BETH-JESHIMOTI
[shtëpi e shkretimeve].
Pika më jugore ku izraelitët ngritën kampin gjatë fushimit në rrafshinat e Moabit para se të kalonin Jordanin e të futeshin në Kanaan. (Nu 33:48, 49) Ky vendfushim shtrihej nga Beth-Jeshimoti deri në Abel-Shitim, një largësi rreth 8 km sipas vendndodhjeve të mundshme të këtyre vendeve. Beth-Jeshimotin aktualisht e lidhin me Tell-el-ʽAzeimehun pranë skajit verilindor të Detit të Vdekur dhe 19 km në juglindje të Jerikosë. Afër tij është Kirbet-Sveimehu, që, si vendbanim romak, njihej me emrin grek Besimot. Atypari gjendet edhe një burim i vrullshëm. Tell-el-ʽAzeimehu ndodhet në një vend të ngritur prej nga shihen rrafshinat poshtë. Që atje mund të kontrollohet dalja nga një prej luginave të përrenjve që zbresin nga malet në lindje.
Beth-Jeshimoti ishte pjesë e mbretërisë së Sihonit, mbretit të amoritëve dhe, pasi izraelitët e pushtuan atë rajon, iu caktua fisit të Rubenit. (Js 12:1-3; 13:15-21; krahaso Gjy 11:13-27.) Në kohën e profetit Ezekiel përfshihej mes disa qyteteve kufitare që ndodheshin në shpatin e Moabit dhe përshkruheshin si «stolia e vendit». (Ezk 25:8-10) Profecia tregon se Jehovai do të bënte që këto qytete kufitare të mbeteshin zbuluar, kështu Moabi do të mbetej i pambrojtur nga sulmet e «popujve të lindjes» ose «bijve të Lindjes», fiseve nomade që jetonin në shkretëtirën e Arabisë. (Krahaso Gjy 6:3, shën., NW; 8:10.) Moabi ka shumë të ngjarë ta ketë marrë Beth-Jeshimotin dhe qytete të tjera të Rubenit pasi këtë fis e çuan në mërgim në Asiri, në mos e pushtoi më parë.—1Kr 5:26.