LUGINA E PËRROIT TË KISHONIT
Rrjedhë uji që mendohet se është Nahr-el-Mukataʽ (Nahal-Kishoni). Që nga kodrat afër Tanakut, Kishoni gjarpëron drejt veriperëndimit duke përshkuar rrafshinën e Jezreelit ose Esdraelonit (ʽEmek-Jizreʽelit) dhe, pasi rrjedh nëpër një gryke të ngushtë mes malit Karmel dhe kurrizit të kodrave të Galilesë, hyn në rrafshinën e Akos (Akres) e pastaj derdhet në Mesdhe. Distanca në vijë ajrore, nga burimet e Kishonit deri në grykëderdhjen e tij në gjirin e Akos, është rreth 37 km. Në pranverë lumi është afërsisht 6 m i gjerë dhe, kur përshkon pjesën perëndimore të rrafshinës së Jezreelit, zgjerohet me rreth 3 m. Ai arrin gjerësinë maksimale, rreth 20 m, në rrafshinën e Akos. Kishoni zakonisht është i thatë gjatë verës, përveç 10 kilometrave të fundit. Por, në stinën e shirave bëhet një rrjedhë e rrëmbyer që del nga shtrati dhe merr me vete gjithçka që i del para. Për pasojë, rrafshina që përshkon Kishoni kthehet në zonë moçalore.
Në kohën e Barakut dhe të Deborës, lugina e përroit të Kishonit luajti rol në çlirimin e izraelitëve nga zgjedha kananite. Kur mori vesh se Baraku dhe luftëtarët e tij zunë pozicion në malin e Taborit, kreu i ushtrisë kananite, Sisera, bashkë me forcat e tij të armatosura mirë dhe me 900 karroca lufte shkoi në Kishon. (Gjy 4:6, 7, 12, 13) Dukej se ata kishin epërsi mbi ushtrinë izraelite. Por, me të marrë urdhër, Baraku dhe 10.000 luftëtarët e tij zbritën nga mali i Taborit që të përballeshin në betejë me armikun. Atëherë Perëndia Jehova ndërhyri. «Nga qielli luftuan yjet, luftuan kundër Siserës nga orbitat e tyre.»—Gjy 4:14, 15; 5:20.
Sipas traditës judaike që paraqet në veprën e tij historiani Jozef «shpërtheu një stuhi e madhe, shiu e breshëri binin rrëke dhe era ia përplaste shiun në fytyrë kananitëve duke u errur sytë, kështu që harqet dhe hobetë nuk vlenin për asgjë». (Antikitete judaike, V, 205 [v, 4]) Një rrebesh i tillë mund ta ketë kthyer dheun në baltë e ka të ngjarë që karrocat të jenë bllokuar në vend, kuajt të kenë ngecur në llucë dhe armiqtë t’ia kenë mbathur të tmerruar para luftëtarëve të Barakut. Sido që të ketë qenë, me ndihmën e Jehovait, «tërë ushtria e Siserës ra nga tehu i shpatës. Nuk mbeti as edhe një.» (Gjy 4:15, 16; shih edhe Ps 83:9, 10.) Me sa duket, Kishoni i pabesë i përpiu kufomat e armiqve. (Gjy 5:21) Ndërkaq Sisera ia mbathi më këmbë e vdiq me turp nga dora e një gruaje, Jaelës, gruas së kenitit Heber.—Gjy 4:17-21.
Më vonë, gjatë mbretërimit të Akabit në Izrael, profeti Elija vrau 450 profetë të Baalit në luginën e përroit të Kishonit.—1Mb 18:22, 40.
‘Ujërat e Megidos’ (Gjy 5:19) dhe ‘lugina e përroit që gjendet përballë Jokneamit’ (Js 19:11) mendohet se janë Kishoni.