BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w94 15/3 f. 12-17
  • Ecni me guxim në rrugët e Jehovait

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Ecni me guxim në rrugët e Jehovait
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Çfarë është guximi
  • Guxim për të deklaruar mesazhin e Perëndisë
  • Guxim në prova
  • Guxim për t’iu bindur Perëndisë
  • Guxim për të qëndruar me popullin e Perëndisë
  • Guxim «për të ndjekur Jehovain plotësisht»
  • Guxim për të besuar në Perëndinë
  • Guxim për të nderuar Jehovain dhe për të përkrahur adhurimin e pastër
  • «Ji shumë i fortë dhe guximtar»
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2012
  • Kini guxim!
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
  • Ji guximtar—Jehovai është me ty!
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2013
  • «Ji guximtar... dhe vepro»
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait (Për studim)—2017
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
w94 15/3 f. 12-17

Ecni me guxim në rrugët e Jehovait

«I lumtur është kushdo që i frikësohet Jehovait, ai që ecën në rrugët e tij.»​—PSALMI 128:1, BR.

1, 2. Për çfarë na ndihmojnë tregimet biblike mbi fjalët dhe veprat e dëshmitarëve të hershëm të Jehovait?

FJALA e Shenjtë e Jehovait është plot me tregime për provat dhe gëzimet e shërbëtorëve të tij besnikë. Në të vërtetë, përvojat e Noes, Abrahamit, Sarës, Josiut, Deborës, Barakut dhe Davidit dalin prej faqeve të saj. Të gjithë ata ishin njerëz të vërtetë që kishin të përbashkët diçka të veçantë. Ata kishin besim tek Perëndia dhe ecën me guxim në rrugët e tij.

2 Fjalët dhe veprat e dëshmitarëve të hershëm të Jehovait mund të jenë inkurajuese për ne, ndërsa përpiqemi për të ecur në rrugët e Perëndisë. Për më tepër, lumturia do të jetë jona, ndërsa shfaqim dashuri dhe respekt për Perëndinë, si dhe nëse kemi një frikë të shëndoshë për të mos e mërzitur atë. Kjo është e vërtetë edhe pse në jetë ballafaqohemi me prova, sepse psalmisti i frymëzuar këndoi: «I lumtur është kushdo që i frikësohet Jehovait, ai që ecën në rrugët e tij.»​—Psalmi 128:1, BR.

Çfarë është guximi

3. Çfarë është guximi?

3 Për të ecur në rrugët e Jehovait, duhet të kemi guxim. Në fakt, Shkrimet e urdhërojnë popullin e Perëndisë që të shfaqë këtë cilësi. Për shembull, psalmisti David këndoi: «Jini të guximshëm, dhe e fortë qoftë zemra juaj, e të gjithëve ju që po pritni Jehovain.» (Psalmi 31:24, BR) Guximi është «forcë mendore apo morale për të rrezikuar, për t’i qëndruar dhe për t’i bërë ballë rrezikut, frikës apo vështirësisë». (Webster’s Ninth New Collegiate Dictionary) Një person i guximshëm është i fortë, ka kurajë dhe është trim. Fakti që Jehovai u jep guxim shërbëtorëve të tij është i qartë nga këto fjalë që apostulli Pavël i drejtoi bashkëpunëtorit të tij, Timoteut: «Sepse Perëndia s’na ka dhënë frymë frike, po fuqie e dashurie e urtësisë.»​—2. Timoteut 1:7, BK.

4. Cila është një mënyrë për të fituar guxim?

4 Një mënyrë për të fituar guximin e dhënë nga Perëndia është konsiderimi në lutje i Fjalës së Jehovait, Biblës. Shumë tregime që shfaqen në Shkrime, mund të na ndihmojnë për t’u bërë edhe më shumë guximtarë. Prandaj, le të shohim së pari se çfarë mund të mësojmë nga tregimet e Shkrimeve Hebreje për disa individë që ecën me guxim në rrugët e Jehovait.

Guxim për të deklaruar mesazhin e Perëndisë

5. Si mund t’u sjellë dobi shërbëtorëve të sotëm të Jehovait guximi që tregoi Enoku?

5 Guximi i Enokut mund t’i ndihmojë shërbëtorët e sotëm të Jehovait për të folur me guxim për mesazhin e Perëndisë. Para se të lindte Enoku, «filluan të thërritnin në emrin e Jehovait». Disa studiues thonë se njerëzit filluan ta thërritnin emrin e Jehovait «në mënyrë sharëse». (Zanafilla 4:25, 26; 5:3, 6, BR) Ndoshta, emri hyjnor filloi t’u jepej njerëzve, madje edhe idhujve. Prandaj, kur lindi Enoku, në 3404 p.e.s., feja e rreme ishte në lulëzim. Në fakt, duket se ai ka qenë i vetmi që «eci me Perëndinë», duke ndjekur një rrugë të drejtë në harmoni me të vërtetën e zbuluar të Jehovait.​—Zanafilla 5:18, 24.

6. (a) Cilin mesazh të fortë deklaroi Enoku? (b) Çfarë besimi mund të kemi?

6 Enoku e përhapi me guxim mesazhin e Perëndisë dhe ka të ngjarë që ta ketë bërë këtë duke predikuar. (Hebrenjve 11:5; krahaso 2. Pjetrit 2:5.) «Ja,—deklaroi dëshmitari i vetëm,—Jehovai erdhi me miliardat e tij të shenjta, për të kryer gjykimin kundër të gjithëve dhe për të fajësuar të gjithë të pabesët në lidhje me të gjitha veprat e tyre të pabesa që i bënë në mënyrë të pabesë dhe në lidhje me gjithçka tronditëse që mëkatarët e pabesë thanë kundër tij.» (Judës 14, 15, BR) Enoku pati guximin që të përdorte emrin Jehova, kur përhapi atë mesazh që dënonte pabesinë. Ashtu siç i dha Enokut guximin për të deklaruar atë mesazh të fortë, Perëndia Jehova i ka forcuar edhe Dëshmitarët e Tij të sotëm për të folur me guxim për fjalën e Tij në shërbim, në shkollë dhe kudo.​—Krahaso Veprat 4:29-31.

Guxim në prova

7. Çfarë shembulli guximi na siguroi Noeja?

7 Shembulli i Noes mund të na ndihmojë që të jemi të guximshëm në kryerjen e veprave të drejta kur jemi nën prova. Me guxim dhe besim, ai veproi sipas paralajmërimit hyjnor për një përmbytje të përgjithshme dhe «e punoi arkën për shpëtimin e familjes së vet». Duke u bindur dhe duke kryer vepra të drejta, Noeja e dënoi botën e pabesë për veprat e saj të liga dhe provoi se ajo e meritonte shkatërrimin. (Hebrenjve 11:7; Zanafilla 6:13-22; 7:16) Meditimi mbi rrugën e Noes do t’i ndihmojë shërbëtorët e sotëm të Perëndisë për t’u angazhuar me guxim në vepra të tilla të drejta si shërbimi i krishterë.

8. (a) Me çfarë u ballafaqua Noeja si një «predikues [i guximshëm] i drejtësisë»? (b) Çfarë do të bëjë për ne Jehovai, nëse jemi predikues të guximshëm të drejtësisë?

8 Nëse po ndjekim një rrugë të drejtë, por nuk dimë se si t’ia bëjmë me disa prova, le të lutemi për mençuri që të ballafaqohemi me to. (Jakovit 1:5-8) Besnikëria e Noes ndaj Perëndisë kur gjendej në prova tregon se është e mundur që t’u bëjmë ballë provave me guxim dhe besnikëri. Ai u bëri ballë presioneve të një bote të ligë, të engjëjve të materializuar, si dhe të sojit të tyre hibrid. Po, Noeja ishte një «predikues [i guximshëm] i drejtësisë» për «botën e vjetër» që ishte drejtuar nga shkatërrimi. (2. Pjetrit 2:4, 5; Zanafilla 6:1-9) Edhe pse ai foli me guxim si një lajmëtar, duke shpallur paralajmërimin e Perëndisë për njerëzit e kohës para përmbytjes, «ata nuk ia vunë veshin, derisa erdhi përmbytja dhe i fshiu tej të gjithë». (Mateu 24:36-39, BR) Por le të mos harrojmë se, me gjithë persekutimet dhe mospranimin e lajmit tonë të bazuar në Bibël nga ana e shumicës së njerëzve sot, nëse tregojmë të njëjtin besim dhe guxim si predikues të drejtësisë, Jehovai do të na mbështesë ashtu siç mbështeti edhe Noen.

Guxim për t’iu bindur Perëndisë

9, 10. Në cilat aspekte Abrahami, Sara dhe Isaku treguan bindje të guximshme?

9 «Miku i Perëndisë», Abrahami, është një shembull i shkëlqyer i një bindjeje të guximshme ndaj Perëndisë. (Jakovit 2:23) Abrahamit iu desh besim dhe guxim për t’iu bindur Jehovait dhe për të lënë Urin e Kaldeasve, një qytet plot me të mira materiale. Ai i besoi premtimit të Perëndisë se «tërë familjet e tokës» do të bekoheshin me anë të tij dhe se farës së tij do t’i jepej një tokë. (Zanafilla 12:1-9; 15:18-21) Me anë të besimit Abrahami «erdhi të banojë në tokën e premtuar si në tokën e huaj» dhe shikoi përpara për «Qytetin me themele të palëkundshme»​—Mbretërinë qiellore të Perëndisë, në të cilën do të ringjallej për të jetuar mbi tokë.​—Hebrenjve 11:8-16.

10 Gruaja e Abrahamit, Sara, pati besimin dhe guximin që i nevojiteshin për të lëshuar Urin, për të shoqëruar të shoqin në një tokë të huaj dhe për të duruar çdo vështirësi që mund të hasnin aty. Dhe çfarë shpërblimi mori ajo për bindjen e saj të guximshme ndaj Perëndisë! Edhe pse shterpë deri në moshën 90-vjeçare dhe «megjithëse i kishte kaluar mosha», Sara u forcua ‘për të ngjizur një farë, pasi e quajti besnik Perëndinë që kishte premtuar’. Në kohën e duhur, ajo lindi Isakun.» (Hebrenjve 11:11, 12; Zanafilla 17:15-17; 18:11; 21:1-7) Vite më vonë, Abrahami iu bind me guxim Perëndisë dhe «flijoi Izakun». Kur u ndalua nga një engjëll, patriarku e mori nga vdekja djalin e tij guximtar dhe të bindur dhe u bë «një shembulltyrë». Ai dhe Isaku, pra, portretizuan në mënyrë profetike se Perëndia Jehova do të jepte Birin e tij, Jezu Krishtin, si një shpërblim, në mënyrë që ata që ushtronin besim në të të mund të kishin jetën e përhershme. (Hebrenjve 11:17-19; Zanafilla 22:1-19; Gjoni 3:16) Sigurisht, bindja e guximshme e Abrahamit, Sarës dhe Isakut duhet të na nxitë për t’iu bindur Jehovait dhe për të bërë gjithmonë vullnetin e tij.

Guxim për të qëndruar me popullin e Perëndisë

11, 12. (a) Si tregoi Moisiu guxim në lidhje me popullin e Jehovait? (b) Cila pyetje mund të bëhet, duke parë guximin e Moisiut?

11 Moisiu qëndroi me guxim me popullin e shtypur të Perëndisë. Në shekullin e 16-të p.e.s. edhe vetë prindërit e Moisiut treguan guxim. Duke mos iu trembur urdhrit të mbretit për të vrarë të gjithë të sapolindurit meshkuj hebrenj, ata e fshehën Moisiun dhe e vendosën në një arkë midis kallamave në breg të lumit Nil. Pasi e gjeti e bija e Faraonit, ai u rrit si biri i saj, edhe pse fillimisht mori një stërvitje frymore në shtëpinë e prindërve të tij. Si pjesëtar i shtëpisë së Faraonit, Moisiu «mësoi tërë diturinë egjiptiane» dhe u bë «shumë i zoti në fjalë e në vepra», i fuqishëm në aftësitë mendore dhe fizike.​—Veprat 7:20-22; Të Dalët 2:1-10; 6:20.

12 Pavarësisht nga avantazhet materiale të shtëpisë mbretërore, Moisiu me guxim zgjodhi të qëndronte me adhuruesit e Jehovait, që në atë kohë gjendeshin nën skllavërinë egjiptiane. Në mbrojtje të një izraeliti, ai vrau një egjiptian dhe iku për në tokën e Midianit. (Të Dalët 2:11-15) Gati 40 vjet më vonë, Perëndia e përdori për të nxjerrë izraelitët nga skllavëria. Pastaj, Moisiu «e lëshoi Egjiptin pa e druajtur zemërimin e mbretit», i cili e kërcënoi me vdekje ngaqë kishte përfaqësuar Jehovain në mbështetje të Izraelit. Moisiu eci sikur të shihte «të Papashmin», Perëndinë Jehova. (Hebrenjve 11:23-29; Të Dalët 10:28) A ke edhe ti të njëjtin besim dhe guxim për t’u ngjitur me Jehovain dhe popullin e tij, pavarësisht nga vështirësitë dhe persekutimet?

Guxim «për të ndjekur Jehovain plotësisht»

13. Në ç’mënyrë Josiu dhe Kalebi ofruan shembuj guximi?

13 Guximtarët Josiu dhe Kalebi siguruan dëshmi se mund të ecim në rrugët e Jehovait. Ata «e ndoqën Jehovain plotësisht». (Numrat 32:12, BR) Josiu dhe Kalebi ishin ndër të 12 njerëzit që u dërguan për të spiunuar në Tokën e Premtuar. Nga frika e banorëve të saj, dhjetë spiunë u përpoqën ta bindnin Izraelin që të mos hynte në Kanaan. Megjithatë, Josiu dhe Kalebi thanë me guxim: «Në rast se Zoti kënaqet me ne, do të na çojë në këtë vend dhe do të na japë neve “një vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë”. Vetëm mos ngrini krye kundër Zotit dhe mos kini frikë nga populli i vendit, sepse ai do të jetë ushqimi ynë; mbrojtja e tyre është larguar nga ata dhe Zoti është me ne; mos kini frikë nga ata.» (Numrat 14:8, 9) Nga mungesa e besimit dhe e guximit, ai brez izraelitësh nuk mbërriti kurrë në tokën e premtuar. Por Josiu dhe Kalebi, bashkë me një brez të ri hynë në të.

14, 15. (a) Duke zbatuar fjalët e Josiut 1:7, 8, çfarë përvojash patën Josiu dhe izraelitët? (b) Çfarë mësimi që përfshin edhe guximin mund të nxjerrim nga Josiu dhe Kalebi?

14 Perëndia i tha Josiut: «Tregohu i fortë dhe shumë trim, duke u përpjekur të veprosh simbas tërë ligjit që Moisiu, shërbëtori im, të ka urdhëruar; mos u shmang prej tij as djathtas, as majtas, që të kesh mbarësi kudo që të shkosh. Ky libër i ligjit mos u ndaftë kurrë nga goja jote, por mendohu për të ditë e natë, duke kërkuar të veprosh simbas të gjitha atyre që janë shkruar, sepse atëherë do të kesh sukses në veprimet e tua, atëherë do të përparosh.»​—Josiu 1:7, 8.

15 Pasi Josiu i zbatoi këto fjalë, Jerikoja dhe qytete të tjera ranë përpara izraelitëve. Madje, Perëndia e bëri edhe diellin të qëndronte, në mënyrë që të vazhdonte të shkëlqente derisa izraelitët të dilnin fitimtarë në Gibeon. (Josiu 10:6-14) Kur u ndodhën në rrezik përpara forcave të bashkuara armike, «një turmë shumë e madhe si rëra që është mbi bregun e detit», Josiu veproi me guxim dhe Perëndia u dha përsëri fitoren izraelitëve. (Josiu 11:1-9) Edhe pse jemi njerëz të papërsosur, si Josiu dhe Kalebi, ne mund ta ndjekim plotësisht Jehovain dhe Perëndia mund të na forcojë që të ecim me guxim në rrugët e tij.

Guxim për të besuar në Perëndinë

16. Në ç’mënyrë treguan guxim Debora, Baraku dhe Jaela?

16 Besimi me guxim në Perëndinë shpërblehet, siç tregojnë edhe ngjarjet në ditët kur gjyqtarët administronin drejtësinë në Izrael. (Rutha 1:1) Për shembull, gjykatësi Barak dhe profetesha Debora besuan me guxim në Perëndinë. Mbreti kananit, Jabini, e kishte shtypur Izraelin për 20 vjet, në kohën kur Jehovai e nxiti Deboran për t’i thënë Barakut që të mblidhte 10.000 burra në malin Tabor. Komandanti i ushtrisë së Jabinit, Siseri, u turr në luginën e përroit Kishon, i sigurt se në atë terren fushor njerëzit e Izraelit nuk do të mund të përballonin ushtrinë e tij dhe 900 karrocat e luftës me kosa të hekurta nëpër rrota. Kur izraelitët marshuan drejt luginës, Perëndia veproi në mbështetje të tyre dhe një përmbytje e madhe e ktheu fushën e betejës në një baltinë që i çmobilizoi karrocat e Siserit. Njerëzit e Barakut dolën fitimtarë dhe kështu «tërë ushtria e Siseras u shkatërrua nga goditjet me shpatë». Siseri u strehua në tendën e Jaelës, por ndërsa ai flinte, ajo pati guximin për ta vrarë atë, duke i ngulur në tëmtha një kunj të tendës. Në vërtetim të deklaratës profetike që Debora i kishte thënë Barakut, «lavdia» e kësaj fitoreje i shkoi një gruaje. Pasi Debora, Baraku dhe Jaela besuan me guxim në Perëndinë, Izraeli «pati qetësi për dyzet vjet me radhë».​—Gjykatësit 4:1-22; 5:31.

17. Çfarë shembulli të besimit të guximshëm në Jehovain siguroi gjykatësi Gideon?

17 Gjykatësi Gideon besoi me guxim në Perëndinë Jehova, kur midianitët dhe të tjerë pushtuan Izraelin. Edhe pse të paktë në numër para 135.000 shkelësve, të 32.000 luftëtarët izraelitë ende mund të kishin prirjen për t’ia atribuar fitoren e dhënë nga Perëndia trimërisë së tyre. Nën drejtimin e Jehovait, Gideoni i pakësoi forcat e tij në tri grupe me nga 100 burra. (Gjykatësit 7:1-7, 16; 8:10) Të 300 burrat e rrethuan kampin e midianitëve natën, duke pasur secili nga një bri dhe një enë uji me një pishtar brenda. Pas sinjalit, ata u ranë brirëve, thyen enët, i ngritën lart pishtarët flakërues dhe bërtitën: «Shpata e Zotit dhe e Gideonit!» (Gjykatësit 7:20) Midianitët të tmerruar filluan t’ia mbathnin dhe u mposhtën. Këto ngjarje duhet të na bindin se besimi i guximshën në Perëndinë shpërblehet edhe sot.

Guxim për të nderuar Jehovain dhe për të përkrahur adhurimin e pastër

18. Çfarë bëri me guxim Davidi kur shtriu përdhe Goliadin?

18 Disa shembuj biblikë na japin guxim për të nderuar Jehovain dhe për të përkrahur adhurimin e pastër. I riu David, që me guxim shpëtoi delen e të atit, u tregua i guximshëm para gjigantit filiste, Goliadit. «Ti po më vjen me shpatë, me shtizë dhe me ushtë; kurse unë po të dal në emër të Zotit të ushtërive, Perëndisë të ushtrisë së Izraelit që ti ke fyer. Pikërisht sot Zoti do të të dorëzojë në duart e mia; dhe unë do të të rrëzoj, do të pres kokën tënde . . . gjithë dheu të mësojë se ka një Perëndi në Izrael. Atëherë gjithë kjo turmë do të mësojë që Zoti nuk të shpëton me anë të shpatës, as me anë të shtizës; sepse përfundimi i betejës varet nga Zoti.» (1. Samuelit 17:32-37, 45-47) Me ndihmën hyjnore, Davidi e nderoi me guxim Jehovain, e hodhi përdhe Goliadin dhe pastaj luajti një rol jetësor në heqjen e kërcënimit filiste mbi adhurimin e pastër.

19. Për çfarë projekti Solomoni kishte nevojë për guxim dhe si mund ta imitojmë ne sot?

19 Kur biri i mbretit David, Solomoni, po përgatitej për të ndërtuar tempullin, babai i tij i moshuar e nxiti: «Ji i fortë dhe trim, përvishju punës, mos ki frikë dhe mos u trondit, sepse Zoti Perëndi, Perëndia im, do të jetë me ty. Ai nuk do të lërë dhe nuk do të braktisë derisa të mbarosh tërë punën për shërbimin e shtëpisë së Zotit.» (1. Kronikat 28:20) Duke vepruar me guxim, Solomoni e përfundoi tempullin me sukses. Edhe sot, kur programi i ndonjë ndërtimi teokratik përbën një sfidë, le të mos harrojmë fjalët e Davidit: «Ji i fortë dhe trim, përvishju punës.» Sa mënyrë e shkëlqyer për të nderuar Jehovain dhe për të përkrahur adhurimin e pastër!

20. Në lidhje me çfarë mori zemër mbreti Asai?

20 Pasi dëshironte të nderonte Perëndinë dhe të përkrahte adhurimin e pastër, mbreti Asai e çliroi Judën prej idhujve dhe prostitutave meshkuj të tempullit. Ai hoqi, gjithashtu, edhe gjyshen e tij apostate nga pozita e saj e lartë dhe dogji «idhullin e neveritshëm» të saj. (1. Mbretërve 15:11-13) Po, Asai «mori zemër dhe hodhi idhujt e neveritshëm nga tërë vendi i Judës dhe i Beniaminit si dhe nga qytetet që kishte pushtuar në zonën malore të Efraimit, ndreqi edhe altarin e Zotit që gjendej përpara portikut të Zotit». (2. Kronikat 15:8) Po ti, a e hedh tej me guxim apostazinë dhe a e përkrah adhurimin e pastër? A i përdor burimet materiale për t’u dhënë shtysë interesave të Mbretërisë? Dhe a po kërkon të nderosh Jehovain, duke marrë pjesë rregullisht në shpalljen e lajmit të mirë si një Dëshmitar i tij?

21. (a) Si mund të na ndihmojnë tregimet mbi njerëzit që kanë mbajtur integritetin në kohët para krishterimit? (b) Çfarë do të shqyrtohet në artikullin vijues?

21 Sa mirënjohës jemi që Perëndia ka ruajtur tregime biblike në lidhje me njerëz që kanë mbajtur integritetin në kohët para krishterimit! Sigurisht, shembulli i tyre i shkëlqyer mund të na ndihmojë për të kryer shërbimin e shenjtë ndaj Jehovait me guxim, me frikë të shenjtë dhe me nderim të madh. (Hebrenjve 12:28) Por edhe Shkrimet Greke përmbajnë shembuj të guximit të shenjtë në vepër. Në ç’mënyrë disa prej atyre tregimeve mund të na ndihmojnë për të ecur me guxim në rrugët e Jehovait?

Si do të përgjigjeshe?

◻ Çfarë është guximi?

◻ Si treguan guxim Enoku dhe Noeja?

◻ Në cilat aspekte Abrahami, Sara dhe Isaku vepruan me guxim?

◻ Çfarë shembujsh të guximshëm na lanë Moisiu, Josiu dhe Kalebi?

◻ Si treguan edhe të tjerë se patën guxim për të besuar në Perëndinë?

[Figura në faqen 15]

Gideoni dhe grupi i tij i vogël i luftëtarëve besuan me guxim në Jehovain

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo