruan», (c) «farën» e Gjarprit, (d) «farën» e gruas, siç paraqiten në Zanafillën 3:15.

3 Për të çmuar domethënien e saj, le të shqyrtojmë elementet e ndryshme të vetë profecisë. Zanafilla 3:15 i drejtohet Gjarprit; jo gjarprit të vërtetë, por atij që e përdori atë. (Zbulesa 12:9) «Gruaja» nuk është Eva, por organizata qiellore e Jehovait, nëna e shërbëtorëve të tij të mirosur me frymë në tokë. (Galatasve 4:26) «Fara» e Gjarprit është fara e Satanait, pasardhja e tij: demonët, njerëzit dhe organizatat njerëzore, që shfaqin tiparet e Satanait dhe që tregojnë armiqësi kundrejt «farës» së gruas. (Gjoni 15:19; 17:15) «Fara» e gruas është në thelb Jezu Krishti, i cili u miros me frymën e shenjtë në vitin 29 të e.s. Të 144.000-të, që ‘kanë rilindur . . . nga uji dhe nga fryma’ e që janë trashëgimtarë të Mbretërisë qiellore bashkë me Krishtin, janë pjesa plotësuese e farës së premtuar. Ata filluan t’i shtoheshin farës së gruas që nga Rrëshajët e vitit 33 të e.s. e më pas.​—Gjoni 3:3, 5; Galatasve 3:16, 29.

4. Si lidhet Zanafilla 3:15 me kthimin e tokës në një parajsë të mbushur me njerëz të lirë nga mëkati dhe vdekja?

4 Gjarpri i vërtetë në Eden u përdor si zëdhënës nga ai, mashtrimi i të cilit e çoi njerëzimin në humbjen e parajsës. Zanafilla 3:15 na e drejton vëmendjen drejt kohës së ardhme, kur ai që manipuloi atë gjarpër do të dërrmohet. Atëherë do të hapet përsëri rruga që shërbëtorët njerëzorë të Perëndisë të jetojnë në parajsë, pa mëkat dhe vdekje. Ç’kohë e gëzuar do të jetë!​—Zbulesa 20:1-3; 21:1-5.

5. Nga cilat tipare karakterizohen pasardhësit frymorë të Djallit?

5 Pas rebelimit në Eden, filluan të shfaqeshin individë dhe organizata që manifestonin tipare si ato të Satana Djallit: rebelim, gënjeshtra, shpifje dhe vrasje të shoqëruara me kundërshtimin e vullnetit të Perëndisë dhe të atyre që adhurojnë Jehovain. Këto tipare identifikuan pasardhjen, bijtë frymorë të Djallit. Mes tyre ishte Kaini, që vrau Abelin, kur Jehovai pranoi adhurimin e Abelit dhe jo atë të Kainit. (1. Gjonit 3:10-12) Nimrodi ishte ai, të cilin vetë emri e identifikonte si rebel dhe që u bë një përndjekës i fortë dhe sundimtar kundër Jehovait. (Zanafilla 10:9) Përveç kësaj, kishte një varg mbretërish të lashta, duke përfshirë Babiloninë, me fetë e tyre të mbështetura nga Shteti, që ishin ndërtuar mbi falsitetin dhe që i shtypnin mizorisht adhuruesit e Jehovait.​—Jeremia 50:29.

«Armiqësi midis teje dhe gruas»

6. Në cilat mënyra ka treguar Satanai armiqësi kundrejt gruas së Jehovait?

6 Gjatë gjithë kësaj kohe, ka pasur armiqësi midis Gjarprit dhe gruas së Jehovait, midis Satana Djallit dhe organizatës qiellore të Jehovait, të përbërë nga krijesa frymore besnike. Armiqësia e Satanait u tregua, kur tallej me Jehovain dhe përpiqej të përçante organizatën qiellore të tij, duke i nxitur engjëjt të braktisnin vendbanimin e tyre. (Proverbat 27:11; Judës 6) U tregua kur Satanai përdori demonët e tij në përpjekje për të ndërhyrë tek lajmëtarët engjëllorë të dërguar nga Jehovai. (Danieli 10:13, 14, 20, 21) Ajo u duk qartë në këtë shekull të 20-të, kur Satanai u mundua të shkatërronte Mbretërinë Mesianike që po lindte.​—Zbulesa 12:1-4.

7. Përse engjëjt besnikë të Jehovait ndjenë armiqësi kundër Gjarprit simbolik, por ç’vetëpërmbajtje kanë treguar?

7 Kishte armiqësi edhe nga ana e gruas së Jehovait, trupit të engjëjve besnikë, kundër Gjarprit simbolik. Satanai kishte shpifur kundër emrit të mirë të Perëndisë, kishte ngjallur dyshime mbi integritetin e çdo krijese inteligjente të Perëndisë, duke përfshirë të gjithë engjëjt dhe përpiqej aktivisht të thyente besnikërinë e tyre ndaj Perëndisë. (Zbulesa 12:4a) Engjëjt besnikë, kerubinët dhe serafinët s’mund të bënin gjë tjetër, veçse të ndienin neveri kundrejt atij, që e kishte bërë veten Djall dhe Satana. Megjithatë, ata pritën që Jehovai t’i rregullonte çështjet në kohën dhe në mënyrën e caktuar prej tij.​—Krahaso Judën 9.

Armiqësi kundrejt Farës së gruas së Perëndisë

8. Për kë i mbante sytë hapur Satanai?

8 Ndërkohë, Satanai i mbante sytë hapur për Farën e parathënë të gruas, atë për të cilën Jehovai tha se do t’i shtypte kokën Gjarprit. Kur engjëlli nga qielli lajmëroi se Jezui, që kishte lindur në Bethlehem ishte «Shpëtimtari, që është Krishti Zotëria», kishte bërë një pohim të fuqishëm se ai do të bëhej Fara e parathënë e gruas.​—Luka 2:10, 11.

9. Si manifestoi Satanai armiqësi të mbrapshtë, pas vdekjes së Jezuit?

9 Armiqësia e mbrapshtë e Satanait u tregua shpejt, kur tërhoqi astrologët paganë që të ndërmerrnin një mision, i cili i detyronte ata të shkonin së pari tek mbreti Herod në Jerusalem dhe më pas në shtëpinë në Bethlehem, ku gjetën Jezuin e vogël dhe nënën e tij, Marinë. Pak më pas, mbreti Herod urdhëroi vdekjen e të gjithë djemve nga mosha dy vjeç e poshtë, brenda në Bethlehem dhe përreth tij. Në këtë rast, Herodi tregoi urrejtje satanike për Farën. Me sa duket, ai e dinte mirë se po përpiqej t’i shuante jetën atij që do të ishte Mesia. (Mateu 2:1-6, 16) Historia dëshmon se mbreti Herod ishte i paskrupullt, dinak dhe gjakatar; vërtet një nga ata të farës së Gjarprit.

10. (a) Si u mundua personalisht Satanai të prishte qëllimin e Jehovait, në lidhje me Farën e premtuar pas pagëzimit të Jezuit? (b) Si i përdori Satanai krerët fetarë judenj për të arritur qëllimet e tij?

10 Pasi Jezui u miros me frymën e shenjtë, në vitin 29 të e.s. dhe pasi Jehovai foli nga qielli, duke e miratuar Jezuin si Birin e tij, Satanai u përpoq disa herë me radhë ta bënte Jezuin të lëshohej në tundim, duke u munduar në këtë mënyrë të prishte qëllimin e Jehovait në lidhje me Birin e tij. (Mateu 4:1-10) Duke mos ia dalë mbanë në këtë, ai iu drejtua përdorimit të mëtejshëm të përfaqësuesve njerëzorë për të arritur qëllimet e tij. Mes atyre që përdori në përpjekje për të diskretituar Jezuin, ishin krerët hipokritë fetarë. Ata përdorën gënjeshtrat dhe shpifjet, të njëjtat mashtrime që përdori edhe vetë Satanai. Kur Jezui i tha një paralitiku, «merr zemër, . . . mëkatet e tua të janë falur», skribët pa pritur të shihnin nëse burri ishte shëruar vërtet apo jo, e gjykuan Jezuin si blasfemues. (Mateu 9:2-7) Kur Jezui shëroi njerëz në sabat, farisenjtë e denoncuan si shkelës të ligjit të Sabatit dhe ranë në ujdi që ta asgjësonin. (Mateu 12:9-14; Gjoni 5:1-18) Kur Jezui dëboi demonët, farisenjtë e akuzuan se ai kishte lidhje me «Belzebubin, sundimtarin e demonëve». (Mateu 12:22-24, BR) Pasi Lazri u ngjall nga të vdekurit, shumë njerëz ushtruan besim tek Jezui, ndërsa kryepriftërinjtë dhe farisenjtë ranë përsëri në ujdi që ta vrisnin.​—Gjoni 11:47-53.

11. Tri ditë para vdekjes së Jezuit, cilët identifikoi ai si pjesë e farës së Gjarprit dhe përse?

11 Më 11 nisan të vitit 33 të e.s., edhe pse e dinte mirë se çfarë po komplotonin ata, Jezui shkoi pa iu trembur syri drejt e në zonën e tempullit në Jerusalem, ku shpalli në mënyrë publike gjykimin mbi ta. Si grup, skribët dhe farisenjtë, vazhdimisht kishin treguar se çfarë lloj njerëzish ishin, prandaj, Jezui tha: «Mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse mbyllni mbretërinë e qiejve para njerëzve; sepse as ju nuk hyni, as nuk i lini të hyjnë ata që janë për të hyrë.» Jezui shpalli hapur se ata ishin pjesë e farës së Gjarprit, kur tha: «O gjarpërinj, o pjellë nëpërkash! Si do t’i shpëtoni gjykimit të Gehenas?» (Mateu 23:13, 33) Gjuha që përdori të kujton profecinë që ishte thënë në Zanafillën 3:15.

12, 13. (a) Në ç’mënyrë kryepriftërinjtë dhe skribët dhanë dëshmi të mëtejshme mbi faktin se kush ishte ati i tyre frymor? (b) Kush u bashkua me ta? (c) Në përmbushje të Zanafillës 3:15, si u plagos në thembër Fara e gruas?

12 Kur dëgjuan fjalët e Jezuit, a u prekën ata në zemër, në mënyrë që t’i luteshin Perëndisë për mëshirë? A u penduan për ligësinë e tyre? Jo! Marku 14:1 tregon se ditën tjetër, në një mbledhje në oborrin e kryepriftit, «krerët e priftërinjve dhe skribët kërkonin mënyrën se si ta kapnin Jezusin me mashtrim dhe ta vrisnin». Ata vazhduan të shfaqnin frymën gjakatare të Satanait, të cilin më parë Jezui e kishte përshkruar si vrasës. (Gjoni 8:44) Shpejt, me ta u bashkua edhe Juda Iskarioti, të cilin Satanai e nxiti për t’u bërë apostat. Juda e braktisi Farën e panjollë të gruas së Perëndisë dhe u bashkua me farën e Gjarprit.

13 Herët në mëngjesin e 14 nisanit, anëtarët e gjykatës fetare judeje e çuan Jezuin si të burgosur para guvernatorit romak. Në këtë moment, ishin kryepriftërinjtë që morën drejtimin, duke kërkuar me britma që Jezui të gozhdohej në shtyllë. Kur Pilati pyeti nëse duhej «ta varte në shtyllë mbretin e tyre», ishin kryepriftërinjtë që u përgjigjën: «Ne s’kemi mbret tjetër përveç Cezarit.» (Gjoni 19:6, 15, BR) Vërtet, ata treguan në të gjitha mënyrat se ishin pjesë e farës së Gjarprit. Por sigurisht që nuk ishin ata të vetmit. Tregimi i frymëzuar në Mateun 27:24, 25 thotë kështu: «Pilati mori ujë dhe i lau duart para turmës.» Pastaj, i gjithë populli tha: «Le të jetë gjaku i tij mbi ne dhe mbi fëmijët tanë!» Në këtë mënyrë, shumë judenj të atij brezi u identifikuan si pjesë e farës së Gjarprit. Para përfundimit të asaj dite, Jezui ishte i vdekur. Duke përdorur farën e tij të dukshme, Satanai kishte shtypur Farën e gruas së Perëndisë në thembër.

14. Përse plagosja e thembrës së farës së gruas nuk nënkupton fitore për Satanain?

14 A kishte fituar Satanai? Në asnjë mënyrë! Jezu Krishti kishte mposhtur botën dhe kishte mundur sundimtarin e saj. (Gjoni 14:30, 31; 16:33) Ai e kishte ruajtur besnikërinë e tij ndaj Jehovait deri në vdekje. Vdekja e tij si njeri i përsosur siguroi çmimin shpërblerës, që duhej për të rikthyer të drejtat e jetës të humbura nga Adami. Kështu, ai u hapi rrugën për jetën e përhershme atyre që do të ushtronin besim në atë sigurim dhe do t’i bindeshin urdhrave të Perëndisë. (Mateu 20:28; Gjoni 3:16) Jehovai e ngjalli Jezuin nga vdekja në jetën e pavdekshme në qiell. Në kohën e caktuar nga Jehovai, Jezui do të shfarosë Satanain. Në Zanafillën 22:16-18, Jehovai do t’u japë favor të gjitha familjeve në tokë, që ndërmarrin veprimet e nevojshme për t’u bekuar nga ajo Farë besnike.

15. (a) Si vazhduan apostujt e Jezuit të demaskonin farën e Gjarprit, pas vdekjes së tij? (b) Ç’armiqësi e mëtejshme është shfaqur nga fara e Gjarprit deri në ditët tona?

15 Pas vdekjes së Jezuit, të krishterët e mirosur me frymë, vazhduan të demaskonin farën e Gjarprit, siç kishte bërë Zotëria i tyre. I nxitur nga fryma e shenjtë, apostulli Pavël paralajmëroi kundër «njeriut të paligjshmërisë», prania e të cilit do të ishte «sipas veprimit të Satanait». (2. Selanikasve 2:3-10, BR) Është provuar se ky «njeri» kolektiv është kleri i të ashtuquajturit krishterim. Fara e Gjarprit, nga ana e saj, persekutoi egërsisht ithtarët e Jezu Krishtit. Në profecinë e shkruar në Zbulesën 12:17, apostulli Gjon paratha se Satanai do të vazhdonte të luftonte kundër mbetjes së farës së gruas së Perëndisë deri në ditët tona. Dhe ndodhi pikërisht kështu. Në shumë vende, Dëshmitarët e Jehovait kanë qenë nën ndalim, janë sulmuar, janë burgosur dhe janë futur me forcë nëpër kampet e përqendrimit, për shkak të qëndrimit të tyre të pathyeshëm për Mbretërinë e Perëndisë dhe rrugët e tij të drejta.

Demaskimi i farës së Gjarprit në ditët moderne

16. Cilët janë demaskuar si pjesë e farës së Gjarprit në kohët moderne dhe si?

16 Duke imituar Jezu Krishtin, të krishterët e vërtetë kanë vazhduar të demaskojnë pa iu trembur syri Gjarprin dhe farën e tij. Në 1917-n, Studentët Biblikë, siç njiheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait, botuan librin Misteri i përfunduar, në të cilin ata nxorën në shesh hipokrizinë e klerit të të ashtuquajturit krishterim. Në 1924-n, ky u ndoq nga një rezolutë e titulluar Predikuesit e paditur. Në të gjithë botën u shpërndanë pesëdhjetë milionë kopje. Në 1937-n, J. F. Rutherford, president i atëhershëm i Shoqatës Watch Tower, demaskoi fuqishëm farën e Satanait në fjalimet me titull «Të demaskuar» dhe «Feja dhe krishterimi». Një vit më pas, ndërsa 50 auditorë kongresesh në vende të ndryshme dëgjonin, ai zhvilloi me radiotelefon nga Londra, Angli, fjalimin «Përballo faktet». Një muaj më vonë, një rrjet i gjerë radiofonik në Shtetet e Bashkuara, transmetoi ligjëratën «Fashizëm apo liri». Këto u plotësuan nga demaskime të fuqishme në libra të tillë, si Armiqtë dhe Feja, si dhe në broshurën Të zbuluar. Në përputhje me atë që ishte botuar qysh nga 1920-a, libri Zbulesa​—Kulmi i saj madhështor është afër!a, tani i shtypur në 65 gjuhë, identifikon sundimtarët e korruptuar politikë dhe trafikantët tregtarë lakmitarë dhe joparimorë, si ata që janë mes anëtarëve më të shquar të farës së dukshme të Gjarprit. Kur udhëheqësit politikë e bëjnë zakon që të përdorin falsitetin për të mashtruar të nënshtruarit e tyre, për të shpërfillur shenjtërinë e gjakut dhe për të shtypur shërbëtorët e Jehovait (duke treguar kështu urrejtje për farën e gruas së Perëndisë), ata me siguri identifikohen si pjesë e farës së Gjarprit. E njëjta gjë vlen edhe për trafikantët tregtarë, të cilët pa i brejtur ndërgjegjja gënjejnë për të ardhurat financiare dhe prodhojnë apo shesin produkte, të cilat dihen mjaft mirë se shkaktojnë sëmundje.

17. Çfarë mundësie është ende në dispozicion për individët e rëndësishëm që mund të dalin nga sistemi i kësaj bote?

17 Jo të gjithë individët e molepsur nga feja botërore, nga politika apo nga tregtia do të numërohen në fund si pjesë e farës së Gjarprit. Disa nga këta burra dhe gra kanë filluar t’i admirojnë Dëshmitarët e Jehovait. Ata e përdorin ndikimin e tyre për t’i ndihmuar dhe në kohën e duhur përqafojnë adhurimin e vërtetë. (Krahaso Veprat 13:7, 12; 17:32-34.) Gjithë këtyre u shpaloset kjo thirrje: «Tani, pra, o mbretër, tregohuni të urtë; pranoni ndreqjen, o gjyqtarë të dheut. Shërbeni me frikë Zotin dhe gëzohuni me drithma. Nënshtrohuni Birit, që [Ai, BR] të mos zemërohet dhe të mos vdisni rrugës, sepse zemërimi i tij mund të ndizet në një çast. Lum ata që gjejnë strehë tek ai.» (Psalmi 2:10-12) Vërtet, është jetësore për të gjithë ata që dëshirojnë miratimin e Jehovait të veprojnë tani, para se Gjyqtari qiellor të mbyllë më forcë derën e mundësisë.

18. Edhe pse nuk janë pjesë e farës së gruas, cilët janë, megjithatë, adhurues të Jehovait?

18 Vetëm ata që do të përbëjnë Mbretërinë qiellore, janë pjesë e farës së gruas. Ata janë të paktë në numër. (Zbulesa 7:4, 9) Megjithatë, ka një shumicë të madhe me të tjerë, po, miliona të tjerë, të cilët si adhurues të Jehovait shpresojnë në jetën e përhershme në tokën parajsore. Si me fjalë, ashtu edhe me vepra, ata u thonë të mirosurve të Jehovait: «Ne duam të vijmë me ju, sepse kemi dëgjuar se Perëndia është me ju.»​—Zaharia 8:23.

19. (a) Çfarë vendimi duhet të marrin të gjithë njerëzit? (b) Veçanërisht për kë është bërë një thirrje e sinqertë, për të vepruar në mënyrë të mençur ndërkohë që ekziston ende mundësia?

19 Tani është koha, kur i gjithë njerëzimi duhet të marrë një vendim. Duan të adhurojnë Jehovain dhe të mbështesin sovranitetin e tij, apo do të lejojnë që Satanai të jetë sundimtari i tyre, duke bërë gjërat që i pëlqejnë atij? Rreth pesë milionë njerëz nga të gjitha kombet janë vendosur në anën e Jehovait, duke u shoqëruar me mbetjen e farës së gruas, trashëgimtarët e Mbretërisë. Tetë milionë të tjerë kanë treguar interes për të studiuar Biblën me ta ose për të marrë pjesë në mbledhjet e tyre. Të gjithë këtyre, Dëshmitarët e Jehovait u thonë: Dera e mundësisë është akoma hapur! Vendosuni qartësisht në anën e Jehovait! Pranojeni Jezu Krishtin si Farën e premtuar! Shoqërohuni me gëzim me organizatën e dukshme të Jehovait! Marrshi të gjitha bekimet, që Ai do të sigurojë përmes sundimit të Mbretit Jezu Krisht!

[Shënimi]

a Botuar në anglisht nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.

A të kujtohet?

◻ Kush është Gjarpri, të cilit i referohet Zanafilla 3:15? Cila është gruaja?

◻ Cilat tipare e karakterizojnë farën e Gjarprit?

◻ Si e demaskoi Jezui farën e Gjarprit?

◻ Cilët janë demaskuar si pjesë e farës së Gjarprit në kohët moderne?

◻ Çfarë veprimi urgjent kërkohet për të shmangur identifikimin me farën e Gjarprit?

[Figura në faqen 10]

Jezui demaskoi krerët fetarë hipokritë si pjesë e farës së Gjarprit

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo