ISMAELI
[Perëndia dëgjon (mban vesh)].
1. I biri i Abrahamit dhe i Agarës, skllaves egjiptiane të Sarës; lindi në vitin 1932 p.e.s. kur i ati ishte 86 vjeç.—Zn 16:1-4, 11-16.
Kur mori vesh që edhe Sarës do t’i lindte një djalë nga i cili do të vinin «mbretër popujsh», Abrahami iu lut Perëndisë për të parëlindurin e tij: «Rroftë para teje Ismaeli!» Pasi i tha se djali që do t’i lindte, Isaku, do të ishte trashëgimtari i besëlidhjes, Perëndia iu përgjigj: «Sa për Ismaelin, të kam dëgjuar. Ja, unë do ta bekoj, do ta bëj të frytshëm dhe do ta shumoj së tepërmi. Prej tij do të dalin dymbëdhjetë prijës, dhe unë do ta bëj një komb të madh.» (Zn 17:16, 18-20) Ismaeli ishte rrethprerë në moshën 13-vjeçare, në të njëjtën kohë me të atin dhe shërbëtorët e të atit.—Zn 17:23-27.
Një vit më vonë lindi Isaku. Në atë kohë, Ismaeli ishte 14 vjeç. (Zn 16:16; 21:5) Pesë vjet më vonë, në vitin 1913 p.e.s., ditën kur Isakut iu hoq gjiri, Sara e kapi Ismaelin ‘duke u tallur’ me gjysmëvëllanë e tij më të vogël. (Zn 21:8, 9) Kjo nuk ishte një lojë e padjallëzuar fëmijësh nga ana e Ismaelit. Përkundrazi, siç tregohet nga vargu vijues, ndoshta Ismaeli e ngacmonte Isakun ngaqë ishte trashëgimtari. Apostulli Pavël tha se këto ngjarje ishin «një dramë simbolike», dhe tregoi se keqtrajtimi i Isakut nga Ismaeli (gjysmëegjiptian), ishte përndjekje. Pra, ky ishte fillimi i 400 viteve të mundimit të parathënë për Izraelin. Kjo periudhë përfundoi në vitin 1513 p.e.s. kur kombi u çlirua nga zgjedha e Egjiptit.—Ga 4:22-31; Zn 15:13; Ve 7:6; shih ISAKU.
Ngaqë Ismaeli e shfaqi hapur përçmimin për Isakun, Abrahami e largoi atë dhe nënën e tij, Agarën. Megjithatë, i dha gjërat e nevojshme për udhëtimin. Abrahami «i dha Agarës bukë dhe një kacek me ujë, e ia vuri në sup. I dha edhe djalin dhe pastaj e përzuri».—Zn 21:14.
Me sa duket, Agara humbi rrugën në shkretëtirën e Beer-Shebës. Kështu, kur i mbaroi uji dhe Ismaelin e lanë fuqitë, «ajo e hodhi fëmijën nën një kaçubë». (Zn 21:14, 15) Shprehja «e hodhi fëmijën» nuk do të thotë se Ismaeli ishte një foshnjë që mbahej në krahë. Fjala hebraike jéledh (fëmijë) nuk nënkupton medoemos një foshnjë, por shpesh përdoret për një adoleshent ose djalë të ri. Për shembull, për të riun Jozef (që në atë kohë ishte 17 vjeç) thuhet se u shit si skllav megjithëse Rubeni kundërshtonte: «Mos mëkatoni kundër djalit [vaijéledh].» Gjithashtu, Lameku foli për «një djalë të ri [jéledh]» që e kishte plagosur.—Zn 42:22; 4:23; shih edhe 2Kr 10:8.
Fakti që Agara «e hodhi» fëmijën, nuk do të thotë se ajo po e mbante në krahë ose në shpinë, përkundrazi, po e mbante të birin e lodhur që të mos binte. Siç duket, ajo e la menjëherë, siç bënë ata që i çuan Jezuit të çalë e të gjymtuar dhe «pothuajse ia hodhën ndër këmbë».—Mt 15:30.
Në përputhje me domethënien e emrit Ismael, «Perëndia e dëgjoi» thirrjen e tij për ndihmë, i siguroi ujin për të cilin kishte nevojë dhe e la të jetonte e të bëhej harkëtar. Si shtegtar nëpër shkretëtirën e Paranit, ai përmbushi profecinë që ishte thënë për të: «Ai do të jetë si një zebër. Dora e tij do të ngrihet kundër të gjithëve, dhe dora e të gjithëve do të ngrihet kundër tij. Ai do të fushojë para gjithë vëllezërve të vet.» (Zn 21:17-21; 16:12) Agara i gjeti të birit një grua egjiptiane dhe me kalimin e kohës atij i lindën 12 bij, prijësit dhe patriarkët e ‘kombit të madh’ të premtuar të ismaelitëve. Gjithashtu, Ismaeli pati të paktën një vajzë, Mahalatën, e cila u bë gruaja e Esaut.—Zn 17:20; 21:21; 25:13-16; 28:9; shih ISMAELITËT.
Në moshën 89-vjeçare Ismaeli bashkë me Isakun varrosën të atin, Abrahamin. Pas kësaj, ai jetoi edhe 48 vjet dhe vdiq në vitin 1795 p.e.s. në moshën 137-vjeçare. (Zn 25:9, 10, 17) Nuk ekziston asnjë tregues që Ismaeli të jetë varrosur në shpellën e Makpelahut, ku u varrosën Abrahami, Isaku dhe gratë e tyre.—Zn 49:29-31.
2. Pasardhës i Saulit nga Jonatani; biri i Azelit nga fisi i Beniaminit.—1Kr 8:33-38, 40; 9:44.
3. I ati i Zebadiahut, të cilin Jehozafati e caktoi të shërbente si përfaqësues i mbretit për çështjet gjyqësore; nga fisi i Judës.—2Kr 19:8, 11.
4. Një nga «krerët e qindësheve» që bënë besëlidhje me kryepriftin Jehojada për të rrëzuar nga froni Atalinë e ligë dhe për të hipur në fron Jehoasin; biri i Jehohananit.—2Kr 23:1, 12-15, 20; 24:1.
5. Kreu i bandës që vrau guvernatorin Gedaliah, vetëm tre muaj pas rënies së Jerusalemit në vitin 607 p.e.s.; biri i Netaniahut me prejardhje mbretërore. Në kohën kur Nabukodonosori emëroi guvernatorin, biri i Netaniahut, Ismaeli, që ishte një nga krerët ushtarakë, gjendej në fushë. Më vonë, ai vajti te Gedaliahu dhe, me sa duket, bëri me të një besëlidhje paqeje dhe përkrahjeje. Mirëpo pas shpine ai komplotoi me Baalisin, mbretin e amonitëve, që ta vriste Gedaliahun. Komandantët e tjerë të ushtrisë, ku bënte pjesë edhe Johanani, e paralajmëruan Gedaliahun për atë që po kurdiste Ismaeli, por guvernatori nuk deshi të besonte dhe nuk lejoi që Johanani ta vriste Ismaelin.—2Mb 25:22-24; Jr 40:7-16.
Kështu, kur Gedaliahu i kishte shtruar për të ngrënë Ismaelit dhe dhjetë burrave që ishin me të, ata u ngritën e vranë mikpritësin që u kishte çelur derën, si dhe judenjtë e kaldeasit që ishin me të. Të nesërmen, këta vrasës zunë 80 burra që kishin ardhur nga Sikemi, Shilohu e Samaria, dhe i vranë të gjithë përveç 10 prej tyre. Kufomat i hodhën në sternën e madhe që kishte ndërtuar mbreti Asa. Pastaj, Ismaeli dhe burrat e tij zunë rob pjesën tjetër të banorëve të Mizpahut dhe morën rrugën drejt territorit amonit. Rrugës Johanani dhe forcat e tij i zunë dhe i liruan robërit, por Ismaeli dhe tetë nga burrat e tij shpëtuan dhe ia mbathën të gjenin mbrojtje tek amonitët.—2Mb 25:25; Jr 41:1-18.
6. Një nga priftërinjtë e shtëpisë atërore të Pashkurit që larguan gratë e huaja në kohën e Ezdrës.—Ezd 10:22, 44.