KOMBET
Në kuptimin e gjerë, një komb përbëhet nga njerëz që, pak a shumë, kanë lidhje gjaku me njëri-tjetrin dhe një gjuhë të përbashkët. Zakonisht, një grup i tillë kombëtar ka një territor gjeografik të përcaktuar dhe i nënshtrohet një forme qeverisjeje qendrore. Sipas një fjalori teologjik, «në hebraisht fjala goj priret të përdoret për të paraqitur një popull në aspektin politik e territorial, duke e përqasur kështu sa më shumë me termin tonë modern ‘komb’. Nga ana tjetër, fjala ʽam [popull] thekson gjithnjë fuqimisht elementin e lidhjes së gjakut, si bazë të bashkimit të popullit». (Theological Dictionary of the Old Testament, nga G. J. Boterveku dhe H. Ringreni, vëll. 2, 1975, f. 427) Termat grekë éthnos (komb) dhe laós (popull) përdoren në mënyra të ngjashme. Në Shkrime, shumësi i fjalëve gohj dhe éthnos përdoret zakonisht për kombet jojudeje.
Origjina. Shenja e parë e formimit të kombeve të mëvetësishme shfaqet në periudhën pas Përmbytjes, gjatë ndërtimit të kullës së Babelit. Ata që morën pjesë në atë projekt, i bashkonte kundërvënia ndaj qëllimit të Perëndisë. Faktori kryesor që lehtësonte këtë veprim të bashkuar, ishte se «gjithë toka kishte vetëm një gjuhë dhe përdorte të njëjtat fjalë». (Zn 11:1-4) Jehovai e vuri re këtë dhe, duke ua ngatërruar gjuhën, «i shpërndau në gjithë faqen e tokës».—Zn 11:5-9; HARTA vëll. 1, f. 329 në botimin anglisht.
Tani pengesat në komunikim shkaktuan ndarje dhe çdo grup gjuhësor zhvilloi kulturën, artin, zakonet, tiparet dhe fenë e vet; secili i bënte gjërat sipas mënyrës së vet. (Le 18:3) Të larguar nga Perëndia, popujt e ndryshëm sajuan idhuj të shumtë për perënditë e tyre mitike.—Lp 12:30; 2Mb 17:29, 33.
Tri degëzime të mëdha kombesh dolën nga bijtë dhe nipat e djemve të Noesë, Jafetit, Kamit dhe Semit, të cilët u njohën si etërit e kombeve përkatëse që morën emrat e tyre. Prandaj, lista me 70 kombet që gjendet te kapitulli i 10-të i Zanafillës, mund të quhet katalogu më i vjetër i kombeve. Katërmbëdhjetë ishin me origjinë jafetike, 30 kamite dhe 26 semitike. (Zn 10:1-8, 13-32; 1Kr 1:4-25) Për më shumë informacione për këto grupe kombëtare shih TABELËN, vëll. 1, f. 329 në botimin anglisht, si dhe zërat për secilin nga 70 pasardhësit e Noesë.
Natyrisht, me kalimin e kohës ndodhën shumë ndryshime. Disa kombe u asimiluan nga fqinjët e tyre ose u zhdukën fare, ngaqë ishin të dobëta ose për shkak të sëmundjeve a luftërave; ndërkohë, kombe të tjera u krijuan si rrjedhojë e lëvizjeve të reja ose e shtimit të popullsisë. Hera-herës, te disa kombe fryma e nacionalizmit u bë tepër e fortë dhe kjo, bashkë me arritjet e mëdha ushtarake, ndezi te njerëz ambiciozë shkëndijën e nevojshme për të ndërtuar perandori botërore në kurriz të kombeve më të dobëta.
Atë i kombeve. Perëndia e udhëzoi Abramin të largohej nga Uri e të shkonte në një vend që Ai do t’ia tregonte, sepse si tha Perëndia: «Unë do të bëj nga ti një komb të madh.» (Zn 12:1-4) Më vonë, Perëndia hodhi më shumë dritë mbi këtë premtim, duke thënë: «Ti ke për t’u bërë atë i shumë kombeve. . . . Do të të bëj shumë, shumë të frytshëm, dhe nga ti do të dalin kombe e mbretër.» (Zn 17:1-6) Ky premtim u përmbush. Ismaelit, birit të Abrahamit, i lindën «dymbëdhjetë prijës sipas klaneve të tyre». (Zn 25:13-16; 17:20; 21:13, 18) Nëpërmjet gjashtë bijve të Keturës, edhe kombe të tjera e kanë zanafillën nga Abrahami. (Zn 25:1-4; 1Kr 1:28-33; Ro 4:16-18) Nga Isaku, biri i Abrahamit, rrodhën izraelitët dhe edomitët. (Zn 25:21-26) Në një kuptim më të gjerë, frymor, Abrahami u bë «atë i shumë kombeve», sepse njerëz nga shumë kombe, përfshirë ata të kongregacionit të krishterë në Romë, falë besimit dhe bindjes, mund ta quanin Abrahamin atin e tyre, pasi ai është «ati i të gjithë atyre që kanë besim».—Ro 4:11, 16-18; shih IZRAELI nr. 2.
Pikëpamja e Perëndisë për kombet. Përderisa është Krijuesi dhe Sovrani i Universit, Perëndia ka të drejtën absolute të përcaktojë kufijtë territorialë të kombeve (nëse zgjedh të bëjë kështu), sikurse bëri në rastin e Amonit, të Edomit dhe të Izraelit. (Lp 2:17-22; 32:8; 2Kr 20:6, 7; Ve 17:26) Madhështia e atij që është Më i Larti dhe më i Madhërishmi në gjithë tokën, nuk mund të krahasohet me atë të kombeve. (Jr 10:6, 7) Faktikisht, në sytë e tij kombet s’janë gjë tjetër veçse një pikë ujë në një kovë. (Is 40:15, 17) Kështu, kur kombet tërbohen e murmuritin kundër Jehovait, siç bënë kur vranë Jezuin në shtyllën e torturës, Ai vetëm qesh me to, i përqesh, i ngatërron dhe ua prish qëllimet arrogante kundër Tij.—Ps 2:1, 2, 4, 5; 33:10; 59:8; Dn 4:32b, 34, 35; Ve 4:24-28.
E megjithatë, ndonëse Jehovai është tejet i madh e i fuqishëm, askush s’ka të drejtë ta akuzojë se i ka trajtuar padrejtësisht kombet. Për Perëndinë s’ka fare rëndësi nëse ka të bëjë me një njeri të vetëm ose me një komb të tërë, ai nuk bën kurrë kompromise me parimet e tij të drejta. (Jb 34:29) Nëse një komb pendohet, si në rastin e popullit të Ninevisë, e bekon. (Jn 3:5-10) Mirëpo, nëse bën atë që është e keqe, edhe sikur të ketë bërë besëlidhje me të, ai e shkatërron. (Jr 18:7-10) Kur lind ndonjë çështje, Jehovai dërgon profetët e tij me mesazhe paralajmëruese. (Jr 1:5, 10; Ezk 2:3; 33:7) Perëndia nuk trajton me anësi askënd, i madh a i vogël qoftë.—Lp 10:17; 2Kr 19:7; Ve 10:34, 35.
Prandaj, kur kombe të tëra nuk pranojnë ta njohin e t’i binden Jehovait, ose e fshijnë fare nga mendja e zemra, ai zbaton kundër tyre vendimet gjyqësore. (Ps 79:6; 110:6; 149:7-9) Ai i shfaros dhe i çon në Sheol. (Ps 9:17; Is 34:1, 2; Jr 10:25) Me një gjuhë përshkruese, Perëndia thotë se kombet do t’i jepen në dorë Birit të tij, atij që quhet «i Besueshëm e i Vërtetë . . . Fjala e Perëndisë», që t’i bëjë copë e çikë.—Ps 2:7-9; Zb 19:11-15; krahaso Zb 12:5.
Kombi i ri i Izraelit frymor. Për shekuj me radhë, Perëndia Jehova u mor vetëm me Izraelin natyror, duke i dërguar herë pas here kombit profetët e tij që të kthehej nga rruga rebele. Së fundi, dërgoi Birin e tij, Krishtin Jezu, por shumica e hodhi poshtë. Prandaj, krerëve të priftërinjve dhe farisenjve që s’besonin, Jezui u tha: «Mbretëria e Perëndisë do t’ju merret dhe do t’i jepet një kombi që prodhon frytet e saj.»—Mt 21:33-43.
Apostulli Pjetër tregoi në mënyrë të qartë se ai ‘komb’ përbëhej nga njerëz që kishin pranuar Krishtin Jezu. (1Pj 2:4-10) Në fakt, ai u tha vëllezërve të tij të krishterë po ato fjalë që Perëndia i drejtoi Izraelit natyror: «Ju jeni ‘racë e zgjedhur, priftëri mbretërore, komb i shenjtë, popull për zotërim të veçantë’.» (1Pj 2:9; krahaso Da 19:5, 6.) Të gjithë ata e pranuan Perëndinë si Sundimtar dhe Birin e tij si Zotëri e Krisht. (Ve 2:34, 35; 5:32) Qytetaria e tyre ishte në qiej (Fi 3:20) dhe u vulosën me frymën e shenjtë, që ishte kapari i trashëgimisë së tyre qiellore. (2Ko 1:22; 5:5; Ef 1:13, 14) Izraeli natyror u bë komb nën besëlidhjen e Ligjit, kurse ‘kombi i shenjtë’ i të krishterëve të lindur nga fryma u bë i tillë nën besëlidhjen e re. (Da 19:5; He 8:6-13) Për këto arsye, ishte më se me vend që të quheshin një «komb i shenjtë».
Në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., kur fryma e shenjtë e Perëndisë u derdh për herë të parë mbi rreth 120 dishepuj të Jezuit (të gjithë judenj), u bë e qartë se tani Perëndia po merrej me një komb të ri, frymor. (Ve 1:4, 5, 15; 2:1-4; krahaso Ef 1:13, 14.) Më vonë, duke filluar nga viti 36 i e.s., pjesë e këtij kombi të ri mund të bëheshin edhe individë nga kombe të parrethprera, të cilët morën frymën e Perëndisë në mënyrë të ngjashme.—Ve 10:24-48; Ef 2:11-20.
Në lidhje me predikimin e lajmit të mirë në të gjitha kombet, shih LAJMI I MIRË.
Gog dhe Magog. Libri biblik i Zbulesës (20:7, 8) thotë se, pas Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit, Satanai «do të dalë për të mashtruar kombet në të katër cepat e dheut, Gog dhe Magog». Është e dukshme që këto kombe janë pjellë e rebelimit kundër administrimit të Krishtit.—Shih GOGU nr. 3.